Rama poston FOTO me nënën dhe Lindën dhe premton betejë për barazinë gjinore

mamt e editKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka postuar një foto me nënën e tij Aneta Rama dhe gruan e tij Linda, duke premtuar se do të ndërmarrë një politikë të re qeverisëse të barazisë gjinore e të shanseve të barabarta.
“Në mes të dy grave më të rëndësishme të jetës sime dua t’u uroj me gjithë zemër gëzuar 8 marsin të gjitha nënave, grave e vajzave të këtij vendi, ku sot më shumë se asnjëherë në gjithë këto vite lirie mbetet e hapur sfida e barazisë mes gruas e burrit. Sfida e krijimit të mundësisë së vajzave të vogla në zonat e vështira për të ndjekur shkollën njësoj si djemtë. Sfida e lehtësimit të barrëlindjes për nënat e pasiguruara ngase të papuna dhe e uljes së papunësisë femërore në tërësi.
Sfida e trajtimit josdiskriminues të vajzave e grave kur konkurrojnë me djem e me burra për një vend pune. Sfida e rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe e zgjerimit të kuotës së tyre të përfaqësimit në këshilla vendore apo parlament. Dhe padyshim, sfida alarmante e ditëve të sotme përballë dhunës e krimit në familje që rëndon egërsisht mbi vajzat e gratë. 27 gra të vrara në vetëm vitin e 100 vjetorit të pavarësisë janë një kambanë buçitëse për shoqërinë dhe për ne, socialistët e progresistët shqiptarë në radhë të parë.
Do të ndërmarrim një politikë të re qeverisëse të barazisë gjinore e të shanseve të barabarta me votën e 23 qershorit për të rilindur Shqipërinë dhe do të hedhim hapa shumë domethënës në këtë drejtim. Falë edhe një grupi të fortë grash e vajzash që do të jenë pjesë e skuadrës sonë kombëtare për një Rilindje Shqiptare dhe do të luajnë rol kyç në qeverisjen tonë”, shkruan Rama.