Krahasimi i Obamës me Gorbaçovin dhe e ardhmja e Shqipërisë e Kosovës


Nga Kastriot Myftaraj

Gazeta “Sot”
10 mars 2009

    Presidenti Obama është krahasuar, me dashamirësi e dashakeqësi, me liderin e fundit të Bashkimit Sovjetik, Gorbaçov. Në fakt mund të bëhet një paralelizëm mes Obamës dhe Gorbaçovit, për shkak se Obama, ashtu si Gorbaçovi, kur erdhi në pushtet trashëgoi një luftë në Afganistan (Obama edhe një luftë në Irak), si dhe një krizë ekonomike brenda vendit. Dashamirësit e Obamës, si James Caroll i “Boston Globe”, në një artikull me titull “Modeli i Gorbaçovit për Obamën”, në dhjetor të vitit 2008, i tërhiqte vëmendjen Obamës mbi konceptin e Gorbaçovit të demilitarizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilin presidenti sovjetik e mbajti në Kombet e Bashkuara në 1988. Përndryshe, një krahasues dashakeq, si politikani rus Zhirinovski, një ditë pas zgjedhjes së Obamës, në nëntor të vitit të kaluar, u shpreh se Obama është Gorbaçovi amerikan i cili do të shkatërrojë SHBA.
    Gorbaçovi e shikonte atë që ai e quante demilitarizim i marrëdhënieve ndërkombëtare, në rradhë të parë, në funksion të projektit të tij për të nxjerrë ekonominë sovjetike nga kolapsi. I ashtuquajturi demilitarizim i marrëdhënieve ndërkombëtare i Gorbaçovit konsistonte në uljen pranisë ushtarake sovjetike jashtë kufijve- në këtë kuadër edhe tërheqja e forcave ushtarake sovjetike nga Afganistani,  pakësimi i forcave ushtarake dhe armatimit sovjetik në përgjithësi, duke përfshirë dhe praninë në vendet e Traktatit të Varshavës, çka nxiti ndryshimet politike në këto vende dhe paralajmëroi tërheqjen sovjetike nga këto vende. Gorbaçovi mendonte se duke pakësuar shpenzimet ushtarake që po e mbysnin ekonominë sovjetike, si dhe duke ulur praninë ushtarake sovjetike jashtë kufijve, deri edhe në luftime si në Afganistan, do të arrinte një efekt të dyfishtë, duke lehtësuar ekonominë sovjetike, dhe duke e bërë Perëndimin që të ndihmonte financiarisht prestroikën, në një marrëdhënie quid pro quo, shpërblim-kundërshpërblim.
    Ajo që kishte në mendje Gorbaçovi ishte modeli kinez i reformave, që u asistuan nga Perëndimi, i cili synonte ta përdorte Kinën, në mënyrë që të kundërbalancohej Bashkimi Sovjetik. Tash që në Perëndim po fillonin të shqetësoheshin nga fuqizimi i Kinës, në një kohë që bëhej i qartë dobësimi i Bashkimit Sovjetik, Gorbaçovi mendonte se Perëndimi kishte interes që të ndihmonte një Bashkimin Sovjetik, i cili hiqte dorë nga sfidat ushtarake ndaj Perëndimit dhe ndiqte thjesht interesin e vet nacional, të kufizuar, në mënyrë që të bëhej kundërbalancuesi i Kinës. Në fund, këto plane rezultuan të parealizueshme se doli që “treni” sovjetik kishte dalë nga shinat dhe nuk mund të kontrollohej.
    Obama, deklaron ashtu si Gorbaçovi se problemi kryesor është ekonomia amerikane dhe kërkon që resurset të përqëndrohen për rivitalizimin e saj, duke hequr dorë nga angazhimi i tepruar ushtarak amerikan jashtë kufijve, gjë për të cilën e qorton paraardhësin e vet, Bush. Por Obama, ndryshe nga Gorbaçovi, nuk ka arritur të përpunojë një koncept strategjik sipas të cilit politika e tij e jashtme e kufizimit të angazhimit ushtarak amerikan, t’ i shërbejë politikës së tij për rivitalizimin e ekonomisë amerikane. Obama, ndryshe nga Gorbaçovi, as që pret kundërshpërblim, në terma ekonomike, nga bota për kufizimin e angazhimit ushtarak amerikan. Lufta kundër dollarit si monedhë ndërkombëtare nuk pritet që të ndalet, dhe duket se në përfundim të erës “Obama” dollari nuk do të jetë më monedhë referimi në tregjet ndërkombëtare, nga nafta dhe gazi e deri tek mineralet, drithrat etj. Çdo veprim i njëanshëm amerikan, në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë së lirë, për subvecionim të ekonomisë dhe masa proteksioniste, nuk do të tolerohet dhe do të marrë përgjigje të menjëhershme nga pjesa tjetër e botës. Tekefundit, një SHBA që deklaron se do të kufizojë angazhimin ushtarak në botë, i josh të tjerët që t’ i përgjigjen sfidës së saj ndaj marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Obama, në sfidën e vet për të rivitalizuar ekonominë amerikane, do të ketë kështu mungesën e resurseve që i qenë siguruar ekonomisë amerikane si trofe të angazhimit ushtarak amerikan në botë, në dekadat e kaluara.
    Obama duket se nuk e ka të qartë, ose bën sikur nuk e ka të qartë, se përse dy presidentë paraardhës demokratë amerikanë, që janë ikona të liberalëve amerikanë, si Ëdroë Ëilson dhe Franklin D. Roosevelt, ndërsa i fituan zgjedhjet në kohën që ishte duke u zhvilluar një luftë botërore, me premtimin se do ta mbanin Amerikanë jashtë luftës, megjithatë e futën vendin në luftë. Me shumë gjasë, Presidenti Ëilson e vonoi Depresionin e Madh (krizën ekonomike) të vitit 1929 në SHBA, të shkaktuar nga superprodhimi, për më tepër se një dekadë. Edhe programi antikrizë i Presidentit Roosevelt, i njohur si Neë Deal, pati një sukses të dyshimtë deri në momentin që Amerika hyri në luftë dhe ekonomia e saj u orientua nga plotësimi i nevojave të luftës, jo vetëm për vete, por edhe për aleatët. Paslufta i siguroi Amerikës pozitën e liderit financiar dhe ekonomik të botës, me privilegje të qarta, në dëm të ekonomive të tjera industriale. Sot Amerika është duke e humbur me shpejtësi këtë pozitë. Sot ekziston një prirje e qartë që ekonomia amerikane të shkojë drejt një raporti me ekonomitë e vendeve të zhvilluara të botës, si ai në të cilin gjendej ekonomia britanike me atë amerikane pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk është ironi e vogël, të shikosh SHBA, që dikur bënin avokatinë e tregtisë së lirë, të shikojnë se si në Korenë e Jugut industria e automobilave del nga kriza dhe bëhet lider në botë duke zbatuar parimet tradicionale të ekonomisë amerikane, ndërsa industria amerikane e automobilave vegjeton, e asistuar nga qeveria, në një gjendje që amerikanët qenë mësuar të vinin në lojë të tjerët kur e bënin këtë.
    Ashtu si Gorbaçovi, edhe Obama, duket se do të përballet me problemet e ekonomisë amerikane në krizë, në një mjedis ndërkombëtarër aspak favorizues dhe që e shikon me një kënaqësi cinike vuajtjen e ekonomisë amerikane. Gorbaçovi pati gjashtë vjet kohë për të bërë eksperimentin e tij. Obama duket se do të ketë dy vjet më tepër, pra tetë, se pritet që të fitojë edhe një mandat tjetër, për shkak të politikës së tij të llojit peronist, të shtetit social, kostot e së cilës nuk do të mungojnë t’ i vijnë ekonomisë amerikane në mandatin e dytë të Obamës. Obama pretendon se kriza e ekonomisë amerikane që trashëgoi ai, erdhi si pasojë e shpenzimit të resurseve amerikane në angazhimin e tepruar ushtarak jashtë kufijve të paraardhësit të tij republican. E vërteta është se ajo që bëri Bush ishte që të ndiqte shembullin e demokratëve Ëilson dhe Roosevelt, për ta gjetur zgjidhjen për problemin e krizës ekonomike jashtë kufijve, në luftra. Bush e trashëgoi krizën ekonomike që ishte pasojë e politikës të shtetit social, të traditës së keqe peroniste, të Bill Clinton, i cili shpërdoroi kështu frutet e reformave ekonomike të Reagan, duke bërë një politikë sociale që e bëri Clintonin në SHBA po aq popullor sa kolonelin Juan Peron dikur në Argjentinë. Por kriza e ekonomisë amerikane shkonte përtej mandatit të Clinton. Ajo ishte rezultat i mbetjes pas të SHBA në garën për tregjet botërore, ku kishin dalë sfidues të rinj të suksesshëm.
    Tashmë, Obama do të përballet me sfidën e zgjidhjes së problemit të krizës së një ekonomie si ajo amerikane, e cila thelbin e problemit e ka se një ekonomi që duhet të funksionojë duke dominuar tregjet botërore, është duke u nxjerrë jashtë tyre gjithherë e më tepër nga sfidues të rinj, të suksesshëm. Nuk është ironi e vogël që zgjidhja që ofron Obama është rritja e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, çka përbën atë recetë me të cilën dështoi Gorbaçovi në përpjekjet e tij për ta shëruar ekonominë sovjetike. Gorbaçovi dështoi në përpjekjet e tij që të nxirrte nga kriza një ekonomi të kontrolluar totalisht nga shteti, duke ulur kontrollin shtetëror në ekonomi. Obama ofron si zgjidhje që të rrisë ndërhyrjen e shtetit në një ekonomi që ka pasur si parim atë që kjo lloj ndërhyrjeje duhet minimizuar. Nuk duhet habitur që Obama ta keqësojë krizën, në vend që ta lehtësojë, edhe pse në fillim, me politikën e tij sociale do të krijojë përshtypjen e rreme se e kapërceu.   
    Në Bashkimin Sovjetik, dështimi i perestrojkës, para së gjithash në ekonomi, acaroi marrëdhëniet mes kombeve dhe kombësive që e përbënin këtë perandori dhe në fund çoi në shpërbërjen e tij, para syve të habitur të gjithë botës, që e pritën këtë lajm me aq habi sa mbytjen e “Titanikut”. A do të sjellë dështimi i Obamës për të kapërcyer krizën një zhvillim të ngjashëm, siç profetizon Zhirinovski? Profecia e Zhirinovskit mund të shpërfillej si një tjetër ekstravagancë retorike e tij, në rast se nuk do të ekzistonte një tjetër profeci e një njeriu që nuk mund të shpërfillet, si Samuel Huntington, i cili në librin e vet “Kushjemi ne?” (2004) profetizon se SHBA do të pësojnë fatin e Bosnjë-Herzegovinës, në rastin se nuk fitojnë sfidën e identitetit, duke kapërcyer dasitë kulturore dhe fetare, në dobi të një identiteti protestant anglofon. Huntington i shikon protestantët anglofonë në SHBA si serbët e Bosnjë-Herzegovinës, ndërsa hispanikët katolikë si muslimanët. Problemi ndërlikohet se midis protestantëve anglofonë dhe hispanikëve qëndrojnë dhe komunitete të tjera refraktare ndaj identitetit homogjen protestant anglofon si aziatikët, muslimanët etj.
    Paralajmërimi i Huntington se identiteti amerikan, si gjithpërfshirës, ka dështuar, është një konstatim që ngjan me atë që bëhej në Bashkimin Sovjetik, kur erdhi Gorbaçovi në pushtet, se nuk ishte arritur që identiteti sovjetik të bëhej një nyje e sigurt që i mbante të lidhur popullsitë që i ndante nacionaliteti e feja. Vetë zgjedhja e Obamës si president ishte një artefic për të kapërcyer problemin me anë të një mirazhi. Afroamerikanët janë një tjetër komunitet i madh në SHBA, që pavarësisht se përgjithësisht janë të fesë protestante, ndihen të margjinializuar në këtë vend. Për ta Obama, para se të jetë President i të gjithë amerikanëve, është black poëer, pushtet i zi. Nga ai ata presin mrekulli që nuk mund të ndodhë dhe që në fund do t’ i zhgënjejë.
    Në rast se profecia e Huntington nuk ka gjasa që të realizohet gjatë presidencës Obama, siç dëshiron Zhirinovski, imazhi i SHBA si një partner strategjik i vendeve të rrezikuara nga fuqitë e mëdha, është kompromentuar keqas që në fillim të presidencës së Obamës. Parapak ditësh, nga Shtëpia e Bardhë i shkoi Kremlinit një propozim që projekti amerikan për instalimin e mbrojtjes antiraketore në Poloni dhe Republikën Çeke të anulohet në rast se Rusia bashkëpunonon me SHBA për çështjen e projektit bërthamor të Iranit, pra që Rusia të ndërpresë asistencën e saj për projektin bërthamor të Iranit. Në Poloni dhe në Republikën Çeke, ku vendosja e sistemit të interceptimit të raketave është parë si një materializim të garancisë amerikane nëpërmjet NATO, për mbrojtjen e këtyre vendeve nga rreziku tradicional rus, një ofertë e tillë amerikane për Rusinë krijon shijen e keqe të përdorimit të këtyre vendeve si monedhë shkëmbimi në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë, me ç’ rast Polonia ka pësuar katër ndarje, ndërsa Republika Çeke ka kujtimin e hidhur të Marrëveshjes së Mynihut. Në Varshavë dhe në Pragë kanë të drejtë të pyesin se nëse në Ëashington kanë tendencën që angazhimin amerikan në vendet e tjera ta përdorin si monedhë shkëmbimi në tregun gjeopolitik, kush siguron se ky do të jetë pazari i fundit?
    Këtu ka dhe një analogji të Obamës me Gorbaçovin. Gorbaçovi i lëshoi Poloninë, Çekosllovakinë dhe vendet e tjera satelite të Europës Lindore, duke i dhënë fund angazhimit ushtarak sovjetik në to, në një moment krize për Bashkimin Sovjetik, dhe kur donte të siguronte bashkëpunimin e Perëndimit dhe posaçërisht SHBA. Obama gjithashtu po i nxjerr në treg angazhimet ushtarake amerikane në një periudhë krize, kur kërkon bashkëpunimin e Rusisë, për të zgjidhur problemet amerikane. A nuk do të joshet nga kjo një Rusi e rifuqizuar që të revanshojë në ish-zonën e saj të influencës, duke pasur përballë një Amerikë të prirur për të lëshur dhe me shumë probleme? 
    Nga e gjithë kjo shqiptarët në dy anët e kufirit duhet të bëjnë pyetjen se çfarë mund të vijë për ta nga një administratë si ajo e Obamës, e cila është e prirur për t’ i përdorur në tregun gjeopolitik si monedhë shkëmbimi angazhimet e administrative të kaluara, të cilat ajo nuk i shikon më si imperative? Edhe pse administrate e Obamës është trashëgimtare e asaj “Clinton”, ajo ka dhënë shenja se nuk është entuziaste për angazhimin e tepruar amerikan në Ballkan, aq më tepër që ai kërkon një prani ushtarake amerikane. A do ta nxjerrë administrata e Obamës edhe Kosovën në tregun gjeopolitik? PoShqipërinë? Sa i përket Kosovës, tashmë është në plan një reduktim i KFOR, duke përfshirë edhe kontigjentin amerikan. Kontigjenti amerikan i KFOR edhe kështu është zvogëluar, duke u ulur nga 7000 ushtarë që ishte në 1999, në 1492 ushtarë, pra rreth pesë herë më pak. Sigurisht që reduktimi i KFOR dhe në rradhë të parë i kontigjentit amerikan, do të joshë Serbinë për aventura në Kosovë.
    Sa i përket Shqipërisë, hyrja e pritshme në NATO nuk duhet parë si një garanci se nuk do të jetë një monedhë shkëmbimi në tregun gjeopolitik, derisa administrata e Obamës në një farë mënyre përdor kështu edhe Poloninë e Republikën Çeke. Aq më tepër kur, për të vazhduar analogjinë mes Obamës dhe Gorbaçovit, ulja e pranisë ushtarake sovjetike në Europën Lindore solli uljen e rëndësisë dhe më pas shpërbërjen e Traktatit të Varshavës. Ulja e pranisë ushtarake amerikane në Europë, që tashmë është në proces, në një kohë që SHBA kanë probleme të mëdha të brendshme, do të sjellë në mënyrë të paevitueshme uljen e rëndësisë së NATO, nëse jo shpërbërjen e saj.  
    Mund të bëhet edhe një analogji e përmbysur sa i përket pasojave gjeopolitike të krizës ekonomike botërore ndaj Shqipërisë. Regjimet komuniste në vendet satellite të Bashkimit Sovjetik ranë kur perestroika e Gorbaçovit çoi në ndërprerjen e furnizimeve të tyre me naftë, gaz dhe lëndë të para për industrinë e tyre, me çmime të privilegjuara, që e kishin gëzuar deri atëherë në kuadrin e KNER (CEB në rusisht), një fakt ky që perëndimorët nuk pëlqejnë shumë ta përmendin për të mos e kredituar tepër Kremlinin me meritën e rënies së komunizmit në Lindje. Shqipëria, pavarësisht se në letër ishte shkëputur nga blloku sovjetik, në praktikë doli se ishte pjesë e tij ekonomikisht, derisa pjesën më të madhe të tregtisë e bënte me këto vende, një tregti primitive kjo në natyrë, mall me mall, e quajtur me eufemizëm “clearing”. Ekonomia shqiptare ra në kolaps të plotë në 1989-1990 kur iu ndërpre ky privilegj, me ç’ rast regjimi komunist shqiptar u detyrua që praktikisht të shpallte falimentimin e ekonomisë, duke vendosur pagesën prej 80% për punëtorët në ndërmarrjet që nuk punonin, dhe që përbënin pjesën më të madhe të ndërmarrjeve të vendit. Kjo situatë çoi në ndryshimet politike në Shqipëri dhe në kalimin e vendit nën influencën amerikane.
    Tashmë mund të ndodhë një proces i ngjashëm në kah të kundërt. Shqipëria, si rezultat i krizës ekonomike globale mund të kalojë në kolaps ekonomik, edhe për faktin se SHBA, i ashtuquajturi aleati jonë strategjik, nuk e kanë ndihmuar ekonomikisht Shqipërinë, siç kanë bërë me ata që i quajnë aleatë strategjikë, dhe nuk pritet ta ndihmojnë në të ardhmen, kur kanë problemet e veta në këtë fushë. Kjo do të bëjë që shteti shqiptar i orientuar nga SHBA, të gjendet në pozitën e regjimit komunist shqiptar në 1990, në një situatë krize të gjithanshme dhe trazirash, të cilat atëherë qenë me kahje antikomuniste dhe antisovjetike, ndërsa këtë herë do të jenë me kahje antiamerikane. Në një situatë të tillë mbetet për t’ u parë se sa konvenues do të jetë për ata njerëz në administratën e Obamës që duan t’ i japin fund angazhimit amerikan në Shqipëri, në dobi të Serbisë dhe Greqisë, që ta përdorin këtë situatë për këtë qëllim. Një situatë e ngjashme mund të krijohet edhe në Kosovë, e cila përjeton një krizë të rëndë ekonomike, që pritet të thellohet. Në Kosovë nuk priten trazira antiamerikane mes popullsisë shqiptare, por një lëvizje kundër pushtetarëve shqiptarë të kontrolluar nga amerikanët, praktikisht arrin të njëjtat efekte.