Nga Renato Dauti
“Nuk ka qytetarë më të zhgënjyer se ata të cilët votuan 4 vjet më parë për PS-në”
Deklarata
“Ju uroj një vit të mbarë me një fitore të shkëlqyer me 23 qershor, fitore e cila ka rendësi jetike vendimtare, për projektin Shqipëria vend i zhvilluar apo projekti i Shqipërisë së zhvilluar evropiane. Fushata elektorale ka nisur që më datën 10 shtator, ajo po zhvillohet në shumë plane, në mënyrë që 23 qershori, të jetë një 22 mars i vërtetë. Dhe sado që 22 marsin dhe 23 qershorin e ndajnë 21 vite, ato do mateshin me ëndrrat e realizuara, me ëndrrat e bëra të vërteta, të shtruara në realitet me projekte, të suksesshme të ndryshimit të Shqipërisë, me misioni e forcës politike që u themelua 22 vjet më parë, këto dy data të duken binjake në aspirata ideale ndaj dhe do bëjmë gjithçka që me 23 qershor, të realizojmë fitoren që presin shqiptarët”, tha Berisha. Në vijim të fjalës së tij shefi i ekzekutivit vlerësoi arritjet e PD-së në këto 22 vjet. “Partia Demokratike ishte ajo që mori ftesën për në NATO, Partia Demokratike, ajo që mundësoi lëvizjen e lirë të shqiptarëve në Bashkimin Evropian. PD nuk lejoi recensionin ekonomik. Gjithçka është realizuar dhe ka para së gjithash djersën dhe mundin e shqiptarëve. Ata të cilët përpiqen të errësojnë këto suksese, shkelmojnë kontributin e gjithë qytetarëve. Ky është bagazhi që ne kemi nisur dhe vijojmë betejën tonë elektorale, betejën e fitores”, deklaroi kryeministri Berisha.
Akuza
Nuk munguan në fjalën e kryeministrit edhe akuzat ndaj liderit të opozitës Edi Rama. Sipas Berishës, Rama ka zhgënjyer jo vetëm qytetarët shqiptar por edhe elektoratin e majtë. “Nuk ka qytetarë më të zhgënjyer se ata të cilët votuan 4 vjet më parë për PS. Pasi 22 vitesh pluralizëm e shohin sërish bllokues, në rolin e muratorit. Fat i keq që lartëson murin e bllokimit, në kundërshtim flagrant me aspiratat e socialistëve shqiptarë dhe të mbarë shqiptarëve. Dhe çfarë ofrojnë si alternativë”, u shpreh Berisha.





