Ministria e Jashtme e Serbisë:Serbia proteston ndaj Qeverisë së Shqipërisë




Gjatë një konference për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama konfirmoi  anulimin e vizitës së ministrit të Shëndetësisë Vangjel Tavo në Beograd, ku e argumentoi si kundërpërgjigje të institucionit që Tavo drejton ndaj sjelljes së Serbisë në Luginën e Preshevës. Megjithatë ai shpjegoi se ministri do të gjejë patjetër një moment të dytë për këtë vizitë, pasi qëllimi i saj është nënshkrimi i një marrëveshje për realizimin e një investimi me rëndësi për maternitetin e Preshevës, i cili do t’u vijë në ndihmë shqiptarëve të Luginës. Nga ana tjetër Rama garantoi se LSI do të bëjë gjithçka për sigurimin e të drejtave të këtij komuniteti atje. “Ka pasur një vizitë të programuar të zotit Tavo në Beograd dhe u anulua për shkak të ngjarjeve të fundit në Preshevë, si një reagim ndaj kësaj sjellje. Pavarësisht kësaj Tavo duhet të nënshkruante një marrëveshje për të realizuar një investim të rëndësishëm në maternitetin e Preshevës, për tu ardhur në ndihmë atij komuniteti. LSI është e vendosur të bëjë të gjithë detyrën e saj, të përkujdeset për të gjithë qytetarët shqiptarë kudo punojnë apo jetojnë. Është një investim serioz, pjesë e një projekti serioz për tu ardhur në ndihmë qytetarëve të Preshevës. Do të mbrojmë interesat e tyre”, tha ai.

Ministria e Jashtme e Serbisë ka protestuar sot fuqishëm me rastin e kumtesës së Qeverisë së Shqipërisë, lidhur me heqjen e përmendores në Preshevë, më 20 janar. Ministria e Jashtme serbe konsideron se fjalori që është përdorur në kumtesën e përmendur (të Qeverisë së Shqipërisë) nxit direkt aktivitetet e mëtejshme të orientuara në destabilitetin e situatës në jug të Serbisë, por edhe në rajonin e gjer, në vendet fqinje të banuara me shqiptar.

“Kualifikimet dhe akuzat e orientuara kundër Qeverisë së Serbisë, janë nën çdo dinjitet dhe në kundërshtim të plotë me bindjet e dhëna personalisht nga ana e kryeministrit shqiptar, Berisha, gjatë vizitës së paradokohshme të Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Mërkiq në Tiranë, se Shqipëria është e gatshme të shpalos një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve”, thuhet në kumtesë.

“Arsyetimi i retorikës së zjarrtë me brengosje për pozitën e pakicës kombëtare shqiptare në jug të Serbisë, paraqet manipulim të vrazhdë”, konsideron kjo ministri, duke pasur parasysh se mbrojtja e pakicës shqiptare te të gjitha pakicave tjera në Serbi është në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare, shumë më tepër nga ato që zbatohen ndaj pakicave kombëtare që jetojnë në vet Shqipërinë.

“Pikërisht, duke pasur parasysh mosekzistimin e çfarëdo kornize juridike për mbrojtjen e pakicës serbe dhe të tjera nacionale në Shqipëri, konsiderojmë se autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin masa serioze që të sigurohet mbrojtja e të gjitha komuniteteve në harmoni me standardet ndërkombëtare në fuqi”, thuhet në kumtesë.

“Nga Shqipëria, si shtet i cili si prioritet të vetin e thekson pranimin e vlerave evropiane dhe anëtarësimin në BE, presim që vërtetë edhe të sillet në harmoni me prioritetet e proklamuara dhe me aksionet e veta të mos kontribuojë në stabilitetin e situatës në vendet fqinje”, theksohet në fund të kumtesës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë.