Fanatikët e fundit të botës pohojnë se një profeci e shekullit të 12 tregon se pasardhësi i Benediktit XVI do të jetë papa i fundit përpara fundit të botës, çka do të shënojë edhe fundin e selisë së shenjtë të Vatikanit.
Pas dështimit të profecisë Maja për 21.12. 2012, fanatikët e apokalipsit i kanë kthyer sytë tashmë nga një tjetër profeci, ajo e Shën Malahi, arkipeshkvi irlandez i Armaghvit, i cili jetoi në vitet 1094-1148.
Shën Malahi thuhet se udhëtoi në Romë vitin 1139, ku ai përjetoi një vizion të papës së ri. Malahi besohet se kishte fuqi të shikonte të ardhmen dhe profecitë e tij i ka lënë të shkruar në disa dokumente.
Sipas parashikimit të Shën Malahi, papa me numër 112, që i bie të jetë zëvendësuesi i Papa Benediktit do të jetë edhe i fundit dhe pas kësaj, Vatikani do të pushojë së ekzistuari pasi do të shkatërrohet tërësisht.
Edhe pse nuk pranohet zyrtarisht, Profecia e Papëve është e njohur më së miri nga zyrtarët e Vatikanit.
Ndjekësit e këtyre profecive kanë arritur të lidhin me sukses shumë nga thëniet e Shën Malahi me atë ç’ka ndodhur realisht me papët gjatë viteve. P.sh, papa nr. 110, që është Papa Gjon Pali i dytë lidhej me shprehjen “nga lindja e diellit”, dhe në fakt Papa Gjon Pali i dytë lindi dhe u varros në një ditë me eklips dielli.
Për papën nr. 111, që është papa Benedikti i XVI shkruhej fraza “lavdia e ullinjve”, të cilën ndjekësit e kësaj profecie lidhin me faktin se murgjit e Urdhrit të Shën Benediktit njihen ndryshe edhe si “njerëzit e ullinjve”.
Ndërsa për papën nr. 112, që do të jetë pasardhësi i Benediktit, thuhet “Petrus Romanes do të jetë papa i fundit që do të udhëheqë kopenë e tij në mes shumë trazirash pas të cilave qyteti i shatë kodrave (Roma ) do të shkatërrohet tërësisht dhe një gjykatës i tmerrshëm do të gjykojë popullin”.
Nëse i referohemi kandidatit më të mundshëm për të zëvendësuar Benediktin XVI, kardinalin ganez Turkson, lidhja që bëhet lidhet me faktin se ai është anëtar i Urdhrit Roman dhe është me ngjyrë, gjë që përputhet me profecinë e shenjtit irlandez, sipas të cilit, papa i fundit do të jetë i zi.
13 shkurt 2013 (gazeta-Shqip.com)





