Akuzat e Berishës për Selamin, pse u largua në SHBA dhe rikthimi i tij pa bujë. Takimet sekrete me Berishën dhe cili do të jetë roli tij në zgjedhje.
Si nisi konflikti
Dueli i Eduard Selamit me Sali Berishën ka qenë ai më i heshturi në opinionin publik, por jo më pak i rëndësishmi në skenën politike shqiptare. Kryetari i Partisë Demokratike në vitet ’92-‘94, ndërkohë që Berisha ishte President, ishte një nga figurat më popullore dhe një nga kritikët më të fortë ndaj Berishës. Përplasjet Berisha-Selami filluan menjëherë pasi Berisha pranoi humbjet e projektkushtetutës që ai vetë e kishte promovuar e gati personalizuar. Kryetar i PD-së në vitin 1994, kur dështoi referendumi, Selami kritikoi drejtimin e partisë për autoritarizëm dhe mungesë demokracie brenda saj. Ai kërkoi edhe zbatimin e statutit, sipas të cilit, posti i kryetarit të partisë duhej të njehsohej me atë të kryeministrit, por ky propozim nuk u pranua. Selami bënte pjesë në një grup kritikësh të qeverisjes së vendit në ato vite dhe mendonte të bënte bashkimin e këtyre posteve, çka do të sillte dhe një ekuilibrim të pushtetit të presidentit Berisha në atë kohë. Por grupi i kritikëve të qeverisjes së kryesuar nga Selami dhe sidomos, vetë Selami, që ishte afishuar në krye të tij, u goditën fort në Konferencën e Jashtëzakonshme të Partisë Demokratike në 5 mars 1995. Vetë Selami u akuzua drejtpërdrejt nga Berisha si një individ që po dëmtonte rëndë politikën e partisë. Në një sallë që aprovoi mbështetjen e plotë për Berishën dhe Meksin, Selami u la jashtë nga strukturat e partisë dhe dha dorëheqjen. Por vetëm pak kohë më parë se të vinte në pushtet Berisha, do miratonte platformën e Selamit të rrëzuar në vitin 1995 për unifikimin e postit të kryetarit të partisë me atë të kryeministrit.
Largimi në SHBA
Eduard Selami u largua pak kohë më pas në SHBA, prej nga është kthyer rrallëherë në Shqipëri. Emri i tij dhe një rikthim i tij i mundshëm në politikë është përmendur shpesh, sidomos në periudha parazgjedhore. Madje në vitin 2002, emri i tij u përmend dhe si një kandidaturë e mundshme për postin e Presidentit të Republikës. Vetë Selami është shprehur se do ta pranonte një post të tillë, nëse do të ishte i propozuar nga dy partitë e mëdha. Edhe përpara zgjedhjeve të 2005-s, u fol për mundësinë e kthimit të tij në politikë, por ai vetë pati pohuar se nuk kishte marrë asnjëherë ftesë direkte për ripërfshirje në PD. Me gjithë sfondin e tij politik, Selami ka pohuar gjithmonë se Berisha është një ndër miqtë e tij, edhe pse nuk ka gjetur hapësira për t’u kthyer në politikën shqiptare aktive. Në vizitën e tij në nëntor të vitit 2006, pas 11 vitesh, ai takohet me kryeministrin Berisha në një takim 90-minutësh.
Rikthimet e tjera
Pas nëntorit të vitit 2006, Eduard Selami është rikthyer disa herë në Shqipëri. Rikthimet e tij ishin mjaft enigmatike, sa mjaftonte që faqet e para të gazetave të mbusheshin me titujt konspirativë për ardhjen e Selamit. Por ish-kryetari i PD-së ashtu sicc vinte në heshtje, po në heshtje largohej, duke u mjaftuar me ndonjë intervistë ku jepte gjithmonë mesazhe paqeje dhe asgjë më tepër. Edhe rikthimi i tij në 20 vjetorin e PD-së, pati të njëjtin fund. Ndërkohë që në këtë dimër parazgjedhor ai ka vendosur të rikthehet përfundimisht në skenën politike shqiptare. Dhe po rikthehet pikërisht tek partia që dikur e largoi si të padëshiruar.
Takimet sekrete me Berishën
Në korridoret e selisë blu thuhet se ai para intervistës dhënë për emisionin “Opinion” është takuar disa herë me kryeministrin Berisha. Ka qenë ky i fundit që e ka ftuar Selamin të kthehej nga Amerika për të kontribuar për PD-në. Strategjia e Berishës duket e qartë, atij i duhet një kthim i madh për PD-në para zgjedhjeve të 23 qershoruit që janë jetike për të. E cila kartë do të ishte më e mirë se ajo e rikthimit të djalit plangprishës? Aq më tepër që Berisha pritet që ta bëjë Selamin si simbol të fushatës, pasi ai është edhe i vetmi politikan që vjen si “i pastër” dhe është i vetmi nga PD që nuk është akuzuar për korrupsion. Po ashtu rikthimi i Selamit i shërben Berishës për të nënkuptuar që marrëdhëniet e tij me SHBA-në janë të mira. Pasi Selami ka qenë gjithmonë i preferuari i amerikanëve. Mendohet që Eduard Selami do të jetë në listat e kandidatëve të PD-së në qarkun e Beratit, ose në Elbasan.
Miqtë aktualë të Selamit në PD
Të vetmit bashkëkohës të Eduard Selamit në Partinë Demokratike të sotme, janë vetëm Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i mazhorancës, Sali Berisha, si dhe ministri i Bujqësisë, Genc Ruli. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi në atë kohë nuk figuronte në PD, nënkryetarja tjetër, Jozefina Topalli, ende nuk kishte nisur karrierën e vrullshme në degën e PD-së së Shkodrës. Ndërsa Ridvan Bode, gjithashtu ishte një drejtues i Drejtorisë së Doganave. Kurse ministri Genc Pollo, i cili ka qenë një nga drejtuesit e PD-së, në vitin 1995, ishte vetëm këshilltar politik i Presidentit të atëhershëm të Republikës, Sali Berisha. Për të mos folur për të rinjtë, Sokol Olldashi, Lulzim Basha, Aldo Bumçi, Majlinda Bregu e të tjerë, të cilët emrin e Eduard Selamit e kanë lexuar vetëm në artikujt apo kronikat e mediave të shkruara dhe audiovizive, që kanë folur për rikthimin e mundshëm.
Historia e referendumit, si u përjashtua Selami
Kryetari i Partisë Demokratike në vitin 1992, pasi u bë president, Berisha, Eduard Selami e mbajti këtë post deri në vitin 1994. Dështimi i referendumit të vitit 1994, i pari i këtij lloji i organizuar në Shqipëri, iu faturua kreut të demokratëve, Eduard Selami. Selami dështoi gjithashtu edhe në tezën e hedhur për bashkimin e postit të kryetarit të Partisë Demokratike me postin e kryeministrit. Gjatë një konference të jashtëzakonshme ai u përjashtua nga partia përmes një votimi unanim të delegatëve. Por përveç kërkesës së Selamit për bashkimin e këtyre dy posteve, mes tij dhe ish-Presidentit Berisha ka pasur përplasje të shumta lidhur me mënyrën e drejtimit të partisë. Ndonëse jo publikisht, Selami ka kritikuar mënyrën autoritare të drejtimit të partisë nga ana e Berishës.
Rikthimet dhe ftesat e demokratëve
Pas largimit në SHBA, Eduard Selami ka ardhur fillimisht në Tiranë në shkurt të vitit 1997, një muaj para vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend. Në atë kohë thuhej në mënyrë konspirative se Selami erdhi në Shqipëri me një mesazh nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por ai nuk u prit nga presidenti i asaj kohe, Berisha. Por gjatë viteve të mëpasshme, megjithëse në largësi, drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike kanë pasur marrëdhënie të mira me Selamin. Që nga viti 2001 demokratët kanë kërkuar rikthimin në vend të Selamit për të ndihmuar Partinë Demokratike për të marrë pushtetin. Në zgjedhjet e vitit 2001, Selami u përfol si kryeministër i ardhshëm i vendit, nëse demokratët do të fitonin zgjedhjet, ndërkohë që në zgjedhjet lokale të dy viteve më vonë, ai ishte një nga emrat e demokratëve për Bashkinë e Tiranës. Por, në të gjitha rastet Selami e ka refuzuar ftesën e drejtuesve më të lartë të demokratëve, me pretendimin e angazhimeve të shumta profesionale në Amerikë.
—-
Selami kthehet te Berisha : Gati të kandidoj për PD
I ftuar në emisionin “Opinion”, Selami shpjegoi se ka qenë gjithmonë pranë Partisë Demokratike. Ish-kryetari i PD-së deklaroi se ai ka pasur kontakte dhe sugjerime më përpara nga PD-ja, por asnjëherë, sipas tij, nuk janë materializuar. “Nuk është se ka qenë një ftesë zyrtare nga PD-ja për të ndihmuar dhe unë e kam refuzuar”, deklaroi ai. Selami theksoi se dëshira e tij nuk ka munguar për të kontribuuar në PD, duke kujtuar në të njëjtën kohë se në bazë të statutit ai është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Selami kujtoi gjithashtu se këtë pozicion, si anëtar i Këshillit Kombëtar, ai e ka ushtruar në mënyrën e tij. Edhe pse 18 vite i shkëputur, Selami tha se ai nuk e ka ndjerë veten të divorcuar nga PD-ja. “Unë asnjëherë nuk jam larguar prej saj”, – tha ai. Për Berishën, ish-kryetari i PD-së komenton se ka qenë një ndër bashkëpunëtorët e tij më të afërt për të cilin ende ruan respekt. Selami shtoi gjithashtu se është pikërisht PD-ja forca politike ku ai do të angazhohet, nëse kthehet në politikë. I pyetur konkretisht nëse do të ishte i gatshëm që të kontribuonte që në këto zgjedhje për PD-në, Selami u përgjigj: “Me kënaqësi do ta pranoja ftesën për ta mbështetur”. Selami la të kuptohet se tani është momenti për t’u rikthyer në politikë, edhe pse e konsideron si një ndër vendimet e tij më të vështira. “Nëse PD-ja do më kërkonte të kandidoj, unë me kënaqësi do t’i përgjigjesha”, tha ai, duke shtuar se për këtë çështje ai ka pasur kontakte me drejtues të PD-së. Selami deklaroi gjithashtu se ai sot gjen një Shqipëri shumë më të zhvilluar se 23 vite më parë. Selami vlerësoi edhe koalicionin e PD-së me LSI-në. Ai shtoi se kjo është shenjë e pjekurisë së PD-së.
—–
Debati i parë midis Berishës dhe Eduard Selamit në 1991
Ishte faza kur kishin përfunduar procesi i krijimit të degëve të PD-së në të gjithë vendin, dhe sekretari organizativ i kësaj partie Arben Demeti, por edhe drejtues të tjerë të saj, kishin thirrur aktivin kombëtar të PD-së, ku do të zgjidheshin forumet e përkohshme drejtuese që do të drejtonin partinë deri në kongresin e PD, i cili ishte parashikuar të mblidhej në verën e këtij viti. Partia drejtohej në mënyrë kolegjiale nga Azem Hajdari, që ishte caktuar si kryetar i komisionit nismëtar të PD-së, Arben Imami, që ishte në atë kohë njeriu më i afërt me Hajdarin dhe që praktikisht kryente detyrën e nënkryetarit të komisionit si dhe Arben Demeti që kryente detyrën e kryetarit të komisionit organizativ të partisë, si dhe Eduard Selami në detyrën e sekretarit të komisionit nismëtar të partisë. Për të marrë këtë vendim ishte organizuar një mbledhje qysh në fillim të janarit, ku dhe ndodhi përplasja e parë midis Sali Berishës dhe Eduard Selamit. Berisha, i cili nuk ishte zgjedhur të ishte në grupin e drejtuesve, kishte kundërshtuar drejtimin e partisë në mënyrë kolegjiale. Debatet midis tij dhe Eduard Selamit, nisën të krijojnë edhe çarjet e para brenda komisionit nismëtar të partisë. Sipas dëshmive të protagonistëve të kohës, Berisha kishte pretendime se Eduard Selami ishte zgjedhur sekretar i komisionit nismëtar vetëm me qëllim që të mbante protokollin, por jo për të mbajtur përgjegjësi të tjera. Ndërsa Selami, në përgjigje të këtij pretendimi, e kishte akuzuar si komunist arkaik me tendence të theksuar diktatoriale. Pas këtij debati, drejtimi kolegjial i partisë nga katër protagonistët e mësipërm kishte pushuar së funksionuari. Drejtimi nga Hajdari, Imami, Demeti e Selami zgjati vetëm tre ditë. Sipas dëshmive të kohës, përgjatë dy muajve të funksionimit të partisë me drejtimin e komisionit nismëtar, kishte pasur debate të herëpashershme ndërmjet anëtarëve të komisionit nismëtar. Ishte fillimi i shkurtit 1991, në krye të komisionit nismëtar vazhdonte të qëndronte Azem Hajdari. Përgjatë këtyre dy muajve, herë pas here ishin shfaqur debate mes tij dhe drejtuesve të tjerë, dhe për këtë arsye ishte vendosur që të zgjidhej një tjetër kryetar i komisionit nismëtar, për të shmangur pengesat e punës intensive që nevojitej për një parti të sapokrijuar dhe që duhet të bëhej gati për të hyrë në zgjedhje brenda pak muajve. Pas disa përplasjeve midis anëtarëve të komisionit, me datë 10 shkurt 1991 ishte vendosur nga komisioni nismëtar i PD shkarkimi nga kryetar i Azem Hajdarit, ku dhe ishte zgjedhur kryetar i këtij komisioni Aleksandër Meksi. Azem Hajdari dhe Aleksandër Meksi, bashkë me disa kandidatura të tjera, u votuan nga komisioni nismëtar në datë 11 shkurt, dhe në këtë garë fitoi shumicën e votave Aleksandër Meksi. Nga votimi rezultoi se 7 vota i mori Aleksandër Meksi, 5 vota i mori Azem Hajdari, ndërsa kandidaturat e tjera morën nga një votë.





