De Biasi: Shqiptarët luajnë me zemër, kjo është forca e tyre

Selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi thotë se ndjenja kombëtare është forca kryesore e skuadrës së tij. Lorik Cana me shokë gjenden vetëm një pikë prapa Norvegjisë, ndërsa shpresojnë ende për ta kapur pozitën e dytë në fazën e grupeve të kualifikimeve për Botërorin 2014, e cila qon në ndeshjet e barazhit.

“Mendoj se rezultatet deri tash kanë qenë më të pakta se që kemi merituar t’i rrëmbenim. Humbja në shtëpi nga Islanda ishte goditja më e madhe për ne. Ishte një ndeshje ku e merituam të fitonim, por jo gjithmonë skuadra më e mirë fiton në futboll”, u shpreh De Biasi.

“E kemi një skuadër të fortë me mjaft lojtarë që luajnë në kampionatet më të rëndësishme evropiane. Por, forca e jonë kryesore është motivi i fortë që kanë lojtarët për ta veshur fanellën e Kombëtares. Lojtarët kanë respekt për pozitat e tyre dhe dëshirë të madhe për të dhënë gjithçka për vendin e tyre”, vijoi ai.

“Norvegjia është një skuadër e fortë me një miks të mirë të lojtarëve të rinj dhe atyre ekspertë, që kanë kualitet. Kanë lojtarë të mirë dhe projekti i Egil Olsenit, që ka punuar për vite të tëra, po funksionon si duhet. Ne mund të mësojmë shumë nga organizimi i tyre. jemi një skuadër që ka ndryshuar shumë, kështu që nuk e kemi ende identitetin e qartë”, vijoi trajneri italian.

De Biasi duket se e ka recetën për ta nxjerrë një rezultat të favorshëm në Ullevaal, siç kishte bërë Shqipëria në vitin 1998. “Për ne është e rëndësishme të jemi të balancuar dhe të kujdesshëm, mbi të gjitha nga ndërprerjet. Kështu që, duhet të jemi të gatshëm të përfitojmë nga kualiteti ynë, pikërisht kur na jepen mundësitë”, përfundoi ai. /Fish Media/

Related Posts: