“Në letërsi – përherë në fillim të rrugës…”


Nga Raimonda MOISIU

Intervistë me shkrimtaren e poeten Irma Kurti

Irma Kurti

Poetesha dhe prozatorja e mirënjohur Irma Kurti është lindur dhe rritur në Tiranë. Në vitin 1988 ajo diplomohet për anglisht pranë Universitetit të Tiranës, ku më pas ka punuar si mësuese i gjuhës angleze dhe me vone si gazetare ne disa gazeta, si “Mësuesi”, “Dita Informacion”, etj Ne shtator 1997 ajo do të ndiqte një kurs  për mësimin e gjuhës dhe kulturës greke në Universitetin e Athinës, Greqi. Poetja e qindra vargjeve dhe e dhjetra tekste këngësh Irma Kurti ka filluar të shkruajë poezi në një moshë të hershme. Në vitin 1980 ajo fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e përvjetorit të 35-të “Pionieri” ditar. Në vitin 1989 ajo fitoi çmimin e dytë në mesin e poetëve të rinj në konkursin e organizuar nga Radio-Tirana me rastin e 45 – vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Irma Kurti është një nga poeteshat e pakta të lëvizjes feministe dhe zërit krijues e intelektual në Shqipëri që ka kontribuar për shumë vite si një autore që mbajnë talentin e saj, tekstet e këngëve. Kjo e ka bërë që emri i saj të jetë mjaft i mirënjohur nga publiku për shkak të pjesëmarrjes në Festivalet e RTSH dhe shumë koncerte të tjera. Shumë nga këngët e saj janë nderuar me çmime dhe ato janë ende të gjalla në mendjen e publikut.Në maj të vitit 1998-të ajo ka realizuar një kasetë dhe një CD me këngët e saj më të mira ndër vite, të kënduara nga këngëtarë të shquar të muzikës shqiptare. Poezitë e Irma Kurtit janë përfshirë në disa botime të Bibliotekës Ndërkombëtare të Poezisë në Maryland, SHBA, si në antologji: “Gjithmonë flas”, “Poezitë më të mira dhe poetët e 2007″, etj. Poezitë e saj dhe tregimet janë përfshirë në antologjitë: “Il Federiciano”, botim i Shtëpisë Botuese “Aletti EDITORE” 2010, “Diffusione Autori” 2011, i “GDS EDIZIONI” “Lingua Madre-2012″. Aktualisht jeton në Bergamo, Itali. Në këtë bisedë të ngrohtë e mbresëlënëse si dy krijuese, si dy mike Irma qetësisht dhe me plot optimizëm, flet për vete, krijimtarinë e saj dhe projektet e së ardhmes. Për më shumë ndiqni bisedën.


Ju jeni një nga shkrimtaret pioniere të fillim – viteve të demokracisë në Shqipëri. Ç’mund të na thoni, si filloi karriera tuaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?


Së pari, ju falenderoj që më dhatë mundësinë e kësaj interviste. Unë jam prezantuar si autore e teksteve të këngëve përpara fillim-viteve të demokracisë. Debutimi i parë ka qenë në Festivalin e Interpretuesve të rinj në qershor 1986 me këngën “Urimi yt”, këngë që u mirëprit dhe u vlerësua me çmim të tretë. Më pas kjo u ndoq me pjesëmarrjen time si poete në shumë Festivale ne RTSH, koncerte pranvere apo në anketat e përjavshme muzikore në Radio – Tirana. Fillimet e mia kanë qenë të hershme, kam nisur të hedh vargje në letër në moshën 10 vjeç. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të apasionuar pas letërsisë, poezitë e mia në atë kohë nuk dallonin nga armata e bashkëmoshatarëve. Temat ishin të cunguara, ato mbanin vulën e demagogjinë e kohës e shumë pak zbulonin botën tonë fëminore. Megjithatë, kur sot mbaj në duar revistat “Fatosi” e “Pionieri” në të cilat janë botuar vargjet e mia të para, provoj një emocion të papërshkrueshëm dhe kënaqësinë që ndodhem ende, pas 35 vjetëve, në rrugën e bukur e të vështirë të letërsisë.

A mund të sillni ndonjë mbresë të atyre viteve?

Frekuentonim rrethin letrar të shtëpisë së pionierit “Nazmi Dervishhasani” në Elbasan, qytet në të cilin kalova fëmijërinë. Ashtu si në një garë vrapimi ku një apo dy arrijnë finishin, sot, asnjë nga miqtë e mi të dikurshëm nuk vazhdon të shkruajë. Leksionet e para për poezinë, rimën e metrikën, i mora nga mësuesi im Hyjni Ceka. Kujtimi më i veçantë i atyre viteve ishte kur në 1980 poezia ime: “Për ty Atdhe” u vlerësua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 35 – vjetorit të revistës Pionieri. M’u duk se preka majat, provova një gëzim pakufi, por duhej të kalonin shumë vite për të kuptuar se në letërsi je përherë në fillim të rrugës e “maja” largohet gjithnjë e më shumë duke u bërë kështu e paarritshme.

Isadora Duncan shkruan: “Nuk më habit aspak fakti që një grua mund të bëhet artiste e vërtetë megjithëse arti është ‘mbikqyrës’, i vështirë e i rreptë, sepse kërkon përkushtim fizik dhe inteligjencë në gjithçka, ndërsa një grua që e dashuron atë jep gjithçka nga përvoja e jetës së saj”. 
Sa qëndron kjo thënie për ju?

Është e vërtetë: të shkruarit kërkon një disiplinë të rreptë, regjim rigoroz e përkushtim. Unë ulem çdo ditë të shkruaj, minimumi një apo dy orë. Nëse më mungon frymëzimi dhe e ndjej se është një ditë “jo”, korrigjoj atë që kam shkruar ditë apo kohë më parë ose lexoj. Kjo më ndihmon të jem në kontakt të përditshëm me të shkruarin, të kem mundësi të eksperimentoj, të stërvitem. Në fund të ditës jam e kënaqur kur kam mundur t’i dedikohem sadopak pasionit tim, në rast të kundërt ndjehem nervoze.

Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj: prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë; qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?

Mirënjohja më e madhe shkon tek prindërit e mi që kanë qenë dhe do të mbeten për mua burim frymëzimi. Ime më, Sherife që më edukoi me vlerat e jetës, që më ndershmërinë dhe optimizmin e saj më mësoi të dua çdo çast, që më qëndroi pranë e ishte mikja ime më e mirë deri në momentet e fundit të ekzistencës së saj. Im atë, Hasani, që më inkurajoi t’i dedikohem të shkruarit që kur isha fëmijë. Ishte ai që më nxiti të shkruaj, shumë herë më sugjeronte temat e poezive,(disa tekste të njohura këngësh mbajnë idenë e tij), më dërgonte në Tiranë letra me adresën e gazetave dhe revistave, shpesh ishte ai vetë që trokiste nëpër dyert e redaksive me poezitë e mia në dorë. Ai ishte mjek, po i apasionuar pas letërsisë, lexonte shumë dhe diti të më inkurajojë derisa mësova të eci me hapat e mi.

Jeni ndër të paktat poete shqiptare që keni kontribuar si autore e teksteve të këngëve në Festivale në RTSH. Dhjetra këngë mbajnë firmën tuaj si poete e shumë prej tyre janë nderuar me çmime. Çfarë ju lidhi me muzikën?

Kam kënduar në disa festivale të këngës për fatosa e pionierë asokohe e jam nderuar dhe me çmime. Erdhi një çast kur më braktisi kuraja për të dalë në skenë e bashkë me të dhe zëri. E kam ende në mëndje atë sensacion të bukur, të dridhshëm, emocionet që më përshkonin teksa ndodhesha me mikrofon në dorë në sallën e teatrit Skampa përpara qindra spektatorëve. Nuk munda të këndoja më, por brenda meje mbeti dashuria për muzikën. E gjeta kështu një mënyrë për të qenë sërish e lidhur me të: nëpërmjet poezive.

A mund të veçoni disa nga këngët me vargjet tuaja më të suksesshme dhe çfarë mendoni se e bën një këngë të bukur?

Këngët që do të përmend janë pikërisht ato me të cilat shumë dashamirës të muzikës së lehtë e identifikojnë emrin tim, pra frut i bashkëpunimit me kompozitorin Ilir Dangëllia e këngëtaren Ermira Babaliu: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “E njëjta ëndërr” etj. Ndjehem e vlerësuar dhe e lumtur kur pas 26 vjetësh janë të shumtë ata që më kontaktojnë e flasin me nostalgji për vargjet e për këngën në tërësi. Një këngë e bukur për mua do të thotë që të tre komponentët përbërës të jenë në harmoni. Takimi im me Babaliun e Dangëllinë u bë në momentin e duhur e bashkëpunimi me ta më dhuroi plot çmime.

Romane, tregime, poezi: në cilën prej tyre ndjeheni më mirë?

Romani ofron më tepër hapësirë, atje endem qetësisht pa patur frikë se mos i kapërcej kufinjtë. Po kështu edhe tregimi, ndonëse më i koncentruar e konçiz. Kam patur fatin që poezi të miat të shndërrohen dhe në tekste këngësh, sepse muzika është shumë më afër njerëzve, më popullore. Një këngë me tekst të bukur mbetet gjatë në mendjen e njerëzve, e sfidon kohën. Poezia është gjithnjë brenda meje; kur shkruaj prozë përzihet me të për të më thënë që është e do të jetë, që nuk do të më braktisë kurrë. Dua të përmend një paragraf të Tess Gallagher, bashkëshorte e shkrimtarit e poetit të mirënjohur Raymond Carver, teksa flet për krijimtarinë e tij: “Shkrimet e tij, poezi apo tregime qofshin ishin të lidhura me shtysa të brendshme, që, me kalimin e kohës, dukej se insistonin gjithnjë e më shumë tek një përvetësim imediat i temave të tij dhe poezia ishte forma më e mirë që i lejonte të arrinte rezultatet që donte”.

Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po veçoj disa tituj të përmbledhjeve tuaja poetike: “Këtë natë me ty”, “Bëj sikur fle”, “Puthja e fundit”, etj., po kështu botime dhe në gjuhë të huaj apo bashkautorë në antologji kombëtare e ndërkombëtare. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?

Poezia më ka shoqëruar në çastet e trishtimit dhe gëzimit, zhgënjimit dhe lotëve; me të kam ndarë sekrete që nuk ia kam besuar askujt tjetër. Çdo poezi mban vulën e një çasti, një ngjarjeje, një kujtimi. Kanë kaluar 13 vjet nga botimi i librit tim të parë. Kur e shfletoj, më vijnë në mendje motivet që më kanë nxitur t’i shkruaj, përjetime që nëse s’do të kishin gjetur vend në ato vargje do të ishin tretur në harrim. Unë jam rritur me poezinë e shpresoj që dhe ajo të jetë rritur me mua. Është një përvojë e bukur, e papërsëritshme të ndash një dhimbje a gëzim me lexuesit dhe ata të njësohen në to. Është një avantazh të mundesh t’u japësh zë ndjenjave, një dhuratë që duhet përdorur në shërbim të të tjerëve.

Çfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të veçantë kur krijoni një poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë?

Në vargjet e mia përqendrohem në botën shpirtërore, veçanërisht të femrës – gruas, sfidat që i duhet të përballojë në ditët e sotme. Filozofi dhe shkrimtari francez Michel de Montaigne thoshte se “argumenti i librave të mi jam unë”. E pra, në krijimtarinë time gjen shumë nga eksperienca personale, momente të pasigurisë e forcës, gëzime e vuajtje – bashkëshoqëruese këto të jetës. Kur shkruaj një poezi të bukur, e, mendoj se arrij ta kuptoj këtë ndonëse jam subjektive, ndjehem euforike, e lumtur. Më pas, me njëlloj padurimi pres çastin kur këto vargje do t’i ndaj me lexuesin.

Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar: në studio, në natyrë apo krejt rastësisht, duke pirë kafe diku?

Ideja e një poezie më lind kudo, në rrugë, gjatë një shëtitjeje, në një ditë me shi a me diell. Kur udhëtoj me vete mbaj një bllok shënimesh e në të hedh motivet që më ngacmojnë. Vendi im i preferuar është në studio, rrallëherë në tavolinë, por e mbështetur në krevat me kompjuterin në prehër. Kur shkruaj, harroj se ku jam, ndodhem në një botë tjetër, ku më çon magjia e krijimit, një botë që më tërheq si magnet e më mban peng.

Ju shkruani poezi dhe prozë. Cila ka qenë poezia, tregimi apo novela tuaj e parë?

Ka qenë një fabul e titulluar: “Dhelpra dhe pulat”; mbaj mend që u prit me interes e me njëlloj habie nga mësuesi im i rrethit letrar. Ishte ai që i nisi një letër redaksisë së revistës “Pionieri” duke shprehur konsideratat e tij për këtë krijim që u botua menjëherë.

Ju jeni edhe prozatore, që nga romani i parë: “Midis dy brigjeve” e përmbledhja me tregime “Një vjeshtë pa kthim” e botuar ne italisht. Tashmë jeni një shkrimtare e afirmuar, autore e dhjetëra librave. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante?

Shpirti, ai ka mbetur ende idealist, gjithnjë prezent në prozë apo poezi, në kërkim të së vërtetave dhe atëherë kur ato vrasin, në kërkim të dashurisë e respektit të ndërsjelltë, të një bote më të mirë ku mbizotëron paqja e mirëkuptimi.

Duke qenë shkrimtare femër, në veprat tuaja keni përshkruar karaktere komplekse e dominuese femra, të tillë që lexuesit lidhen vërtet me to. A mund të na thoni se si e arrini këtë?

Në çdo vepër autori vë diçka nga jeta, përvoja e tij; në to gjen nota autobiografike, dhe pse s’mund ta ndash me thikë kufirin midis personales dhe asaj që “shpiket”. Ka raste kur nuk më duhet të trilloj, por thjesht të përshkruaj me vërtetësi zhgënjimet, pesimizmin e prej këndej forcën për të ecur përpara. Pra arsyeja që shumë lexuese femra gjejnë veten në poezitë apo prozën time është se ato janë autoktone. Poetesha italiane Donatella Bissuti thotë: “Kush shkruan duhet të jetë i sinqertë: me sinqeritet dua të them pikërisht një koherencë midis eksperiencës personale të jetës dhe të shkruarit. Kur kjo nuk ekziston atëherë ajo që shkruhet bëhet “letrare” në sensin negativ të termit, dmth i mungon e vërteta dhe origjinaliteti, sepse ribëhet jo sipas një eksperience, por sipas librave të tjerë, mënyrave të tjera, eksperiencave të të tjerëve. Atëherë, përse duhet shkruajtur? Vetëm ajo që mund të jetë ekskluzivisht e jona mund të rezultojë e re dhe si rrjedhojë interesante për të tjerët.”

Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi – protestë me ton qytetar e intelektual?

Zhgënjimi, deluzioni, tradhëtia e shpresave dhe e aspiratave që gjithsecili apo të gjithë së bashku përjetojmë çdo ditë. Sa njerëz nuk e jetuan realizimin e ëndrrave, sa të tjerë kanë parë shpresën e tyre të përpëlitet, gati të vdesë, për të rilindur sërish në një ditë tjetër me diell? Sa shkrimtarë, artistë kanë braktisur atdheun dhe kanë emigruar në botë? A nuk është dhe kjo një revoltë? Nuk ka sesi një poezi apo shumë të tilla të mos pasqyrojnë këtë ikje të madhe larg vendit, ato ëndrra që nuk arritëm t’i mbjellim në tokën tonë, por që po mundohemi t’i zgjojmë e t’i vaditim në një tokë tjetër .

“Midis dy brigjeve” është libri juaj i parë në prozë. Si lindi shtysa për të kaluar nga vargjet në prozë?

“Midis dy brigjeve” është një roman autobiografik që merr spunto nga një dramë personale: humbjen e nënës sime. Kjo përbën lejtmotivin e librit; nga ana tjetër përshkruaj në detaje jetën time të ndarë në dy midis Shqipërisë dhe Italisë, vendimin për ta lënë Tiranën e përjetimet sapo shkela në një vend të huaj, që nga larg më tërhiqte si mister. Përqendrohem në hezitimet, pasiguritë, dhimbjen për të mbyllur me çelës brenda një apartamenti të gjithë kujtimet, dhjetra dëshira e ëndrra të cilat m’u desh t’i vendosja në një cep te zemrës duke pritur kalimin e viteve për t’i parë të realizuara. Nuk e kisha menduar se një ditë mund të kaloja në prozë. Libri lindi si një ditar për të nxjerrë nga vetja brengën, vuajtjen, çastet e pesimizmit; ideja për ta shndërruar në një libër lindi dhe u aplikua në mënyrë fare të natyrshme.

Ju jeni mjaft e suksesshme si shkrimtare, e vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe e përkthyer në disa gjuhë të Ballkanit, si dhe në italisht. Njëkohësisht gëzoni dhe admirimin e lexuesve të shumtë vendas e të huaj. Si ndiheni për këtë?

Ndjehem e lumtur kur komunikoj me lexuesit e dëgjoj vlerësimet e tyre. Kanë qenë mjaft të dobishme për mua takimet që kam patur me emigrantët në qytete të ndryshme të Italisë pa përjashtuar këtu dhe lexuesin italian. Dialogu me ta më ka ndihmuar të kuptoj interesin e tyre ndaj temave të ndryshme, po gjithashtu dhe pretendimet, çfarë presin nga ne krijuesit. Nuk e kam konsideruar veten asnjëherë shkrimtare, të suksesshme apo jo, por vetëm një njeri për të cilin të shkruarit përbën motivin kryesor të jetës. Forca ime më e madhe kanë qenë dhe janë njerëzit e thjeshtë, urimet e përgëzimet e tyre. Përveç shtysës kryesore që kam patur nga prindërit, unë i detyrohem shumë publikut, dashamirësve të vargjeve të mia. Kjo më nxit çdo ditë për të krijuar vepra që të jenë sa më pranë tyre.

Si shkoni në lidhje me akumulimin dhe informacionin e nevojshëm që ju udhëzon për ta nxjerrë sa më mirë një roman apo tregim? Teksa iu hedh sytë, të japin përshtypjen e ngjarjeve reale, apo duhet t’i vlerësojmë për kuptimin e tyre simbolik, importin moral dhe substancën humaniste?

Procesi i të shkruarit është më i bukuri dhe më i vështiri në të njëjtën kohë. Unë jam skrupuloze dhe s’kënaqem asnjëherë, kërkoj materiale plotësuese, redaktoj në mënyrë të vazhdueshme: fshij, shkruaj, për të fshirë sërish në një redaktim të dytë. Kështuqë çasti për ta “nxjerr” veprën nga kompjuteri e për ta bërë publike duket sikur largohet gjithnjë e më tepër. Po përmend këtu një frazë të cituar nga Gabriel Garcia Marquez: “Një shkrimtar i mirë vlerësohet më mirë nga sasia e materialeve që hedh në koshin e plehërave sesa nga çfarë boton”. E përmenda dhe më parë, në librat e mi vendos shumë nga vetja dhe shpesh lexuesit kanë tendencën ta konsiderojnë atë që kam shkruar një fakt apo ngjarje reale, bile dhe në rastet kur nuk është kështu.

A keni menduar ndonjëherë të shkruani skenarë filmi? Nëse provoni ta bëni atë, ç’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra, a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?

Më vjen ndërmend shkrimtarja amerikane Margaret Mitchell e njohur në të gjithë botën me romanin: “Gone with the wind” e që më pas u përshtat për film; vitet e fundit Elisabeth Gilbert me romanin e në vijim filmin: “Eat, pray, love”, shumë vepra të Nicholas Sparks – filma, disa prej të cilëve të suksesshëm. Lidhjen e mundshme me kinematografinë unë e kam imagjinuar të tillë: një libër i imi të shfrytëzohet si skenar. Por realisht kjo është një dëshirë dhe ëndërr e largët e si e tillë nuk më ka shtyrë t’i afrohem sadopak botës së kinematografisë. Duhet thënë se s’janë të pakta rastet kur do të preferonim “të mbeteshim” tek një roman që na ka pëlqyer sesa të materializuar në një film që na zhgënjen.

Teoritë e përkthimit janë trajtuar në mënyrë të konsiderueshme për kohën tonë. Në arkivin tuaj krijues kini disa vëllime të përkthyera në gjuhë të huaja. A e ka nxitur përkthimi i tyre ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin e të shkruarit?

Dëshira e një shkrimtari është që të lexohet sa më shumë, të ketë publik sa më të gjerë. Fakti që një libër mund të përkthehet në një tjetër gjuhë është inkurajues, por nuk ndryshon mënyrën apo intensitetin e punës sime: unë shkruaj vazhdimisht, jam kërkuese, mundohem të jap maksimumin tim.

Shumë lirika dashurie. Çfarë është dashuria për ju? Kur një grua e ndjen se është e dashuruar? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?

Jam lodhur së shkruari për dashurinë: tekste këngësh, poezi, tregime. “Çfarë është dashuria?”- kësaj pyetjeje me siguri do t’i përgjigjesha ndryshe nëse do të më drejtohej kur isha 20 vjeç, sepse portreti i dashurisë atëherë ishin flokët kaçurrela e sytë bojë qielli. Tani këto janë të pakonsiderueshme. Dashuria është një ndjenjë e dridhshme, magjike, e bukur dhe e pakapshme si notat e një melodie. Tashmë më pëlqen ta konceptoj si reale, magjinë e saj ta kërkoj e ta gjej në jetën e përditshme, si një ndjenjë që të fal qetësi e paqe, që të bën të ëndërrosh syhapur një udhëtim në dy, apo një fundjave, pa patur nevojë për një darkë romantike nën flakën e qirinjve. S’më pëlqen ta përfytyroj në kuptimin e ngushtë, midis burrit dhe gruas, por si një ndjenjë universale: për natyrën, stinët, të afërmit e miqtë.

Stili juaj është unik: i qartë, esencial, me një lirizëm të theksuar, me një densitet poetik, me një muzikalitet të dhimbshëm që zbulon qartë formacionin tuaj si shkrimtare e teksteve muzikore. A vazhdoni të shkruani tekste këngësh? A keni autorë që janë për ju pika referimi?

Po, shkruaj dhe pse në mënyrë sporadike. Prezantimi më i fundit ishte në Festivalin e 50-të në RTSH në Dhjetor 2011; kënga me tekstin tim e titulluar “Ajër” dhe e kënduar nga Saimir Braho u vlerësua me çmim të tretë. Edhe pse larg skenës më risolli në mëndje emocionet dhe nostalgjinë e shumë viteve më parë. Kur nisa të shkruaj tekste nuk kisha një model referimi. Kurse sot vlerësoj dhe kam si shembull shumë poetë me emër – gjithashtu autorë tekstesh këngësh, si poeti argjentinas Jorge Boccanera apo poetesha e madhe italiane Alda Merini, vepra e së cilës dhe lidhja e veçantë me muzikën më kanë tërhequr gjithnjë.

Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit?

Jam ndjerë keq, e zhgënjyer, kam vuajtur; s’mund të isha e s’mund të bëhem kurrë pjesë e tyre. Kur trokita në dyert e artit isha e re dhe përfytyrimi i asaj bote si një kopësht kur gjithsecili mund të kultivonte në paqe pasionin e vet, ishte veçse një ëndërr naive që u shkri si flokë dëbore. Xhelozia, intrigat, mungesa e korrektësisë, lënia në harresë e kontributit tim nëpër vite, makinacionet për të më mohuar autorësinë në çastin e fundit të daljes së këngës në skenë ndikuan shumë në vendimin tim për të emigruar. Sot nuk mund të llogaritet ekzaktësisht numri i atyre që shkruajnë, botojnë libra, vetquhen shkrimtarë edhe me disa vargje të botuara apo me një libër. E pas tyre ka njerëz hipokritë apo interesaxhinj që u rrahin shpatullat, i deklamojnë si talente, i ngrenë kult antivlerës. Kjo do të thotë përçudnim i vlerave të vërteta dhe i ngjan një bime të egër që ndoshta një ditë do të shkulet me rrënjë.

Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë?

Sa herë që arrij diçka që në planin personal e quaj “fitore”, pas pak ditësh ndodhem në pikën zero, të fillimit: kam nevojë të punoj, të shkruaj e të përmirësohem. Ndoshta pikërisht kjo është e bukura, sepse të shkruarit dhe suksesi është një rrugë e gjatë, e pafund, me të tatëpjeta, me rrëzime e ngritje dhe si e tillë është e mbushur me emocione e sensacione, me net pagjumë e të gjitha këto të bëjnë të ndihesh gjallë.

Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?

Mendoj se kritika letrare nuk ekziston, jemi ende larg një kritike të mirëfilltë. Çdokush mund të botojë pa vështirësi. Nëpër gazeta lexon recensione nga miq apo të afërm të autorit që e paraqesin si sukses atë vepër. Më kanë rënë në dorë libra që përmbajnë shumë gabime ortografike e në këtë rast kam mbetur e tronditur për faktin që shtëpitë botuese e kanë kthyer botimin në një biznes vetëm për të fituar para. Me sa duket përballë këtij qëllimi atyre nuk u intereson as emri. Më ka ndodhur dhe këtu të blej një libër pas një kritike pozitive apo një çmimi prestigjioz që i është dhënë autorit e jam zhgënjyer. Tek e fundit, koha, lexuesit janë kritikët më të mirë.

Pse shkruan Irma Kurti…?

Nuk mund ta kuptoj veten pa shkruar, është pjesë e pandarë e jetës sime që më ndihmon t’u jap formë e jetë mendimeve, emocioneve. Të shkruarit është mjeti ideal për të komunikuar me dhjetra, qindra njerëz përmes mesazheve që transmetohen nga shpirti.

Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?

Jam duke shkruar një libër tjetër me tregime. Po punoj gjithashtu me një vëllim të ri poetik që përmban poezi të viteve të fundit. Këtë vëllim dua ta botoj vitin tjetër në Shqipëri së bashku më përmbledhjen me tregime: “Një vjeshtë pa kthim” që është botuar dhe vlerësuar me çmim dhe në Itali.

Mesazhi tuaj për talentet e reja, por edhe për shkrimtaret femra në përgjithësi…

Asnjëherë të mos mendojnë se kanë arritur suksesin, por të vazhdojnë të punojnë me këmbëngulje e përkushtim. Udha e letërsisë është e gjatë, po një ditë nuk harron të të “shpërblejë” për sakrificat e mundimet.