Tri zgjidhje për veriun


Kosova tash e ka rastin të jetë më e kujdesshme ndaj raportit të hapjes së agjendës me Beogradin lidhur me bisedimet e ardhshme

Shkruan: Safet KRIVAÇA


Bashkësia ndërkombëtare po e qartëson idenë se veriu i Kosovës nuk e zgjidh problemin shqiptaro - serb me vetëm Pakon e Ahtisarit, as me pakon shtesë, ”Ahtisari Plus”, as duke i ofruar status special, as duke hapur bisedime me Beogradin për integrimin e veriut në Republikën e Kosovës. Xheims Petifer, ekspert i çështjeve të Ballkanit Jugor këto ditë e tha shumë qartë se kërkohet edhe zgjidhje e problemit të Luginës së Preshevës, nëse synohet zgjidhje e qëndrueshme shqiptaro-serbe. Zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në takime me liderë partiakë të Luginës, duke iu përgjigjur kërkesave të tyre për përfshirje të shqiptarëve të Jugut të Serbisë aktuale në bisedimet, Prishtinë-Beograd, kanë pas bërë të ditur se “nuk do të ketë përfshirje të Luginës së Preshevës në këto bisedime”, por së fundmi numri dy i qeverisë Thaçi, Hajredin Kuqi tha se do të përfshihet Lugina e Preshevës në bisedime. Nëse kjo ndodh, definitivisht Serbia mund të pajtohet me njërën prej tri zgjidhjeve të mundshme:
Veriu të integrohet në Republikën e Kosovës si pjesë e saj aktive në çdo segment prej atij politik, ekonomik, tatimor, infrastrukturor dhe juridik e të sigurisë. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme nga të gjitha të tjerat. Në këtë zgjidhje nuk do të përfshiheshin mjete të forta shtetërore për nënshtrim dhe do të vihet baza më e mirë për një demokraci shtetërore të së ardhmes.
Zgjidhja e dytë në dispozicion do të ishte zgjidhja e problemeve me mjete juridike, policore dhe ushtarake si zgjidhje që do të justifikohej më shumë për të mos lejuar ndryshime kufijsh shtetërorë në Ballkan, meqë hapja e Kutisë së Pandorës do të mund të përshkohej me luftëra të reja dhe me dalje të sigurisë rajonale jashtë kontrollit. Zgjidhja me muskujt e shtetit, ndonëse nuk parapëlqehet nga askush, mund të arsyetohet meqë bashkësia ndërkombëtare ka qëndrim për mosndryshim të kufijve, pasi çdo ndryshim kufiri do të pasohej nga një zinxhir i tërë ndryshimesh. Në Evropë dhe veçmas në Ballkan ka shumë shtete brenda të cilave ka kërkesa dhe aspirata për shtete të reja dhe pavarësime të reja dhe secila tolerancë unikale, do të vlente për palën tjetër me po aq “të drejta”.
Zgjidhja e tretë do të ishte shkëmbimi i tri komuna në veri të Kosovës për tri komuna në jug të Serbisë. Nëse të dy shtetet do të binin dakord për një gjë të tillë, nuk besohet se bashkësia ndërkombëtare do ta pengonte projektin e tillë dhe vetëm në këtë rast kjo përsëritje nuk do të vlente për shtetet që kanë konteste, apo kërkesa për ndarje të reja shtetërore .
Kosova duhet të kërkojë strikt përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet e reja Prishtinë-Beograd
Beogradi zyrtar ka konfirmuar raundin e ri të bisedimeve me Prishtinën zyrtare, duke i quajtur këto bisedime si politike. Edita Tahiri tash së fundmi ka thënë se raunde bisedimesh për shembull për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë kanë përfunduar dhe më nuk ka bisedime për këtë temë. Megjithatë, Ketrin Eshton ka paralajmëruar “bisedime të vështira me Serbinë” çka nënkupton se ato realisht janë politike. Kosova ka çka të përfitojë edhe nga bisedimet politike me Serbinë: Duke e korrigjuar agjendën e kaluar tematike, Kosova duhet të kërkojë futjen në bisedime të Luginës së Preshevës, si rast për zgjidhje të qëndrueshme dhe përjashtim të një lufte të re si ajo e UÇPMB-së. Pse? Zgjidhja e problemit të veriut pa Luginën e Preshevës, le fronin e hapur të eskalimeve të reja. Zgjidhja e cilësdo pjesë territoriale pa zgjidhjen e pjesës tjetër është mashtrim e jo real dhe vetëm zgjidhja e të dyja e territoreve eliminon lindjen e vatrave të reja të krizës. Për më shumë, ashtu sikur e ndjen obligim moral dhe kombëtar, Beogradi zyrtar për t’i mbrojtur pakicat serbe në Kosovë edhe Prishtina zyrtare e ka për obligim moral dhe kombëtar të kërkojë të njëjtën gjë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ligji ndërkombëtar dhe ligji i së drejtës nuk e përjashton aplikimin e kodit të reciprocitet, të paktën më aspektin e parimit. Nëse anashkalohen shqiptarët e Luginës së Preshevës, kjo do të jetë e kushtueshme për sigurinë rajonale nesër, po aq sa edhe veriu i Kosovës sot. Prandaj është aq e rëndësishme përfshirja e Luginës së Preshevës në bllokun e bisedimeve te reja Prishtinë-Beograd, edhe ashtu të cilësuara nga Serbia “si bisedime politike”. Nëse duhet vënë kushte për kërkesa të reja, me siguri se Prishtina zyrtare ka shumë më shumë të drejta që ta bëjë këtë, sesa Beogradi zyrtar, meqë e kaluara në ish- Jugosllavi për shqiptarët ka qenë pafundësisht diskriminuese, ndërsa për serbët ka qenë parajsë, kudo që ka jetuar qoftë edhe një serb i vetëm, prej të cilit sindromë rrodhi edhe projekti “kudo që ka një serb do të ketë shtet”. Falë të kaluarës serbët kanë hapësirë të kufizuar të aplikojnë kërkesa për territore të reja, ndërsa shqiptarët kanë realisht të drejta të kërkojnë korrigjim të hapësirës territoriale në kuadër të avancimit të të drejtave njerëzore si të drejta të garantuara.
Kosova pa strategji për bisedime me Beogradin
Kosova dhe për më shumë shqiptarët, duhet të kenë strategji akademike për bisedime me Beogradin. Serbia jo vetëm që ka luftuar dhe kryer krime në territoret e ish-republikave të Jugosllavisë për të vu rend të dhunshëm shtetëror dhe pastrim etnik të territoreve, por në kontinuitet ka krijuar edhe mendim dhe tribunë akademike të ligjshme e të paligjshme për lidhje me serbët jashtë Serbisë. Millorad Dodik tashmë flet hapur “se një ditë jo të largët Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë do të jetë shtet”. Nuk do mend se shtete të reja do të lindin, si Katalonia e cila tashmë çdo kremtim dhe ndeshje e fillon me ngjyrat e shtetit vetanak historik. Nuk ka dyshim se kërkesat e brendshme popullore do ta godasin edhe Sllovakinë, ashtu sikur Qipron e dikurshme e që sot jeton e ndarë në dy pjesë. Nuk ka dilemë se as Serbia aktuale nuk do të mbetet e tillë sikur është sot, sepse Vojvodina do ta fitojë statusin e autonomisë që kishte nga viti 1974...
Serbia ka një sfidë të vështirë para vetes. Ajo ka marrë statusin e kandidatit të BE-së, por data e fillimit të bisedimeve do të jetë diku në pranverë dhe ajo nuk do të vjen asnjëherë për tërë kohën sa Serbia ka probleme të hapura me Kosovën. Këtë kusht e ka gati në çdo fjali ku i tregohet Serbisë si duhet të jenë marrëdhëniet e saja me fqinjët e veçmas me Kosovën. Nëse Serbia e Tomisllav Nikoliqit dhe Daçiqit nuk arrijnë të marrin datën e bisedimeve për BE, atëherë në Serbi do të ketë gjasë për zgjedhje të parakohshme, sepse mosmarrja e datës së bisedimeve do të llogaritet futje e Serbisë në krizë te re. Nikoliq dhe Daçiq duhet t’i përmbushin detyrat e shtëpisë si kushte të BE-së pa pas guxim të dështojnë. Nikoliq që ka filluar ta imitojë Tadiqin me projektin “edhe BE-ja edhe Kosova” në Serbi e ka të qartë se ja thonë çdo ditë se ajo politikë nuk e qon Serbinë drejt Brukselit. E përballur me disa sfida që i numëruam këtu, Serbia nuk është edhe bash në moment të fatit për të zgjedhur, prandaj Prishtina zyrtare e ka rastin historik të kushtëzojë bisedimet me agjendë të re, qoftë edhe politike , duke e futë në këtë strategji edhe Luginën e Preshevës. Kosova nuk ka bë kushedi sa punë të madhe me Serbinë sa të thirret në faktin se më nuk ka tema politike, por vetëm teknike. Nuk është e vërtetë se Kosova ka bërë aq shumë zgjidhje me Serbinë. Serbisë i është dashur të përfitojë statusin e kandidatit të BE-së dhe këtë gjë e ka arritur falë bisedimeve me Prishtinën, ku kjo e fundit nuk ka fituar asgjë.
Kosova tash e ka rastin të jetë më e kujdesshme ndaj raportit të hapjes së agjendës me Beogradin lidhur me temat e reja që nuk janë tema, por që janë probleme të theksuara po aq sa edhe veriu i vendit. Serbia nuk mundet t’i thotë Jo, BE-së, prandaj e ka një lloj kushtëzimi që shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë, e jo të jenë në aut politik, duke mos qenë në hap me Beogradin zyrtar.