Pas konflikteve të ashpra, kryefamiljari Engjo Llucaj ka qëlluar për vdekje të birin 27 vjeçar, Sokol, dhe shtetasen italiane Xhulia Poltafieri, 24 vjeçe.
Sherri në familje kishte plasur që prej një viti, kur Sokoli ishte kthyer nga Italia së bashku me të dashurën italiane. Kundërshtimi i babait për martesën e ka indinjuar të riun dhe mësohet se i biri ushtronte herë pas herë dhunë fizike dhe psikologjike mbi babanë e tij.
Pas një sherri të ndodhur dje midis të dyve, babë e bir janë shoqëruar në polici, ku të dy kanë nisur të akuzojnë njëri- tjetrin.
Djali ka pohuar se i ati e fyente me fjalë të rënda gruan e tij italiane, ndërsa i ati është shprehur se i biri e dhunonte dhe shkak i kësaj ishte vajza italiane që gjendej në shtëpi.
Më pas ata janë kthyer në shtëpi dhe kanë nisur të grinden sërish me tone të ashpra dhe sapo e ëma e djalit ka lajmëruar sërish policinë, Engjo Llucaj ka nxjerrë kallashnikovin dhe ka qëlluar të birin, dhe teksa vajza italiane ka qenë duke thirrur emrin e të dashurit, pa e përfunduar fjalën, kryefamiljari ka qëlluar dhe mbi atë.
E tronditur nga ngjarja, bashkëshortja e 65- vjeçarit ka pësuar parainfarkt dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit.
“E vrava djalin pasi nuk doja nuse të huaj në shtëpi. Nuk e di se si e bëra këtë vrasje. Ju thashë se djali më dhunonte sistematikisht, që nga dita që solli nusen e tij në shtëpi, dhe më thoshte se kjo do të jetojë me ne. Jam penduar se kisha vetëm një dritë sysh, ashtu sikurse jam penduar edhe për vajzën e huaj që e vrava. Nuk e di çfarë të them më shumë. Kjo ndodhi për një moment dhe as vetë nuk e di se si e bëra me dorën time një gjë të tillë Po ju them se djali më dhunonte sistematikisht,” citohet në gazetën GSH 65- vjeçari.
Banorët e lagjes kanë pohuar se Engjo Llucaj vazhdimisht i thoshte të birit se kishte sjellë në shtëpi një prostitutë nga Italia, ndërkohë që djali e rrihte.
Panorama raporton se italiania ishte shtatzënë.





