Nga Kastriot Myftaraj
10 nentor 2010
Dosjet e zeza të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës të Ardian Fullanit edhe pak dhe do të arrijnë lartësinë e ndërtesës së Bankës së Shqipërisë, nëse vihen njëra mbi tjetrën. Një nga dosjet që e meriton përcaktimin si kriminale është ajo e degës së Bankës së Shtetit në Gjirokastër. Me vendim të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë të kryesuar nga Ardian Fullani, me prokurim të drejtpërdrejtë është kontraktuar me një person fizik, Mihal Barka, me shumën prej 150 000 000 lekë të rinj për ndërtimin e dëgës së Bankës. Mihal Barka ndërtoi një pallat dhe Banka mori dy katet e para. Gjithashtu, po me prokurim të drejtpërdrejtë Këshilli Mbikqyrës i kryesuar nga Fullani akordoi 50 milion lekë të rinj për pajisjet dhe kamerat e degës së Bankës në Gjirokastër. Abuzimi edhe këtu është evident, ku përveç prokurimit të drejtpërdrejtë, tavolinat janë blerë me një çmim prej 7000 euro. Prokurimi i drejtpërdrejtë mund të bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme, në rrethana të veçanta. Në rastin e ndërtimit dhe pajisjes së degës të Bankës për Gjirokastrën nuk ekzistonte asnjë rrethanë e tillë. Vetëm kjo aferë do t’ i çonte drejt e në burg Fullanin bashkë me anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikqyrës.
Në Bankën e Shqipërisë të drejtuar nga Fullani prokurimet e drejtpërdrejta nuk janë një përjashtim nga rregulli por janë vetë rregulli, janë kthyer në një praktikë të zakonshme. Kjo ishte një nga arsyet që Zëvendsguvernatori që mbulonte Entin e Prokurimeve, Limoz Malaj, dha dorëheqjen që para katër vjetësh. Fullani e gjeti të arsyeshme që të mos e zëvendësojë atë as sot e kësaj ditë. Kryetar i Entit Prokurues në rastin e aferës së Gjirokastrës ishte zëvendësguvernatori tjetër, Fatos Ibrahimi. Në Entin Prokurues vepronte skuadra e misioneve speciale të Fullanit, e përbërë nga njeriu i sjellë prej tij nga Banka Italo-Shqiptare, Agron Skënderaga, Ylli Këllezi, Artur Bejko. I njëjti ekip “tenderoi” dhe qendrën e trajnimit të Bankës së Shqipërisë në Berat. Ec e merre vesh se përse i duhet Bankës së Shqipërisë një e ashtuquajtur qendër trajnimi në Berat, që në fakt është një diçka mes resortit dhe motelit, me dhoma fjetjeje dhe mjedise të tjera të ngjashme. Në buxhetin e Bankës të vitit 2010, për rrethimin dhe vendrojat e këtij objekti në Berat janë caktuar 3 710 000 lekë të rinj. Psërse duhen gjitha këto masa sigurie në një objekt ku nuk ka para, mund të pyetet, jo pa të drejtë. Epo në këtë objekt ndodhin “trajnime” që duhen mbajtur larg syve të botës.
Një nga dosjet e zeza më impresionuese të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, e cila dëshmon më së mirë shpërdorimin prej tij të detyrës me pasoja të mëdha afatgjata, është ajo e Regjistrit Kombëtar të Kredive, të cilën Fullani e ka bërë në një skemë “kosovare” abuzimi. Homologu i Fullanit dhe miku i tij, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës sot është në burg për shpërdorim detyre, për gjëra më të vogla se ato që ka bërë Fullani. Fullani është në detyrë dhe vazhdon abuzimet, madje kërkon edhe të rizgjidhet vitin e ardhshëm për një mandat tjetër shtatëvjeçar.
Do të mjaftonte që Prokuroria e Përgjithshme të merrte në shqyrtim dosjen e Regjistrit Kombëtar të Kredive që Fullani të përfundonte si kolegu i vet në Prishtinë. Regjistri kombëtar i kredisë është një dokument themelor për funksionimin e sistemit banker të një vendi. Në Regjistrin kombëtar të kredive paraqiten të gjithë kredimarrësit në banka të ndryshme, jepen të dhëna për pozitën e tyre si kredimarrës, në ç’ pikë janë me shlyerjen e kredisë, etj. Kështu, bankat, nëpërmjet regjistrit mund të informohen për gjendjen financiare të klientëve të tyre. Për një projekt kaq të rëndësishëm, siç është Regjistri kombëtar i kredive, ishte dashur të bëhej tender i hapur ndërkombëtar dhe të merrej një kompani e specializuar dhe prestigjioze perëndimore, se për këtë projekt ia vlen që të mos kursehen paratë, aq më tepër që Fullani, në vitet 2005-2010, ka shpenzuar dhe po shpenzon shuma tepër të mëdha për kompensim ushqimor të punonjësve, shpenzime sportive, ekskursione, festa, megjithëse punonjësit e Bankës së Shqipërisë kanë pagat dhe shpërblimet më të mëdha ndër punonjësit shtetërore.
Pasi e vonoi tre vjet zbatimin e projektit për Regjistrin kombëtar të kredive, Fullani, më në fund, në korrik 2007 ia dha zbatimin e këtij projekti, me prokurim të drejtpërdrejtë, kompanisë nga Kosova “PRONET”. Fullani e justifikoi këtë veprim të vetin me arsyetimin se kjo kompani ofronte një çmim mjaft të arsyeshëm për këtë shërbim (250 mijë dollarë), çka e lehtësonte shumë barrën e këtij projekti për buxhetin e Bankës së Shqipërisë, dhe se kjo kompani kishte realizuar një projekt të ngjashëm në Kosovë.
Por Fullani nuk duket ta ketë pasur shqetësim kursimin e parave të Bankës së Shqipërisë se ai, në vitet vitet 2005-2010, kur ka bërë buxhetin e Bankës së Shqipërisë ka ndarë dhe shpenzuar shuma marramëndëse për kompensim ushqimi të punonjësve të Bankës së Shqipërisë gjatë orarit të punës (edhe pse ata kanë paga dhe shpërblime të larta), shpenzime sportive dhe ekskursione. Shpërdorimi i detyrës nga Fullani në rastin e bërjes së Regjistrit Kombëtar të Kredive, ku Fullani mbrohet me argumentin kryesor atë të kostos së ulët të realizimit të projektit, nuk mund të shikohet i pandarë nga fakti i bërjes prej tij të shpenzimeve të mëdha të luksit, të përmendura më lart, nga buxheti i Bankës. Në buxhetin e parë të bërë prej tij, në vitin 2005, Fullani i fshehu këto shpenzime, në eufemizma kontabël të llojit «Shpenzime sociale» për të cilat kishte 105 300 000 lekë të rinj, si dhe «Shpenzime» të tjera për personelin, në masën 9 200 000 lekë të rinj. Por për masën e shpenzimeve të luksit mund të sqarohemi më mirë duke filluar nga buxheti i vitit 2006, kur në shpenzimet për personelin, Fullani ndan 30 000 000 lekë të rinj për kompensime ushqimi, 4 800 000 lekë për ekskursione dhe 4 009 000 për shpenzime sporti. Në buxhetin e vitit 2007 për ekskursione kishte 6 000 000 lekë të rinj, për kompensim ushqim 17 000 000 lekë të rinj, për shpenzime sporti 7 836 000 lekë të rinj, për «shpenzime të tjera të njëjta, festa» kishte 6 000 000 lekë të rinj. Dhe pastaj, në korrik 2007, Fullani pati paturpësinë të thoshte se e bëri Regjistrin Kombëtar të Kredive me një kompani kosovare se ajo dha ofertën më të ulët! Nëse nuk do të qenë bërë shpenzime luksi në vitet 2005-2007, si dhe në vitet në vazhdim, kur ato u rritën shumë, atëherë mund të ishte përzgjedhur një kompani serioze perëndimore, e cila do të kishte bërë një Regjistër Kombëtar Kredish sipas parametrave më të larta ndërkombëtare. Fullani, në korrik 2007, mund të kishte ngarkuar një kompani serioze perëndimore për të bërë këtë projekt, sikur në buxhetin e vitit 2008 të mos kishte ndërmend të ndante dhe 8.800.000 lekë për ekskursione, si dhe 6.500.000 lekë për «shpenzime të tjera të njëjta, festa». Për të mos folur këtu për të tjerat.
Atëherë pse u tregua Fullani “dorështrënguar” me paratë e Bankës së Shqipërisë, në rastin e këtij projekti. Fullani e bëri këtë gjë se nuk donte të bënte një Regjistër kombëtar të kredive sipas parametrave të vendeve perëndimore. Nëse do të shikoni faqen on-line të kompanisë “Pronet” (http://www.pronet-ks.com/info.shtml) do të vini re se ajo bën këtë vetëprezantim: “PRONET është kompani kosovare me seli në Prishtinë e themeluar në fillim të vitit 1997. Ofrojmë zgjidhje të kualitetit të lartë në lëminë e teknologjisë informative dhe të telekomunikimeve, paisje të prodhuesve më të njohur botëror, zgjidhje origjinale hardverike dhe softverike, konsallting informatik, përkrahje dhe mirëmbajtje të sistemeve”.
Të gjithë e dijnë se si ishte situate në Kosovë në 1997, në prag të luftës, kur u krijua kjo kompani, dhe se si kanë qenë vitet në vazhdim derisa filluan të ecin disi gjërat. Është ironi e madhe që në Kosovë të shkojnë nga Republika e Shqipërisë qindra njerëz të punësuar nga UNMIK, në sektorë të ndryshëm publikë, duke përfshirë dhe ngritjen e sistemit financiar, ndërsa nga Kosova vjen një kompani dilettante, për të bërë një gjë kaq delicate dhe të rëndësishme, si Regjistri kombëtar i kredive! E të mendosh se këtë projekt e bën një kompani që në tekstin e vetëprezantimit të saj on-line ka frazën “konsallting informatik”! Ose ta shkruanin shqip “konsultim informatik”, ose nëse donin ta shkruanin patjetër anglisht, le ta vinin siç shkruhet dhe jo siç lexohet, se kjo ëhstë një marrëzi e habitshme! Me kompaninë amatore “PRONET” as që mund të besohet se Fullani ka bërë Regjistrin kombëtar të kredive, sipas parametrave ndërkombëtare. Kjo kompani nuk ka as kredencialet më minimale për ta bërë një punë të tillë dhe fakti që që ajo ka bërë regjistrin e kredive në Kosovë, nuk mund të jetë tjetër veç provë e papërgjegjshmërisë së së zyrtarëve të Bankës qendrore të Kosovës derisa një gjë kaq delikate për ekonominë kosovare, siç është regjistri i kredive, i jepet një kompanie vendore që e bënte për herë të parë këtë gjë. Prandaj Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, miku i Fullanit sot është në burg.
Një tjetër dosje e zezë e Fullanit është ajo e objektit të quajtur Një tjetër shpenzim i dyshimtë është ai prej 425 500 000 lekë të rinj me prokurim të drejtpërdrejtë në atë që quhet objekti X-88, dhe që është një objekt sekret i bankës së Shqipërisë që është bërë «vrimë e zezë» që thith fonde. Ky është një objekt shumë i rëndësishëm, pasi shërben se depo kartmonedhash. Në botë këto lloj objektesh i ndërtojnë kompanitë e specializuara dhe kështu duhej të ishte bërë edhe në Shqipëri, se për këtë objekt, për të cilin janë dhënë disa herë para tashmë janë caktuar edhe 425 500 000 lekë të rinj. Në buxhetin e vitit 2010 për objektin X-88 u dhanë 240 000 000 lekë të rinj. Por këto para i janë dhënë me prokurim të drejtpërdrejtë kompanisë së parapëlqyer ndërtimore të Fullanit.
Në buxhetin e vitit 2007 u dhanë për «blerje ambientesh të lira për zyra» në Tiranë 235.000.000 lekë të rinj, me prokurim të drejtoërdrejtë, çka përbën një shkelje të rëndë, se tregu i pasurive të paluajtshme ofron shumë mundësi. Dhe shikoni se si njerëzit e Fullanit nuk dijnë të shprehen në gjuhë formale në një tekst zyrtar! Me «blerje ambientesh të lira për zyra» kuptohet blerje ndërtese, ose apartamentesh në një ndërtesë. Gjithashtu janë shpenzuar dhe 75.000.000 lekë për blerjen e një trualli të lirë, për të cilin, për shkak të mungesës absolute të transparencës, nuk mund të verifikohet momentalisht nëse është blerë me çmimin e tregut, ose me çmim më të lartë.
Por kuintesenca e shkeljes nga Fullani dhe klani i tij i Këshillit Mbikqyrës u arrit në në muajin gusht (pikërisht në muajin e pushimeve) të vitit 2008, kur është mbledhur Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë (kryetar i Këshillit Mbikqyrës është pikërisht Ardian Fullani) dhe me vendim nr. 56 të datës 29 gusht 2008 ka bërë: “Miratimin e përdorimit të procedurës së prokurimit të drejtpërdrejtë për blerjen dhe marrjen me qira të ambienteve të reja për nevoja të Bankës së Shqipërisë”
“me propozim të Departamentit të Administrimit dhe të kryetarit të Entit prokurues, këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë,
VENDOSI:
1. Të miratojë përdorimin e procedurës së prokurimit të drejtpërdrejtë me kandidatin shoqëria ”Halili” sh.p.k., për realizmin e blerjes dhe shërbimit të marrjes me qira të ambienteve të punës, për nevoja të Bankës së Shqipërisë.
2. objekti që do të prokurohet në zbatim të pikës 1 të këtij vendimi do të jetë:
a) Blerje ambientesh me sipërfaqe përafërsisht 1900 (njëmijëenëntëqind) m² në kompleksin ndërtimor në rrugën e Dibrës, përballë “Vilës Gold”, nga të cilat:
(i) ambiente për zyra, me sipërfaqe përafërsisht 1500 (njëmijëepesëqind) m²;
(ii) ambiente nën tokë, me sipërfaqe përafërsisht 400 (katërqind) m²;
(iii) marrje në pronësi të sipërfaqes përkatëse ndërtimore (truallit mbi të cilin janë ngritur ambientet), që i përket ambienteve të mësipërme.
b) Marrje me qira ambientesh me sipërfaqe përafërsisht 1800 (njëmijëetetëqind) m² në kompleksin ndërtimor në rrugën e Dibrës, përballë “Vilës Gold”, nga të cilat:
(i) ambiente për zyra, me sipërfaqe përafërsisht 1500 (njëmijëepesëqind) m²;
(ii) ambiente nën tokë, me sipërfaqe përafërsisht 300 (treqind) m².”
Për ata që nuk i njohin mirë prapaskenat e komedisë që luan Ardian Fullani në Bankën e Shqipërisë, duhet ditur se shefi i Departamentit të Administrimit që ka bërë propozimin për këtë vendim, është Agron Skënderaga, të cilin guvernatori Fullani e solli me vete nga Banka Italo-Shqiptare, ku ndodhën pak nga të gjitha ngjyrat, siç thonë italianët, që nga ngjyra e kuqe e gjakut të drejtorit italian “të vetëvrarë” tek historitë gri dhe të zeza me paret e pista, deri edhe me kreditë e marra nga politikanët, të cilët nuk i kanë shlyer ende dhe sot. Vendimi i mësipërm ka dalë nga arsenali i bëmave tek Banka Italo-Shqiptare.
Duke lexuar vendimin e mësipërm të bën përshtypje së pari fakti se është vendosur që blerja dhe marrja me qera e ambienteve, siç thuhet (në fakt termi i saktë duhet të jetë “apartamente”, se kështu quhet çdo sipërfaqe ndërtimore pavarësisht përse përdoret), është bërë me prokurim të drejtpërdrejtë. Pse duhet të bëhej me prokurim të drejtpërdrejtë blerja dhe marrja me qira, kur nëse heqim një perimetër në hartën e qytetit të Tiranës, duke u nisur nga qendra-selia e Bankës së Shqipërisë, dhe me rreze të rrethit sa distanca mes selisë së Bankës dhe Vilës “Goldi”, do të shikojmë se Brenda këtij rrethi janë ndërtuar shumë pallate cilësore, të cilat mund të ofronin ambiente me një çmim më të lirë.
Pika 3 e vendimit thotë: “fondi i nevojshëm për realizimin e objektit të prokurimit sipas pikes 2 të këtij vendimi të jetë jo më shumë se 595.000.000 lekë të reja, nga të cilat:
a) jo më shumë se 495.000.000 lekë për blerje ambientesh së bashku me sipërfaqen ndërtimore përkatëse, sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi; dhe b) jo më shumë se 100.000.000 lekë për marrje me qira ambientesh sipas shkronjës “b”, të pikës 2 të këtij vendimi”.
Të blesh 1900 metra katrore sipërfaqe ndërtimore, me prokurim të drejtpërdrejtë tek Vila “Goldi”, me një çmim prej 495. 000. 000 lekë të reja, do të thotë që për kohën kur është marrë vendimi (gusht 2008), të kesh blerë me rreth 2200 euro për metër katror. Për më tepër dihet se për blerje në sasi kaq të madhe ka zbritje çmimi. E megjithatë nuk duket që të jetë bërë zbritje çmimi. Të marrësh me qira 1800 metra katrore, me prokurim të drejtpërdrejtë, tek Vila “Goldi”, për tre vjet, me një çmim prej 100. 000.000 lekë të reja, do të thotë që, me kursin e kohës kur është bërë ky veprim, të kesh marrë përsipër të paguash një qira prej 1600 euro për metër katror në vit. Është e qartë se në këtë rast, si me blerjen, ashtu dhe me marrjen me qira, është abuzuar hapur me paratë e taksapaguesve, për interesa që do t’ i shpjegoj më tutje.
Por, në këtë aferë gjërat nuk përfundojnë këtu. Në pikën 6 të vendimi të Këshillit Mbikqyrës thuhet:
“Ky vendim i prodhon efektet e tij juridike pasi shoqëria “Halili” sh.p.k. të zotërojë dokumentet përkatëse për objektet e përcaktuara në pikën 2 të këtij vendimi”.
Kjo do të thotë se blerësi dhe qiramarësi, që është Banka e Shqipërisë, është e vetëdijshme në momentin e marrjes së vendimit se shitësi dhe qiradhënësi që është firma “Halili” nuk i ka në rregull dokumentet e pallatit që ka ndërtuar, dhe se ai është paregjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Pse është vendosur blerja dhe marrja me qira, të dyja me prokurim të drejtpërdrejtë, me një firmë e cila nuk i ka dokumentet në rregull me pallatin që shet dhe jep me qira, kur ka të tjera firma që i kanë në rregull? E gjithë kjo është bërë se paratë duhet t’ i shkonin pikërisht firmës “Halili” dhe jo ndonjë tjetre. Si për të ushqyer satirën, në vendimin e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, nuk shënohet adresa e pallatit ku po blihen dhe po merren me qira mjedise, por shënohet si adresë “përballë Vilës Goldi”. Kjo është shumë instruktive. Vila “Goldi” është adresa e pronarit të firmës “Halili”. Në veprimet e përshkruara më lart, Guvernatori Fullani, anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, por indirect edhe Presidenti Topi, kanë konsumuar veprat penale të parashikuara nga së paku 5-6 nene të Kodit Penal, duke filluar nga shpërdorimi i detyrës, korrupsioni pasiv etj., etj.
Në 31 gusht 2010, në ditën e fundit të muajit zyrtar të pushimeve, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, i kryesuar nga Fullani, u mblodh për të marrë një vendim skandaloz. Me vendim nr. 58 të datës 31 gusht 2010, Këshilli Mbikqyrës i Bankës të Shqipërisë vendosi për «Disa ndryshime në vendimin nr. 56, datë 29. 8. 2008 ’Për miratimin e përdorimit të procedurës së prokurimit të drejtpërdrejtë’ për blerjen dhe marrjen me qira të ambienteve të reja për nevojat e Bankës së Shqipërisë».
Pika 2 e vendimit thotë:
«Objekti që do të prokurohet në zbatim të pikës 1 të këtij vendimi do të jetë: Marrje ambientesh me qira me sipërfaqe përafërsisht 3890 (tremijë e tetëqind e nëntëdhjetë) m² në kompleksin ndërtimor në Rrugën e Dibrës përballë Vilës Gold, nga të cilat:
-ambiente për zyra, me sipërfaqe përafërsisht 3000 m²;
-ambiente nëntokë , me sipërfaqe përafërsisht 890 (tetëqind e nëntëdhjetë) m²».
Pika 3 e vendimit thotë:
«Fondi i nevojshëm për realizimin e objektit të prokurimit, për marrje me qira ambientesh, sipas pikës dy të këtij vendimi, të jetë jo më shumë se 215 776 670 (dyqind e pesëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë lekë)».
Tashmë nuk ia vlen të përsërit gjerësisht se marrja me prokurim të drejtpërdrejtë nga ana e Bankës së Shqipërisë e dyqaneve dhe apartamenteve të Refik Halilit, është një shpërdorim i pastër detyre nga ana e Fullanit dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit Mbikqyrës të Bankës. Tashmë nuk ia vlen të përsërit se pse duhet të bëhet me prokurim të drejtpërdrejtë blerja dhe marrja me qira, kur nëse heqim një perimetër në hartën e qytetit të Tiranës, duke u nisur nga qendra-selia e Bankës së Shqipërisë, dhe me rreze të rrethit sa distanca mes selisë së Bankës dhe Vilës “Goldi”, do të shikojmë se brenda këtij rrethi janë ndërtuar shumë pallate cilësore, të cilat mund të ofronin sipërfaqe ndërtimore me një çmim më të lirë. Tashmë nuk ia vlen të përsërit gjerësisht se në vendimin e mësipërm të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, nuk shënohet adresa e pallatit ku po blihen dhe po merren me qira mjedise, por shënohet si adresë “përballë Vilës Goldi”. Kjo është shumë domethënëse. Vila “Goldi” është adresa e pronarit të firmës “Halili”.
Në çdo bankë të botës, kur në mënyrë të përsëritur për disa vite rresht ulen të ardhurat e bankës, në një kohë që rriten shpenzimet për personelin dhe ato administrative, kjo shikohet si simptomë e shpërdorimit të parave të bankës dhe aksionerët fillojnë një hetim. Kur është fjala për Bankën Qendrore të një vendi, në një situatë të tillë parlamenti dhe Prokuroria hapin një hetim, sipas kompetenceva të tyre. Në Bankën e Shqipërisë të drejtuar nga Fullani, një gjë e tillë ndodh për të gjashtin vit rresht e megjithatë nuk është bërë asgjë.
Në Bankën e Shqipërisë, që prej vitit 2005, ulja e e të ardhurave, si pasojë e manovrave abuzive financiare të Fullanit, si dhe e rritjes së shpenzimeve për personelin dhe atyre administrative i ka sjellë një humbje të madhe buxhetit të Bankës dhe të shtetit në përgjithësi. Shkalla e abuzimeve të Fullanit kuptohet mjaft të bësh një krahasim mes buxhetit të Bankës së Shqipërisë të vitit 2004 (viti i fundit kur Bankën e Shqipërisë e drejtonte paraardhësi i Fullanit Shkëlqim Cani) dhe viteve kur atë e ka drejtuar Fullani. Në vitin 2004, të ardhurat e Bankës së Shqipërisë, pa zbritur shpenzimet, kanë qenë 10.246.500.000 lekë të reja. Shpenzimet, gjithsej, për nevojat e Bankës së Shqipërisë, kanë qenë 2.7.45.550.000 lekë të reja. Kështu, Banka e Shqipërisë i ka sjellë shteti të ardhura neto prej 7.500.950.000 lekë të reja. Në vitin 2004, shpenzimet e përgjithshme të Bankës së Shqipërisë qenë sa 27% e të ardhurave të saj.
Ndërsa për vitin 2007, kur në krye të Bankës së Shqipërisë është Fullani, të ardhurat gjithsej të Bankës së Shqipërisë kanë qenë 9.231.459.000 lekë të reja, pra 10 % më pak se në vitin 2004. Ndërsa shpenzimet gjithsej, për nevojat e Bankës së Shqipërisë, kanë qenë 3.406.532.000 lekë të reja, pra 25% më shumë se në vitin 2004. Kështu, fitimi i bankës së Shqipërisë, për vitin 2007, është 5.824.928.000 lekë të reja, ose 77% e fitimit të vitit 2004. Këto shifra bëhen edhe më skandaloze kur shikon se Fullani, ndërsa ka ulur fitimet me 23%, ka rritur shpenzimet me 25% në krahasim me vitin e fundit të paraardhësit të tij. Në çdo bankë të botës ka një rregull elementar, nuk mund të rriten shpenzimet atëherë kur pakësohen fitimet. Në vitin 2007, shpenzimet e Bankës së Shqipërisë arritën në 37% të të ardhurave vjetore.
Kulmi arriti në buxhetin e vitit 2010. Sipas buxhetit të vitit 2010, të ardhurat gjithsej të Bankës së Shqipërisë për këtë vit janë 8 822 672 000 lekë të rinj, pra sa 88% e të ardhurave në vitin 2004. E megjithatë shpenzimet gjithsej të Bankës së Shqipërisë për vitin 2010 janë rritur në 4 196 196 000 lekë të rinj, ose 50% më shumë se në vitin 2004! Në vitin 2010 shpenzimet vjetore të Bankës së Shqipërisë arritën në 45% të të ardhurave vjetore të Bankës. Rritja e shpenzimeve të një banke është një investim për rritjen e të ardhurave, çka në rastin e Bankës së Shqipërisë nuk ka ndodhur këto gjashtë vite që atë e drejton Fullani. Kombinimi i uljes së të ardhurave të Bankës me rritjen e shpenzimeve, ka bërë që Banka e Shqipërisë sot të gjendet në një pozitë që shihet si e patolerueshme edhe në vendet më institucionalisht të degjeneruara afrikane, sa i përket raportit të të ardhurave të Bankës me shpenzimet e saj. Mjafton një kërkim i thjesht në Internet në ëebsite-t zyrtare të Bankave qendrore të vendeve të ndryshme për të parë raportin e të ardhurave vjetore të bankave qendrore me shpenzimet e tyre, do të thotë me buxhetin vjetor. Kështu, ajo do të shikonte se nuk asnjë bankë qendrore në botë, përveç në vendet e superkorruptuara afrikane, ku shpenzimet vjetore të bankës të zenë 45% të të ardhurave vjetore të bankës, siç ndodh me Bankën e Shqipërisë. Dhe më e keqja pritet të vijë se Fullani ka për të bërë edhe buxhetin e vitit 2011 para se t’ i përfundojë mandati, madje ai shpreson që vitin e ardhshëm të rizgjidhet edhe për një mandat shtatëvjeçar në postin që mban sot.
Fullani po e kthen Bankën e Shqipërisë në një kompani piramidale dhe jo më kot ai po e transferon zyrën e tij dhe të stafit të vet të ngushtë si guvernator në ish-ndërtesën që ishte seli e VEFA, për të marrë ish-zyrën e Vehbi Alimuçës. Fullani ka marrë me qira për nevojat e Bankës së Shqipërisë për të cilën janë derdhur paratë lumë, se u mor me qira për 1. 2 milion euro dhe po rikonstruktohet dhe pajiset, me tendera me prokurim të drejtpërdrejtë. Nëse Fullani do të zgjidhet edhe për një mandat tjetër shtatëvjeçar në krye të Bankës së Shqipërisë, ai me siguri që do të bëjë që shpenzimet t’ i kapërcejnë të ardhurat në buxhetin e Bankës.
Ministri i Financave Bode, i cili ex officio është anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë pa të drejtë vote, megjithatë nuk merr kurrë pjesë në mbledhjet e këtij këshilli, sikur atje të merren vendime që kanë të bëjnë me financat e Bangladeshit dhe jo me ato të Shqipërisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit hesht për të gjitha shkeljet e Fullanit shumë prej të cilave janë vepra penale, dhe i nxjerr shkeljet në shifra qesharake financiare.
Buxheti i Bankës së Shqipërisë i vitit 2010 është i gjashti rresht, që prej vitit 2005, kur të ardhurat ulen dhe shpenzimet e Bankës rriten. Kjo përbën një arsye të përgjithshme që Prokuroria e Përgjithshme të ndërmarrë një hetim për atë që ndodh në Bankën qendrore të vendit, e cila është bankë publike. Por kjo përbën dhe një arsye shtesë që Prokuroria të marrë në shqyrtim dosjet e zeza më të spikatura të Fullanit, të përmendura më lart.





