Elmedina, unë dhe muhaxhirunët





Nga Kastriot Myftaraj

        “20 vjet jetë dhe tri luftra”. Ky mund të ishte fare mirë titulli i një libri me kujtime, i një ditari. Në fakt është titulli i një artikulli të shkurtër të botuar në gazetën “Koha e Re”, në Shkup, në 11 qershor 2010. Artikulli ka vetëm 4050 karaktere (pa hapësira), por shumë rrallë kam lexuar tekst më të ngjeshur, më sintetik. Është nga ato lloj tekstesh që kur i lexon të krijojnë përshtypjen se po shikon një film serial, një film me 20 pjesë, një pjesë për çdo vit. Është një efekt që e bëjnë vetëm tekstet e shkurtra të autorëve të mëdhenj. Hm, autorja, një vajzë shqiptare nga Maqedonia, siç mësova nga një kërkim i shkurtër në internet, është nga një fshat pranë Tetovës. Autorja, e cila ishte krejt e panjohur për mua, dhe mbetet kështu edhe tash që po shkruaj, i ka vetëm diçka më tepër se 20 vjet, si moshë. Nuk e fsheh, ndjeva zili, do të kisha dashur që në moshën e saj edhe unë të kisha pasur këtë teknikë të shkruari.
        Emri i saj është po aq kurioz sa teksti, Elmedina. Në fakt ishte pikërisht efekti i kombinuar i titullit të shkrimit, me emrin e çuditshëm të autores, që më bëri ta lexoj shkrimin. Dhe do të më kishte ardhur shumë keq sikur të mos e kisha lexuar. Është një tekst paradigmatik, një tekst që më ngacmoi shumë. Që në tre fjalitë e para të shkrimit, të shkurtra, ndjeva se kishte diçka që më ngacmonte fort, diçka që kërkonte të formësohej në mendjen time. Elmedina Shafi e fillon kështu shkrimin: “Ne ishim gjenerata e pritjes. Kaluam njëzet vjet jetë dhe përjetuam tri luftëra. Si shumë për një jetë njeriu”.
       Autorja e kishte fjalën për luftrat në ish-Jugosllavi të përjetuara gjatë jetës së saj, që prej luftës në Bosnjë-Herzegovinë, pastaj lufta në Kosovë dhe në fund lufta në Maqedoni, të gjitha të përjetuara në një mënyrë ose tjetër prej saj. Fjala-kyç në paragrafin e cituar më sipër është ajo “gjenerata e pritjes”. E pritjes së luftës. Historia e nacionit (kombit) shqiptar është e përbërë nga cikle, kur për një gjeneratë historia befas është ngjeshur, është përshpejtuar, dhe kjo gjeneratë ka përjetuar një ndjenjë pritjeje plot alarm, në një situatë kur tensionet shkallëzoheshin drejt luftrave të njëpasnjëshme, me interval të shkurtër ndërmjet tyre. Edhe Pineu, djali i vogël i adoptuar i Mbretëreshës ilire Teutë, kështu do të kishte shkruar në moshën e tij, mbi 2200 vite më parë, edhe Gjoni, djali i Skënderbeut.
        Një tjetër gjë që të impresionon në shkrim është mënyra se si autorja e artikulon shkallëzimin e tensionit në kohë dhe hapësirë. Autorja e përjeton luftën si një forcë të projektuar në kohë dhe hapësirë, e cila përfshin gradualisht gjithçka. Në shkrim rrëfehet për luftën, si një dinamikë që përparon në kohë dhe hapësirë, gjë që përjetohet me një ndjenjë fataliteti, sikur takimi me luftën është i pashmangshëm, një ngjarje natyrore. Autorja vetë është një projektim kurioz në hapësirë dhe kohë. Është interesante se emri i autores është projektim i një toponimi arab në trojet shqiptare. Emri i autores është ai i qytetit Medina në Arabi, vendi ku është varrosur Muhameti, me nyjen arabe “el”. Emri tregon se autorja i përket një familjeje muslimanësh praktikues dhe se ajo vetë është e tillë. Kështu, autorja bëhet edhe mishërim i alarmit, i rrezikut që ndjen muslimani praktikues shqiptar (në fakt të vetmit që janë realisht muslimanë në trojet shqiptare) për shkak të shkëputjes në hapësirë me botën islame, pas dëbimit të Imperisë Osmane prej Ballkanit.
        Gjatë krejt historisë, shqiptarët kanë përjetuar alarm dhe rrezik në trojet e tyre në Ballkan, por qartësisht, alarmi dhe rreziku që përjetojnë muslimanët praktikues shqiptarë është quintia essentia e këtij sensi alarmi dhe rreziku. Që prej dëbimit të Imperisë Osmane prej Ballkanit, muslimanët shqiptarë dhe ata boshnjakë jetojnë si ai të cilit befas një furtunë ia ka zhvenduar shtëpinë tutje, duke e lënë atë me tryezën e ngrënies dhe shtratin e tij në mes të një hapësire të shkretë, ku enden bisha. Këtu ai pret më të keqen. Autorja shkruan: “Jemi rritur nga prindër që flisnin për ikanakë nga Bosnja, për një luftë që mund të vinte padiktueshëm”.
        Në fjalinë e mësipërme ka një frazë-kyç: “luftë që mund të vinte padiktueshëm”. Më duket sikur këtu është arhetipi, nënvetëdija historike shqiptare e rrënjosur tek kjo vajzë që flet. Kështu u kanë ardhur luftrat shqiptarëve, padiktueshëm. Lufta erdhi padiktueshëm, ka thënë me siguri Mbretëresha Teutë dikur, për luftën e saj me Romën. E njëjta gjë ndodhi edhe me dyndjet sllave, me shfaqjen e osmanëve në shekullin XIV, me Luftën Ballkanase të vitit 1912, kur ushtritë serbe dolën në Adriatik, pasi përshkuan njëkohësisht Kosovën dhe Maqedoninë e sotme etj. Ikanakët nga Bosnjë-Herzegovina që shkuan në Maqedoni, në fshatin e autores, bënë që ajo të kishte një qasje më pranë luftës. Ikanakët nga Bosnjë-Herzegovina zgjojnë tek autorja një ndjenjë alarmi arhetipal, të trashëguar në mendjen e saj nga paraardhësit e ikur nga trojet e tyre, të shtyrë nga dyndjet sllave. Kështu kanë ikur shqiptarët në shekuj nga trojet e gjera ilire, të detyruar nga presioni i armiqve, duke u ndryrë në këtë kënd të Ballkanit Perëndimor. Autorja e përjetonte luftën në Bosnjë-Herzegovinë me një ndjenjë alarmi arhetipal, si një luftë që mund të zgjerohej befasisht dhe ta përfshinte edhe atë, në Maqedoni, në fshatin e saj. Dhe lufta u zgjerua, erdhi në Kosovë, në trojet shqiptare, pranë vendbanimit të autores. Kjo e përshkruan kështu përjetimin e kësaj lufte: “dhe na është sugjeruar të shkonim në dhomat tona, teksa prindërit ngujoheshin pranë ekraneve TV për të ndjekur edicionet qendrore informative. Dhe, mund të jemi fshehur e të kemi dëgjuar lajme, siç kam bërë dhe unë.
‘Babi, a nuk është folësja e lajmeve të RTP-së?’
‘Po’ 
‘E ç’bën në TVSH?’
‘Në Kosovë ka luftë”.
        Luftën në Kosovë autorja do ta përjetonte edhe më drejtpërdrejt, se në Maqedoni shkuan qindra mijë shqiptarë të dëbuar nga Kosova: “Unë bëra një shoqe nga Prishtina, që dëgjonte lajme, sepse babanë e kish në luftë. Pastaj ngujohesha pranë ekranit se mos dëgjoja diç për babain e saj… Në Kosovë vriteshin njerëz dhe dëboheshin nga shtëpia, njëjtë sikur mua dhe prindërit të na dëbonin. Sa kohë kaloi duke dëgjuar fshehtas biseda xhaxhallarësh, që thoshin: ‘Ndoshta pas tri ditësh’, ‘Ndoshta pas një jave’ do të përfundoj gjithçka... Dhe erdhi ajo ditë. Më iku shoqja. Unë qaja, kurse e ëma më thoshte se duhej të gëzohesha se ajo kthehej në shtëpinë e saj”.
        Dinamika e luftës përparon dhe e përfshin drejtpërdrejt autoren e cila tashmë është vetëdijësuar për kuptimin e saj: “Kur isha në klasë të shtatë, papritur rinisën krismat. Dhe, sugjerimet e prindërve për lëvizje të kujdesshme. Tash e dija çka është lufta, por lutesha të mos vinte tek ne. Pastaj lutje për shpëtimin tonë. Të strukur në bodrum nuk dinim shumë gjëra, por e dinim se drita duhej fikur, se nuk duhej lëvizur pa një lajmërim. Aty mësuam fjalë të reja: ‘granatë’, ‘kallash’, ‘bunker’, ‘plumb qorr’. S’dija ç’ishte plumbi që kërcet dy herë, derisa nuk më plasi pas shpine, sapo hoqa këmbën. Ra aty ku kisha lënë gjurmë. S’e dinim çka ishte ‘punkt policor’, ‘orë policore’, por e mësuam”.
        Autorja e ka fjalën për luftën në Maqedoni në vitin 2001. Gjatë leximit të shkrimit, duke parë se si e shtjellonte autorja në kohë dhe hapësirë përjetimin e dinamikës së luftës, e cila afrohej prej larg, prej Bosnjë-Herzegovinës, prisja me kureshtje të shikoja se si do ta shprehte përjetimin e luftës në kohë dhe hapësirë kur lufta ta përfshinte atë vetë. Prisja të shikoja një sinjal nga arhetipi. Sipas atyre që gjeta nga kërkimi për të, vendi ku autorja e ka përjetuar luftën Përshefci, gjendet sipas faqes zyrtare online të tij: “Rrëzë Malit Sharr, përgjatë rrugës magjistrale Tetovë-Jazhincë, 12-13 kilometër larg qytetit të Tetovës gjendet fshati Përshefcë. Ky fshat në anën e djathtë kufizohet me fshatin Tearcë kurse në anën e majtë me fshatin Gllogjë. Mbi fshatin shtrihet Mali Sharr kurse ndën fshatin shtrihen fushat që janë pjesë e Luginës së Pollogut”.
        Autorja në shkrimin e vet thotë: “Jemi studentë që mësuam ‘psikologjinë e turmës’ në shkollë fillore”. Nëse autorja kur mësoi Gustav Le Bonin në shkollë, kuptoi se koha e posaçme në të cilën jetoi bëri që ato gjëra t’ i kishte përjetuar, të njëjtën gjë duhet ta kishte thënë edhe për librin e famshëm “Masa dhe pushteti” të nobelistit Elias Canneti, të cilin me siguri duhet që t’ ja kenë përmendur profesorët e saj të shkencave të komunikimit ku ka diplomuar. Në këtë libër, i cili gjendet i përkthyer edhe në shqip, Canneti analizon simbolet e nacioneve të ndryshme, të cilët janë kthyer në simbole për shkak edhe të funksionalitetit që kanë pasur në jetën e këtyre nacioneve. Sipas Canneti, për gjermanët ky simbol është pylli, për anglezët është deti, për holandezët është diga, për zviceranët është mali. Canneti nuk i përmend shqiptarët, por sigurisht që edhe për ne ky simbol është mali. Mali është funksionalizuar historikisht në jetën e shqiptarit dhe ka një peshë të madhe në psikologjinë arhetipale të njeriut shqiptar. Përparimi i dinamikës së rrezikut gjatë historisë, bënte që pjesa më aktive e shqiptarëve t’ i drejtohej malit si strehë. Mali ishte në qendër të dinamikës së mbijetesës të shqiptarit gjatë krejt historisë. Në mal shqiptarët aktivë përqëndronin forcat, përgatiteshin, për t’ u rikthyer më pas në fusha, kun ë bashkëveprim me shqiptarët e atjeshëm të nënshtruar, rifitonin vendin. Hyrja me tren e 30 mijë kryengritësve shqiptarë në Shkup në 1912, pjesa më e madhe e të cilëve malësorë, është shfaqja më spektakolare e këtij praktikisht rituali historik. Mali i krijonte shqiptarit një ndjenjë sigurie.
        Edhe pse autorja ka lindur dhe është rritur nën hijen e Sharrit, këtij vargmali madhështor, mali mungon krejt në vizionin e saj. Pse ky deformim i arhetipit shqiptar në mendjen e saj? Shkaku duhet kërkuar me siguri tek emri i saj, tek feja e saj, Islami. Autorja, për nga emri është një projektim arab në trojet shqiptare. Simboli i arabëve është shkretëtira, ku gjendet edhe Medina, prej ku e ka marrë emrin autorja. Mendësia që i ka dhënë religjioni, ushtruese e të cilit është autorja, ka bërë që të zhduket mali si simbol nga mendja e saj, dhe të zëvendësohet me një hapësirë pa formë, ku përparon pandalshëm dinamika e rrezikut, cka nuk është tjetër veç shkretëtirës.
        Autorja u gëzua nga ato që u thanë me përfundimin e luftës dhe pritshmëritë qenë të mëdha: “do të mësonim edhe për Skënderbeun dhe jo vetëm për Dame Gruevin. Do të mësonim ABC pastaj ABV. Më nuk do t’i thoshin ndonjë xhaxhai në komunë që emrat Vlora, Donika, Arbër, Shkodran t’i zëvendësonin me emra të tjerë”.
        Eh, por autorja nuk e shpjegon se përse sllavo-maqedonët nuk e patën ndaluar babin e saj shqiptar që ta quante vajzën e vet me emrin arab “Elmedinë”, por ndalonin vetëm emrat “Vlora”, “Donika”, “Arbër”, “Shkodran”. Gjithashtu, autorja nuk e shpjegon se përse sllavo-maqedonët patën ndaluar që të mësohej për Skënderbeun, por i lejonin shqiptarët e Maqedonisë që të mësohej lirisht për khalifët islamikë, shokët e Muhametit, mbretërit-luftëtarë arabë Ebu Bekrin, Uthmanin, Umarin etj. Nëse Islami kishte bërë që shqiptarët që ruanin identitetin nacional, siç pretendohet nga disa apologjetë të Islamit, atëherë ishte dashur që serbët dhe sllavo-maqedonët të ndalonin edhe Islamin së bashku me Skënderbeun etj. Por serbët dhe sllavo-maqedonët bënë të kundërtën. Ata stimuluan Islamin tek shqiptarët, duke e lejuar ushtrimin e lirë të tij, ashtu që tek shqiptarët të potencohej profili arabo-islamik. Prandaj serbët dhe sllavo-maqedonët nuk i ndalonin shqiptarët që t’ i quanin fëmijët e tyre “Elmedina”, “Riad”, “Ebubekr”, “Salajdin”, por i ndalonin që t’ i quanin “Vlora”, “Kastriot”, “Donika”.
        Autorja i përket gjeneratës së të rinjve shqiptarë në Maqedoni, të cilët “përfituan” nga lufta, se në Tetovë u hap Universiteti i Europës Juglindore (UEJL), ku ajo studioi dhe u diplomua për shkencat e komunikimit. Në faqen zyrtare online të fshatit Përshefcë thuhet me krenari për të se: “Studentja Elmedina Shafi këtë vit fitoi edhe dy çmime në UEJL. Çmimi i parë ishte ai i CV më të kompletuar, konkurs i organizuar nga Qendra e Karrierës pranë këtij universiteti, ku Elmedina si shpërblim fitoi një laptop. Dhe çmimi i dytë ishte zgjedhja e saj si studentja më e mirë e gjeneratës në Fakultetin e Shkencave të Medias dhe Komunikimit
        UEJL është ana tjetër e medaljes së Islamit në trojet shqiptare. Ky universitet u krijua nga ndërkombëtarët si një gjetje e mesme që shqiptarëve të Maqedonisë të mos u jepej një universitet shqiptar të cilin e patën kërkuar kahmot dhe që ishte një prej arsyeve për të cilat luftuan në 2001. Kështu u dhanë një universitet ndërkombëtar në Tetovë, por ku do të mësonin kryesisht shqiptarët. Ky universitet është konceptuar si një laborator i deshqiptarizimit intelektual të gjeneratave të të rinjve shqiptarë në Maqedoni. Njëjtë siç ka bërë edhe Islami. Ajo çka ndryshon është veç kahja e vektorit. Hoxha i Xhamisë së Isa Begut në Shkup, Ramadan Ramadani dhe Veton Latifi, kryemanipulatori intelektual i UEJL janë anë të së njëjtës medalje. 
        Nuk është ironi e vogël që ideuesi dhe realizuesi i UEJL (Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë), Max Van der Stoel ka diplomuar në Universitetin e Leiden në Holandë, i cili mburret për një histori të ngjashme me atë të Universitetit të Tetovës, atij tjetrit që u hap në fillim ilegalisht, pasi nuk u lejua nga qeveria maqedone. Kur u krijua Republika Holandeze në shekullin XVI, pasi provincat spanjolle, Vendet e Ulta, u rebeluan kundër Filipit II, qeveria rebele holandeze vendosi që të krijojë edhe një universitet. Krejt ashtu si shqiptarët e Maqedonisë, edhe holandezët në atë kohë nuk kishin veçse universitetin e Leuven, i cili u përkiste pushtuesve spanjollë. Meqënëse qyteti Leiden kishte bërë luftën më heroike kundër spanjollëve, qeveria holandeze i ofroi qytetit si shpërblim që të zgjidhte midis uljes së taksave dhe një universiteti. Qytetarët e Leiden zgjodhën universitetin. Holandezët sot janë krenarë për Universitetin e Leiden, si për faktin që ai është një prej më të vjetërve në Europë, ashtu edhe për rrethanat në të cilat u krijua. Edhe Van der Stoel, si i diplomuar në Leiden, është krenar për këtë gjë. 
        Nëse Van der Stoel do të kishte ndjekur precedentin e universitetit të vet, atëherë ishte dashur që investimi që u bë për UEJL, të ishte bërë për Universitetin tashmë ekzistues të Tetovës, se tekefundit UEJL po hapej si një universitet kryesisht për shqiptarët e Maqedonisë, gjë që e pranonin edhe vetë ndërkombëtarët, duke filluar nga vetë Van der Stoel. Van der Stoel në atë kohë ishte Komisioner i Lartë i OSCE për minoritetet nacionale dhe ishte angazhuar për të zgjidhur konfliktin mes shqiptarëve dhe sllavo-maqedonëve në Maqedoni. Në shekullin XVI mbreti Filip II i Spanjës shpalli të famshmin dënimin me vdekje për të gjithë banorët e Vendeve të Ulta (ku bënte edhe Holanda e sotme), për shkak se ata qenë rebeluar kundër sundimit spanjoll. Në shekullin XXI, një holandez, Van der Stoel, shpalli dënimin e shqiptarëve të Maqedonisë me një universitet absurd. Georg Christoph Lichtenberg (1742-1799) ka thënë dikur: “Sot ne po provojmë që të përhapim dijen kudo. Por kush e di nëse në shekujt që do të vijnë nuk do të ketë universitete për të rikrijuar padijen tonë të kaluar”
        Elmedina është produkti më interesant i këtij kombinimi forcash që kanë vepruar dhe veprojnë për manipulimin e mendjes së shqiptarëve, dhe që janë Islami dhe ai që mund të quhet religjioni postmodern, aspekti intelektual i Globalizimit, që vetëpërcaktohet si postnacionalizëm liberal, por që në fakt është imperializëm intelektual i qendrave ndërkombëtare selektive, të cilat shënjestrojnë një nacionalizëm dhe i krijojnë hapësirë tjetrit. UEJL është një shkollë religjioze sado e habitshme që të duket kjo. UEJL nuk nxjerr intelektualë, por klerikë të religjionit postmodern. Tekefundit ai që përfiton nga kjo është nacionalizmi sllavo-maqedon, se Maqedonia praktikisht mbetet shtet nacional i sllavo-maqedonëve.
       Elmedina dhe gjenerata e saj kishin pritshmëri të mëdha, por ato pësuan zhgënjime të mëdha: “Ne kishim dëgjuar se lufta ishte bërë për të drejta. Ne pritnim të ndryshonin shumë gjëra. Ne të shkretët ishim gjenerata e pritjeve: që pritëm tetot që nuk flisnin shqip, që pritëm shoqet që s’dallonin gj dhe xh (sa qeshnim me ato), kurse tash prisnim të ndryshonin shumë gjëra. Dhe, tash kur aq shumë kemi pritur, vallë a kemi faj që ‘kemi shpirtin në fyt’? A kemi faj që vuajmë nga ankthi? Që kemi frikë se mund të ndodhë diçka? Që kemi frikë të protestojmë, sepse i barazojmë me luftën? Jo, jo, ne nuk kemi faj. Jemi studentë që mësuam “psikologjinë e turmës” në shkollë fillore. Atëherë e dinim si do të reagonin xhaxhallarët e tetot tona, kurse tash duam të mësojmë çka është elitë. A mund të jenë pjesa e saj disa nga ne? Apo do bëhemi pjesë e turmës dhe do analizojmë psikologjinë tonë nga brenda? Sa mund të analizohet një situatë derisa je brenda saj? Më mirë të mos e them... Që të mos i dëshpëroj edhe më shumë bashkëmoshatarët e mi”.
        Elmedina duhet ta dijë se si lufta në Maqedoni, ashtu edhe  ajo në Kosovë u bë se SHBA kanë një strategji ballkanase, sipas së cilës duhet të ketë sa më shumë qendra krize të konservuara, të cilat t’ i qëndrojnë Europës në oborrin e saj si mina të pashpërthyera. Kështu Europa do të ketë nevojë për vazhdimësinë e pranisë së SHBA si protektor që garanton sigurinë e saj, gjë që me përfundimin e Luftës së Ftohtë erdhi duke u vënë në dyshim. SHBA e dinë se Europa i shikon me dyshim shqiptarët muslimanë, prandaj nuk e ngacmon atë më tepër se sa duhet, duke u dhënë më tepër të drejta shqiptarëve, si në Kosovë, ashtu dhe në Maqedoni. Pikërisht për shkakun se shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë janë muslimanë, procesi i denacionalizimit intelektual bëhet vetëm në një kah tek shqiptarët dhe jo tek sllavët. Në këtë kuadër strategjik, vetë ekzistenca e shqiptarëve është në rrezik, se ata janë një ekspedient taktik dhe jo një aset strategjik amerikan. Nga kjo pikëpamje, identiteti musliman i shqiptarëve shndërrohet në një rrezik ekzistencial për ta.
        Do të ishte interesante sikur Elmedina ta rishkruante artikullin e saj në 2030, në 2050, në dy periudha të tjera 20 vjeçare të jetës së saj. Dinamika e historisë nuk ka për t’ u ngadalësuar, vetëm ka për t’ u përshpejtuar. Dinamika e tensionit dhe e alarmit që përjetonte Elmedina në 20 vitet e para të jetës së saj, mbetet në zhvillim të plotë. Vetë Elmedina e pohon këtë kur shkruan: “Jemi gjeneratë e pritjes. Rini me ‘shpirt në fyt’, me frymëmarrje atipike, me takikardi ose bradikardi. Pse jemi gjaknxehtë për gjëra të pavlera? Pse presim në ankth? Pse një krismë e zakonshme barasvlerësohet me një luftë?”
       Sepse është instinkti i vetëruajtës nacional, i formësuar tek arhetipi shqiptar gjatë historisë, i cili çon sinjale alarmi nga nënvetëdija në vetëdijen e Elmedinës dhe të bashkëmoshatarëve të saj. Arhetipi percepton realitetin në të cilin jeton Elmedina sipas kategorive të veta eksperienciale tejhistorike dhe ato i japin përfundime të pagabueshme. Elmedina duhet t’ i zbërthejë sinjalet e koduara arhetipale kështu: Pas të gjitha gjasave, dikur në ardhmërinë jo të largët, nga pikëpamja e kohës historike, edhe ajo ka për të qenë një nga ato tetot, për të cilat një vajzë në Turqi ka për të pyetur gjyshen se përse kjo teta nuk flet si ne. Se dinamika e historisë ka për t’ i flakur shqiptarët muslimanë nga trojet e tyre në këtë anë të Ballkanit, duke i dërguar në Turqi. Luftra të tjera do të vijnë në të ardhmen jo të largët, edhe më të mëdha se tre luftrat që përjetoi Elmedina në 20 vitet e para të jetës së saj. Dhe kur Elmedina rreket të bëjë analizën e situatës, ajo nuk mund t’ i shmanget pyetjes se a ia vlen që fati i shqiptarëve të indeksohet me Islamin?
        Unë kam përshtypjen se ka qenë me një rëndësi simbolike fakti që Rebeca West, autorja e librit më të famshëm të udhëtimeve për Jugosllavinë, “Black Lamb and grey falcon: a journey through Yugoslavia”, ishte e dashura e Herbert G. Wells, autorit të librit të famshëm “Time machine”. Në librin e Wells tregohet për një makinë me të cilën mund të udhëtohet në kohë, në të shkuarën dhe në ardhmëri. Në Ballkan shpesh e ardhmja historike është një udhëtim në të shkuarën.
        Për epokën e luftrave ballkanase që përjetoi Elmedina, jep një përcaktim interesant Robert D. Kaplan, i cili sot është një nga studiuesit më të njohur amerikanë të çështjeve ndërkombëtare, posaçërisht të regjioneve të krizave gjeopolitike. Robert D. Kaplan udhëtoi në Ballkan në gjurmët e Rebeca West, për librin e së cilës thoshte se e mbante gjithherë me vete në udhëtimet e tij dhe se do të donte që të humbte gjithçka përveç tij. Robert D. Kaplan në librin e vet “Balkan Ghosts, tregon një episod nga vizitat e veta në Jugosllavi, në fillim të viteve 1980: Në çdo udhëtim që bëja në Beograd, unë bëja një vizitë në apartamentin e ish-shtetarit dhe studiuesit të njohur, Milovan Djilas (Gjilas). Pas vizitave të para bisedat tona u bënë gjëra të llojit të mistereve të frikshme, sepse unë zbulova që Djilas kishte gjithherë të drejtë. Ai qe i aftë të parashikonte të ardhmen. Teknika e tij qe një gjë e thjeshtë për një europiano-lindor, por një gjë e vështirë për një amerikan: ai dukej se injoronte gazetat ditore e mendonte vetëm historikisht. E tashmja për të qe thjesht një shkallë e së shkuarës që lëvizte shpejt në të ardhmen, çka dukej e pakonceptueshme për analistët konvencionalë, ishte gjithherë rezultat i natyrshëm për të. (Robert D. Kaplan: “Balkan Ghosts”, “First vintage Departures Edition”, New York 1994, f. 74)
        Kjo mënyrë të menduari e Djilas u verifikua të ishte realiste nga ngjarjet e viteve 1990, kur në ish-Jugosllavi filloi një epokë luftrash, që vazhduan 10 vjet dhe që në analizë të fundit qenë një riciklim i konflikteve historike midis nacioneve të kësaj hapësire. Pas të gjitha gjasave edhe ardhmëria e kësaj pjese të Ballkanit do të jetë një udhëtim në të shkuarën, tekfundit të afërt, duke konsideruar luftrat e fundit në regjion. Do të ketë luftra të reja në Ballkan, do të ketë Rebeca West të reja që do të shkruajnë. E ndoshta Rebeca West e ardhmërisë do të vijë edhe në Përshefc pasi të ketë lexuar shkrimin e Elmedinës dhe do të meditojë mbi këtë vajzë shqiptare të cilën luftrat e reja e dëbuan nga vendi i saj, e bashkë me të dhe krejt popullsinë shqiptare muslimane. Jo në Perëndim, siç shpreson dikush, por në vendet islame, në Turqi, se Perëndimi, me sa po duket, në të ardhmen jo të largët do të bjerë nën kontrollin e forcave që do të dëbojnë edhe muslimanët që gjenden tashmë atje. Dhe Turqia do t’ i dërgojë shqiptarët muslimanë të dëbuar në zonat kurde, që t’ i përdorë kundër kurdëve. Dhe kështu shqiptarët muslimanë do të përjetojnë luftra të reja atje ku menduan se do të gjenin më së fundi prehje. A mos ndoshta rrëfimi i Elmedinës i cili filloi në një fshat rrëzë Sharrit, do të përfundojë në një fshat të Anadollit, në Kurdistanin turk?
       A mund të bëhet diçka për ta ndryshuar këtë, apo mos ndoshta ashtu si në tragjeditë e vjetra greke, heroi, heroina në këtë rast, shkon drejt fatit të paracaktuar tragjik, i/e shtyrë nga një seri gabimesh? Unë nuk mund të bëj asgjë për ta ndryshuar këtë rrjedhë. Unë dhe Elmedina jemi shqiptarë, por ne të dy jemi aq larg sa ç’ do të ishte sikur të jetonim në dy planete të ndryshme, në dy skajet e galaksisë sonë. Ne të dy jemi ndarë që para se të lindnim, qëkurse Muhameti shkoi nga Meka në Medinë së bashku me një grusht mbështetësish militantë, të cilët u quajtën muhaxhirunë. Midis ne të dy shqiptarëve, vendlindja dhe vendbanimi i të cilëve gjenden shumë më pranë njëri tjetrit se Meka dhe Medina, ndodhen muhaxhirunët e shkretëtirës arabike që na ndajnë secili sa një vit dritë largësi. Këtë Elmedinën unë nuk do ta njoh kurrë dhe nuk dua që ta njoh.
kastriotmyftaraj@sot.com.al