Kush ishte Fehim bej Mezhgorani, drejtori reformator i policisë shqiptare


Nga Hilë Lushaku*

Miqësia me Ismail Qemalin dhe armiqësia me Zogu. Vazhdon enigma nëse u vetëvra apo e vrau Zogu
New Image
Fehim bej Mezhgorani (Fehim Tepelena) u lind më 12 gusht 1874, në Mezhgoran, Tepelenë) (një burim tjetër, nga të afërm të tij, thekson vitin 1877), në një familje të arsimuar dhe patriotike tepelenase, nga fshati Derven. Fehimit, fare i mitur, i kishte munguar dashuria e nënës, Halimesë. Babai, Myrtezai, e dërgoi Fehimin, pasi kreu arsimin fillor në vendlindje, të mësonte fillimisht në gjimnazin “Zosimea”, të Janinës, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera, dhe më pas në Stamboll, të vazhdonte studimet e larta për drejtësi, të cilat më 1902 i mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Në atë kohë Stambolli kishte mbledhur ajkën e djemve atdhetarë shqiptarë, të shquar për dije e aftësi të rralla në drejtimin e administratës. Ndërmjet këtyre bijve të shqipes, të detyruar për të studiuar e punuar nën ombrellën e perandorisë osmane, qe edhe juristi i ardhshëm Fehim Mezhgorani.
I ndikuar nga atdhetarët Sami Frashëri, Shahin Kolonja e Rasim Dino, u bë veprimtar i zellshëm i klubit të shqiptarëve në Stamboll. Fehimi, sipas disa studiuesve njihet edhe me emrin Fehmi Arshi Hajredini82), çfarë lë për të hamendësuar e dyshuar për ndonjë 80) Në shumë raste do të lexohet Fehim, gjetkë Fehmi, emri i saktë i tij, për të ruajtur origjinalitetin e disa burimeve arkivore. Mbiemri në dokumentet e para arkivore është “Mezhdigorani” (midis maleve-H.L.), diku tjetër “Mexhdigorani” (ky mbiemër është në shkresat që ka firmosur si drejtor i Policisë më 1913) kodifikim apo ndryshim të atësisë dhe mbiemrit. Saktësoj se babai i tij, Myrtezai, emigrant në SHBA, ka qenë i njohur si kampion çiklizmi në Pitsburg të Amerikës. Pas përfundimit të studimeve, më 1902, Fehimi u emërua në Gjykatën e Janinës, ku u lidh dhe bashkëpunoi me atdhetarët Musa e Rexhep Demi, Kadri Gjata) dhe Ali Asllani. Kur qe me shërbim në Janinë pati bashkëpunim të ngushtë me pjesëtarët e klubit “Vllazëria”, të Filatit, dhe të klubit “Drita”, të Gjirokastrës. Përfshirja në aktivitetet e klubeve atdhetare shqiptare e mbajti në kontakt të vazhdueshëm me problemet dhe me zhvillimet në dobi të çështjes kombëtare. Në Filat u pasurua shpejt, por më vonë grekët ia dogjën të gjithë pasurinë, ngaqë ai pati aktivitet të zjarrtë për problemin e Çamërisë.
Në vitin 1912, kur u vra Kadri Gjata, Fehim Mezhgorani u zgjodh kryetar i klubit “Bashkimi”, të Janinës, duke pasur një angazhim të madh në zhvillimin e veprimtarive patriotike në të mirë të zgjerimit e propagandimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Sapo mori lajm për nismën e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, për shpalljen e mëvetësisë, ai mori rrugën nga Janina për në Vlorë. Fehim bej Mezhgorani qe delegat i Tepelenës në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, caktuar nga populli i Tepelenës në zëvendësim të sheh Maksutit dhe të Sami beut, të cilët qenë të sëmurë dhe nuk mund të merrnin pjesë në kuvendin e Vlorës. Pranimi i tij delegat i Tepelenës u bë pas leximit të telegramit, dërguar nga populli i Tepelenës, në mbledhjen e datës 3 dhjetor 1912, i cili caktonte delegat të tij Fehmi Efendinë (Mezhgoranin- H. L.), duke u bashkuar me delegatin tjetër tepelenas, Aristidh Ruçi dhe Kristo Meksin. Duhet sqaruar se fillimisht ai erdhi në kuvend për të përfaqësuar klubin “Bashkimi” të Janinës. Fehim Mezhgorani nuk qe nënshkrues i aktit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, që në ditën e parë, mbasi erdhi me vonesë, ndaj e ka nënshkruar aktin më pas, me gjithë grupin e delegatëve Gjirokastër-Tepelenë. Më 4 dhjetor, ditën e krijimit të ministrisë (qeverisë së hëpërhëshme-ministrive) Fehim Mezhgorani, së bashku me delegatin tjetër të Tepelenës, mikun e tij të kahershëm, Kristo Meksin, i kanë dërguar kryesisë së Bashkisë së Tepelenës dhe popullit të këtij rrethi, telegramin në vijim: “Ju japim lajmin e gëzueshëm se Kabineti edhe Senati u formuan. Presim përgjigjen e telegramit që u dhamë dje…”. Qeveria e Vlorës e caktoi fillimisht Mezhgoranin në detyrën e ndihmësit të ministrit të Drejtësisë, Petro Poga, me qëllim për të hartuar aktet ligjore të shtetit të ri të sapoformuar.
Duke çmuar aftësitë e Mezhgoranit, në mesin e muajit maj 1913, qeveria e Ismail Qemalit e emëroi në detyrën e drejtorit të Policisë. Ai është emëruar drejtor i Policisë pas lirimit nga kjo detyrë e Halim bej Gostivarit. Komunikimet e para të tij me qeverinë e Vlorës, në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, datojnë më 24 maj 1913, nënshkruar Fehim Mexhgorani. Në këtë datë ai njoftoi ministrin e Brendshëm, Mufid Libohova: “Qyteti ynë na dje sot nukë ka gjësendi. Ardhësit e ikësit po i tregoj veçanërisht. Me nder i apimë fund raportit të ditës e mbetemi nënë urdhërin e Z. S’uaj”. Raportet e tij, në këtë stil të shkruari, janë të përditshme deri në fund të korrikut 1913 dhe dëshmojnë se në Policinë e sapokrijuar po zbatohej rregulli i bazë i komunikimit operativ të përditshëm me eprorin, gjë që më vonë u bë normë. Fehim Mezhgorani u vu në krye të Drejtorisë së Policisë pas suprimimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Karakteristikë në punën e tij spikat raportimi çdo mëngjes, i situatës së përditshme, ministrit të Brendshëm. Në Arkivin e Shtetit janë shumë shkresa, në të cilat ai i raporton kryetarit të qeverisë91) edhe për situatën e qetësisë në krahinat ku kishte autoritet Qeveria e Përkohshme e Vlorës, sikurse ishin Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Skrapari, Mallakastra, Peqini, Elbasani, Durrësi, Tirana, etj. Më 25 qershor 1913, drejtori i Policisë, Fehim Mezhgorani, njoftoi se: “mbas anglezit Neverson dje doli nga Vlora i dyshuari nga Voskopoja, Marko Kostandini”, çfarë shpreh se një nga detyrat kryesore të Policisë në këtë kohë ishte gjurmimi i fshehtë i personave të dyshuar si kundërshtarë të qeverisë. Ky autoritet i Sigurisë Publike i ka dërguar informacion Kryesisë së Qeverisë së Përkohshme, më 2 korrik 1913, lidhur me një propagandë të keqe kundër qeverisë, duke informuar se ajo propagandë e ka cilësuar qeverinë e Ismail Qemalit “qeveri mashtruese”. Në këtë rast ai paraqet punën që bëhet nga Policia duke punuar me njerëz besnikë të saj, për të gjetur deklaratën propagandistike antiqeveritare dhe për të filluar hetimet përkatëse.
Fehim Mezhgorani ka pasur dëshirë e angazhime për organizimin më të mirë të Policisë në atë periudhë. Më 13 korrik 1913, ai i ka shkruar qeverisë: “Shihet e nevojshme që të formohet një komision për të përgatitur projektin mbi organizimin e Policisë. Ky komision u pa i arsyeshëm që të formohet prej zotërinjve të sipërshënuar, me gjithë këtë urdhri është i shkëlqesisë s’uaj”. Ky propozim është miratuar nga ministri i Brendshëm, konfirmuar nga këshilltari i tij Iljaz beu. Fehim Mezhgorani bëri punë të mirë për organizimin e Policisë edhe në qarqet e tjera.
Fehim Mezhgorani rezulton të ketë qenë aktiv në detyrën e drejtorit të Policisë deri në vjeshtën e dytë të vitit 1913, kohë kur u komandua në këtë detyrë vlonjati Hamza Isa Isara. Më 7 tetor 1913, kryekomiseri i Policisë së Vlorës, Hamza Isaj i shkruan kryetarit të Qeverisë së Përkohshme në Vlorë, “në këmbë të Direjtorit”), duke e lënë disi të errët fatin e Mezhgoranit, por më vonë konstatojmë se ai është përsëri në krye të postit të lartë deri në ditën që dha dorëheqje kryeministri Ismail bej Qemali, mbasi Mezhgorani pati angazhime të mëdha në grupin e caktuar për hartimin e akteve ligjore të qeverisë së përtashme të Vlorës. Ndonëse ishte në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Fehim Mezhgorani, ka kontribuar dukshëm në administratën Shtetërore në përgatitjen e akteve ligjore për shkëputjen e gjykatave shqiptare nga juridiksioni i perandorisë osmane. Së bashku me avokatin Kristaq Tutulani, të drejtuar nga Petro Poga, kanë kontribuar në përgatitjen e rregulloreve e vendimeve të qeverisë së Vlorës. Së bashku me juristin e shquar e ministër i Drejtësisë, në kabinetin qeveritar të Ismail Qemalit, dhe avokatin e dëgjuar Kristaq Tutulani, Fehim Mezhgorani ka qenë në grupin e juristëve që hartuan Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane. Në vjeshtën e vitit 1913, Fehim Mezhgorani rreshtohet në listën e personave që përgatiten dhe dërguan protesta të ashpra në kancelaritë e Fuqive të Mëdha dhe bënë demonstrime kundër masakrave çnjerëzore që kryen shovinistët grekë e serbë mbi popullsinë e pambrojtur në viset kufitare me këto vende fqinjë. Me largimin e qeverisë së Vlorës dhe marrjen e drejtimit të shtetit të ri shqiptar nga Këshilli Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK), në mars 1914, Fehim Tepelena u caktua për drejtimin e Policisë së Vlorës. Sipas disa burimeve jo zyrtare rezulton se ai ka ushtruar edhe detyrën e prokurorit në kohën e Luftës së Parë Botërore (vitet 1917-1918) dhe pastaj të noterit përmbarues (1917-1918). Fakt është se Fehim Mezhgorani ka qëndruar në Shqipëri në kohën e Luftës, mbasi nuk mund të kthehej në Janinë për shkak të aktivitetit të tij politik kundër Greqisë, në mbrojtje të problemit të Shqipërisë së Jugut. Pas krijimit të qeverisë së re të Shqipërisë (sipas vendimeve të kongresit të Lushnjës), Fehim Mezhgorani, rezulton të ketë qenë hetues në Gjykatën Politike në Tiranë në vitin 1920. Referuar burimeve arkivore rezulton të ketë qenë pyetësor, (anëtar Aqif Përmeti dhe kryetar Halim Gostivari) në çështjen e lëvizjes esadiste, të kryesuar nga Osman Bali, (vrasësi i Hasan Riza Pashës në vitin 1913 në Shkodër), me pjesëtar Qamil Mulleti, Myrteza Arbana, Shaban Bali, Zyber Qehaja, Ibrahim Katroshi, Beqir Hasan Kazazi, Ibrahim Mehmet Sheh Petrela, Xhafer Elbasani, Zyber Mytesim Këlliçi, Hoxhë Mehmet Farka, Ibrahim Shaban Bali, Ali Mahmut Beqiri. Në përfundim të hetimit, më 15 qershor 1920, Fehim Tepelena kishte shkruar se Osman Bali kishte qenë i lidhur “me një komitet që kishte qendra edhe në vise të tjera që sundoheshin nga Serbia, si Dibra”. Sipas tij, ky komitet kishte për qëllim copëtimin e atdheut, “tue e lëshua çika-çika në duert e armiqve, mori përsipër kryesinë e çetave të armatosuna tue veprue kundër interesave t’atdheut, me qëllim të prishi qetësinë qi ashtu të ndihmoj armiqt lakmues”. Burime të sigurta arkivore provojnë se në vitin 1922, ai ka qenë anëtar i grupit hetimor të çështjes së lëvizjes së marsit 1922, (kohë kur forcat e Elez Isufit, Bajram Currit, Halit Lleshit etj. tentuan të rrëzojnë me forcën e armëve Ahmet Zogollin), i kryesuar edhe kësaj radhe nga Halim Gostivari. Edhe në këtë kohë ai është thirrur Fehim Tepelena. Në këtë rast janë dënuar 94 persona, përfshirë (në mungesë) edhe Hasan Prishtina, Hoxhë Kadria, Mustafa Kruja, etj.. Në vitin 1923 e gjejmë Mezhgoranin në grupin e shqiptarëve që protestuan pranë Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e çështjes çame, kundër shpërnguljes me dhunë nga trojet shqiptare, të kësaj popullsie të përvuajtur e të gjakosur prej barbarive greke.
Më vonë, sipas njoftimit të gazetës “Tirana”, Fehim Mezhgorani u emërua prokuror i Tiranës, në korrik 1925. Nga kjo kuptohet dhe provohet se deri atëherë ai ka shërbyer në drejtësi, pra në detyrën e gjyqtarit paqtues. Në vitin 1926, kur shpërtheu kryengritja e Dukagjinit, Fehimi është emëruar nga Zogu në detyrën e zëvendësprokurorit të përgjithshëm të Gjykatës Politike dhe i është kërkuar prej tij që “të ndëshkojë rreptë ata katolikë të pabindur”, gjë të cilën Fehimi e ka kundërshtuar në emër të parimeve të drejtësisë). Kjo sjellje e tij nuk e ka kënaqur sovranin e ardhshëm, gjë të cilën ai e ka ruajtur “vëth në vesh”. Edhe pse ndodhi kështu, në vitin 1927, ai e ka caktuar juristin e shquar në detyrën e prokurorit të gjykatës politike për një kohë të shkurtër dhe pak muaj në vonë e ka graduar “major” dhe caktuar prokuror i gjyqit ushtarak, duke e futur mirë në kllapën e varësisë së hierarkisë ushtarake, gjë të cilën Mezhgorani e njihte mirë juridikisht. Duke mos qenë i kënaqur me këtë “lëvizje dhelparake” të Zogut ai ka kërkuar të kalojë në administratë, për të mos u përfshirë në strukturat e ushtrisë dhe të luftës. Nga burimet arkivore dhe shtypi i shkruar rezulton se në regjimin zogist, Fehim Mezhgorani, punoi në administratën shtetërore, kryesisht në Tiranë dhe më pas në Dibër.
Zogu, në kundërshtim me dëshirën e Fehimit, e ka emëruar prefekt në Dibër, me synimin për ta eliminuar fizikisht. Sipas mbesave të tij (Adelina Mamaqi e Lindita Tepelena), Fehimi pranoi të shkojë në atë detyrë duke i kërkuar Zogut ordinancë të përhershme, mbasi kishte armiqësi me dibranin Sulë Shehu, njëkohësisht mik i Zogut dhe burrë me influencë të madhe në zonën e Dibrës. Në fillim të vitit 1929, ka zëvendësuar në detyrë prefektin e Dibrës, Spiridon Kacarosi. Shtypi i asaj kohe ka evidentuar punën e mirë të Fehimit në detyrën e prefektit në Dibër.
Fehim Mezhgorani, punoi në prefekturën e Dibrës deri në shuarjen e tij, më 1930, kur u vetëvra. Sipas variantit qeveritar, Fehimi vdiq më 1930, duke u vetëvrarë, në Dibër. Shtypi proqeveritar i kohës i bëri jehonë të madhe asaj ngjarjeje tragjike, kurse shtypi tjetër nuk u shpreh. Gazeta “Ora”, në kryeartikull shkroi: “Prefekti i Dibrës, Fehim Tepelena, vrau veten. Lajme telegrafike t’ardhura nga Peshkopia, q’është kryevendi e prefekturës së Dibrës, njoftojnë vetëvrasjen tragjike të prefektit t’atij qarku Fehim Tepelena ose Meçgorani (Mezhgorani-H.L). Prefekti vetëvrasës kishte një kohë të gjatë që vuante prej kanceri, sëmundje e pashërueshme, dhe disa herë kishte marrë leje nga Ministria e Punëve të Brendshme, tue kërkue shërim ose të paktën prehje nga sëmundja që po i hante trupin. Por kur dhembjet dhe dëshpërimi i shërimit arritën kulmin e tyre, i ndjeri Fehim mori kalemin në dorë për me shkrue testamentin e tij që në kohën e qeveris s’Ismail Qemal beut në Vlorë dhe më në funt i lë nën mbrojtjen e shtetit familjen e tij të mjeruam. Pas redaktimit të testamentit prefekti fatkeq zgjodhi në qetësinë e natës një pushkë të gjatë, zbathi këmbën e djathtë, e futi grykën e veglës vrasëse në gojë dhe me gishtin e math të këmbës së djathtë ia hoqi këmbëzën, dhe kur tenenë njerëzit e tij e gjetnë n’atë pozitë të tmerrshme, por me kafkë të copëtuar dhe me tru të plasur”. Edhe gazeta “Demokratia”, bën me dije se “Një telegram i datës 4 shkurt, që morëm nga Peshkopia, na njofton se në mëngjesin e asaj dite, z. Fehim Tepelena, prefekt i atjeshëm, vrau veten në shtëpinë e vet, sepse vuante nga sëmundja e pashërueshme e kancerit. Në letrën që la i ndjeri F.Tepelena kërkoi ndjesë nga njerëzit e shtëpisë dhe thotë se duke mos dashur të pësojë dhembjet e tmerrshme të sëmundjes, vendosi t’i japë fund ditëve të tij”). Gazeta “Vullneti” shkroi: “Një tragjedi në shtëpinë e Prefektit të Dibrës. Prefekti z. Fehmi Tepelena vrau veten. Peshkopi, më 4 fruer. Prefekti i Dibrës, Z. Fehmi Tepelena, sot në mëngjes vrau veten në shtëpinë e tij. Në letrën që la, shpjegoi se shkaku që e shtyu t’i japë fund jetës së vet, janë dhimbjet e mëdha dhe të pandame nga të cilat po vuante prej sëmundjes së pashërueshme të kancerit”.
Mbesat e tij, Adelina Mamaqi dhe Lindita Tepelena, e hedhin poshtë me indinjatë çfarë është shkruar në shtypin proqeveritar të asaj kohe, lidhur me vrasjen e gjyshit të tyre. Sipas Adelinës, ajo ka mësuar nga gjyshja dhe nga e ëma, Tefta, se Fehimin e vrau Ahmet Zogu, me dorën gjakatare të njerëzve të porositur prej tij. Sipas tyre, edhe varrimi i Fehimit është bërë pa ceremoni dhe në mënyrë të shpifur, duke e groposur në periferi, në baltat e varrezave, mbasi ishte jabanxhi dhe nuk kishte vendvarrim. Në një intervistë që ka dhënë Adelina Mamaqi, për “Prishtina Press”, gazetares Keze Kozeta Zylo, njëkohësisht edhe poete, botuar në gazetën “Ilyria”, ka sqaruar më gjerësisht se: “…mbreti e emëroi, kundër dëshirës, prefekt të Dibrës, jo për ta promocionuar, por për ta hequr qafe. Fehmiu ishte një personalitet me bindje demokrate, të cilat kurdoherë bien ndesh me regjimet diktatoriale, dhe një njeri me principe të shëndosha morale, që nuk bënte dot kompromis as me sovranin, as me ligjin e as me vetveten. Në vitin 1926, kur shpërtheu kryengritja e Dukagjinit, Fehmiu, në detyrën e Zv/ prokurorit të Përgjithshëm të Gjykatës Politike, ishte urdhëruar personalisht nga mbreti, të jepte për ta (kryesisht një grup fretërish katolikë) dënimin kapital. Gjyshe Hysnija mbante mend që ai e kishte vuajtur shpirtërisht atë gjyq, sepse thoshte se ata ishin të rinj, të kulturuar dhe krejtësisht të pafajshëm. Unë nuk e mbaj mend mirë, sepse i kam dëgjuar këto fjalë mbi pesëdhjetë vjet më parë, nëse gjyshi dha dorëheqjen nga ky gjyq, apo nuk dha dënimin që i ishte kërkuar…fill pas kësaj, Zogu i dha emërimin si prefekt i Peshkopisë. Fehmiu, i cili e nuhati rrezikun e këtij emërimi, kundërshtoi, duke argumentuar se fëmijët i kishte të vegjël dhe s’mund ta merrte familjen e tij të madhe me vete. Por Zogu e “siguroi” se ishte një emërim i përkohshëm, mbasi në Peshkopi i duhej një prefekt i zoti, si ai! Prandaj, mos ta lëvizte familjen dhe të rrinte në hotel. Ishte pikërisht vendi më i përshtatshëm, ku adjutanti, që i kishte dhënë me vete, ta vriste natën në gjumë, të inskenohej vetëvrasja, dhe që, të nesërmen, gazetat të botonin në faqet e para lajmin e “hidhur” se “Prefekti i Peshkopisë zoti Fehmi Tepelena…vrau veten në shtëpinë e vet…(ai jetonte në hotel) dhe vazhdojnë duke shkruar se “i ndyeri! (i ndjeri) kishte lënë një letër për familjen, së cilës i kërkonte ndjesë, kishte shkruar edhe testamentin ku thuhej se…”e linte në dorë të shtetit familjen e tij të mjerueme…”. Por te familja Tepelena, nuk arriti as trupi, as letra dhe as testamenti. Sepse falsiteti i tyre do të zbulonte të vërtetën. Kur paska qenë ditur se ky prefekt i kishte ditët të numëruara nga sëmundja, përse u ngut “dora e Zogut”, në Peshkopi, t‘i bënte dy herë atentat? Përse nuk u lejua trupi i Fehmi Bej Mezhgoranit t’i kthehej familjes në Tiranë, por u varros, jo me nderime, si funksionar i nderuar (siç është shkruar në ndonjë gazetë të kohës), por jashtë varrezave, si armik, mbi të cilin triumfoi hakmarrja e mbretit? Aty i ka gjetur babai im Rahmi Mamaqi në vitet ’70, eshtrat e gjyshit dhe i ka futur brenda varrezave”. Enigmë mbetet fakti nëse u trajtuan me pension familjar e veja e Mezhgoranit dhe fëmijët e tij. Fehimi qe martuar me përmetaren Hysnije Pera, me të cilën pati pesë fëmijë, përkatësisht: Afërdita (lindur më 1919, martuar me Rahmi Mamaqin, e ëma e Adelina Mamaqit), Liria (lindur më 1921, martuar me Servet Tepelena, e ëma e Linditës, e cila qe disa vite punonjëse në administratën e Ministrisë së Brendshme), Tefta (lindur më 1923, martuar me Nusret Mamaqi), Shpresa (lindur më 1925, martuar me Beqir Ndou, ish zëvendësministër i Brendshëm, arrestuar nga regjimi komunist, të cilit i ka shërbyer), Gazmendi, lindur më 1928, martuar dy herë, fillimisht me Teuta Selenica e më pas me Elena Dushkova). Rezulton se ka përdorur dy mbiemra, Mezhgorani (Mexhgorani, Mezh(xh)digorani) dhe Tepelena (të cilin duhet ta ketë përdorur pas vitit 1925). Flitet se Fehmiu, ka qenë edhe anëtar i shoqërisë “Vatra”, në Amerikë. Po kështu, sipas gazetës “Dielli”, viti 1925, bëhet e ditur se edhe një farë “Emin F. Mezhgorani, iu bashkua grupit të “Vatrës”, së Faik Konitzes, në Amerikë”. Të afërm të Mezhgoranit nuk kanë dijeni se ky person mund të jetë ndonjë lidhje e Fehmiut, duke e bërë të dyshimtë faktin e mësipërm, nëse ai mund të jetë i biri i Fehmiu Mezhgoranit me grua tjetër (më herët). Të dhënat në vijim kompletojnë të shkuarën e këtij patrioti të shquar. Më sipër u theksua se Fehimi pati aktivitet të zjarrtë atdhetarie kur qe me punë në Janinë, në krye të klubit “Bashkimi i Shqiptarëve”, gjë e cila është e dokumentuar edhe në gazetën “Zgjimi i Shqipnisë”, në vitet 1910-1911, kur Fehmi Tepelena ishte “drejtor e gerant i Pyjetshëm”, pra drejtor i gazetës në fjalë dhe “Zoti Feltës e Proprietar Abdul Kadri”. Në gazetë ka përdorur emrin Fehmi Tepelena, kurse në shumicën e shkrimeve Fehmi Mezhgorani. Nën drejtimin e z. Fehimit, gazeta nr. 95, më 3 kolozhek, shpalli se kërkonte korrespondentë nga Vlora, Përmeti, Gjirokastra, Tepelena, Skrapari, Preveza, Filati dhe nga gjithë kazatë e vilajetit tonë. Po kështu njoftonte lexuesit të blejnë librin e shkrimtarit Spiro Dine, titulluar “Valët e Detit”, një libër i madh me 856 faqe, duke e cilësuar “thesari i vërtetë për gjuhën tonë, me këngë, vjersha, përralla, fjalë të pleqve”. Kjo gazetë në disa numra, më 1911, njoftonte shqiptarët për botimin e “Abetare e Stambollit”, kërkonte shkrime në gjuhën shqipe me dialekt gegërisht, shpallte njoftime të ndryshme, botonte korrespondenca, etj, duke qenë në shërbim të shqipfolësve. Kur ishte në Janinë, gazeta botoi shkrimin e Fehim Mezhgoranit, me titull “Shkollë Normale jashtë Shqipërisë”, nënshkruar F. M, në vijim: “Shohim në fletët (gazetat-H.L.) e përjatshme së shqiptarët që gjenden në Amerikë, të cilët një shumë prej 30 000 shpirt, kanë për qëllim që të çelin një shkollë normale jashtë Perandorisë otomane. Mas të shkruarëvet të fletëvet shqipe që botohen në Amerikë, në Egjypt si dhe sipas lajmeve të fletëve të huaja, këta atdhetarë të shquar që përpiqen për lulëzimin e gjuhës amtare, me ndihmat e tyre si dhe me ndihmat e shqiptarëve të brendshëm, e siguruan mbajtjen e një shkolle normale në një vend të huaj dhe vetëm po mendohen se ku bëhet më mirë që të çelin shkollën. Një mendje është që shkolla të çelet në Elveti dhe tjetra në Maltë. Ca nga shqiptarët e brendshëm thonë se Qeveria otomane sa do që na ndaloji shkollën Normale si dhe shkollën e Korçës e të tjera, prapë e kuptoi gabimin dhe do na lirojë, edhe me qenë kështu s’mbetet nevojë. Kështu shkruhet në kreun e gazetës (ruhet në Bibliotekën Kombëtare dhe nuk lejohet të fotografohet e as të fotokopjohet), kopjuar nga autori sipas shkrimit origjinal që të çelen shkolla në vende të huaja.
Fehim Tepelena, funksionet e tij nuk i shfrytëzoi për të vënë pasuri, por ishte kaq i ndershëm e bujar, sa edhe adjutantin, që e vrau, e mbante me ushqim dhe i thoshte: “dërgoja rrogën familjes”! Ndoshta, të rriturit jetim e larg familjes, dhe shpirti i tij i ndjeshëm, ishin arsyet kryesore që e kishin bërë atë familjar e baba shumë të dhembshur. Ai në asnjë mënyrë nuk do t’i kishte lënë fëmijët në mëshirë të fatit. Me vendim të Këshillit të Bashkisë së Tepelenës nr. 29, datë 05.09.2012 “Për dhënien e titullit Qytetar Nderi i Tepelenës (Pas vdekjes), z. Fehmi Mulla Mezhgorani” me motivacion: “Atdhetar i shquar, delegat përfaqësues i Tepelenës në Kuvendin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912”, mori meritueshëm nderimin e popullit e organeve të qeverisjes vendore të vendlindjes.

*Marrë me shkurtime nga libri “DREJTORËT E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SHQIPTARE, 1913-2013”
*Titujt janë redaksionalë