Se cili është Fahri Balliu, besoj se nuk ka njeri një Shqipëri, i cili ndjek sadopak zhvillimet politike, që nuk e ka të qartë. Fahri Balliu është ekzemplari më ekzotik i monstrave të lindur në klimën e tranzicionit shqiptar, si rezultat i evolucionit të kësaj specieje të kohës së diktaturës komuniste. Se në ç’ marrëdhënie gjendet Fahri Balliu me Ledi Shamku-Shkrelin, deputeten aktuale të PS, edhe këtë gjë e ka të qartë çdokush që i ka përcjellë sadopak zhvillimet politike në vend, kohët e fundit. Kur zonja Shamku-Shkreli doli nga greva e urisë që mbante partia e saj në bulevardin e madh të Tiranës, Fahri Balliu shkruajti në gazetën e tij se Ledi Shamku doli nga greva e urisë për shkak të çrregullimeve menstruale, duke bërë edhe disa aluzione perverse në këtë sens.
Ky është pikërisht lloji i shkrimeve që i pëlqen Fahriut dhe e vetmja gjë të cilën ai di ta bëjë mirë, dhe për të cilën e mban pranë burri i ndershëm Berisha, i cili pak ditë më parë tha në parlament me krenari se ka 37 vjet i martuar. Fahriu i shkruan personalisht këto shkrime, edhe pse nuk e ve emrin. Ose më saktë nuk i shkruan, por i dikton. Se Fahriu nuk shkruan me dorën e vet, megjithëse mban një laptop dhe një kompjuter statik ultramodernë në zyrën e vet. Fahriu ecën me duart prapa shpine lart e poshtë zyrës së vet të madhe, e cila është më e madhe se ajo e Berishës dhe e Ramës. Madhësia e zyrës është në përpjestim me madhësinë e mashtrimeve të Fahriut. Zyrën dhe disa mjedise të tjera, në rrugën “Komuna e Parisit” (“Medar Shtylla”), Fahriu i ka siguruar falas, duke mashtruar një ndërtues të cilit i tha se do ta bënte deputet dhe me të cilin në fund u nda duke i dhënë dy tendera të majmë, ku mori edhe Fahriu një milion e gjysëm euro.
Pra, Fahriu ecën lart e poshtë zyrës së madhe dhe i dikton njërës prej tre sekretareve të tij, fantazitë e tij prej horri, të artikuluara sipas linjës politike të Berishës. Kur Fahriu bën shkrime si ky që përmenda për Ledi Shamkun, ai del lart e poshtë nëpër Tiranë dhe pret urimet nga horrat si puna e tij, kafene më kafene, pa harruar urimet me sms.
Nuk do ta merrja mundimin që të shkruaja për këto bëma të Fahri Balliut, sikur të mos kisha parë nga një vëzhgim i thjeshtë në faqen online të Institutit të kërkimeve politike “De Gasperi”, që ka themeluar dhe drejton Fahri Balliu, të mos shikoja se në bordin drejtues të institutit, gjendet ende emri i Ledi Shamku-Shkreli. Këtë mund ta verifikoni vetë në linkun http://www.degasperi.al/stafi.htmlNë këtë link do të shikoni se tek Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide De Gasperi” Fahri Balliu është Drejtor ekzekutiv, ndërsa kunata e tij, Blegina Agolli (Kodra) është Sekretare e përgjithshme. Këta të dy e kanë edhe fotografinë. Të tjerët, poshtë tyre, anëtarët e bordit, duke përfshirë dhe zonjën Shamku-Shkreli, nuk e kanë fotografinë. Fahriu ka dalë fotografi me një shall të gjatë në qafë, i cili është identik me shallin që i humbi Gustavo Selvës në Tiranë, kur erdhi të marrë pjesë në promovimin e institutit të Fahriut, ku është anëtar bordi. Fahriu, ka një supersticion, mendon se i ecën fati kur mban gjëra të vjedhura.
Nëse Ledi Shamku-Shkreli, në vitin 2000 kur u krijua instituti, mund të kishte ndonjë iluzion për Fahri Balliun, se ishte dikushi si intelektual, kjo edhe mund t’ i falet, se zonja ishte larguar në Itali që në 1991 dhe nuk e njihte Fahri Balliun se kush ishte. Tashmë nuk besoj se ajo ka ende iluzione për të, madje është e kundërta, ajo e urren dhe e përçmon atë. E megjithatë çuditërisht, zonja Shamku-Shkreli, ende nuk ka dhënë dorëheqjen publikisht nga bordi drejtues i institutit të Fahri Balliut, gjë që duhet ta kishte bërë me kohë. Duhet ta kishte bërë së paku që në kohën kur doli se Fahriu ishte bërë ortak në bizneset e Delijorgjit, duke keqpërdorur emrin e vajzës së tij. Duhet ta kishte bërë qëkurse sekretarja e përgjithshme e institutit, kunata e Fahriut, Blegina Agolli (Kodra), u zbulua të jetë menaxhere në punimet që bënte në Shqipëri dega e Bosnjë-Herzegovinës e kompanisë “Alpine” (dega kryesohej nga një serb), pas tenderave për ndërtimin e rrugëve që kishte fituar me ndërhyrjen e Fahriut. Kjo në një kohë që Blegina Agolli ishte edhe sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, çka përbënte shkelje të hapur të ligjit.
Zonja Shamku-Shkreli duhet të kishte dhënë dorëheqjen publikisht nga bordi i institutit mashtrues të Fahri Balliut, qëkurse ajo denoncoi blerjen abuzive të librave nga Ministria e Arsimit për bibliotekat e shkollave. Se përfituesi kryesor nga këto abuzime është Fahri Balliu, i cili është edhe pronar i Shtëpisë botuese “55”, e cila një pjesë të madhe të librave i boton me sponsorizim të Ministrisë së Kulturës dhe pjesën më të madhe ia ble Ministria e Arsimit.
Zonja Shamku-Shkreli e ka të qartë se institut i Fahriut, edhe pse emërtohet si i kërkimeve politike, në fakt i shërben Fahriut dhe familjes së tij, si një mjet për të kërkuar privilegje dhe për të bërë allishverishe të kundërligjshme. Tashmë kanë kaluar 10 vjet qëkurse u krijua instituti dhe kur Fahriu deklaroi se do të botonte librin me letra nga burgu të De Gasperit, duke shtuar se De Gaperi, i cili u burgos nga fashizmi, do të kishte qenë i kënaqur po ta dinte se po botohej nga shtëpia botuese “55”, e cila mbante si emër numrin e nenit me të cilin diktatura komuniste i mbushi burgjet me të burgosur politikë. Fahriu nuk e ka botuar ende dhe sot këtë libër, se Fahriut i duhet vetëm emri i De Gasperit për ta keqpërdorur, dhe jo vepra e tij.
Zonja Shamku-Shkreli është në shoqëri të keqe në bordin drejtues të fondacionit të Fahriut, se atje gjendet edhe Ilir Meta, Majlinda Bregu, vjehrri i Majlinda Bregut, Nikollë Lesi, Mark Marku, gruaja e Mark Markut, Luan Malltezi, krushku i Berishës, partneri i bilardos i Fahriut. Zonja Shamku-Shkreli ka detyrimin që ta dalë publikisht dhe të deklarojë dorëheqjen nga bordi i institutit mashtrues të Fahri Balliut. Çfarë pret zonja, apo që të japë dorëheqjen Aurel Plasari, i cili gjithashtu është anëtar i bordit? Kjo me sa duket nuk ka për të ndodhur, se Aurel Plasari ka dhe shumë fije të tjera që e lidhin me Fahri Balliun.
kastriotmyftaraj@sot.com.al





