Nga Kastriot Myftaraj
30 qershor 2010
Deklarata e Sekretares së Departamentit të Shtetit, Hillary Clinton në mbështetje të homoseksualit Klodi, i cili u bë i famshëm në Big Brother, në Top Channel, u përcoll në Shqipëri sipas stereotipit në të cilin përcillen qëndrimet e zyrtarëve amerikanë, ashtu si kumtet e orakujve tek popujt primitivë. Në Shqipëri nuk u debatua mbi deklaratën e zonjës Clinton, por vetëm në raport me deklaratën e zonjës Clinton. Pra, debati në Shqipëri u artikulua duke e marrë deklaratën e zonjës Clinton si instancën supreme të së vërtetës. Kjo gjë në mënyrë paradoksale i jep debatit në Shqipëri një profil të lartë totalitar, ku zonja Clinton gjendet në pozitën e Big Brother orëellian. E pra, në SHBA zonja Clinton nuk e gëzon një komoditet të tillë në debatin publik. Atje ajo është subjekt i kritikave të forta, duke përfshirë edhe angazhimin e saj në mbështetje të homoseksualëve, si Klodi.
Në vitin 2007 në SHBA-të është botuar libri me rreth 500 faqe “Liberal fascism: The secret history of the American left from Mussolini to the politics of meaning”, që ka për autor Jonah Goldberg. Jonah Goldberg nuk është ndonjë outsider i medias amerikane por editorialist i gazetës së madhe “Los Angeles Times”, e cila është gazeta më e madhe konservatore në SHBA-të sot. Ai ka shkruar edhe për “Times” të Londrës dhe “Wall Street Journal”. Libri nuk është botuar nga ndonjë shtëpi botuese e dorës së tretë, por nga “Doubleday”, një degë e “Random House”. Autori i kushton Hillary Clinton një kapitull të tërë me 33 faqe, nën titullin “Brave New Village: Hillary Clinton and the Meaning of Liberal Fascism”. Autori e ka fjalën për konceptin politik të Hillary Clinton, të quajtur “politics of meaning”, të cilin ai e ka bërë pjesë të titullit të librit, të përmendur më lart, duke e quajtur kulmim të atij që e quan Fashizmi liberal.
Autori e fillon librin me një deklaratë të George Carlin: “Kur fashizmi të vijë në Amerikë ai nuk do të jetë i veshur në këmisha të murrme e të zeza. Ai nuk do të jetë me çizme. Ai do të jetë i veshur në këpucë atletike Nike, bluza Smiley, do të jetë fashizëm buzëqeshës. Gjermania e humbi Luftën e Dytë Botërore. Fashizmi e fitoi atë. Më besoni, miqtë e mi”. (Jonah Goldberg: “Liberal fascism: The secret history of the American left from Mussolini to the politics of meaning”, New York 2007, Doubleday, f. 1)
Autori i librit na propozon si pikëpamje për të definuar fashizmin, atë të gjerë, domethënë të mos gjykohet një individ, grup, politikë, model shoqëror, si fashist apo fashizëm, duke u nisur nga mjetet që përdor, por nga synimi që ka. Në rast se fashizmi klasik kishte si synim kontrollin total të shoqërisë, të cilën e diferenconte racialisht, i njëjti përcaktim duhet të vlejë edhe për një lëvizje liberale, e cila në praktikë bën të njëjtën gjë. Autori quan Liberal-fashizëm atë lëvizje politiko-kulturore në SHBA-të, e cila po ushtron manipulim total shoqëror në vend, duke përdorur të gjitha mjetet, që nga politika, media, gjykatat, shkolla, televizioni, kinematografia, NGO. Ky është ai që mund quhet soft fascism. Goldberg shkruan në librin e vet:
“Hillary Clinton është një person shumë tërheqës, jo për shkak të personalitetit të saj, monoton dhe të padallueshëm, por se ajo është një pasqyrë nëpërmjet së cilës ne mund të dallojmë vazhdimësinë liberale me të shkuarën dhe të vërejmë së paku një drejtim të së ardhmes së saj… Nëse Waldo Frank dhe J.T. Flynn kishin të drejtë kur thoshin se fashizmi amerikan do të dallohet nga ai europian, nga xhentilesa dhe respektueshmëria, atëherë Hillary Clinton është përmbushja e kësaj profecie”. (Jonah Goldberg: “Liberal fascism: The secret history of the American left from Mussolini to the politics of meaning”, New York 2007, Doubleday, f. 318)
A është mbështetja që zonja Clinton i jep homoseksualit Klodi një përkushtim i sinqertë i saj ndaj një minorance sociale, për të cilën ajo mendon se duhet mbrojtur, apo është pjesë e agjendës liberal-fashiste, zbatuese e së cilës ajo është? Liberal-fashizmi i shikon homoseksualët si një ekspedient, se sa më shumë që të fragmentarizohet shoqëria, aq më e lehtë do të jetë që ajo të kontrollohet nga elita e soft-fascism. Kështu që zonja Clinton praktikisht e ka përdhunuar Klodin e Big Brother. Klodi i Big Brother është viktimë e Hillary Clinton shumë më tepër se e atyre të rinjve lezhianë, të cilët protestuan kundër tij. Nuk mund të mendosh ndryshe kur shikon se sensi i përkushtimit të zonjës Clinton ka bërë një trajektore interesante nga Saul Alinsky, në rininë e saj, tek Klodi.
Zonja Clinton nuk është një njeri që shquhet për sinqeritet. Në vitin 1969 ajo ishte e para studente femër në historinë e Universitetit Wellesley, së cilës iu dha e drejta që të mbante fjalimin në ceremoninë e përfundimit të shkollës. Por edhe në këtë tablo të ndritshme ka një hije të errët që e turpëron zonjën Clinton, dhe të cilin Goldberg e përshkruan kështu në librin e vet:
“Pas përfundimit të mësimeve, Hillary-t iu ofrua një bashkëpunim nga heroi i saj Saul Alinsky- autori i famshëm i ‘Rregulla për radikalët’- rreth të cilit ajo shkroi tezën e saj të diplomës ‘Ka vetëm një betejë: një analizë e modelit Alinsky’. Në një veprim të paprecedent, Universiteti Wellesley e sekuestroi tezën në 1992 (kur bashkëshorti i Hillary u zgjodh President-K.M.), madje duke refuzuar të bëjë të ditur edhe titullin, derisa Clintonët qëndruan në Shtëpinë e Bardhë”. (Jonah Goldberg: “Liberal fascism: The secret history of the American left from Mussolini to the politics of meaning”, New York 2007, Doubleday, f. 321)
Saul Alinsky ishte në fakt një terrorist, prandaj zonja Clinton parapëlqeu që të fshihte të shkuarën e vet, në vend që të përballej me të para opinionit publik. Akuza për bashkëpunimin e saj me Alinsky do t’ i vinte zonjës Clinton edhe nga Barack Obama, në fushatën për zgjedhjen e kandidatit presidencial brenda Partisë Demokrate. Kur ndjek përkushtimin e zonjës Clinton nga Saul Alinsky tek Klodi, nga terroristi tek homoseksuali, nga krimi tek vesi, kupton se kjo është prova më e mirë e agjendës liberal-fashiste.





