Shqipërisë Etnike i duhen kreshnikët patriotë dhe vizionarë



Pa zgjidhjen e çështjes koloniale të shqiptarëve të Shqipërisë Etnike, nuk mund të jetë mbyllur çështja e ndryshimit të kufijve në Ballkan

Shkruan: Prof. dr. Mehdi HYSENI


Ata që pa kurrfarë zori dhe pa kurrfarë trysnie janë vetëshpëpallur botërisht kundër bashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, sikurse kryeministri Sali Berisha (disa herë rresht), nuk kanë asnjë të drejtë, që t’i kritikojnë, anatemojnë dhe denoncojnë para botës, ata kryeliderë të partive, të lëvizjeve, të fronteve, të Listës së Shqipërisë Natyrale etj., pse me plot të drejtë po kërkojnë dhe po veprojnë legalisht me mjete politike, demokratike dhe paqësore, që kombit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike, t’u njihet e drejta e ligjshme, historike dhe e vetëvendosjes, që të bashkohen edhe si komb, edhe si shtet , ashtu sikurse shtetet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës. Pavarësisht se çfarë paragjykojnë dhe deklarojnë politikanët dhe diplomatët e ndryshëm ballkanikë, evropianë dhe ndërkombëtarë se gjoja, tanimë është “mbyllur kaptina e ndryshimit të kufijve në Evropën Juglindore”, pa zgjidhjen e çështjes koloniale të shqiptarëve të Shqipërisë Etnike, nuk mund të jetë mbyllur çështja e ndryshimit të kufijve në Ballkan, sepse ata janë artificialë dhe të papranueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.
-Skënderbeu nuk ka dashur, as nuk ka pranuar kurrfarë ofertash, as kompromise politike, as luftëra të imponuara të perandorive të ndryshme të kohës së tij, që në mënyrë të vullnetshme, ose me forcë, të integrohej dhe të aliazhohej qoftë në bllokun e Lindjes, qoftë në bllokun e Perëndimit, por tërë jetën luftoi që të integrohej me shqiptarët dhe me Shqipërinë. Luftoi dhe kontribuoi vetëm për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë, jo as të Lindjes, e as të Perëndimit. Kjo është një nga veçoritë dhe meritat më thelbësore kombëtare dhe atdhetare, që kryetrimin legjendar-babanë e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë, e bëjnë të pavdekshëm dhe të pazëvendësueshëm si njeri, si hero dhe si burrë shteti në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare.
-Ata shqipfolës dallkaukë dhe të verbër, që duan të tregohen para botës, më papë se papa, më sheikë se sheikët arabikë, më evropianë se evropianët, më grekë se grekët , më serbë se serbët, më malazezë se malazeztë, më maqedonas se maqedonasit, populli shqiptar, nuk do të duhej t’i votonte që të vinin në krye të Shqipërisë, sepse ata janë e keqja më e zezë dhe tragjedia më jetëgjatë e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar në Ballkan. Shqipërinë duhet ta drejtojnë vetëm ata shqiptarë që nuk i zë gjumi për hallet dhe për brengat e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, që pareshtur ditë e natë (kudo që ndodhen brenda apo jashtë Shqipërisë) luftojnë për mbrojtjen e identitetit dhe të sovranitetit të saj kombëtar, territorial dhe shtetëror, jo vetëm brenda kufijve ekzistues artificialë, por brenda kufijve natyralë, historikë, gjeopolitikë dhe kombëtarë të Shqipërisë Etnike.
Vetëm ata që e duan dhe, që pa kursyer asgjë punojnë dhe veprojnë për të mirën e përgjithshme të kombit dhe të atdheut shqiptar, janë me Zotin, jo me shejtanët e shtirë dhe të kamufluar të Zotit dhe të Shqipërisë Etnike! Pa dyshim se, Zoti i madhëruar i ndihmon dhe i mbron vetëm ata shqiptarë të vërtetë, që e besojnë dhe i binden Zotit, që sakrifikojnë dhe, që e mbrojnë Kombin dhe Atdheun e tyre, jo derbederët, që luftojnë dhe vrasin kundërshtarët e tyre politikë dhe atdhetarë, (që e vrasin popullin, duke e lënë pa bukë, pa punë, pa ekzistencë, pa strehë, pa liri, pa ardhmëri dhe pa mirëqenie), vetëm për t’u pasuruar dhe,për të sunduar e qëndruar sa më gjatë në pushtet, me familje, me akraballëk, me miqësi, me parti,me klane, me mëhalla, me nahije, me fise, me grupe të ndryshme të interesit nepotist, despotik, oligarkist dhe anarkik, me qëllim që (sipas mësimeve, interesave të ndryshme ekonomike, politike dhe strategjike, me prirje neokolonialiste), ta shkatërrojnë interesin e përgjithshëm dhe vlerat e paçmueshme të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.
“Çakall” politik dhe fetar është vetë Sali Berisha, jo Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu!
Sepse, në radhë të parë ka shkelur të drejtën historike dhe legjitime dhe, të drejtën e vetëvendosjes së kombit shqiptar, duke deklaruar disa herë rresht, se është kundër ribashkimit kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Këtë e vërteton, edhe gjendja e mjerueshme e shqiptarëve dhe e territoreve të kolonizuara të Shqipërisë Etnike nën Serbi, nën Mal të Zi, nën Maqedoni dhe nën Greqi.
“Sali Berisha sulmon Topin dhe Spahiun se janë mjeranë, pa identitet e pa Zot. Janë ateistë, që kanë frikë Zotin, ndaj edhe kërkojnë që të mos bëhet regjistrimi sipas fesë.” (www.gazetatema.net/web/20 korrik/2011).
Vërtet, nuk ka argument më të qëndrueshëm sesa ky, që Salih Berishën, ta braktisë edhe Zoti, edhe kombi shqiptar, edhe Shqipëria Etnike, sepse i ka quajtur “mjeranë, pa identitet dhe pa Zot”, jo vetëm ish-presidentin e tij, Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiun (pse e kanë ngritur zërin kundër asimilimit dhe shkombëtarizimit të qindra e mijëra shqiptarëve në kombësinë greke), por të gjithë ata patriotë shqiptarë, që janë dëshmuar dhe, përditë po dëshmohen me punën dhe me veprën e tyre në të mirë të shkolonizimit dhe të ribashkimit të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.
Sipas këtyre akuzave të pathemelta dhe tejet të turpshme në sy të opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, po del se Sali Berisha është jo vetëm “politikan i hollë” dhe shtetar “i pazëvendësueshëm”, por edhe “profet”, sepse po e ditka se Topi dhe Spahiu “janë pa identitet dhe pa Zot, dhe se i frikësohen Zotit”!?
Çfarë naiviteti dhe budallallëku propagandistik ky? - Po, ku e di Sali Berisha se, cilët janë ata shqiptarë, që i “paskësha përjashtuar Zoti”, për shkak se i paskan shkelur “qitapët” e politikës antibashkuese dhe antikombëtare të kryeministrit Sali Berisha?!
E, po këso lloj “prognoze fetare”, se kush është pa Zot, kush i frikësohet Zotit, kush e do Zotin, kush e beson Zotin, nuk kanë mundësi, ta japin, as politikanët, as kryetarët, as kryeministrat, as ministrat, as diplomatët e, as një shteti në botë, as hoxhallarët, as priftërinjtë, as shehët, as xhamia, as kisha e as teqeja. Këtë e di vetëm i Madhi Zot! Askush tjetër! - Prandaj, një mundësi dhe, një aftësi të tillë, nuk e ka as kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, as qeveria e as partia e tij politike në pushtet. Se Sali Berisha është një fatkeqësi, një paradoks dhe një kontraversë politike, kombëtare, demokratike dhe shtetërore, këtë qe njëzet vjet e ka provuar pushteti i tij i pakufizuar dhe absolut. Mirëpo, deri më sot, me rastin e shpërpalljes së këtyre akuzave absurde, intrigante dhe provokuese në adresë të ish-presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi dhe të ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, askush nuk e ka ditur se kryeministri Sali Berisha, “është edhe mesingjer” i Zotit! Ndryshe nuk do ta ngatërronte Zotin me problemin e regjistrimit etnik-fetar të popullsisë! Ndryshe, nuk do të thoshte se Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu, “janë pa Zot dhe ateistë që i frikësohen Zotit”! Po, çfarë lidhjesh ka Zoti me regjistrimin etnik-fetar dhe me “dallaveret” politike të Sali Berishës, në dëm të identitetit kombëtar shqiptar?! -Kurrfarë! - Pra, lërini, mos e përfolni, as mos u thirrni në emër të Zotit, për realizimin e qëllimeve të ndyra politike, ekonomike, tregtare dhe antikombëtare shqiptare! -Lëreni, mos e involvoni edhe Zotin në politikë të pistë dhe në biznes ekonomiko-tregtar për të shfrytëzuar dhe varfëruar sa më shumë popullin, sepse Ai është i Gjithëpushtetshëm, e ua the qafën, pa të keqen e kombit të bashkuar shqiptar dhe të Shqipërisë së bashkuar etnike !
Antiteza e Salih Berishëve - kreshnikë spahinjtë dhe Aleanca Kuq e Zi!
I lumtë Kreshnik Spahiut (ish-nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë), që nxori sipërfaqe dhe e demaskoi botërisht ligjin dhe politikën e gabuar shtetërore të Shqipërisë lidhur me “regjistrimin etnik-fetar” të popullsisë. Sipas këtij ligji, qindra dhe mijëra shqiptarë në Shqipëri, kanë ndërruar kombësinë e tyre në atë greke. Si rrjedhim i një deformiteti të këtillë kombëtar, erdhi në shprehje edhe dalja në skenën politike dhe kombëtare shqiptare e Aleancës Kuq e Zi, e cila përmes paneleve dhe manifestimeve të saj nëpër hapësirat e Shqipërisë Etnike, me këmbëngulësi dhe, krejt në mënyrë ligjore, demokratike dhe paqësore po apelon dhe po kërkon nga institucionet dhe nga organet më të larta shtetërore (politike, juridike, kushtetuese dhe të drejtësisë) të Republikës së Shqipërisë që të pezullojnë regjistrimin etnik-fetar ngase kjo formë e deklarimit është kërcënim direkt dhe indirekt i shpërbërjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Shqipëri. Së fundi, një këshillë praktike dhe kombëtare shqiptare, jo frazeologjike dhe astrologjike për kryeministrin aktual të Shqipërisë (nëse nuk “ta mban” aksi politik, për shkak të kombinimeve të aleancave të ndryshme rajonale dhe evropiane), -Sali Berisha, mos e rrej, mos e mashtro dhe mos e politizo edhe Zotin si popullin dhe Shqipërinë, se Zoti është i madh dhe i plotfuqishëm, mund ta thyejë qafën për gabimet që i ke bërë dhe, që je duke i bërë tash 20 vjet radhazi në kurriz të interesit të përgjithshëm të çlirimit dhe të bashkimit kombit dhe të Shqipërisë Etnike. -Nëse do të afrohesh me Zotin dhe me popullin, së pari, zbatoje Kushtetutën, ku thotë se: “ me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar...”! - E, mos shit mend, se nuk ka kohë Zoti, as profetët tij, që të mirren me përrallat tuaja politike dhe propagandistike, në emër të popullit, të Zotit, të patriotizmit dhe të demokracisë. Të gjithë shqiptarët, duhet të jenë vigjilentë dhe të vetëdijshëm se, ata politikanë, shtetarë dhe fetarë shqiptarë, të cilët me në krye Sali Berishën, qe 20 vjet (1990-2012), e kanë fronzuar në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Tiranë, priftin grek Anastas Janullatos, ata nuk janë dashamirë të Zotit, as të Kombit Shqiptar e as të Shqipërisë, por vetëm miq besnikë të grekëve dhe të Greqisë, si dhe miq, tyxharë, dhe shërbëtorë të agjenturave të tjera të huaja, të cilat tash e njëzet vjet e kanë vërshuar Shqipërinë dhe Ballkanin.