Videoja pornografike e ish-ministrit Pango dhe romani pornografik “Dhjetë ditë që nuk tronditën botën” i drejtorit Aurel Plasari


Nga Kastriot Myftaraj

Gazeta “Sot”
22 prill 2009

    Kur Ylli Pango ishte Ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, ai, në një intervistë televizive deklaroi se Drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasarin e kishte bashkëpunëtorin e vet më të ngushtë për çështjet e kulturës. Por siç doli më pas, prioriteti i ministrit Pango nuk ishte kultura por seksi duke shfrytëzuar postin. Ylli Pango kulturës shqiptare i dha vetëm videoregjistrimin pornografik të nxjerrë në emisionin “Fiks fare”. Gjithsesi pas publikimit të videos së Pangos nuk mund të mos e rishikosh në një pikëpamje tjetër deklaratën kurioze të Pangos kur ishte ministër se Aurel Plasari ishte bashkëpunëtori i tij më i ngushtë për çështjet e kulturës.     Maniakut seksual Ylli Pango sigurisht që duhet t’ i ketë pëlqyer shumë romani pornografik pervers i Aurel Plasarit “Dhjetë ditë që nuk tronditën botën”. Në fakt romani është ekuivalenti letrar i videos së Pangos.
    Kryeministri Berisha e shkarkoi ministrin Pango katër minuta pas publikimit të videos. Kështu duhet të ndodhte në një shtet serioz. Por në një shtet serioz nuk mund të ndodhë që drejtori i një institucioni të rëndësishëm kulturor siç është  Biblioteka Kombëtare të vazhdojë të mbajë postin dhe tetë vjet pasi ka shkruar një roman pornografik, siç ndodh me Plasarin. Plasari ka njëmbëdhjetë vjet që mban postin e drejtorit të Bibliotekës kombëtare- është emëruar nga Edi Rama kur ky ishte ministër i Kulturës. Z. Plasari, me romanin e tij të përmendur më lart është babai i letërsisë pornografike shqiptare. Kjo është një gjë me të cilën ai mund të krenohet në rrethe të caktuara. Por është një gjë që e bën Plasarin inkompatibël me postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Edhe në vendin më joserioz afrikan nuk ndodh që drejtori i Bibliotekës Kombëtare të jetë autor romanesh pornografike.
    Aurel Plasarin ishte dashur që ta shkarkonin kryeministrat e majtë dhe derisa ata nuk e bënë këtë gjë, atëherë duhet ta kishte bërë patjetër kryeministri Berisha. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare shkarkohet nga kryeministri me propozim të ministrit përkatës dhe në të njëjtën mënyrë edhe emërohet. Është shumë kurioze se Aurel Plasari u emërua si drejtor në 1998, nga Ministri i atëhershëm i Kulturës, Edi Rama, pikërisht në kohën kur qenë dhënë shenjat e para të konfliktit të Edi Ramës me komunitetin artistik të vendit, konflikt që pak kohë më pas u shkallëzua me grevën e urisë të elitës artistike të vendit si protestë ndaj veprimeve skandaloze të ministrit Rama. Edi Rama atakoi vlerat e kulturës shqiptare dhe promovoi antivlerat.
    Në kohën që Edi Rama planifikonte konfliktin me elitën artistike të vendit, ai solli në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës shqiptare, Aurel Plasarin, të cilin e prezantoi si njeriun për të cilin, duke e njohur, është i sigurt se ka për t’ i sjellë vlera të reja kulturës shqiptare. Dhe Aurel Plasari me të ardhur në postin që i dha Edi Rama i dha kulturës shqiptare një roman pornografik. Edi Rama duhet të ishte në dijeni për këtë gjë dhe këto ai i quante vlera, nëse konsiderojmë publicistikën e tij (të Edi Ramës), për të cilën para pak kohësh u mburr në emisionin e Sokol Ballës, duke u thënë opinionistëve të ftuar se u duhej kohë që ta arrinin atë. Sigurisht që Edi Rama kishte të drejtë dhe ai mund të mbetet i paarritshëm në fushën e tij se në garë është vetëm me Aurel Plasarin.
    Kur Edi Rama doli në emisionin e Sokol Ballës, duke mbajtur në dorë librin e Anthony Giddens “Përtej së majtës dhe së djathtës”, kjo ishte hera e parë që ai shfaqej me një libër në dorë, që nga koha kur u shfaq në ekranet televizive duke marrë nga Aurel Plasari një kopje me autograf të romanit “Dhjetë ditë që nuk tronditën botën”.  Nuk është e rastit që, Edi Rama, njeriu që i dha në dorë Aurel Plasarit çelësat e Bibliotekës Kombëtare, ishte njeriu që kundërshtoi mbylljen e gropës së Hajdin Sejdisë, e cila gjendej në krah të Bibliotekës Kombëtare, dhe që ishte bërë qendër e veprimtarisë së atyre që mund të quhen personazhe të romanit të Aurel Plasarit “Dhjetë ditë që nuk tronditën botën”.
    Pasi Bashkia e Tiranës refuzoi ta mbyllë gropën dhe të ndërtojë një lulishte në vend të saj, qeveria “Berisha” e mbylli vetë gropën dhe ndërtoi një lulishte në vend të saj. Tashmë Edi Rama refuzon që ta marrë në zotërim lulishten, në emër të Bashkisë, dhe nuk kryen asnjë punim tek ajo, duke e lënë në një gjendje të mjeruar, ndryshe nga lulishtja në anën tjetër të rrugës. Duket se Edi Rama e shikonte gropën e Hajdin Sejdisë si simbol të poshtërimit të kulturës shqiptare, dy nga institucionet kryesore të së cilës Biblioteka Kombëtare dhe Teatri i Operas dhe Baletit gjendeshin fare pranë gropës së Hajdin Sejdisë.
    Qënia e babait të letërsisë pornografike shqiptare në postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare është ekuivalenti i gropës së Hajdin Sejdisë në kulturën shqiptare. Por Aurel Plasari ka bërë dhe vepra të tjera, mund të thotë dikush. Çfarë na paska bërë? Apose ka vjedhur librin e professor Roberto Morozzo Della Roca, “Kombësia dhe feja në Shqipëri”, duke marrë në librin e vet “Via e Teodosit rishfaqet”idenë qendrore paragrafe të tëra, pa i cituar? Kjo është arsyeja që Plasari nuk e ribotoi më këtë libër të vetin, me të cilin dikur krenohej, qëkurse u botua në Shqipëri libri i profesor Morozzo Della Roca.  Çfarë ka bërë tjetër ky Plasari që na qenka bërë institucion i kulturës? Apo se na e bëri Nënën Tereze vllehe? Apo se i ka botuar si broshura nja tre katër artikuj gazete, dhe të cilët i shënon në CV e vet si libra? Apo se edhe ndonëse pej gjashtëmbëdhjetë vjetësh është dhe pedagog i ekstetikës në Fakultetin e filologjisë në Universitetin publik të Tiranës, nuk ka shkruar jo më një libër estetike, por as një tekst estetike për studentët? E ku ka kohë Plasari që ta bëjë këtë gjë. Kushdo të shkruajë letërsi pornografike pastaj. Nëse për Plasarin si drejtor i Bibliotekës Kombëtare kanë përgjegjësi ministry i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, për Plasarin pedagog kanë përgjegjësi rektori Dhori Kule dhe dekani Shezai Rrokaj.  
    Ç’ merita të tjera ka ky Aurel Plasari që mban postin e drejtorit të Bibliotekës kombëtare? Apose drejton në Shtëpinë botuese “55” të Fahri Balliut kolanën e botimeve “Intelligenda”, duke u paguar kështu nga bizneset e përbashkëta Delijorgji-Balliu. Paratë që ka marrë Aurel Plasari nga Fahri Balliu janë të përlyera me gjakun e viktimave të Gërdecit. Dhe dritaret e shtëpisë Aurel Plasari i mban të mbuluara natë ditë me batanije, sikur kërkon të krijojë edhe në shtëpine e vet mjedisin e kamufluar të “shtëpisë me gjethe” ku është mësuar dikur.
    Aurel Plasari ngjan shumë me Mihal Delijorgjin. Ashtu si Mihal Delijorgji edhe Aurel plasari ishte mik dhe bashkëpunëtor i të dy palëve të politikës, i së majtës dhe i së djathtës. Delijorgji merrte leje ndërtimi pa fund nga Edi Rama, ndërsa Aurel Plasari mori nga Edi Rama postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, pra mori lejen e ndërtimit të antivlerave në institucionin e rëndësishëm kulturor shqiptar. Delijorgji ishte mik i Fahri Balliut dhe Aurel Plasari ishte dhe është mik i Fahri Balliut. Kështu që nuk është çudi që dhe Aurel Plasari të jetë edhe mik i Delijorgjit dhe të kenë pasur dreka dhe darka së bashku. Delijorgji bëri shpërthimin e Gërdecit, duke lënë pas kraterin simbolik. Edhe Aurel Plasari, në postin e vet si drejtor i Bibliotekës Kombëtare ka bërë një krater të kobshëm në kulturën shqiptare. Ajo që tha Plasari se Nënë Tereza është vllehe duhet marrë si indicje për këtë gjë. Derisa drejtori i Bibliotekës Kombëtare të një vendi, i cili paguhet nga taksapaguesit dhe ka shumë privilegje të tjera nga posti i tij, deklaron këtë gjë, atëherë merret me mend se çfarë ka bërë ai për kulturën shqiptare në këtë detyrë.
    Aurel Plasari ishte mbrojtësi më i madh i projekt-ligjit për librin, i cili ishte projektuar si ekuivalenti i shpërthimit të Gërdecit kundër librit shqip. Detonatori ishte e drejta e autorit për librat e huaj. Vende si Shqipëria i kanë firmuar konventat ndërkombëtare për të drejtat e autorit, duke rezervuar të drejtën e pezullimit të zbatimit të tyre për një periudhë derisa të fuqizohet tregu në vend. Kështu ka bërë Maqedonia që është para nesh sa i përket integrimit në Bashkimin Europian, derisa është vend-kandidat. Ndërsa Shqipëria zbaton pa rezerva të drejtën e autorit për libra të huaj, duke qenë Aurel Plasari me ligj gardiani që vigjëlon shkeljet, por që sipas rastit toleron, siç bën me Fahri Balliun. Zbatimi i këtij ligji ka sjellë pasoja të rënda për librin shqip.
    Në rast se emisioni “Fiks fare” do të kishte organizuar një operacion të ngjashëm me rastin “Pango” për drejtorin Plasari, çka është një gjë e justifikuar duke konsideruar postin që mban Plasari dhe dyshimin e arsyeshëm që vjen nga të qenët autor i librit pornografik “Dhjetë ditë që nuk tronditën botën”, atëherë sigurisht që do të shikonim video me mbërthecka. Meqënëse po përmendet një roman, dhe jo për ndonjë arsye tjetër, u frymëzova të tregoj një ngjarje reale. Një klerik plak i cili gjendej në Shkodër me burrin e një politikaneje të majtë nga Tirana (burri kishte shkuar të vizitonte disa kisha të vjetra) merr në telefon në një zyrë në Tiranë ku gjendej gruaja e këtij burrit me drejtorin (zonja në fjalë vinte shpesh në zyrën e drejtorit dhe mbyllej dera nga brenda), dhe i thotë drejtorit: “Biri im i jepni fund asaj pune, se ky zotnia ka nji fije që asht nisë për Tiranë”.
     A nuk do të kishte qenë ky një episod i përshtatshëm për në “Fiks fare”? Në fakt “Fiks fare” mund të bënte dhe një gjë tjetër, të filmonte se si çelësat e seksionit të Albanologjisë në Bibliotekën Kombëtare prej kohësh i janë dorëzuar nga drejtorit botuesit të romanit “Dhjetë ditë që nuk tronditën botën”, ndoshta si mirënjohje për botimin e këtij libri. Dhe ky zotëri prej shumë kohësh shkon dhe punon i vetëm tek seksioni i Albanologjisë, duke u marrë kushedi se me çfarë punësh të korbshme, si emri i shtëpisë së tij botuese.
    Po këshilltari për kulturën i Presidentit Topi, Agron Gjekmarkaj, për ç’ arsye është bërë prej disa kohësh praktikisht bodyguard i drejtorit Plasari, duke e përcjellë në shtëpi në këmbë kur del nga zyra. Duket se ka qenë Aurel Plasari ai që i sugjeroi Bamir Topit që ta merrte Agron Gjekmarkajn si këshilltar për kulturën. Në fakt, duke qenë Agron Gjekmarkaj në postin e këshilltarit presidencial për kulturën, është vetë Aurel Plasari që e mban këtë post by proxy. Se Agron Gjekmarkaj nuk ka asnjë kredencial për të qenë këshilltar për kulturën i numrit një të shtetit.
    Duke perifrazuar titullin e romanit pornografik të Aurel Plasarit, pas dhjetë vjetësh që nuk tronditën qeveritë shqiptarë të qëndrimit në karrigen e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të një shkrimtari pornografik, tashmë në vitin e njëmbëdhjetë është pikërisht koha që kryeministri Berisha të shkarkojë Aurel Plasarin nga posti që mban. Aq më tepër kur Aurel Plasari as që denjon të merret fare me detyrën e vet (përveçse për punë të errëta), se që kur ka ardhur ai në detyrë Bibliotekën Kombëtare këtë institucion e drejton nëndrejtoresha. Aurel Plasari, kur u bë drejtor, kërkoi dhe siguroi nga ministri i kohës Edi Rama një një vend shtesë në organikë për nëndrejtorin, dhe emëroi një zëvendëse së cilës i la gjithë punën burokratike, si të thuash. Prandaj është mirë që Plasari të çlirohet krejtësisht nga posti i tij burokratik, të cilit i merr gjithë privilegjet, pa i përmbushur asnjë nga detyrimet, dhe të lihet i lirë të merret me punët e veta. Kur erdhi në post, Plasari filloi të thoshte se kjo detyrë burokratike nuk ishte për të, se po i hante kohën që i duhej për studimet e veta, dhe se do të rrinte dy vjet në post, sat ë bënte disa reforma, dhe do të largohej. Por ja ku kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet dhe Plasari është ende në post.  
kmyftaraj@yahoo.com