nga Kastriot Myftaraj
Artikulli i Olsi Jazexhiut me titullin blasfemues “Ç’ shenjtërimi i Nënë Terezës” i botuar në ditoren “SOT”, në 28 mars 2006, është praktikisht një traktat konciz i fundamentalizmit islamik shqiptar. Autori, në artikull paraqet teza nga të cilat veçanërisht do të trajtoj dy. Z. Jazexhiu në shkrimin e vet zbulon në “psiqikën e qytetarisë muslimane shkodrane të qënit shumë e vendosur për ruajtjen e identitetit të saj fetar dhe kombëtar”. (“SOT”, 28 mars 2006, f. 11)
Shikoni se si e vendos hierarkinë e vlerave tek identiteti i muslimanëve shqiptarë z. Jazexhiu: në fillim feja pastaj nacionaliteti! Kjo në fakt po duket të jetë hierarkia e vlerave e muslimanëve praktikantë në Shqipëri, që në realitet përbëjnë vetëm një pjesë shumë të vogël të shqiptarëve me origjinë nga të islamizuarit e kohës osmane, jo më tepër se 1% e tyre. Unë jam një nga ata 99% e shqiptarëve me origjinë nga të islamizuarit e kohës osmane që sot nuk na lidh asgjë me Islamin dhe që nuk mund të pranojmë që me ne të spekulojnë islamikët praktikantë sikur flasin në emër të 70% të shqiptarëve muslimanë. Ne e dijmë se tek proklamata zyrtare turke për pushtimin e Krujës, në 1478, thuhet: “Ata që mbetën nga armiku, gratë dhe fëmijët, i vunë në prangat poshtëruese të robërimit dhe i lidhën me zinxhirët e mjerimit. Paskëtaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i medreseve, ndalimi i këmbanave dhe prishja e ligjeve. Brenda në zemrat e të pafeve, ku kishte bërë vend pafesia dhe mëkati, paskëtaj do të çelë burbuqja e besimit në një zot të vetëm”. (cituar sipas: “Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV”, burime osmane, Instituti i Gjuhësisë dhe Historisë, Tiranë 1968, f. 382)
Sipas këtij dekreti të Sulltan Mehmetit II filloi të ushtrohet dhuna për konvertimin e shqiptarëve të krishterë në muslimanë. Agresioni turk në Shqipëri qe një fushatë Xhihadi, pra lufte të shenjtë islamike, që kishte si synim parësor luftën kundër kristianëve për përhapjen e Islamit me dhunë. Qëllimet e Perandorisë Osmane qenë të qarta dhe të deklaruara botërisht: Ajo donte që t’ i konvertonte me dhunë shqiptarët nga feja kristiane në fenë islame. Trojet e okupuara dhe popullsia e tyne jomuslimane, kqyreshin si trofe lufte. Sipas Kuranit ato troje dhe gjithçka ndodhej në to, duke inkluduar dhe njerëzit, bëheshin pronë e Sulltanit, në cilësinë e Kalifit, kreut të religjionit islam, i cili ua jepte në përdorim ghazijve dhe ulemave. Fitimtarët muslimanë pretendonin se kishin të drejtën hyjnore t’ i vrisnin jomuslimanët, që përgjithësisht qenë kristianë, në rast se këta nuk pranonin Islamin.
Por, jomuslimanët, mund të jetonin, nëse merreshin në mbrojtje prej muslimanëve, gjë që arrihej duke e blerë jetën e tyre dhe të familjarëve të tyne me anë të pagimit të një takse që u quajt “Jizyah” (lexo: «xhisja»), ndryshe «taksa e jetës». Nëpërmjet xhisjes mund të blihej jo thjesht e drejta e ushtrimit të religjionit, por edhe e drejta e të jetuarit. Pasi fillonin të paguanin xhisjen, jomuslimanët-banues në një shtet musliman, quheshin «el dhimmë» (arabisht: «të mbrojtur»). Ai që e paguante xhisjen mund të vazhdonte të jetonte dhe të ushtronte besimin e mëparshëm, ndërsa ai që nuk e paguante vritej së bashku me familjarët e vet. Pra marrëdhëniet midis shtetit islamik, respektivisht turk dhe shtetasve të vet kristianë, qenë ato të vrasësit- shantazhist nga njëra anë, dhe të viktimës nga ana tjetër. Në të tilla rrethana u bë konvertimi masiv i shqiptarëve në fenë islamike.
Por, shqiptarët e panë fenë islame si një gjë të imponuar nga okupatori dhe e ndoqën derisa qe i pranishëm okupatori. Pas largimit të okupatorit, shqiptarët e abandonuam masivisht fenë islame. E vërteta është se tashmë Islami tek nacioni shqiptar, në 95% të tij, ka mbetur veç si një rudiment shpirtëror. Veç 5% e shqiptarëve në dy anët e kufirit shtetëror janë muslimanë praktikantë, ndërsa pjesa tjetër janë veç ish-muslimanë dhe mund të quhen të tillë veç për një inerci historike, për faktin që paraardhësit e tyre dikur u detyruan me dhunë të ndrrojnë fenë. Ata mund të quhen si afetarë, por gjithsesi që kanë një kujtesë të fortë kristiane. Kjo kuptohet dhe nga fakte të tilla të thjeshta si vënia e bredhit të Krishtlindjeve çdo vit në shtëpi. Ata do ta mirëprisnin një nismë për rikthimin e shqiptarëve në fenë e të parëve.
99% e muslimanëve në Republikën e Shqipërisë praktikisht janë njerëz afetarë, duke qenë se janë muslimanë nga origjina e afërt, por nuk e ndjekin këtë fe dhe sipas rregullave të fesë islame, ata janë të përjashtuar nga kjo fe. Këta njerëz nuk janë kthyer në fenë e të parëve thjesht për faktin se askush nuk është marrë seriozisht me këtë gjë. Madje këta njerëz, për nga mënyra e jetesës janë kristianë. Në shtëpitë e tyre çdo fundvit vihet bredhi i Krishtlindjeve. Veç 1% e muslimanëve të Republikës së Shqipërisë janë vërtet muslimanë, në sensin që besojnë tek kjo fe dhe ndjekin ritet e saj. Kjo shifër është diçka më e lartë mes shqiptarëve të Kosovës dhe sigurisht edhe më e lartë mes shqiptarëve të Maqedonisë, por gjithsesi është e sigurt se muslimanët e vërtetë janë një minorancë mes shqiptarëve me origjinë të afërt muslimane.
Sot ka të ashtuquajtur shqiptarë në të dy anët e kufirit që janë muslimanë praktikantë. Por këta njerëz nuk janë vërtet shqiptarë pasi 90% e praktikantëve muslimanë në trojet shqiptare në dy anët e kufirit, në fakt janë turq të mbetur në trojet shqiptare që nga koha e pushtimit turk. Njerëzit, që duan të ruajnë Islamin në trojet shqiptare, vetëtradhëtohen me këtë si turq etnikë dhe jo si shqiptarë. Ata nuk mund të kamuflohen më pas shifrave false sikur shqiptarët janë 70% muslimanë në Republikën e Shqipërisë, 97% në Kosovë dhe thuajse 100% në Republikën e Maqedonisë. Ata janë një minorancë.
Është kjo minorancë shumë e vogël e muslimanëve praktikantë tek e cila vazhdon të dominojë mentaliteti i okupatorit turk, e cila gjeneron konfliktin në Shqipëri. Këta nuk janë fare shqiptarë, por turq etnikë, bilingualë, që dinin shqipen veç turqishten dhe që kur Turqia u dëbua nga Ballkani u erdhi porosia nga Stambolli që të paraqiten si shqiptarë, për të mbijetuar në shtetin e ri europian. Shteti shqiptar kur u krijua u tregua zemërgjerë kur u dha këtyre njerëzve statusin e e shtetasit të barabartë me shqiptarët kur duhet t’ u jepte statusin e emigrantit, siç bëhet me islamikët në Europë.
Z. Jazexhiu, më tutje në artikullin e vet thotë se ata që kërkojnë të vendosin shtatoren e Nënës Tereze në Shkodër: “nuk janë në gjendje t’ ia dorëzojnë as punëtores së dalluar të Kishës Katolike, Nënë Terezës nga Kalkuta, të cilën Kisha e Romës ka vendosur ta shpallë shenjtoren e saj të rradhës dhe për më tepër, eksportojë në kryeqendrën e Gegërisë muslimane në Shqipëri”. (“SOT”, 28 mars 2006, f. 11)
Nëna Tereze nuk është e eksportuar në Shkodër, por është në shtëpinë e vet, pasi ajo është shirokase. Të eksportuar në Shkodër janë pasardhësit e taborreve turke dhe të mullave që kundërshtojnë sot atë. Këta që kundërshtojnë vendosjen e shtatores së Nënës Tereze në “kryeqendrën e Gegërisë muslimane” (z. Jazexhiu duhet ta dijë se kryeqendra e Gegerisë është Tirana) pse heshtin dhe nuk fyhen kur qindra mijë njerëz me origjinë muslimane shkojnë çdo vizt në pelegrinazh në Kishën e Shna Ndout në Laç, duke dëshmuar kështu vetëdijen e tyre të hershme kristiane katolike? Çfarë do të bëjnë këta njerëz për ta ndalur këtë? Do t’ i kërkojnë shtetit që të vejë policë për t’ i ndaluar ata me origjinë muslimane të shkojnë tek ky tempull mbarëshqiptar.
Kundërshtimi i Nënës Tereze është vetëm një paralajmërim i ngjarjeve që mund të ndodhin në të ardhmen. Atyre që u vret sytë Nëna Tereze nesër do të thonë se u vret sytë dhe monumenti i Gjergj Kastriotit në qendër të Tiranës dhe ndonjë mëngjes do ta gjejmë edhe atë të rrëzuar. Këta njerëz do të tentojnë që të kthejnë rrotën e historisë pas. Ata, sot janë bërë praktikisht aleatët më të mirë të atyre qendrave në vendet fqinje, në Beograd dhe Athinë që kërkojnë të gjejnë rastin për ta asgjesuar nacionin shqiptar në të dy anët e kufirit, duke e konsideruar si trashëgimi osmane. Kështu do të shkojë dhe i njomi me të thatin.
Për nacionin (kombin) shqiptar pushtimi osman dhe islamizimi i dhunshëm ka qenë një genocid i vërtetë, i barabartë me Holokaustin që u ndodhi hebrejve dhe që gjatë 5 shekujve u ka shkaktuar shqiptarëve po aq viktima sa Holokausti hebrejve. E mira do të ishte që kjo çështje sot të zgjidhej duke u shpallur zyrtarisht me ligj islamizimi I dhunshëm i shqiptarëve si genocid, duke u shpallur data e rënies së Krujës në 1478 si dita e përkujtimit të viktimave të këtij genocidi.
Shqiptarët me origjinë të afërt muslimane dhe të largët kristiane, të cilët mund të quhen muslimanë vetëm për faktin se paraardhësve të tyre Islami iu imponua me dhunë, përbëjnë sot një bashkësi që ka një identitet historik dhe që mua do të më pëlqente t’i definoja si ish-muslimanë, një identifikim ky i ngjashëm me atë FYROM, që gjeti diplomacia ndërkombëtare për Maqedoninë. Ata duhet ta kuptojnë se gjenden para një sfide ekzistenciale dhe duhet të bëjnë restaurimin shpirtëror, duke iu kthyer Krishterimit perëndimor të cilit i takonin para okupimit turk. Çështja nuk është që këtë ta bëjnë mbetjet turke, që janë muslimanë praktikantë, por që shqiptarët që nuk janë muslimanë praktikantë, të rikthehen në fenë e të parëve, atë të krishtere perëndimore.
Atyre njerëzve që e kundërshtojnë këtë nën shenjën e gjysmëhënës duhet t’ u japim të kuptojnë se në rast se do të kërkojnë të kthejnë rrotën e historisë pas, duke i bërë një sfidë arrogante vullnetit të nacionit shqiptar për të bërë Rilindjen e vërtetë Nacionale, atë Albano-Kristiane, të konceptuar së pari si restaurim shpirtëror, duhet t’ u bëhet e qartë se do të shtypen nga rrota e historisë. Ata duhet të marrin statusin e emigrantit dhe shteti duhet të gjejë mënyra informale për t’ i detyruar që të paguajnë xhisjen, ashtu siç e paguan shqiptarët kristianë dikur. Këta po abuzojnë me altruizmin e shqiptarëve dhe duan të mbajnë peng të ardhmen e nacionit shqiptar. Ne nuk kemi pse të vuajmë më në Kalvarin e Gjysmëhënës për hir të këtyre njerëzve. Jemi ne shqiptarët kristianë dhe ish-muslimanë që po i durojmë shumë këta islamikët që po abuzojnë me tolerancën tonë. Ne po durojmë një fe, në librin e shenjtë të së cilës (Kuran)thuhet se burri duhet ta rrahë gruan, një fe profeti i së cilës, Muhamedi është martuar me një vajzë 9 vjece, e cila sipas vlerave morale dhe ligjore tona përbën krimin e pedofilisë. Por dhe tolerance ka një kufi.
Mos harrojnë Olsi Jazexhiu dhe ata që kundërshtojnë Nënën Tereze se kanë qenë shqiptarët muslimanë, në emër të të cilëve ata pretendojnë të flasin që në kryengritjet kundër Turqisë kanë kënduar:
“Thuji mor pashës e Allajbegit
S’ lidhen t’ birt e Skanderbegit”.
“T’ birt e Skanderbegit” që ndejtën në terrin e gjysmëhënës sot janë zgjuar dhe nuk mashtrohen më me përçarjtjet arabisht të ardhura nga shkretëtirat.





