Sfida e Vlorës ndaj Selanikut dhe korridori Vlorë- Qaf-Thanë si simetriku i Durrës-Morinë


Nga Kastriot Myftaraj

Gazeta “Sot”
13 janar 2009
   
    Projekti britanik, i shpallur së fundmi për modernizimin dhe zgjerimin e Portit të Vlorës, hap drejtpërdrejt rivalitetin e Vlorës me Selanikun. Vlora kështu sfidon ambicjen greke për ta bërë përfundimisht Selanikun portin kryesor të tranzitit të mallrave në Ballkan, një portë hyrëse të mallrave për vendet e prapatokës ballkanike dhe më tej. Jo vetëm për ato vende që nuk kanë dalje në det, por edhe për ato që kanë dalje në Detin e Zi ku anijet për të hyrë duhet të kalojnë ngushticat turke, dhe pastaj kur shkojnë në portet bullgare apo rumune, shpesh duhet nje rrugë e gjatë tokësore për t’ i çuar mallrat në rajonet perëndimore dhe jugperëndimore të Bullgarisë, Rumanisë, me gjithë lehtësitë që sjell transporti nëpër Danub, që  përbën një kosto më vete. Selaniku i ka të gjitha parametrat e një porti modern, por ai mund ta ruajë statusin e portës të Ballkanit lindor dhe qendror për tranzitin e mallrave, vetëm në rast se në Ballkanin Perëndimor nuk delnjë port rival me parametrat e Selanikut. Vlora është rivali i vetëm i mundshëm i Selanikut, edhe për shkak se Vlora ka dalje në një det të hapur, ndryshe nga Selaniku që ka dalje në një det të mbushur me ishuj. Porti i Vlorës është natyralisht më i thellë se i Selanikut dhe mund të thellohet edhe më, siç është bërë me Selanikun, që sot mban anije që e kanë linjuën e zhytjes deri në 12 metra. Porti i Selanikut pret dhe përpunon 16 milion ton ngarkesë (kargo) në vit, nga të cilat shtatë milion të ngurtë dhe nëntë milion të lëngshëm, ndryshe 3000 anije. Porti i zgjeruar i Vlorës mund ta bëjë pa vështirësi këtë gjë.
    Porti i Vlorës mund të bëhet rruga e parapëlqyer detare për Maqedoninë, Bullgarinë perëndimore, por edhe më tej. Ajo që i mungon Portit të Vlorës është një korridor tokësor që të lidhë në itinerarin më të shkurtër Vlorën me Qaf-Thanën. Nëse do të ndërtohej ky korridor, atëherë Porti i Vlorës do të bëhej porti më atraktiv për Ballkanin Qendror dhe Lindor, së bashku me Durrësin. Korridori Vlorë-Qafë-Thanë ia vlen të ndërtohet në itinerarin më të shkurtër, pavarësisht nga kostoja. Ky corridor duhet të jetë prioritet para atij Tiranë-Berat-Tepelenë që paraqiti kryeministri Berisha para pak ditësh. Nuk mund të jetë prioritet ndërtimi i korridorit Tiranë-Berat-Tepelenë në itinerarin më të shkurtër, siç tha kryeministri, sepse nga Tirana në Tepelenë shkohet shpejt edhe nëpërmjet rrugëve që po ndërtohen. Ky korridor vertikal i Jugut mund të presë. Korridori që duhet ndërtuar sa më shpejt është diagonali i Jugut Vlorë-Qafë-Thanë, me disa tunele, duke përfshirë sigurisht edhe një tunel në Qafë-Thanë, që duhet të ndërtohet me shpenzimet e përbashkëta të Shqipërisë dhe të Maqedonisë. Korridori diagonal i Jugut ka dhe funksionin që integron rajonet e ndryshme të Shqipërisë së Jugut, se sot për të shkuar nga Korça në Vlorë dhe anasjelltas duhet të shkosh në Elbasan, ndërsa me korridorin e ri itinerari shkurtohet shumë. Sot edhe pse Korça, Pogradeci dhe Kolonja janë shumë afër Beratit në linjë ajrore, për të shkuar nga Korça, apo Pogradeci dhe Kolonja në Berat duhet të shkosh në Elbasan, Rrogozhinë, Lushnjë, pra t’ i biesh qark Shqipërisë së Jugut.
    Mjafton që t’ i hedhësh një sy hartës së Shqipërisë dhe më gjerë të Ballkanit, për të kuptuar rëndësinë e korridorit diagonal të Shqipërisë së Jugut Vlorë-Qaf-Thanë. Këtë gjë e kuptojnë edhe politikanët, në pushtet apo opozitë, por nuk flasin për këtë gjë, se e dinë se kjo është një gjë shumë e papëlqyeshme për Greqinë. Por për këtë gjë mund të flasin vlonjatët, pavarësisht nëse janë të majtë ose të djathtë. Vlora sot shihet si një bastion i së majtës, por kjo nuk ka rëndësi për këtë çështje. Vlonjatët që janë në dy partitë e mëdha mund të bëjnë për këtë çështje një lobing në partitë respective dhe pranë qeverisë, në mos lobing të përbashkët, së paku paralel, se supozohet që interesi i Vlorës të prevalojë mni atë partiak, që nuk ka pse të jetë jokompatibël me interesin e Vlorës. Deri më sot Vlorën partitë e mëdha e kanë ngopur me slogane. Eqrem bej Vlora rrëfen në kujtimet e veta një episod: Kur i sugjeroi një vlonjati që të hante zarzavate veç mishit, ai u ndje i fyer dhe i tha se nuk ishte kafshë që të hante bar. Në rast se në këto zgjedhje partitë e mëdha nuk angazhohen para Vlorës për korridorin diagonal Vlorë-Qafë-Thanë atëherë i trajtojnë vlonjatët si gomerë që mund t’ u jepet të hanë “bar” politik. Zgjedhësit vlonjat i duhen kënduar të parafrazuar ato dy vargjet e asaj këngës dibrane “Hajredin pasha po vjen Radikës”:
    “Hajredin pasha mor kryeshinik,
     S’ bahet Dibra Selanik”.
Për zgjedhësin vlonjat këto vargje do të vlenin kështu:
    O vlonjat mor “kokëshinik”,
    Përdore votën ta bësh Vlorën “Selanik”
    Historia e Vlorës në politikën shqiptare është një histori epigrami i së cilës do të ishte: Vlora është përdorur shumë më tepër se ç’ ka fituar. Ajo që ka fituar Vlora është se një numër vlonjatësh kanë marrë poste të larta në Tiranë, por asnjëherë postet kryesore të shtetit, kur ka qenë në pushtet e majta, së cilës Vlora i ka dhënë një mbështetje koherente. Tashmë është koha që të bëhet diçka e prekshme vërtet për Vlorën. Politikanët dinakë të Tiranës, me frymëzime nga qendrat e huaja antishqiptare në Athinë dhe Beograd, kanë dashur t’ i joshin vlonjatët me “karrotën” e sundimit të pjesës tjetër të Shqipërisë, në kuadrin e politikës së majtë, por gjithsesi pa u dhënë postet kryesore në këtë sundim. Balanca e kërcënimeve imponon kompromisin. Sot ka qendra të caktuara antishqiptare të cilat ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, që tashmë është një fakt, kërkojnë që ta paraqitin tek vlonjatët dhe shqiptarët e Jugut në përgjithësi, si një realitet që favorizon sundimin e gegëve, në dy anët e kufirit, mbi toskët këtej kufirit.   
Vlonjatëve u duhet të “shërrohen” nga kjo mani, të kthjellohen dhe për këtë ia vlen që të artikulohet në mendimin politik shqiptar teza që zbatojnë atë koncept të teorisë së lojrave që quhet “Nash Solution”, dhe na mëson se çdo marrëdhënie, qoftë kjo tregtare, mes shteteve, brenda një grupeve që janë pjesë e një shoqërie apo kombi, ndërtohet mbi bazën e balancës së kërcënimeve. Në rast se ekziston një kërcënim i tillë si ai që të tjerët kërkojnë t’ i bëjnë vlonjatët ta perceptojnë ndërtimin e korridorit diagonal verior, atëherë kjo duhet parë si një situatë ku vendoset balanca e kërcënimeve, me anë të korridorit diagonal jugor, që e rrit gravitacionin e Vlorës në hapësirën shqiptare. Në dy libra të mi të debatuar jam munduar të artikuloj tezën se kombit shqiptar i bën mirë balanca e kërcënimeve brendashqiptare, se vetëm kështu mund të ndërtohet një marrëdhënie e qëndrueshme, konstruktive brendashqiptare. Korridori diagonal i Jugut do ta bëjë Vlorën që të kuptojë se nuk bën dot pa Strugën, Kërçovën, Tetovën, Kumanovën, pjesën shqiptare të Shkupit, Ferrizajn, Prishtinën, në rast se do që të rrisë gravitacionin e vet në Ballkan. Hapësira shqiptare në dy anët e kufirit do të jetë orbita e parë e natyrshme dhe e domosdoshme e një Vlorë që përbën një qendër graviteti në Ballkan, për të kaluar pastaj në një orbitë më të gjerë ballkanike.
    Në listat e deputetëve që do t’ i paraqiten Vlorës në zgjedhjet e ardhshme do të ketë njerëz që janë më të përkushtuar ndaj Selanikut se ndaj Vlorës. Vlonjatët do të duhej që të tregoheshin aq të zgjuar sa të mos çojnë në parlament “kolonën e pestë” selanikase, por ata që duan ta bëjnë Vlorën “Selanik”. Madje me votën e vlonjatëve në parlamentin shqiptar kanë shkuar dhe njerëz që duan ta bëjnë Vlorën “Dervician”, si fshati në Dropull ku ditën e sotme vjen zëvendësministri i jashtëm grek Kasimis, për të marrë pjesë në përvjetorin e krijimit të Omonias. Kasimis është një njeri i përkushtuar që Vlora ta humbë sfidën me Selanikun. Disa nga deputetët që është llogaritur të dalin nga Vlora në zgjedhjet e ardhshme janë miqtë e Kasimis dhe të “Kasimis”-ve të tjerë në Athinë, nga Papandreu tek Karamanlis.