Julia Pastrana ishte shfrytëzuar barbarisht nëpër Europë për shumë vite, më në fund do të ketë një varr të denjë në Meksikë
Trupi i Julia Pastrana, e cilësuar si gruaja më e shëmtuar në botë, varroset pas 153 vjetësh në vendlindjen e saj, në Meksikë. Historia e trishtë dhe pafat e asaj që quhej ‘gruaja majmun’ apo ‘gruaja ari’ pasi për shkak të një sëmundjeje të rrallë trupi i saj ishte i mbuluar i gjithë me qime, i ka fillesat në vitet ‘800. kur ajo u shfrytëzua barbarisht për vite të tëra, duke u ekspozuar nëpër Europë dhe Amerikë derisa vdiq në vitin 1860, por edhe pas vdekjes trupi i saj vijoi të ekspozohej nëpër botë, ku e prezantonin si bijë e një indiano-meksikaneje të çiftuar me një majmun.
Në fund trupi i saj përfundoi në një bodrum në një institut kërkimor në Oslo. Pasi mësoi për historinë e saj, artistja Laura Anderson Barbata bëri një fushatë që trupi i saj të kthehej në atdhe për një funeral të përshtatshëm.
“Ndieja se ajo e meritonte që t’i rikthehej dinjiteti dhe vendi i saj në histori dhe në memorien botërore”, tha Barbata për “New York Times”.
Julia Pastrana jetoi mes viteve 1834-1860 dhe për shkak të një deformimi gjenetik lëkura e saj ishte e mbuluar e gjitha me qime, dhe për shkak të një sindromi të quajtur hiperplasia, buzët dhe mishrat e dhëmbëve të saj ishin shumë të trasha. Për këto tipare të pazakonta ajo ekspozohej në vende të ndryshme si një fenomen i rrallë, duke e quajtur ‘gruaja majmun’, ‘gruaja ari’ apo ‘gruaja më e shëmtuar në botë’.
Kur ishte vetëm 20 vjeç ajo u ble nga një biznesmen amerikan, që e shfrytëzoi nëpër ekspozita në SHBA, dhe u martua me të vetëm për të vjelë fitimet që vinin prej saj.
Në vitin 1859, Pastrana mbeti shtatzënë, por edhe i biri trashëgoi sëmundjen e saj dhe vdiq pak orë pas lindjes. Edhe Pastrana vdiq pesë ditë pas lindjes, kur ishte vetëm 26-vjeçare.
Por edhe pas kësaj, i shoqi i vazhdoi turet e tij, duke ekspozuar kufomën e balsamosur të gruas fatkeqe, e cila më në fund, pas 153 vjetësh do të prehet në një varr të denjë në vendlindjen e saj si një njeri normal.
13 shkurt 2013 (gazeta-Shqip.com)





