Haxhiu: Do të jem edhe pesë vjet trajner i Trepçës


Përderisa zyrtarë të Trepçës, në kushte anonimiteti, të martën konfirmuan për ‘Sport’ nisjen e bisedimeve me trajnerin Ajet Shosholli, i cili sipas tyre do ta zëvendësojë Fidaim Haxhiun, ky i fundit thotë se do të mbetet trajner i skuadrës edhe për pesë vjet.

Nisjen e bisedimeve e kishte konfirmuar edhe vetë trajneri Shosholli, derisa zyrtari i klubit, Hajrullah Haxhiu, as nuk e kishte pohuar, e as mohuar nisjen e bisedimeve.

Haxhiu thotë se ai ka punë vetëm me kryetarin e klubit, Nexhmedin Haxhiu.

“Unë kam punë me kryetarin e klubit, Nexhmedin Haxhiun, nënkryetarin Burim Haxha dhe donatorin Avni Haxhiun. Ata të tjerët nuk janë në kryesi të klubit. Prandaj unë nuk e kam ndërmend të largohem nga posti im, përndryshe dua t’ua bëj me dije të gjithëve se do të jem trajner i Trepçës edhe për pesë vjet”, tha Haxhiu të mërkurën për “Sport”.

Dikush po krijon destabilitet

Tutje, Haxhiu akuzon edhe zyrtarët tjerë, që thonë se janë pjesë e klubit. “Ata që dalin e flasin, së pari janë duke i mashtruar lojtarët me rroga, duke mos ua dhënë pagat”, shton ai, pa dashur të përmendë emra.

Haxhiu u rikthye në postin e shtabit teknik në gjysmën e stinorit vjeshtor, duke zëvendësuar Shefqet Kurtin. Ai thotë se qëllimi kryesor i tij është stabiliteti në klub. “Unë kam për qëllim të stabilizoj klubin, e jo ta destabilizojë”, tha ai.

Trepça, stinorin pranveror e nis nga pozita e tretë me 30 pikë, katër më pak se lideri Prishtina. Gjatë pushimit dimëror, nga Trepça zyrtarisht është larguar vetëm Erdin Hashani, ndërsa deri më tani nuk është bërë asnjë ardhje. (ORAinfo)