Koha e maskave veneciane për elitat shqiptare





Nga Kastriot Myftaraj

28 dhjetor 2010

        Në shekullin XVII filloi, së pari në Angli, ai që u quajt Grand Tour, domethënë udhëtimi i njerëzve të klasave të larta të Europës Veriore për në Europën Jugore, në Itali, për t’ u njohur me gjurmët e së shkuarës së qytetërimit europian, që i kishte themelet tek Imperia Romane. Udhëtarët nga Europa Veriore, kalonin nëpër Francë, Zvicër dhe e përfundonin udhëtimin në Itali, ku bëhej një ndalesë në Venecia (Venedik) e më tutje në Firence, Romë etj. Këtë modë e nxiti Thomas Coryat, i cili në vitin 1611 botoi librin “Coyrat’s crudities: Hastily gobled up in five Month’s Travel”, ku përshkruhet udhëtimi i Coryat nga Londra në Venedik, nëpër Francë, Gjermani, Itali, për në Venedik (Venice për anglezët). Coryat saktësoi se ky udhëtim zgjaste 1975 milje, ose 3175 km. Termin “Grand Tour” e krijoi Richard Lasseles, një prift anglez i cili kishte qenë kujdestari dhe mësuesi i shumë fëmijëve të aristokracisë angleze. Ai në librin “Voyage or a Complete  Journey through Italy” (1670) kërkonte që që artistokratët e rinj ta bënin këtë udhëtim për të mësuar mbi trashëgiminë kulturore, politike, ekonomike, historike të Europës. Lasseles sugjeronte që të merrnin me vete librat e Ciceronit, për t’ i lexuar gjatë udhëtimit.
        Kjo dyndje e njerëzve të pasur të Europës Veriore kah Jugu, me motive intelektuale, ngjalli interesin e shumë qarqeve që nuk kishin qëllime kaq fisnike, më së shumti në Venedik. Venediku atëherë shihej si Gomorra e Europës dhe ishte famëkeq për orgjitë, klubet e natës, kazinot, shoqëritë e fshehta ku bëheshin orgji të ritualizuara etj. Veçanërisht në Venedik u krijua një industri e tërë e joshjes dhe praktikisht e grabitjes së sofistikuar të njerëzve të pasur nga Europa Veriore, të cilët tërhiqeshin në shoqëritë e fshehta veneciane, të cilat ishin me famë në krejt Europën. Venediku, kjo imperi detare, për shumë shekuj kishte bërë tregtinë mes Lindjes dhe Europës dhe kjo kishte bërë që Venediku të bëhej sjellësi në Europën mesjetare i ezoterikës lindore, dijeve okulte të trashëguara nga Egjipti i Vjetër, Asiria, Babilonia, Kina etj.
        Meqënëse në Venedik endej krejt elita e Europës, ata e bënë zakon që të mbanin maska në fytyrë. Këto maska të punuara me shumë art, u bënë simboli i jetës së shthurrur veneciane, i jetës së kabareve, kazinove, shoqërive të fshehta. Maskat që mbajnë njerëzit në llozhën sekrete në filmin “Eyes Wide Shut” me Tom Cruise dhe Nicole Kidman janë pikërisht maska venedikase dhe vetë llozha është një imitim i shoqërive sekrete ndërkombëtare që lulëzonin dikur në Venedik. Aq shqetësuese u bë në Europën Veriore kjo që ndodhte në Venedik me njerëzit e elitës së tyre, saqë Friedrich Schiller, i cili sot mbahet si një nga dy shkrimtarët më të mëdhenj gjermanë të kohës (tjetri është miku i tij Gëte), shkroi një roman me titull “Ai që sheh fantazma: Nga letrat e kontit O”. Ky roman, i botuar fillimisht në një gazetë gjermane në vitet 1787-1789, do të bëhej vepra më e njohur e Schiller në kohën që ai ishte gjallë.
        Në këtë roman tregohet se si trashëgimtari i sundimtarit të një principate gjermane, i cili shkon në një udhëtim në Venedik, dhe atje bëhet anëtar i një shoqërie të fshehtë të quajtur “Bucentauro”, tek e cila sipas Schiller një fasadë intelektuale përdorej për të kamufluar ushtrimin e orgjive të shfrenuara. Princi fillon të bëjë një jetë të tillë dhe kjo e bën që të shpenzojë krejt paratë e tij dhe të hyjë në borxhe tek fajdexhinjtë çifutë të Venedikut. Romani i Schiller mbeti i papërfunduar. Në roman princi shpëtoi nga kurthi ku kishte rënë dhe u largua për në vendin e vet, por nuk e zbuloi dot enigmën e njeriut misterioz i cili montonte situata, ashtu që jeta e princit të hynte në një rrjedhë të caktuar.
        Nuk është e qartë se përse Schiller nuk e përfundoi romanin edhe pse jetoi edhe 16 vite pasi botoi fragmentin e fundit të romanit në një gazetë gjermane. Por një gjë mund të thuhet me siguri. Romani i Schiller preku shumë njerëz të fuqishëm. Shoqëritë sekrete për të cilat flet Schiller në roman, qenë shumë të fuqishme dhe Venediku qe vetëm një degëzim, dhe në një sens edhe një degradim i tyre. Në romanin e Schiller ka një personazh misterioz, i cili paraqitetet në identitete të ndryshme dhe për të cilin thuhet se dijet e tij i ka marrë në piramidat egjiptiane. Piramidat egjiptiane janë një lloj arkivi i shoqërive sekrete. Në roman princi dhe miku i tij kërkojnë që të zbulojnë të fshehtën e njeriut misterioz, por kjo nuk i bëhet me dije lexuesit se romani nuk përfundoi. Duket se edhe gazeta “Thalia” ku Schiller botoi romanin e tij, por edhe vetë Schiller, u tërhoqën para personazhit misterioz të romanit.
        Cila ishte e fshehta që dinte Schiller, por që nuk e zbuloi në roman? Kontrolli i njerëzve me anë të hedonizmit që praktikohej që në Antikitet në shoqëritë sekrete? A mos ndoshta e fshehta së cilës i ishte afruar Schiller ishte shumë më e madhe dhe ai vetëm sa iu afrua asaj me intuitën e gjeniut? A mos ndoshta në kuadrin e Grand Tour europian ekzistonte një shoqëri sekrete europiane synimi i sëcilës ishte kontrolli i jetës së njerëzve të elitave europiane? Schiller ndoshta e kuptoi se ai kishte shkuar tepër larg dhe u tërhoq. Edhe pse i papërfunduar, libri i Schiller u sugjerohej të gjithë të rinjve të pasur europianë, të cilët udhëtonin në Grand Tour, si paralajmërim për kurthet që i prisnin.
        Por a mos ndoshta vazhdon të ekzistojë sot e njëjta shoqëri sekret e kohës së Grand Tour, e cila regjistron gjithçka që bëjnë këta njerëz, i tërheq në situata-kurth që pastaj të mund të kontrollojë sjelljen e tyre? Dy shekuj pas Schiller, regjisori i famshëm Stanley Kubrick e rimori temën e shoqërive sekrete me maska veneciane në filmin “Eyes Wide Shut”. Kubrick vdiq në 4 mars 1999, katër ditë pasi filmi u shfaq për herë të parë, në një rreth të ngushtë njerëzish. A nuk të bëhet të besosh se ekziston një shoqëri sekrete e Grand Tour modern? Nuk ka si shpjegohet ndryshe që ne mund të gjejmë me përpikmëri në media, të zbuluara nga agjencitë inteligjente perëndimore bëmat në Grand Tour modern  të djemve të Ghedafit, apo se Erdogan ka llogari bankare në Zvicër, por jo ato të shqiptarëve që drejtojnë politikën, institucionet, fituesve të tenderave. Dhe pastaj perëndimorët na flasin për luftë kundër korrupsionit. Ku ka fillim më të mirë të luftës kundër korrupsionit tek shqiptarët se ai kur perëndimorët na zbulojnë bëmat e njerëzve të elitave tona në Grand Tour, ashtu siç perëndimorët bëjnë atëherë kur duan me njerëzit e vendeve të tjera!
         Sot, në Perëndim, Grand Tour është zgjeruar për nga numri i atyre që udhëtojnë, gjeografia dhe shpeshtësia e udhëtimeve. Kjo për shkak se mjetet e udhëtimit janë bërë shumë më të shpejta. Sot udhëtojnë shumë më tepër njerëz se në kohën e Grand Tour klasik, por megjithatë tradita e Grand Tour intelektual vazhdon të ruhet. Sot ka dy Grand Tour për perëndimorët, një intelektual dhe një thjesht hedonik, vulgar, venecian nëse mund ta quaj kështu. Të dytin e ushtrojnë dhe shtresa të gjera të popullsisë dhe mendojnë vetëm për të përmbushur kënaqësitë e rëndomta, pa asnjë ambicje intelektuale.
        Udhëtarët e elitave shqiptarë i përkasin këtij Grand Tour të dytë, vulgar. Njerëzit e elitave shqiptare, të cilët kanë mundësi financiare për të udhëtuar, politikanë, gjykatës, prokurorë, biznismenë, diplomatë, zyrtarë të OJF-ve të sponsoruara nga të huajt, drejtues të shumëpaguar të emisioneve televizive, udhëtojnë shumë sot. Madje pikërisht kjo periudhë e fundvitit është një kohë e “Grand Tour” për ta. Por “Grand Tour” i tyre është i llojit të maskave venedikase. Ata nuk parapëlqejnë ndonjë “Grand Tour” kulturor, intelektual, por atë të hedonik, të kabareve, kazinove të Perëndimit ose të Dubait. Kjo do të thotë se tek ne vërehet dukuria e barbarizimit të elitave. Njerëzit e elitave shqiptare, politikanë, biznismenë, drejtues OJF-sh, drejtues të medias, nuk është nevoja që të tërhiqen me anë të shoqërive sekrete si ajo që rrëfen Schiller, për të bërë një jetë hedonike, me shpenzime të shfrenuara. Ata janë të prirur pikërisht për këtë gjë.
         Në Grand Tour të dikurshëm europian kishte një përputhje pak a shumë të madhe mes grupit të udhëtarëve dhe elitës intelektuale të kohës. E njëjta gjë vazhdon edhe në sot në Perëndim, ku ruhet tradita e udhëtimit të elitave, e filluar me Grand Tour. Madje është ringjallur edhe Grand Tour klasik. Në vitin 2000 Tim Moore ka botuar librin“Continental Drifter: Taking the Low Road with the first Grand Tourist”, ku ndjek itinerarin e Thomas Coryat. Dikur, udhëtarët elitarë europianë të Grand Tour të shekullit XVIII merrnin me vete librin voluminoz të Edward Gibbon “The History of the Decline and the Fall of the Roman Empire”. Sot udhëtarët elitarë shqiptarë, ata që lexojnë, në më të shumtën e rasteve, marrin me vete në këto udhëtime, libra për jetën e yjeve të Hollywood, romane policorë, libra astrologjie dhe gjëra të këtij lloji. Sa për ata shqiptarë të cilët lexojnë ato libra elitarë intelektualë, që i lexojnë homologët e tyre europianë dhe amerikanë, nuk kanë mundësi financiare që të bëjnë Grand Tour intelektual si homologët e tyre perëndimorë. Ata shqiptarë të cilët kanë maninë që të lexojnë libra elitarë intelektualë përgjithësisht duhet të kursejnë që të mund t’ i blejnë ato, dhe të ardhurat e tyre përgjithësisht janë sa shpenzimet që bën për qenin e vet një Grand Tourist shqiptar.
        Kështu ndodh ai që mund të quhet si Paradoksi i izolimit tek shqiptarët. Ata që përpiqen dhe janë më tepër në kontakt intelektual me Perëndimin, ndjehen më të izoluar. Rëndësia e këtij paradoksi në zhvillimet e ardhshme shqiptare nuk është për t’ u nënvlerësuar. Ndoshta kjo situatë frustrimi mund të shërbejë që intelektualët shqiptarë të gjejnë mënyrën për t’ i bërë trojet e tyre një stacion të një Grand Tour të posaçëm europian, atij revolucionar, i cili në trajta të ndryshme vazhdon edhe sot që prej shekullit XVIII.
        Problemet për elitat sunduese të Europës klasike filluan atëherë kur nisi edhe një Grand Tour sui generis i revolucionarëve. Ky Grand Tour që filloi me Revolucionin Francez, u kulmua me Revolucionin Rus të 1917-ës, vazhdoi me Luftën e Spanjws (1936-1939), dhe protestuesit ndërkombëtarë të lëvizjeve antiglobaliste, janë vetëm një aspekt bashkëkohor. tij. Në një sens të sigurt, sado e habitshme që të duket, ky Grand Tour revolucionar i Europës ishte vazhdim i kryqatave. Ai herë shfaqet si religjioz, herë si ideologjik, por është një lëvizje unike për nga dinamika. Në dinamikë të tij është akumulimi i energjisë tek gjeneratat europiane, të cilat kërkojnë ndryshime.         Periudhat revolucionare, pavarësisht nga motivet dhe arritjet, janë gjithëherë periudha të ndryshimit të elitave.
        A mund të jetë edhe Republika e Shqipërisë dhe në përgjithësi trojet shqiptare në dy anët e kufirit, stacioni i radhës i një Grand Tour të tillë revolucionar? Këtë do ta tregojë koha. Trojet shqiptare janë vend eksperimentesh ndërkombëtare, pse të mos eksperimentohet këtu edhe kjo gjë. Shqipëria ka qenë dy herë stacion i këtij Grand Tour, në kohën e Skënderbeut, kur në Arbërinë e krishterë që luftonte kundër agresionit osmano-islamik erdhën kontigjente luftëtarësh nga krejt Europa dhe në kohën e Enver Hoxhës, kur këtu erdhën komunistë nga krejt bota. Sot më tepër mundësi ka që Shqipëria dhe krejt trojet shqiptare të bëhen stacion i këtij lloj Grand Tour, ashtu si në kohën e Skënderbeut.
        Venecia e shekullit XVII, e cila ishte bërë kabare-kasinoja e elitave europiane, gjendej në anë të rrugës së invazionit osman drejt zemrës së Europës. Në fund të shekullit XVII osmanët rrethuan për herë të fundit Vienën. Nëse Viena do të kishte rënë, Venecia me siguri që do të kishte rënë fare pa luftë. Rreziku osmano-islamik nuk e pengoi ritualin hedonik të Grand Tour në Venedik. Një situatë e ngjashme është edhe në Europën e sotme. Europa e sotme është një “Venecie” ku një pjesë e madhe e popullsisë ushtron Grand Tour, ndërsa “osmanët”, islamikët tashmë kanë hyrë në zemër të saj. Cila shoqëri sekrete i mbajti elitat europiane nën magjinë e hedonizmit, ndërsa ndodhte kjo? Këtë do ta zbulojë koha, por një gjë është e sigurt. Europa-“Venecie” më së fundi duhet të reagojë se “Viena” ka rënë me kohë, “osmanët” kanë hyrë brenda saj dhe gjendej atje me shumicë. E nëse Europa nuk është ende gati për ta nisur luftën në tokën e saj, le të bëhet beteja e parë në Shqipëri, ashtu si dikur, në shekullin XV. Sot është koha e maskave veneciane për elitat shqiptare. Nesër do të jetë kohë tjetër.
kastriotmyftaraj@sot.com.al