Nga Kastriot Myftaraj
Në historinë e së majtës shqiptare Vlora(me “Vlorë“ këtu kuptoj rrethin tradicional të Vlorës, duke përjashtuar Himarën, që përbën historikisht një krahinë më vete) është “Jerusalemi“, tempulli ku e ka origjinën fuqia dhe legjitimiteti. Nëse do të kërkosh datëlindjen e së majtës shqiptare do ta gjesh me krijimin e Partisë Popullore në vitin 1920, në krye të së cilës u vu një vlonjat, Qazim Kokoshi. Kjo zgjedhje nuk ishte një gjë e rastësishme. Në atë kohë dallimi e djathtë-e majtë në Shqipëri ishte në sensin e Francës revolucionare të pas vitit 1789, pra midis aristokracisë që kishte pushtetin dhe shtresave të mesme dhe të ulëta, që aspironin për barazi shoqërore. Lufta e Vlorës e vitit 1920 kundër italianëve, e cila u drejtua nga njerëzit e shtresës së mesme dhe u bë nga njerëzit e shtresës së ulët, prodhoi një forcë mikste të këtyre dy shtresave, të përbërë kryesisht nga intelektualë dhe bujq, e cila donte ndryshime shoqërore dhe që nuk pajtohej me dominimin politik dhe ekonomik të aristokracisë. Kjo forcë mikste u bë baza e së majtës shqiptare.
Kjo ka qenë arsyeja që kryetari i parë i Partisë Popullore u bë një vlonjat. E majta shqiptare e kohës kishte nevojën për Vlorën si forcë, prandaj edhe në mënyrë simbolike, në krye të partisë së parë të majtë nuk mund të ishte veçse një vlonjat. Por kjo ishte një gjë fiktive. Lidershipi i së majtës shqiptare të asaj kohe ishte i dubluar. Pas lidershipit zyrtar të Partisë Popullore qëndronte një lidership i fshehtë i bashkuar në një organizatë sekrete që u bë e njohur si “Klika” dhe që përbëhej kryesisht nga njerëz me origjinë nga Shqipëria e Jugut, por jo nga Vlora. “Klika” donte ta përdorte Vlorën si forcë, por nuk donte që në krye të Partisë Popullore të dilte një lider i fortë nga Vlora, pasi liderët e “Klikës” donin që kontrollin real të së majtës ta kishin vetë. Prandaj në krye të Partisë Popullore nuk u vu lideri më i fortë politik vlonjat i asaj kohe, një nga drejtuesit kryesorë të Luftës së Vlorës, Qazim Koculi, por një njeri apatik si Qazim Kokoshi. Shpejt edhe Qazim Kokoshi u quajt si i rrezikshëm dhe ai u largua nga drejtimi i Partisë Popullore duke u zëvendësuar nga Fan Noli, i cili më pas u zëvendësua nga Sejfi Vllamasi.
“Klika” që drejtonte efektivisht Partinë Popullore, derisa e lajkatonte shumë Vlorën nuk u jepte pushtet real njerëzve të saj, duke mos u dhënë poste të rëndësishme. Asnjë vlonjat nuk ishte në Këshillin e Naltë (kryesia kolektive e shtetit prej katër vetësh) dhe as në postet e rëndësishme në kabinetet qeveritare që ndërroheshin shpesh. Kjo ishte arsyeja që grupi më aktiv politik i Partisë Popullore nga Vlora, me në krye Qazim Koculin, në dhjetor 1921 u bashkua me një konspiracion politik për rrëzimin e qeverisë, si pasojë e të cilit erdhi në pushtet për një natë e vetmja qeveri në historinë e Shqipërisë e drejtuar nga një vlonjat pas asaj të Ismail Qemalit, qeveria e Qazim Koculit. Qazim Koculi u detyrua që të jepte dorëheqjen nga posti i kryeministrit pas presionit nga “Klika” dhe ironikisht, largimi i tij i hapi rrugën e pushtetit njeriut që edhe pse kishte infiltruar tek Partia Popullore, po vinte duke u profiluar si lideri i vërtetë i së djathtës konservatore aristokratike të kohës, Ahmet Zogut.
Qazim Koculi ishte i vetmi politikan i së majtës së kohës, që i kishte të gjitha cilësitë, duke përfshirë forcën dhe energjinë, për t’ u përballur me Ahmet Zogun dhe për t’ i prirë së majtës në luftën për çrrënjosjen e feudalizmit nga politika dhe shoqëria shqiptare. Aq shumë ishte obseduar “Klika” nga rreziku i daljes së një lideri të fortë, edhe pse antifeudal, nga Vlora, saqë mënjanoi Qazim Koculin dhe ngriti në pushtet më makiavelikun e aristokratëve, Ahmet Zogun. As Ahmet Zogu nuk e pëlqente Vlorën. Në qeverinë “Zogu”, që qëndroi në pushtet nga dhjetori i vitit 1922 deri në shkurt 1924, nuk kishte asnjë vlonjat. Kështu u pa qartë se konflikti brenda së majtës kishte sjellë në pushtet më të rrezikshmin e aristokratëve, Ahmet Zogun, i cili veç të tjerash tashmë kishte marrë në dorë edhe Partinë Popullore. Edhe në këto rrethana, e majta nuk u bashkua. Nga krahu i majtë i kësaj partie u krijuan disa formacione politike, si Partia Liberale, e cila kishte në krye Fan Nolin, ndërsa në Vlorë u krijua grupi antifeudal i quajtur “pa bej e pa pashë” me në krye Qazim Koculin.
Problemet e së majtës u thelluan se të majtët vlonjatë, në vend që të bënin diçka për të ulur frikën e pjesës tjetër të së majtës nga sundimii mundshëm i tyre, bënë të kundërtën, duke kërkuar që Vlora të shpallej kryeqytet, gjë që e mbështeti dhe Fan Noli, me sa duket për t’ i bërë për vete vlonjatët. Ky ishte një gabim sepse, aq më tepër në një vend me një sistem rrugor shumë të keq siç ishte Shqipëria, kryeqyteti duhej të ishte në qendër të vendit dhe jo në skaj të tij. Kërkesa e vlonjatëve nuk mundet që mos të shihej nga pjesa tjetër e së majtës dhe nga gjithë shqiptarët, si e ardhur nga prapamendimi për dominim.
E majta u bashkua vetëm pas e vrasjes së Avni Rustemit që u varros në Vlorë, duke iu konfirmuar këtij qyteti statusi si “Jerusalemi” i së majtës, që tashmë kishte edhe “varrin e Krishtit”. Me këtë rast në Vlorë shkuan të gjithë deputetët e opozitës antizogiste dhe në fjalimet mbi varrin e Avni Rustemit u elaborua idea e së majtës shqiptare të kohës që kishte si pikënisje apelin për kryengritje për t’ u marrë pushtetin feudalëve. Nga Vlora filloi Revolucioni i vitit 1924, që e çoi të majtën në pushtet në Tiranë, në qershor 1924.
Por nga revolucioni doli një qeveri e dobët, me në krye Fan Nolin, i cili kishte cilësitë e ideologut, por jo të shtetarit me “dorë të fortë”, që e kërkonte koha. Njeriu i fortë i Vlorës, Qazim Koculi, hyri në qeveri në postin e dorës së dytë të ministrit të punëve botore dhe të bujqësisë. Në rrethanat e kaosit të pashpresë në të cilin gjendej vendi, të apatisë së qeverisë së Nolit dhe të rrezikut të revanshit të Zogut, pjesa radikale e së majtës kërkonte që në krye të qeverisë dhe të shtetit të vinte Qazim Koculi, si kreu i një diktature jakobine. Por frika nga lideri i fortë vlonjat bëri që pushteti revolucionar të parapëlqente “vdekjen e paralajmëruar” nga intervencioni i Ahmet Zogut, se shpëtimin nga “dora e fortë” e Qazim Koculit. Qazim Koculi do ta mbyllte karrierën e vet tragjike si një i majtë antifashist në vitin 1943, kur edhe pse ishte një funksionar i lartë i qeverisë së Mustafa Krujës, ai u pushkatua nga forcat proitaliane, i akuzuar se kishte ndihmuar komunistët.
Komunizmi shqiptar, që nga koha e rritjes së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati me Vlorën po atë raport të komplikuar si e majta e viteve ’20. Ata që krijuan PKSH-në në 1941, kishin shumë shpresa tek Vlora, për shkak të traditës së saj të majtë, për ta përdorur si forcë të komunizmit shqiptar dhe të lëvizjes partizane, por megjithatë në Komitetin Qendror të parë të PKSH, të përbërë prej shtatë vetësh, nuk kishte asnjë vlonjat. E pra atje kishte deri edhe një minoritar maqedon, Kristo Themelko.
Në Plenumin II të Komitetit Qendror të PKSH që u mbajt në Berat, në tetor 1944, u tha se lidershipi i PKSH ishte uzurpuar nga një klikë e përbërë kryesisht nga Enver Hoxha dhe Miladin Popoviqi dhe ku sipas rastit bënin pjesë edhe njerëz të tjerë. Është karakteristike se u përdor po ajo fjalë “klikë”, e cila qe përdorur për të përcaktuar grupin që uzurpoi lidershipin e Partisë Popullore në vitet ’20. Klika në krye të PKSH e shihte Vlorën si një forcë të së majtës dhe e lajakatoi shumë atë, por u kujdes që në krye të PKSH mos të dilte një lider i fortë nga Vlora. Pas krijimit të PKSH dhe fillimit të lëvizjes partizane, si lider i fortë komunist nga Vlora ishte duke u profiluar Sadik Premte, i cili u shqua si komandanti i së parës çetë partizane në rrethin e Vlorës dhe heroi i Luftës së Gjormit në dhjetor1942-janar 1943.
Sadik Premte, edhe pse ishte përjashtuar nga lidershipi i PKSH për shkak të formulës së kompromisit që u zbatua në mbledhjen themeluese, sipas së cilës nuk u zgjodhën në Komitetin Qendror krerët e ish-grupeve komuniste, përsëri po imponohej si lider me forcën dhe energjinë e tij dhe rruga e tij për në lidership mbetej gjithsesi e hapur pasi ai e pa se formula e nëntorit 1941 u cënua në Konferencën I të PKSH, në mars 1943, kur Vasil Shanto, një nga ish-krerët e grupeve, u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror.
Ndërsa nga Vlora në Komitetin Qendror u zgjodh Hysni Kapo, i cili nuk i kishte cilësitë e një lideri të fortë dhe energjik dhe ishte më tepër një burokrat partiak pa një protagonizëm të theksuar politik. Kjo ishte një zgjedhje sipas modelit “Qazim Kokoshi”, pra e një lideri të dobët për një zonë të fortë. Hysni Kapo ishte pikërisht njeriu që i duhej Enver Hoxhës për ta patur në krah si lider që përfaqësonte Vlorën dhe për të cilin ishte i sigurt se nuk do ta përdorte forcën e Vlorës për të dalë në krye të PKSH. Ndërsa Sadik Premte ishte si të thuash “Qazim Koculi” i PKSH. Në Konferencën I të Vendit të PKSH, që u mbajt në Labinot në mars 1943, ku u zgjodh për herë të parë Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKSH, si forumi më i lartë drejtues i kësaj partie, nga të gjashtë anëtarët e saj, asnjëri nuk qe vlonjat, edhe pse Vlora tashmë shihej si bastioni kryesor i lëvizjes komuniste dhe partizane.
Kur e pa se u shkel në dëm të tij kompromisi i nëntorit 1941, Sadik Premte duket se dyshoi që formula ishte sajuar për të përjashtuar nga lidershipi i PKSH në 1941, atë njeriun e fortë të Vlorës, që ishte një nga krerët e Grupit të “Të Rinjve”. Atëhere Sadik Premte u rebelua kundër klikës në krye të PKSH, në atë që në historiografinë zyrtare komuniste quhet “fraksioni i Vlorës”. Premte arriti që të bënte për vete pjesën më të madhe të komunistëve aktivë të Vlorës dhe Çetën Plakë të Vlorës, duke u thënë se Vlora kishte një përfaqësim fiktiv në lidershipin e PKSH dhe se Vlorën po kërkonin që ta përdornin, duke mos i dhënë atë që e meritonte.
Enver Hoxha i dha aq rëndësi këtij incidenti sa u nis vetë nga Tirana për të drejtuar aksionin për eliminimin e “fraksionit”, në maj-qershor 1943. Eliminimi i lëvizjes së Premtes u bë me metoda mafioze, me anë të vrasjeve dhe kërcënimeve. Premte dhe njerëzit e tij u etiketuan si “trockistë”, një etiketë e parapëlqyer kjo e stalinistëve kur ishte fjala për të eliminuar rivalët në luftën për pushtet, edhe kur ata janë të të njëjtit lloj, pra stalinistë, siç ishte në fakt Premte. Me asgjesimin e lëvizjes së Premtes mori fund tentativa e fundit serioze e Vlorës për të siguruar një përfaqësim meritor në lidershipin komunist dhe të së majtës në përgjithësi, deri në ditët tona. Enver Hoxha, në ditët kur qëndroi në zonën e Vlorës për të eliminuar “fraksionin” piketoi ndër njerëzit që e ndihmuan për ta bërë këtë, disa vetë pa staturë lideri të fortë, si Hysni Kapo, Manush Myftiu, Rrapo Dervishi, të cilët do t’ i ngrinte në hierarkinë e pushtetit komunist, për t’ i pasur si përfaqësues të parrezikshëm të Vlorës. Përjashtim bënte Kadri Hazbiu, karriera e të cilit gjithsesi vërteton këtë tezë për arsye që do t’ i shpjegoj më tutje.
Në Kongresin e Përmetit, në maj 1944, ku u krijua struktura e pushtetit komunist dhe u bë ndarja e posteve në hierarkinë e saj, Vlora ishte e përjashtuara e madhe. Gjirokastriti Enver Hoxha mbajti për vete postet e kryetarit të qeverisë (Komiteti Antifashist Nacional-Çlirimtar ishte ekuivalenti i qeverisë), ministrit të mbrojtjes dhe të Komandantit të Përgjithshëm,. Duke i dhënë gjirokastritit tjetër Omer Nishani postet e kryetarit Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacional-çlirimtar, ekuivalenti i kryetarit të shtetit, si dhe postin e ministrit të punëve të jashtme. Në qeverinë “Hoxha 1” nuk kishte asnjë anëtar vlonjat. E pra, ishte paradoksale që Vlora me peshën e saj të madhe në lëvizjen komuniste dhe partizane, si forca e armatosur kryesore e saj, mungonte tërësissht në nivelet e larta të lidershipit komunist, Byronë Politike dhe qeveri. Kjo mund të shpjegohej me faktin se dyshja Enver Hoxha-Koçi Xoxe që kontrollonte lidershipin e atëhershëm komunist, si një aleancë gjirokastrito-korçare(ortodokse) i trembej Vlorës, ndonëse donte ta përdorte. Edhe në qeverinë “Hoxha 2” të krijuar pas zgjedhjeve të dhjetorit 1945, nuk kishte asnjë vlonjat, në ndërkohë që kishte dy ministra nga Himara, Spiro Koleka dhe Gogo Nushi.
Është sinjifikative se edhe ndëshkimi i kundërshtarëve politikë nga ana e pushtetit komunist pas luftës, ka episode që tregojnë se Enver Hoxha donte t’ i jepte mesazhve Vlorës se asnjë vlonjat nuk duhej të guxonte që të ngrihej deri në postin e liderit të së majtës në Shqipëri. Kështu, ish-kryetari i Partisë Popullore në vitet ’20, Qazim Kokoshi, edhe pse pa aktivitet antikomunist gjatë Luftës së Dytë Botërore, u arrestua dhe vdiq në burgun komunist, ndërsa ish-kryetari i Partisë Fashiste Shqiptare Tefik Mborja doli gjallë nga burgu dhe të të afërmit e tij morën të drejtën e studimit në shkollat e larta nga regjimi komunist.
Vetëm kur filloi të shkallëzohej konflikti për pushtet mes Enver Hoxhës dhe Koci Xoxes që kontrollonte Sigurimin e Shtetit, Enver Hoxha filloi të kërkonte mbështetjen e Vlorës. Si pasojë, në vitin 1946, në Byronë Politike hyri për herë të parë një vlonjat, Hysni Kapo, por ai ishte ende jashtë qeverisë. Pesha e vlonjatëve në lidershipin e partisë dhe të komunist u rrit pas eliminimit të klanit korçar ortodoks të Koci Xoxes, por gjithsesi prania e vlonjatëve në lidership mbetej modeste. Në Byronë Politike prej nëntë vetësh të dalë nga Kongresi I i PPSH në nëntor 1948, kishte vetëm një vlonjat, Hysni Kapo, por ai nuk ishte një prej katër sekretarëve të Komitetit Qendror, kur dihet se sekretariati ishte organi që e drejtonte vërtet partinë, si ekzekutivi i Komitetit Qendror. Në ndërkohë në Byronë Politike kishte dy anëtarë nga një fshat i Himarës, Vunoi, Gogo Nushi dhe Spiro Koleka, të cilët ishin dhe ministra. Kjo ishte një fyerje e posaçme e Vlorës që shikonte se nuk vlente as sa një fshat i Himarës.
Pas eliminimit të Koci Xoxes Enver Hoxha zgjodhi si numrin 2 të regjimit jo vlonjatin Hysni Kapo, por Mehmet Shehun, të cilit i dha dy poste-ky, atë të ministrit të brendshëm, duke qenë njëherësh dhe zëvendëskryeministër, si dhe postin e sekretarit të Komitetit Qendror. Sigurisht që Mehmet Shehu ishte një lider më i fortë, energjik dhe karizmatik se Hysni Kapo, por problemi është se Enver Hoxha ishte kujdesur qëllimisht që Vlora mos ta nxirrte një lider të tillë. Vlonjati i pari që hyri në qeveri ishte Manush Myftiu, një lider apatik dhe pa karizmë, i cili në vitin 1941 u bë ministër pa portofol dhe kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit, post të cilin e la pas dy vjetësh, në 1951. Në vitin 1950 në qeveri hynë dy vlonjatë, Hysni Kapo si zëvendëskryeministër që më pas, në 1951 u bë ministër i bujqësisë, si dhe Rrapo Dervishi si ministër i ndërtimeve, ndërsa në vitin 1951 Manush Myftiu u bë zëvendëskryeministër pa portofol. Por, përsëri vlonjatët vazhdonin të mbaheshin larg posteve kryesore në parti dhe qeveri dhe ata që mbanin poste qenë njerëz pa profil të lartë. Regjimi komunist e lajkatonte shumë Vlorën duke e glorifikuar për luftën e saj të madhe kundër fashizmit, për dëshmorët që kishte dhënë më shumë se cdo krahinë në Shqipëri, por akcesin në pushtet ia kufizonte.
Vijon
Vijon
Vlora-e glorifikuar nga Enver Hoxha, por në shënjestër për t’ u eliminuar nga udhëheqja
Nga Kastriot Myftaraj
Në Kongresin II të PKSH që u mbajt në vitin 1952, nuk u pranua asnjë vlonjat tjetër si anëtar i Byrosë Politike. Nga tre kandidatët që u pranuan në Byronë Politike njëri ishte vlonjat, Manush Myftiu. Për herë të parë në vitin 1952 një nga sekretarët e Komitetit Qendror u zgjodh një vlonjat, Manush Myftiu, i cili e mbajti këtë post vetëm për dy vjet, deri në vitin 1954. Por Manush Myftiu ishte një njeri dinak, që duke e ditur dyshimin që krijonin tek Enver Hoxha liderët që krijonin klane nga vendi i tyre i origjinës, pothuajse nuk shkonte fare në Vlorë dhe nuk i ndihmoi kurrë vlonjatët, të cilët e quanin me përbuzje “armeni”.
Në vitin 1954, kur u bë një ndryshim i madh në lidershipin e partisë dhe të shtetit komunist, me ç’ rast Enver Hoxha duke ndjekur modelin poststalinian sovjetik të udhëheqjes kolegjiale hoqi dorë nga posti i kryeministrit, ai nuk ia lëshoi atë një vlonjati por Mehmet Shehut. Sigurisht që Mehmet Shehu ishte një “dorë e fortë”, një shtetar energjik dhe me karizmë, por regjimi ishte kujdesur që asnjë vlonjat me tëdhëna të tilla të ngjitej në shkallët e regjimit për të qenë kandidat për të marrë këtë post. Në qeverinë “Shehu”, për herë të parë një vlonjat, Kadri Hazbiu, mori postin e rëndësishëm të ministrit të punëve të brendshme, domethënë të shefit të Sigurimit të Shtetit. Është e qartë se Kadri Hazbiu, i cili ndryshe nga Kapo dhe Myftiu ishte një njeri energjik dhe i fortë me staturë prej lideri dhe shtetari, i duhej Enver Hoxhës për të balancuar Mehmet Shehun. Por është shumë domethënëse që Enver Hoxha, derisa e ngriti Hazbiun në një post të lartë shtetëror, u kujdes që ta mbante larg posteve të larta partiake.
Në Kongresin III të PPSH, në 1956, të gjithë prisnin që Kadri Hazbiu i cili që prej dy vjetësh ishte ministër i brendshëm të bëhej anëtar i Byrosë Politike, por ai nuk ishte as ndërmjet gjashtë kandidatëve që u zgjodhën në Byronë Politike, ndërmjet të cilëve ishte dhe Ramiz Alia! Me këtë Kadri Hazbiu dhe vlonjatët e morën të qartë mesazhin e Enver Hoxhës se postin që kishin marrë nuk duhej ta shikonin si një hap për t’ u ngjitur më lart drejt majës së hierarkisë së partisë dhe të shtetit. Kadri Hazbiu u bë kandidat i Byrosë Politike vetëm në Kongresin IV, në vitin 1961 dhe anëtar i Byrosë Politike vetëm në Kongresin V, në vitin 1971, në një kohë që ishte ministër i brendshëm prej 17 vjetësh!
Kështu, pozita e Vlorës në krye të hierarkisë së regjimit komunist ishte e dyshimtë. Kadri Hazbiu kishte një post të lartë shtetëror, por nuk qe në nivelin më të lartë të hierarkisë partiake, ndërsa Manush Myftiu i cili porsa kishte lëshuar një post të lartë në hierarkinë partiake, në vitin 1956 do të bëhej zëvendëskryeministër, post të cilin do ta mbante deri në vitin 1966, për ta lëshuar pastaj për një periudhë deri në vitin 1976, kur e rimori për ta mbajtur deri në vitin 1990.
Në Kongresin III të PKSH që u mbajt në vitin 1956, kur Enver Hoxha e pati kuptuar se për të kishin ardhur kohë të vështira pas presionit që i vinte nga Moska hrushoviane për t’ u larguar nga posti në kuadrin e ndryshimeve të liderëve të vënë nga Stalini në vendet komuniste, ai vendosi ta rritë pak praninë e Vlorës në krye të hierarkisë partiake, duke dashur të evitonte përdorimin e Vlorës si një forcë të pakënaqur kundër tij. Në vitin 1956 Hysni Kapo u bë sekretar i Komitetit Qendror, post të cilin nuk do ta humbte shpejt si vlonjati tjetër Manush Myftiu para dy vjetësh, por do ta mbante deri në vitin 1979. Në ndërkohë Kapo u largua nga qeveria. Por, me gjithë postin e lartë që mori në hierarkinë partiake Kapo nuk u bë kurrë një lider i vërtetë si Mehmet Shehu dhe mbeti deri në fund një burokrat partiak pa profil prej lideri, çka ishte pikërisht ai që i duhej Enver Hoxhës. Megjithatë Kapo ndryshe nga Myftiu i ndihmoi vlonjatët të zenë shumë poste në nivelet e mesme të hierarkisë së partisë dhe shtetit komunist, gjë për të cilën ata e donin atë. Enver Hoxha e përdori Hysni Kapon si ata që i venë të ecin për të zbuluar vendet e minuara, kur e çoi në Mbledhjen e Bukureshtit të ballafaqohej me Hrushovin, kur atje duhej të ishte Enver Hoxha, që evitoi të shkonte pasi donte të zbulonte se deri në ç’ pikë ishte e vërtetë prishja sovjeto-kineze. Në fakt, në vend të Kapos në Bukuresht duhej të shkonte Mehmet Shehu si nr. 2 pas Enver Hoxhës, por me sa duket Hoxha i trembej ndonjë marrëveshjeje të tij me Hrushovin, për ta larguar nga pushteti, gjë për të cilën Kapo nuk ishte i aftë.
Në Kongresin IV të PPSH, që u mbajt në vitin 1961, në kohën e prishjes me sovjetikët, edhe pse numri i anëtarëve të Byrosë Politike u rrit në njëmbëdhjetë, por anëtarët nga Vlora mbetën përsëri vetëm dy, ndërsa Kadri Hazbiu mbeti përsëri vetëm kandidat. Në ndërkohë prania e vlonjatëve në qeveri kishte rënë duke u përfaqësuar vetëm me një zëvendëskryeministër dhe një ministër. Në Kongresin VI të PPSH që u mbajt në vitin 1971, numri i anëtarëve vlonjatë të Byrosë Politike u rrit në tre me pranimin e Kadri Hazbiut anëtar, por edhe numri i anëtarëve të Byrosë Politike u rrit në trembëdhjetë vetë. Në perspektivë shihej një tendencë për ta reduktuar praninë e vlonjatëve në Byronë Politike, pasi asnjë nga tre kandidatët e Byrosë Politike nuk ishte vlonjat.
Në spastrimet që u kryen në ushtri Vlora, edhe pse numerikisht nuk u dëmtua shumë, u dëmtua cilësisht, pasi humbi dy kuadro të aftë me staturë prej shtetari, Hito Çakon dhe Halim Xhelon, që mbanin poste kyç në hierarkinë ushtarake. Por humbja më e madhe për Vlorën ishte vdekja e Hysni Kapos në vitin 1979. Për këtë vdekje janë bërë shumë spekulime, sikur ishte një eliminim mjekësor, por një gjë është e sigurt. Kjo vdekje erdhi në kohën e duhur për të lehtësuar manovrën e Enver Hoxhës për të përjashtuar Vlorën nga lidershipi komunist, si premisë për ngjitjen dhe qendrimin në pushtet të klanit të Ramiz Alisë. Hysni Kapo nuk ishte shumë i moshuar kur vdiq, vetëm 64 vjeç dhe me shëndet ai atëhere qe shumë më mirë se Enver Hoxha. Pas të gjitha gjasave vdekja e Hysni Kapos ishte një çështje e raison d’ etat komunist. Vakuumi që la vdekja e Hysni Kapos e bëri të dukshme se Enver Hoxha qëllimisht nuk ishte kujdesur që të ngrinte në nivelet e dyta të regjimit një persona me origjinë nga Vlora që në perspektivë mund të ishte zëvendësuesi i Hysni Kapos.
Që vdekja e Kapos ishte pjesë e manovrës për largimin e vlonjatëve nga lidershipi, kjo u kuptua kur në 1980, më pak se vit pas vdekjes së Hysni Kapos, vlonjati tjetër Kadri Hazbiu u largua nga posti i ministrit të punëve të brendshme për të marrë atë të ministrit të mbrojtjes. Ministria e Mbrojtjes porsa ishte spastruar tërësisht dhe mbushur me shërbëtorë të bindur të Enver Hoxhës, kështu që vajtja e Kadri Hazbiut në krye të kësaj ministrie nuk shihej si e rrezikshme, pasi atje ai i kishte duart e lidhura. Përndryshe qenia e tij në krye të ministrisë së brendshme, të cilën ai e kishte drejtuar për 26 vite, shihej si shumë e rrezikshme në kohën që Enver Hoxha do të bënte manovrën finale për të ndryshuar krejt lidershipin e regjimit dhe për të nxjerrë në krye Ramiz Alinë dhe grupin e tij. Me sa duket Enver Hoxha e shikonte si të dobishme që për të siguruar pushtetin e ekipit të Ramiz Alisë, vlonjatët të mënjanoheshin nga lidershipi.
Por këto ndodhnin në prapaskenë, ndërsa në atë që ishte e dukshme pritej që vendin e Hysni Kapos ta zinte kryeministri Mehmet Shehu, i cili pritej të qe pasardhësi i Enver Hoxhës në krye të regjimit komunist. Vendin e Kadri Hazbiut e zuri mallkastriti Feçor Shehu, gjë që nga Kadri Hazbiu dhe vlonjatët në përgjithësi u perceptua si një fuqizim arrogant i Mehmet Shehut, që ishte gjithashtu mallakastrit, në dëm të Vlorës. Por duket se Enver Hoxha, me diabolikën e vet e emëroi Feçor Shehun si pasuesin e Kadri Hazbiut për t’ i armiqësuar Kadri Hazbiun dhe vlonjatët me Mehmet Shehun dhe për t’ i përdorur për eliminimin e tij. Mënyra sesi i vuri Enver Hoxha Hazbiun dhe Shehun kundër njeri tjetrit është një leksion në makiavelizmin e aplikuar.
Tashmë Enver Hoxha ishte aq i sigurt në zotësinë e vet prej regjisori të dramaturgjisë së terrorit, saqë mund t’ i lejonte vetes që ta zhvendoste skenën e intrigës edhe në sheshet publike, ku t’ i vinte viktimat e ardhme të bënin lojën e tij, që ashtu si në tragjeditë greke do t’ i çonte më në fund në vdekjen e sigurt. Në Kongresin VIII të PPSH, që u mbajt në nëntor 1981, pozita e Mehmet Shehut tashmë qe tronditur shumë, pas kritikës që i ishte bërë për fejesën e djalit të tij me një familje të deklasuar. Duke dashur t’ i tregojë Kadri Hazbiut “karrotën” e trashëgimtarit të vet në pushtet, Hoxha i dha të drejtën që të mbajë fjalimin në mitingun tradicional që u mbajt në Tiranë, pas mbylljes së kongresit, gjë që normalisht, kur nuk e bënte Enver Hoxha duhej ta bënte Mehmet Shehu. Me këtë gjest, që së pari ishte i llogaritur të shërbente si një poshtërim publik për Mehmet Shehun, të gjithë, duke filluar nga Kadri Hazbiu kuptuan se Hazbiu do të ishte pasardhësi i Enver Hoxhës dhe se Hazbiu do të zëvendësonte Mehmet Shehun, në rast se ky binte nga pushteti, gjë që pritej të ndodhte shpejt. Me këtë Enver Hoxha siguroi bashkëpunimin e Kadri Hazbiut dhe të vlonjatëve që me humbjen e Hysni Kapos e shikonin atë si atin e tyre politik, për eliminimin e Mehmet Shehut.
Joshja ishte aq e madhe saqë nuk e la Kadri Hazbiun, zakonisht shumë racional, që të kuptonte se ai ishte duke përsëritur sfidën e Sadik Premtes në vitin 1943, në eliminimin e lëvizjes së të cilit Kadri Hazbiu kishte marrë pjesë në vitin 1943, në krah të Enver Hoxhës. Duke qenë brenda intrigave politike që nga viti 1943 dhe deri në 1981, madje për pjesën më të madhe të kohës në poste të larta, Kadri Hazbiu duhet ta kishte kuptuar “non plus ultra” që ishte shënuar në fatin e Vlorës politike tek e majta shqiptare, për postin e kreut të saj.
Por iluzioni ishte aq i fortë saqë nuk i la vlonjatët të shohin shenja ogurzeza për tan ë atë se në Kongresin VIII të PPSH, në nëntor 1981 në Byronë Politike nuk u pranua asnjë anëtar vlonjat për të plotësuar vakuumin e lënë nga Hysni Kapo. Edhe nga të pesë kandidatët e Byrosë Politike që zgjodhi ky kongres, asnjë nuk qe nga Vlora. Posti i sekretarit të Komitetit Qendror, i lënë bosh nga Hysni Kapo, që tashmë tradicionalisht i takonte Vlorës prej tre dekadash, nuk u zu në këtë kongres, jo më nga Mehmet Shehu, por as nga Kadri Hazbiu, siç mund të pritej. Nëse ka patur ose jo dorë Kadri Hazbiu në eliminimin e Mehmet Shehut për këtë vetëm mund të spekulohet, port ë gjitha gjasat janë që të ketë patur, pasi Enver Hoxha nuk e joshi kot publikisht me “karrotën” e pasardhësit në krye të regjimit.
Me eliminimin e Mehmet Shehut vlonjatët prisnin që postin e tij në krye të qeverisë ta merrte Kadri Hazbiu. Por vendin e Mehmet Shehut e mori pas disa javësh gjirokastriti Adil Çarçani. Adil Çarçani ishte në dukje një njeri apatik dhe me profil të ulët, por ai ishte një njeri shumë i sofistikuar që duhej të përfaqësonte në krye të regjimit Klikën gjirokastrite, që do të ishte mbajtësja e vërtetë e pushtetit pas vdekjes së Enver Hoxhës. Kjo klikë nuk mund të vinte një tjetër gjirokastrit në vendin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH që Enver Hoxha pritej ta linte bosh së shpejti, por ajo ishte e kënaqur që këtë vend ta zinte një njeri pa klan si Ramiz Alia, që duke qenë me origjinë boshnjake nuk kishte rrënjë në Shqipëri. Kadri Hazbiu ruajti postin e ministrit të mbrojtjes, por tashmë rënia e tij kishte filluar dhe kjo u kuptua kur vendin e lënë bosh nga Hysni Kapo në sekretariatin e komitetit qendror e zuri Lenka Çuko nga Lushnja.
Kadri Hazbiu ai u largua nga posti në tetor 1982, për t’ u eliminuar më pas, i akuzuar se kishte organizuar një atentat të dështuar ndaj Enver Hoxhës. Akuza ishte po e njëjta që Enver Hoxha i kishte bërë vlonjatit tjetër Sadik Premte në vitin 1943. Vendin e Hazbiut si ministër i mbrojtjes e zuri vllehu tiranas Prokop Murra. Me eliminimin e Kadri Hazbiut Vlora ishte në pikën më të ulët të pranisë së saj në hierarkinë e regjimit komunist, që nga viti 1952. Tashmë në Byronë Politike kishte vetëm një anëtar vlonjat, Manush Myftiu dhe nuk dukej se Enver Hoxha kishte prirje që ta rriste praninë e vlonjatëve në Byronë Politike derisa asnjë nga katër kandidatët e Byrosë Politike nuk qe vlonjat. Në qeveri prania e vlonjatëve konsistonte vetëm tek zëvendëskryeministri pa portofol Manush Myftiu, i cili ishte një politikan dhe shtetar i profilit të ulët.
Në këto rrethana erdhi vdekja e Enver Hoxhës, me ç’ rast në krye të regjimit doli Ramiz Alia, si një pasardhës dekorativ, pas të cilit sundonte Klika gjirokastrite. Duke qendruar mbi arkivolin e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha tha se ai e la partinë të pastër. Ajo mund të kishte shtuar se Enver Hoxha kur vdiq i la nivelet e larta të partisë dhe të shtetit, praktikisht të pastra nga vlonjatët, për komoditet të Klikës gjirokastrite. Këtë prirje e vazhdoi dhe Ramiz Alia. Në Kongresin IX, që u mbajt në nëntor 1986 u pranuan në Byronë Politike pesë anëtarë të rinj, por asnjëri prej tyre nuk qe vlonjat. Në Byronë Politike prej 13 nëtarësh që doli nga ky kongres kishte vetëm një vlonjat, Manush Myftiu, i cili tashmë ishte 67 vjeç dhe edhe për shkak të shëndetit të keq ishte apatik dhe dukej në perëndim të karrierës së vet. Asnjë nga të pestë kandidatët e Byrosë Politike që u zgjodhën në këtë kongres nuk ishte vlonjat. Asnjë nga të katër sekretarët e komitetit Qendror nuk ishte vlonjat. Viti 1986 shënoi nivelin më të ulët të përfaqësimit të Vlorës në hierarkinë e partisë dhe të shtetit komunist që nga viti 1949.
Në korrik 1990, në procesin e ndryshimeve politike u largua nga Byroja Politike i vetmi anëtar vlonjat që kishte mbetur në të, Manush Myftiun. Por asnjë nga të tre anëtarët e rinj që u pranuan në Byronë Politike për të zëvendësuar të larguarit, nuk ishte vlonjat. Kështu Vlora, për herë të parë që nga viti 1945 mbeti pas asnjë anëtar në Byronë Politike. Vlonjatët bënin shaka duke thënë se tash ishin katandisur që të përfaqësoheshin në Byronë Politike me një dhëndërr Vlore, duke qenë se anëtari i ri i Byrosë Politike, Xhelil Gjoni ishte dhëndërr në Vlorë. Gjatë kohës që funksionoi Byroja Politike, nga viti 1943 në vitin 1991, Vlora ka pasur tre anëtarë në të: Hysni Kapo, Manush Myftiu dhe Kadri Hazbiu. Ndërsa Gjirokastra ka pasur gjashtë anëtarë dhe Korca tetë anëtarë. Anëtarët nga Vlora kanë pasur vite anëtarësie si vijon: Hysni Kapo (33 vite anëtarësi), Manush Myftiu (34 vite anëtarësi), Kadri Hazbiu (11 vite anëtarësi). Të gjithë këta së bashku kanë pasur 78 vite anëtarësi, pra afërsisht sa dy anëtarët nga një fshat i Himarës, Vunoi (Spiro Koleka, Gogo Nushi), të cilët patën së bashku 57 vite anëtarësi në Byronë Politike.
Gjatë 47 viteve të regjimit komunist në postin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PKSH (PPSH) qendruan dy persona dhe asnjëri prej tyre nuk qe vlonjat, në postin e kryeministrit qendruan tre persona dhe asnjëri prej tyre nuk qe vlonjat, në postin kryetarit të shtetit (kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor) qëndruan tre persona dhe asnjëri prej tyre nuk qe vlonjat. Kjo është paradoksale po të mendosh peshën që zinte Vlora në ardhjen e komunizmit në pushtet dhe në qendrimin e tij në pushtet. Por është edhe domethënëse për atë se Klika gjirokastrite që kontrollonte regjimin komunist në kohën e Enver Hoxhës dhe pas vdekjes së tij, i trembej Vlorës.
Vijon
Vijon
Pse PS nuk i ka dhënë kurrë Vlorës postet e kryeministrit, nr. 1 dhe nr.2 të partisë, kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës
Nga Kastriot Myftaraj
Pas vendosjes së pluralizmit politik, me tensionimin e situatës politike në fillim të vitit 1991 me konfliktin për figurën e Enver Hoxhës, lidershipi i regjimit komunist iu rikthye sërish Vlorës për ta lajkatuar dhe përdorur. Në një takim që bëri në Vlorë në 13 shkurt 1991, Ramiz Alia u shpreh se në rast se në Tiranë do të cënohet figura e Enver Hoxhës, duke u rrëzuar shtatoret e tij, atëhere të gjithë ata që janë ithtarë të Enver Hoxhës do të shkojnë në Vlorë për ta bërë Vlorën kryeqytet. Kjo ishte një deja vu e vitit 1924, me gjasë e llogaritur për të përsëritur skenarin e Revolucionit të këtij viti për të marshuar nga Vlora në Tiranë. Por Vlora, madje edhe shtresa e majtë, ishte e zemëruar me largimin nga nivelet e larta që i kishte bërë Klika gjirokastrite prandaj në zgjedhjet e para pluraliste të marsit 1991 votoi më shumë për opozitën, duke fituar PD më shumë deputetë se PPSH në rrethin e Vlorës. PD fitoi në 8 nga 14 zonat elektorale të rrethit të Vlorës.
Edhe pasi e mori këtë mesazh, Klika gjirokastrite në krye të PPSH, edhe pse iu rikthye ta lajkatonte Vlorën si bastioni tradicional i së majtës komuniste dhe lëvizjes partizane, nuk kishte ndërmend që t’ i përfshinte vlonjatët në lidershipin e ri të projektuar për të marrë drejtimin e PPSH që do të reformohej, duke u shndrruar në një parti të llojit socialdemokrat. Klika gjirokastrite, e cila fshihej pas Ramiz Alisë, përcaktoi si liderin e ri të së majtës gjirokastritin Fatos Nano. Në lidershipin e ri të dalë në qershor 1991 nga kongresi që reformoi PPSH-në në PS, nuk kishte asnjë vlonjat mes katër liderëve kryesorë, kryetarit dhe tre nënkryetarëve. Po ashtu, në kryesinë prej 15 anëtarësh, nuk kishte asnjë vlonjat që të kishte premisa për t’ u bërë lider politik. Në vitin 1991 PS emëroi tre kryeministra (Fatos Nano, Ylli Bufi dhe Vilson Ahmeti) dhe asnjëri prej tyre nuk qe vlonjat.Kjo tregonte se Klika gjirokastrite që mori kontrollin e PS-së në këtë kongres, vazhdonte traditën e së majtës shqiptare për ta mbajtur Vlorën të mënjanuar nga lidershipi i së majtës. Edhe në lidershipin e FRESSH, organizatës së të rinjve socialistë që u krijua në fillim të vitit 1992, nuk ishte përfshirë asnjë vlonjat me të dhëna për t’ u bërë lider, çka tregonte se edhe këtu kishte vepruar po kjo skemë. Sigurisht që këto influencuan në votën e Vlorës pro opozitës në zgjedhjet parlamentare të marsit 1992. Në zgjedhjet parlamentare të marsit 1992 PD i fitoi të gjashtë zonat elektorale të rrethit të Vlorës.
Në prill 1992, në kongresin që zhvilloi PS pas humbjes së zgjedhjeve dhe ku pati ndryshime në lidership, duke u zgjedhur një nënkryetar dhe sekretari i përgjithshëm, asnjë prej këtyre nuk qe vlonjat, duke mbetur kështu Vlora pa asnjë përfaqësues në lidershipin e partisë, të përbërë nga kryetari, dy nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm. Në kryesinë prej 15 anëtarësh që u ridizenjua në këtë kongres, vlonjati më i shquar që hyri ishte Sabit Brokaj. Kjo ishte një zgjedhje e qëllimshme e Klikës gjirokastrite për ta mbajtur Vlorën me një përfaqësim fiktiv dhe jo të rrezikshëm në lidershipin e PS-së. Sabit Brokaj, edhe pse një intelektual i kultivuar, nuk ka një profil prej lideri. Edhe pse është vlonjat, ai nga natyra nuk ka tiparet e burrit lab, forcën dhe energjinë. Pikërisht për këtë u zgjodh ai, duke dashur që të evitohej kombinimi i një burri të fortë dhe energjik, që përfaqësonte një zonë me njerëz të fortë dhe energjikë. Edhe në lidershipin e FRESSH-it që u zgjodh në kongresin e majit 1992 nuk kishte asnjë vlonjat mes kryetarit dhe nënkryetarëve dhe kështu ka mbetur në të gjitha ndryshimet që janë bërë, deri më sot.
Mosdashja për t’ i dhënë Vlorës akces në nivelin më të lartë të lidershipit të PS-së u duk qartë në vitin 1993, kur u shtuan dhe dy nënkryetarë të partisë dhe asnjë prej tyre nuk qe vlonjat. Ishte e çuditshme që në shtatë veta të nivelit më të lartë të lidershipit të partisë që e quante Vlorën si bastionin e saj kryesor, nuk kishte asnjë vlonjat, aq më tepër kur tashmë edhe Skrapari përfaqësohej me një nënkryetar, Ilir Metën. Edhe në kongresin e PS-së të vitit 1996 përsëri asnjë vlonjat nuk mori post në nivelin e lartë të lidershipit, gjë që ishte mjaft mbresëlënëse, kur shihej se nr. 2 në parti u bë Rexhep Meidani. Në kryesinë e dalë nga ky kongres prurja e re me nivel më të lartë nga Vlora ishte Eduard Alushi. Sigurisht që ky nuk i kishte cilësitë për t’ u bërë në perspektivë një lider i partisë dhe ai nuk u zgjodh mw nw kryesinw e PS-sw pas vitit 1999. Klika gjirokastrite vazhdonte të kujdesej që ta mbante Vlorën larg lidershipit të partisë.
Edhe pse Vlora u mbajt larg lidershipit të PS-së, ajo u përdor dhe u lajkatua shumë nga lidershipi i së majtës në revoltat e vitit 1997, në të cilat u rrëzua pushteti i PD-së. Në këto ngjarje Vlora luajti po atë rol si në vitin 1924, duke u bërë faktori kryesor i triumfit të lëvizjes të së majtës për përmbysjen e pushtetit të Berishës. Në 9 qershor 1997, në mitingun e së majtës në Sheshin e Flamurit, kryetari i PS-së, gjirokastriti Fatos Nano u përkul para popullit të Vlorës në shenjë mirënjohjeje për atë që kishte bërë në janar-mars 1997. Por, me ardhjen në pushtet të së majtës në qershor 1997, Klika gjirokastrite u kujdes që ta mbante Vlorën larg posteve të larta. Asnjë nga tre postet e larta shtetërore, ai i Presidentit të Republikës, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit nuk u zu nga një vlonjat. Edhe posti nr. 2 i PS-së, ai i sekretarit të përgjithshëm, i lënë bosh nga Meidani në korrik 1997, pasi ky u bë President i Republikës, nuk u zu nga një vlonjat, por nga Pandeli Majko, njeriu i Klikës gjirokastrite, i cili kërkon që me çdo mënyrë ta bëjë veten të duket se është gjirokastrit, siç bëri në 11 dhjetor 2006, kur than ë emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në “Vizion Plus”: “Siç themi ne andej nga Gjirokastra”.
Në qeverinë prej 18 ministrash të kryesuar nga Fatos Nano, që u krijua pas zgjedhjeve të qershorit 1997, kishte tre njerëz me origjinë nga Vlora: Sabit Brokaj(ministër i mbrojtjes), Lufter Xhuveli(ministër i bujqësisë) dhe Arben Imami (ministër i reformës institucionale). Nga këta vetëm Brokaj kishte një portofol të rëndësishëm, ndërsa Imami drejtonte një ministri fiktive. Sa për Arben Malajn, ai është me origjinë nga Tepelana, i ardhur në Vlorë.
Por Brokaj e mbajti postin e vet vetëm nëntë muaj, se u largua nga qeveria pas inskenimit të një skandali që duket se u bë nga Klika gjirokastrite progreke, për shkak se ai Brokaj pati firmosur marreveshjen me të cilin në bazën detare të Pasha-Limanit (Vlorës) do të vendoseshin forcat ushtarake turke. Në qeverinë e re Nano, të rikrijuar në prill 1998, mbetën vetëm dy ministra me origjinë nga Vlora, Lufter Xhuveli dhe Arben Imami, ose më saktë vetëm një pasi ministria e Imamit ishte fiktive.
Në qeverinë “Majko 1” të vitit 1998, të krijuar pas dorëheqjes së Nanos, Vlora vazhdonte të përfaqësohej nga ministrat Xhuveli dhe Imami, me të njëjtat portofole, pra vetëm me një pasi ai i Imamit ishte fiktiv. Klika gjirokastrite përsëri e kishte mënjanuar Vlorën nga postet e larta. Në kongresin e PS-së në 1999, ku për herë të parë u votua më shumë se një kandidat për kryetar të partisë, të dy kandidatët kryesorë Fatos Nano dhe Pandeli Majko ishin gjirokastritë, po ta marrim të mirëqënë atë që thotë Majko se është gjirokastrit. Asnjë nga tre kandidatët për kryetar nuk qe vlonjat. Kështu u bë e qartë se gara për kreun e partisë u shndrrua në një garë brenda Klikës gjirokastrite. As posti nr. 2 i partisë, ai i sekretarit të përgjithshëm nuk u zu nga një vlonjat. Në kryesinë e PS-së prej 15 anëtarësh Vlora përfaqësohej vetëm nga Makbule Ceco, e cila edhe pse intelektuale e kultivuar nuk i kishte cilësitë për t’ u bërë në perspektivë një lidere e së majtës, aq më tepër që ishte femër. Edhe njëherë Klika gjirokastrite tregoi se u trembej burrave të Vlorës.
Por poshtërimi më i madh që iu bë Vlorës në historinë e së majtës shqiptare erdhi në vitin 1999, kur pas dorëheqjes së Majkos, i erdhi rradha edhe një skraparliu si Ilir Meta që të bëhet kryeministër i PS-së dhe nuk u bë një vlonjat. Në qeverinë “Meta 1“ të krijuar në vitin 1999, nga Vlora kishte dy ministra, por që të dy mbanin portofole të dorës së dytë: Makbule Çeço u bë zëvendëskryeministre dhe ministre e punës dhe çështjeve sociale dhe Lufter Xhuveli që ruajti ministrinë e bujqësisë. Makbule Çeço sigurisht që ishte një intelektuale mjaft e kultivuar, por ajo nuk kishte cilësitë për të qenë në perspektivë një lidere e PS-së dhe pikërisht për këtë qe zgjedhur. Në qeverinë e majtë të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001 dhe të kryesuar përsëri nga Ilir Meta, Vlora përfaqësohej me vetëm një ministër, Arben Imamin, që mbante një portofol të dorës së tretë, atë të pushtetit vendor dhe decentralizimit. Në qeverinë “Majko 2“ të krijuar në shkurt 2002 pas dorëheqjes së detyruar të Ilir Metës, nga 19 ministra, vetëm dy ishin nga Vlora, Fatmir Xhafa, i cili mbante portofolin e rregullimit të territorit dhe të turizmit, si dhe Lufter Xhuveli i cili mori ministrinë e mjedisit.
Tashmë personat me profil më të lartë në PS, me origjinë nga Vlora, ishin Fatmir Xhafa dhe Besnik Dervishi. Por asnjë prej tyre nuk kishte staturën e një lideri politik që në perspektivë mund të bëhej drejtues i PS-së. Madje, në një analizë të sofistikuar, edhe këta të dy ishin zgjedhur qëllimisht nga Klika gjirokastrite se nuk ishin njerëz të llojit të stereotipit të burrit lab, të fortë dhe energjik, duke rrezikuar që të aspironin dhe arrinin daljen në krye të PS-së.
Në qeverinë e Fatos Nanos të krijuar në vitin 2002, nga të 20 ministrat, nga Vlora ishin dy, Besnik Dervishi, i cili mbante portofolin e rregullimit të territorit dhe turizmit, si dhe Lufter Xhuveli, i cili mbante portofolin dorës së dytë të mjedisit. Pra, realisht Vlora përfaqësohej vetëm me një ministër në kabinet. Qeveria “Nano” e vitit 2002, e krijuar pas kompromisit të Nanos me Metën, që u bë nënkryetar i qeverisë, ishte poshtëruese për Vlorën, pasi Vlora gjendej në hije në një qeveri që ishte një kompromis gjirokastrito-skraparas.
Në kongresin e PS-së që u mbajt në dhjetor 2003 Vlora ishte përsëri e mënjanuara e madhe. Përsëri asnjë nga tre personat që konkuruan për postin e kryetarit të PS-së, Fatos Nano, Rexhep Meidani dhe Edi Rama, nuk ishte vlonjat. Vlonjatët nuk arritën që të zenë dot jo vetëm postin nr. 2 të partisë, atë të sekretarit të përgjithshëm, por asnjë nga vendet e sekretarëve të tjerë të rëndësishëm, si atë organizativ, të marrëdhënieve me jashtë, marrëdhënieve publike, madje asnjë nga të shtatë sekretarët e PS-së nuk ishte vlonjat. Në kryesinë e PS-së prej 15 anëtarësh kishte dy vlonjatë, Makbule Ceco dhe Fatmir Xhafa, por asnjë prej tyre nuk kishte staturë prej lideri potencial. Dhe me ndryshimet që bëri Fatos Nano në qeveri, në vitin 2003, Vlora përfaqësohej me vetëm një nga të 20 ministrat, Fatmir Xhafën, i cili u bë ministër i drejtësisë, pasi Igli Toska, ministri i rendit publik, edhe pse me origjinë nga Selenica e Vlorës, ishte vlleh dhe jo lab.
Tashmë nga PS ishte larguar personi më eminent me origjinë nga Vlora në lidershipin e kësaj partie, Sabit Brokaj. Duke qenë se Klika gjirokastrite ia bllokoi gjithë hapësirën, ai u detyrua të bashkohet me lëvizjen e Ilir Metës, duke u bërë nënkryetar i partisë së kryesuar nga Ilir Meta, LSI. Ky ishte gjithsesi një moment poshtërimi për të majtën vlonjate, pasi vlonjati më i shquar i së majtës bëhej zëvendës i një skraparliu.
Në kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, që u bë në tetor 2005, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, përsëri asnjë nga kandidatët për kryetarin e partisë nuk ishte vlonjat. Klika gjirokastrite në këtë kongres përsëriti pas 20 vjetësh manovrën që bëri me Ramiz Alinë në vitin 1985, duke zgjedhur në krye të partisë Edi Ramën, një njeri i cili nuk mund të siguronte kontroll efektiv mbi partinë dhe që mund të mënjanohej kur të krijohej situata e favorshme. Vlonjatët nuk arritën që të marrin as postin e nr. 2 të partisë atë të sekretarit të përgjithshëm, që u zu nga Pandeli Majko, që në skenarin e Klikës gjirokastrite duhet të luante pranë Edi Ramës rolin e Adil Çarçanit pranë Ramiz Alisë. Në këtë kongres, asnjë nga të pesë sekretarët që mbulojnë sektorët e ndryshëm të veprimtarisë së partisë nuk u zgjodh një vlonjat. Nga të 19 anëtarët e kryesisë së re të PS-së, vetëm njëri, Artan Nelaj është vlonjat dhe ky nuk ka një staturë prej lideri potencial, aq më tepër për moshën e madhe që ka(rreth 60 vjeç) dhe tëe shkuarën prej aparatçiku të ish-Komitetit Qendror të PPSH. Sigurisht që edhe zgjedhja e këtij njeriu është bërë qëllimisht për ta mbajtur Vlorën larg lidershipit të partisë. Në vitin 2006 Vlora është në nivelin më të ulët të përfaqësimit në parti që nga viti 1941.
Që nga zgjedhjet e para pluraliste në 1991, gjatë 15 viteve, PS ka nxjerrë dy Presidentë të Republikës(duke përjashtuar Moisiun) dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë vlonjat, ka nxjerrë gjashtë kryeministra dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë vlonjat, ka nxjerrë katër kryetarë të Kuvendit të Shqipërisë dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë vlonjat, ka nxjerrë dy kryetarë partie dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë vlonjat, ka nxjerrë katër sekretarë të përgjithshëm dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë vlonjat, ka nxjerrë gjashtë nënkryetarë të partisë dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë vlonjat, ka nxjerrë gjashtë kryetarë të FRESSH dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë vlonjat.
Në një pikëpamje më të gjerë, duke i parë gjërat në vazhdimësi, që nga viti 1941, partia si PKSH-PPSH-PS, gjatë 65 viteve ka pasur katër kryetarë nga të cilët asnjëri nuk ka qenë vlonjat, ka nxjerrë pesë kryetarë të shtetit (kryetarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Presidentë të Republikës), nga të cilët asnjëri nuk ka qenë vlonjat, ka nxjerrë nëntë kryeministra nga të cilët asnjëri nuk ka qenë vlonjat. Në një pikëpamje edhe më të gjerë, që nga viti 1920 kur u instaurua politikisht e majta shqiptare me një parti, edhe pse Vlora ka qenë bastion i saj, gjatë këtyre 86 viteve një vlonjat e ka pasur postin e kryetarit të partisë kryesore të së majtës vetëm për një vit në 1921 me kryetarin e Partisë Popullore, Qazim Kokoshin. Po ashtu, gjatë këtyre 86 viteve, një vlonjat ka qenë në postin e kryeministrit vetëm për gjashtë orë, me Qazim Koculin në vitin 1921, i cili u rrëzua nga partia e vet (Partia Popullore), ose më saktë Klika, brenda natës.
Siç shihet, Vlora edhe pse historikisht i ka dhënë shumë së majtës, ka marrë shumë pak prej saj. Të gjithë politikanët vlonjatë që kanë aspiruar të dalin në krye të së majtës, si para Luftës së Dytë Botërore, si gjatë dhe pas saj, sin ë periudhën paskomuniste, që nga Qazim Koculi, tek Sadik Premte, Kadri Hazbiu, janë shpallur tradhëtarë prej vetë partisë së tyre dhe janë mënjanuar, ose edhe më keq eliminuar fizikisht. Me kalimin e kohës Klika gjirokastrite u aftësua aq shumë në lojën kundër Vlorës, saqë pas 1982 dhe deri në ditët tona, nuk ka lejuar që asnjë njeri me origjinë nga Vlora që ka premise për të qenë lider të arrijë edhe deri në nivelet e mesme të hierarkisë së PS. Klika gjirokastrite i ka lejuar Vlorës vetëm të drejtën që të nxjerrë kryetarë të një partie të vogël aleate të PS-së, siç është Partia Agrare, duke filluar nga Meno Gjoleka tek Lufter Xhuveli.
Që nga viti 1943, pas eliminimit nga Enver Hoxha të Sadik Premtes dhe deri në vitin 2006, Vlora në lidershipin e së majtës nuk ka pasur politikanë me integritet, por vetëm puthadorë të Klikës gjirokastrite, të cilët ndonjëherë kanë ngritur krye, si Kadri Hazbiu në 1982 dhe Sabit Brokaj në 2003. A do t’ i hyjë Vlora sfidës për të marrë vendin meritor në lidershipin e PS-së? Këtë gjë do ta tregojë vetëm koha. Por nuk ka gjasa që gjeneratat e reja të së majtës vlonjate ta pranojnë statusin e njerëzve të rangut të dytë në PS.





