Nga Kastriot Myftaraj
30 tetor 2010
Sipas projektit të publikuar, stadiumi i ri kombëtar që do të ndërtohet në Tiranë do të ketë trajtën e hartës së Republikës së Shqipërisë. Stadiumi në trajtën e hartës së Republikës së Shqipërisë përbën një simbolikë të papërshtatshme se bëhet fjalë për një stadium kombëtar dhe jo për një stadium thjesht të Shqipërisë shtetërore, në kufijtë e vitit 1913. Nëse stadiumi kombëtar ndërtohet në trajtën e hartës së Republikës së Shqipërisë, atëherë kjo do të thotë se identifikohen kufijtë shtetërorë me ata nacionalë, çka nuk janë e njëjta gjë, ndryshe shteti shqiptar sot nuk do të ndjente asnjë lloj detyrimi për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre përtej kufirit shtetëror, në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës.
Aq më tepër e papërshtatshme bëhet simbolika e stadiumit në trajtën e hartës së Republikës së Shqipërisë, kur konsiderohet se stadiumi është parashikuar të përfundojë së ndërtuari në 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Në 1912 nuk u shpall pavarësia e Shqipërisë shtetërore (Republikës së Shqipërisë të sotme), por e Shqipërisë në kufijtë e hapësirës nacionale, që përfshin edhe trojet e sotme shqiptare të mbetura jashtë kufijve. Kufijtë e shtetit shqiptar u vendosën në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve dhe në kundërshtim me drejtësinë, nga diplomacia ndërkombëtare.
Aspirata për bashkim kombëtar mbeti e pandryshuar tek shqiptarët edhe pas kësaj, dhe sot kjo aspiratë është fiksuar në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku bëhet fjalë për «aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar». Pra, gjërat janë thënë qartë. Shqiptarët e këtej kufirit janë një popull, pjesë e kombit shqiptar, të cilët ruajnë dhe zhvillojnë aspiratën historike të bashkimit kombëtar, do të thotë të bashkimit shtetëror me pjesën tjetër të trojeve shqiptare, të mbetura jashtë kufijve. Shteti shqiptar, për shkak të rrethanave ndërkombëtare, mund të mos jetë në gjendje që të veprojë momentalisht për përmbushjen e kësaj aspirata, por nuk ka asnë arsye përse të fiksohet me një simbolikë arkitekturore padrejtësia historike e vitit 1913.
Aq më tepër e dyshimtë bëhet kjo simbolikë arkitekturorë, kur shikon se ajo është idea e një studioje arkitekturore spanjolle (RFA), të ngarkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe UEFA për të bërë projektin e stadiumit. Spanja është një ndër pesë vendet e Bashkimit Europian, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Por pavarësia e Kosovës është hapi i parë drejt bashkimit të Kosovës me Republikën e Shqipërisë. Nëse pavarësia e Kosovës nuk do të arrijë të implementohet për shkak të bllokimit që i bëhet shtetit të ri në institucionet ndërkombëtare, atëherë Kosova e pavarur do të shprehë vullnetin për bashkimin shtetëror me Shqipërinë.
Spanja, e cila është kundër pavarësisë së Kosovës, aq më tepër është kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Prandaj dikush në Madrid ia ka sugjeruar studios arkitekturore këtë ide diabolike për ndërtimin e stadiumit në trajtën e hartës së Republikës së Shqipërisë. Këtu ka përgjegjësi edhe FSHF, e cila është përzier në këtë histori. Por edhe qeveria shqiptare, e cila do të japë një të tretën e parave, ka përgjegjësi nëse realizohet ky projekt, edhe pse është vënë para faktit të kryer.
Simbolika arkitekturore e gjetur është e papërshtatshme edhe për faktin se në këtë stadium do të luajë skuadra kombëtare e futbollit, në të cilën bëjnë pjesë futbollistë nga të gjitha trojet shqiptare, si në këtë anë të kufirit, ashtu dhe përtej kufirit. Për këta futbollistë do të jetë një fyerje që të luajnë në një stadium kombëtar, për ngjyrat e një skuadre kombëtare futbolli, ku trojet e tyre janë të përjashtuar nga harta kombëtare. Prandaj, nuk duhet që të heshtin as futbollistët e skuadrës kombëtare shqiptare me origjinë nga trojet përtej kufirit të Republikës së Shqipërisë, të cilët nuk janë pak dhe madje janë ndër futbollistët më të mirë të skuadrës kombëtare. Gjithashtu të fyer do të ndihen edhe tifozët e skuadrës kombëtare të cilët vijnë nga trojet shqiptare përtej kufirit, nga Kosova dhe Maqedonia, dhe të cilët janë në fakt tifozët më të zjarrtë të skuadrës kombëtare. Ç’ kuptim ka që këta njerëz të vijnë nga përtej kufirit, për të mbështetur skuadrën kombëtare në stadium që ka trajtën e hartës së shtetit shqiptar!
Pastaj çka do të bëhet me këtë stadium kur të bashkohen me shtetin shqiptar trojet shqiptare të mbetura jashtë kufijve. Ai do të mbetet si një monument i turpit të atyre që e bënë dhe do të duhet që të prishet pjesërisht. Prandaj, është e nevojshme që që të ndryshohet pjesërisht projekti i stadiumit, sa i përket anës së jashtme, ashtu që të mos ketë trajtën e hartës së Republikës së Shqipërisë. Në asnjë vend të botës nuk ka një stadium kombëtar në trajtën e hartës së shtetit, kështu që nuk ka arsye përse ta bëjë Shqipëria këtë risi të dyshimtë.






