Më shumë përpjekje në parandalimin e dhunës kundër fëmijëve


Dihet mirë se dhuna fizike dhe psikologjike tek fëmijët lënë pasoja të rënda në zhvillimin shëndetësorë dhe në aftësinë e tyre për të mësuar

Shkruan: Mr. Fikret UKA


Gjatë historisë, por edhe sot në kultura të ndryshme, madje edhe ndër shqiptarë, ndëshkimi fizik dhe psikologjik ka qenë, dhe është njëra nga mënyrat për disiplinimin dhe edukimin e fëmijëve, si në familje po ashtu edhe në shkollë. Ky disiplinim dhe dënim tradicional kundër fëmijëve, për një kohë të gjatë e ka fshehur dhunën, për shkak të traditës kulturore, dënimit social, frikës nga reperkusioni, mandej ndonjëherë fëmijët vetë i kanë konsideruar edhe si të arsyeshme veprimet që i kanë bërë, duke menduar se kanë qenë fajtorë dhe kanë besuar se dhuna ka qenë e drejtë ndaj tyre. Mangësia e ndërgjegjësimit se dhuna duhet të përdorët për disiplinimin e fëmijëve figuron në shumë shkrime e raporte si veprim negativ, por çuditërisht ajo nuk po ndalet, madje vështirë do të jetë që opinioni të vetëdijesohet shpejt për t’u sjellë ndryshe ndaj fëmijëve të tyre.
Dihet mirë se dhuna fizike dhe psikologjike tek fëmijët lënë pasoja të rënda në zhvillimin shëndetësorë dhe në aftësinë e tyre për të mësuar. Bile, jo rrallë ky problem vë në pyetje edhe jetën e tyre. Kundër kësaj dukurie, në Kosovë ka kohë që shkruhen shkrime, doracak për arsimtarë, organizohen debate, strategji, mbahen konferenca, referate e simpoziume, hartohen programe dhe plane të veprimit etj, më qëllim të edukimit dhe vetëdijesimit të shoqërisë se ky krim ndaj fëmijëve duhet të parandalohet. Mirëpo, mundimet dhe stërmundimet për ndërgjegjësimin e opinionit se dhuna ndaj fëmijëve është cenim i të drejtave të tyre, dhe ajo duhet të ndalet, nuk e ka ndryshuar shumë ndërgjegjen e opinionit publik. Këtë e tregon qartë edhe raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (2012) ku 13.4% e fëmijëve shqiptarë për shkak të dhunës kanë menduar të vetëvriten, kurse 27% e tyre kanë plagë nga dhuna. Këso të dhënash përmbajnë edhe raportet e Policisë së Kosovës. Kurse prof. E. Uka në studimin e tij “Vetëvrasja, dukuri shqetësuese” shkruan: “Janë të dhimbshme vetëvrasjet e të miturve dhe adoleshentëve si pasojë e dhunës që ushtrohet në mjedise pikërisht aty ku fëmijët duhet të jenë më të mbrojtur, aty ku presin dashuri, siguri, dhe përkrahje. Dhe shih për këtë, në Kosovë prej vitit 2000-2006 e kanë vrarë veten 7 të mitur, ndërkohë veten e kanë vrarë edhe 61 adoleshentë. E sa raste të tjera janë që opinioni nuk i di. Kjo tregon se familja jonë në aspektin kulturor ende është në krizë, në kuptimin që nuk ka një raport, një lidhje, një vëmendje, një komunikim të shpeshtë prind-fëmijë ose mes anëtarëve tjerë të familjes”. E sipas dëshmive të ofruara, faktorët që e nxisin dhunën ndaj fëmijëve janë: varfëria, mungesa e kontrollit të papërshtatshëm prindëror ndaj fëmijëve, prindër të ashpër, të paedukuar, prindër të divorcuar, prindër të zhurmshëm ndërmjet vete, suksesi i dobët në shkollë, largime nga orët e mësimit, mungesat e paarsyeshme, prishja e rendit dhe qetësisë në orë, në shkollë, lidhja e krimit me politikën, mosfunksionimi i shtetit ligjorë, alkooli, droga, prostitucioni, pabarazia e fëmijëve brenda familjes, shikimi i programeve me karakter amoral, stresi, depresioni, sëmundjet mendore, prejardhje nga familje të dhunshme, temperamenti, emocionet, karakteri, dëshira për të qenë i fuqishëm, kurioziteti për të ushtruar dhunë etj.
Ajo që brengosë është se pjesa më e madhe e opinionit ka mendimin edhe sot se dhuna duhet të përdorët për disiplinimin e fëmijëve! Ky mendim po e ngec ndërgjegjësimin e këtij problemi në mossuksesin e parandalimit. Për këtë i bëhet kritikë, në këtë drejtim, institucioneve të shtetit, që të investojnë më shumë në ndërgjegjësimin e opinionit për respektimin e të drejtave të fëmijëve. Kjo nuk do të thotë se në secilën shtëpi e shkollë të vendoset nga një polic, por të investojë më shumë para në hartimin e programeve dhe planeve konkrete, studimeve shkencore etj, ku do të pasqyrohet gjendja reale për të pasur opinioni një qasje tjetër ndaj këtij problemi tradicional, sepse kështu vepruan shtetet fqinje. Për shembull, për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve, në Shqipëri, prof. A.Tamo dhe prof. Th. Karaj, kryen një studim shkencor ku dhanë një tablo të detajuar të natyrës, shtrirjes, shkaqeve dhe pasojave të dhunës në tre fusha kryesore: në familje, shkollë dhe institucionet e përkujdesit. Po ashtu në këtë studim të mirëpritur ata propozuan ide dhe programe për parandalimin e këtij krimi kundër fëmijëve. Prandaj, këtë problem klasa e studiuesve në Kosovë, duhet ta marrë seriozisht dhe të veprojë njësoj, sikurse ajo e Shqipërisë dhe e shteteve të tjera fqinje.
Prandaj, përmes këtij shkrimi po ngre një çështje, çështje që ka të bëjë me qëndrimin dhe besimin e dhunës fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve dhe kam mendimin se opinioni do ta tejkalojë dhe harrojë njëherë e përgjithmonë besimin “kush të do, të rreh”. Ky besim nëse është i pranueshëm për prindërit, nuk do të thotë se është i pranueshëm edhe për mësuesit në shkollë dhe për të tjerët gjetiu. Për këtë besim të përhapur si te prindërit e mësuesit, madje edhe te vet fëmijët, prof. Tamo dhe prof. Karaj nxorën rezultatin se 1 në çdo 2 fëmijë në shtëpi dhe 1 në rreth 3 fëmijë në shkollë pohojnë se pranojnë që mbi ta të ushtrohet dhunë, në rastet kur ajo është e nevojshme! E ne, rreth këtij qëndrimi dhe besimi kemi të mbledhura dëshmi (jo të plota) gjatë punës në Polici, të raportuara nga vetë goja e fëmijëve, prindërve, mësuesve dhe qytetarëve, që janë pro dhe kundër këtij besimi. Këto qëndrime dhe besime të tyre për dhunën ndaj fëmijëve i kemi nda në tri grupe. Të parët mendojnë se nuk duhet të përdorët dhuna fizike, sepse shkakton pasoja negative tek fëmijët. Ky qëndrim ka mbështetje te një masë e konsiderueshme e prindërve të shkolluar, mësuesish dhe fëmijësh. Qëndrimi i dytë, dhunën ndaj fëmijëve e shikon në mënyrën absolute si mjetin më të dobishëm në disiplinimin e fëmijëve. Ky është një grup relativisht i kufizuar njerëzish me një mentalitet tradicional patriarkal, të cilët e arsyetojnë dhunën ndaj fëmijëve duke na thënë: “neve na kanë rrahur prindërit, prandaj jemi këta që jemi. Edhe ne do t’i rrahim fëmijët, e ata do të bëhen më të mirë si ne”! Dhe qëndrimi i tretë, duket se i bashkon dy qëndrimet e para që nuk përputhen njëri me tjetrin. Ata thonë: “dhuna ndaj fëmijëve duhet të përdorët në rastet kur “kalohet kufiri”, përkatësisht kur fëmija nuk disiplinohet me të mirë, atëherë duhet përdorur dhuna, ama gjithmonë duhet kuptuar se dhuna sjell edhe pasoja negative, thotë grupi i tretë. Ky qëndrim sikur iu fle në shpirt shumicës dërrmuese të prindërve dhe një numri relativisht të vogël të mësuesve. Kam mendimin se arsyet e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve nga prindërit dhe personeli arsimor lidhen dukshëm me filozofinë e dobisë që sjell dhuna si instrument për disiplinim kur fëmijët nuk i respektojnë standardet e caktuara të sjelljes, punë që mbetet në pronësi të psikologëve, pedagogëve, sociologëve e të tjerëve, për ta detajuar metodologjikisht këtë problem deri në fund, e neve, na mbetet t’i zbatojmë mësimet dhe këshillat e tyre.