Tensionet në Kore kanë arritur një nivel të lartë, pasi Koreja e Veriut zyrtarisht ka grisur paktin për paqen me Korenë e Jugut dhe ka deklaruar se do të nisë një sulm bërthamor kundër armiqve.
Shteti komunist i ka bërë këto deklarata pasi Këshilli i Sigurimit i OKB vendosi sanksione të reja ndaj këtij vendi, që do të ndikojnë ndjeshëm në ekonominë e Koresë së Veriut.
Vendimi erdhi pasi Koreja e Veriut realizoi testin e tretë bërthamor.
Tani si hakmarrje, vendi komunist ka mbyllur të gjitha linjat e komunikimit me Korenë e Jugut, duke mbyllur edhe të vetmen pikë kufitare mes dy vendeve.
Lajmin e bëri të ditur agjencia shtetërore e Koresë së Veriut.
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut arritën në vitin 1992 një marrëveshje të përbashkët për të mos prodhuar, testuar ose përdorur armë bërthamore. Që prej atëherë, Koreja e Veriut ka kryer tre teste bërthamore.
Administrata Obama deklaroi dje se SHBA është e aftë që të mbrojë veten nga sulmet me raketa balistike nga regjimi komunist.
Media shtetërore në Korenë e Veriut ka paralajmëruar për një luftë termonukleare, ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se vendi i tij do të ushtrojë të drejtën për një sulm paraprak ndaj agresorëve.
Megjithatë ekspertët thonë se vendi nuk është akoma në gjendje që të fusë një mbushje bërthamore në një raketë balistike, në gjendje për të arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këshilli i Sigurimit miratoi në unanimitet vendimin për sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut.
Sanksionet synojnë të godasin elitën koreane, duke ndaluar eksportin e gjërave të shtrenjta nga vendi komunist. Po ashtu do ketë sanksione për udhëtimet dhe për marrëveshjet me kompanitë koreane.
Suksesi i sanksioneve do varet nga bashkëpunimi i Kinës, vend me të cilin ka bashkëpunimin më të madh Koreja e Veriut.





