Për të dialoguar, të kushtëzohet shteti i Serbisë


Ditëve të fundit në ballinat e medieve të shkruara dhe elektronike lajme qendrore janë bërë bisedimet politike Kosovë-Serbi. Këto zhvillime të fundit po konceptohen nga kënde të ndryshme, nga publicistë, analistë vendorë dhe ndërkombëtarë

Shkruan: Hidajet Ahmeti


Disa mendojnë së këto bisedime nuk sjellin asgjë pozitive për shtetin e Kosovës vetëm ndihmesë për Republikën e Serbisë për anëtarësim në BE, që është si kusht për të normalizuar raportet ndërfqinjësore. Disa analistë mendojnë se nuk ka asgjë të keqe në këto bisedime Kosovë –Serbi, pasi që Kosova i ka vijat e kuqe në disa çështje si duke u mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe në planin e Presidentit Ahtisari.
Shumica e subjekteve politike e kanë mbështetur dialogun Kosovë- Serbi, ku dihet javë më parë u miratua rezoluta në Kuvendin e Kosovës e iniciuar nga PDK-ja.
Arsyeja pse nuk duhet biseduar dhe kushtet që duhet t’i bëhen Serbisë
Mendoj se më shumë ka arsye për të mos biseduar sesa për të biseduar. Nga bisedimet e kaluara që kinse ishin bisedime teknike nuk pamë diçka shumë pozitive që sollën këto bisedime. Edhe pse u arritën një sërë marrëveshjesh, pjesa më e madhe tyre nuk u zbatuan në praktikë, mbetën vetëm në letër, gjë që dëshmon se nuk patën ndonjë efekt shumë të madh për shtetin e Kosovës. Nga këto bisedime shihej qartë se përfitoi Republika e Serbisë që fitoi statusin e vendit kandidat për në BE. Mendoj se ka një sërë arsyesh pse nuk duhet të bisedohet me një shtet joserioz sikur që është Serbia. Kushtet e pashmangshme që është dashur t’i bëhen Serbisë janë:
1. Shteti i Serbisë në rend të parë është dashur të kërkojë falje për gjenocidin dhe krimin e bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftën e fundit, për të dëshmuar për gabimin e bërë, nga njerëz të pandërgjegjshëm për të dëshmuar para qytetarëve kosovare dhe opinionit botëror se politika Milosheviqiane ishte e pandërgjegjshme dhe e dëmshme jo vetëm për shtetin e tyre, por për gjithë rendin botëror. Lërë që nuk ka kërkuar falje për gjenocidin e bërë, por akoma nacionalizmi serb në krye me Nikoliqin dhe Daçiqin vazhdojnë vizionin e Milosheviqit, që nuk pranojnë që ka pasur gjenocid në Kosovë, ku edhe ishin deklarimet e fundit të ministrit të Jashtëm të Serbisë në vizitën e tij në Shqipëri, javë më parë.
2. Pastaj si gjë shumë e rëndësishme për t’i hapur bisedimet me Serbinë dhe si kusht i pashmangshëm është dashur t’i bëhet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, që edhe pas gati 14 viteve nuk dihet gjë.
3. Arsye tjetër pse nuk duhet biseduar është sepse shteti i Serbisë që ka aspirata evropiane dhe etiketohet si shtet paqësor dhe demokratik akoma brenda aktit më të lartë juridik të shtetit, kushtetutës së saj në Republikën e Kosovës e konsideron si pjesë të veten. Kjo është në kontradiktë me të gjitha vlerat evropiane dhe jashtë të gjitha të drejtave ndërkombëtare.
4. Kusht tjetër që është dashur t’i bëhet Serbisë janë marrëveshjet e arritura në bisedimet teknike që nuk po gjejnë zbatim nga shteti i Serbisë. Atëherë lindin pyetje të shumta pse të bisedohet me një shtet labil siç është Serbia, pse gjithherë ajo të vë kushte për bisedime e Kosova jo, pse ajo gjithherë të fitojë e Kosova jo, janë shumë e shumë pyetje që politikanët kosovarë duhet t’ia shtrojnë vetes.
Diplomatët evropianë vazhdimisht i kanë kërkuar Serbisë që të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën në kuadër të dialogut teknik, të vazhdojë bisedimet me palën kosovare dhe të shpërbëjë institucionet e saj paralele nga veriu i Kosovës, për të avancuar drejt Bashkimit Evropian.
5. Një domosdoshmëri tjetër për të dialoguar, është dashur kërkuar nga Serbia shuarjen e strukturave ilegale që monitorojnë në Mitrovicën e veriut, që qartazi shihet se janë të nxitura dhe financuara nga Serbia dmth funksionojnë brenda territorit të shtetësisë së Kosovës.
Mendoj se këto kushte kanë qenë esenciale dhe parakushte për shtetin serb për të dialoguar për çështje të larta shtetërore, përndryshe pala kosovare nuk ish dashur të pranonte për të biseduar.
Edhe nëse patjetër duhet biseduar, pala kosovare duhet t’i ketë vijat e kuqe
Kurrsesi nuk duhet të bisedohet për çështje të brendshme, nuk duhet të lejojmë që nga një shtet nga jashtë të futë hundët në çështjet e brendshme, kur dihet se Kosova është shtet sovran i njohur ndërkombëtarisht nga 90 shtete, si konsekuencë rrjedh se Kosova ka krijuar situatën politike juridike dhe kushtetuese karshi shteteve ndërkombëtare. Thuhet se në bisedimet Kosovë-Serbi, Serbia dëshiron të futet në çështjet e brendshme të Kosovës, për të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë, lirisht edhe Kosova duhet të kushtëzojë bisedat për hapjen e temës për pakicat shqiptare në Serbi.
(Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc). Mendoj se është një çështje ekuivalente për të dyja shtetet.
Institucionet kosovare kurrsesi nuk duhet pranuar që veriut t’i jepet ndonjë autonomi substanciale për shumë arsye. Njëra është se bie ndesh me kushtetutën e vendit, me planin e Ahtisarit dhe në të njëjtën kohë kjo zgjidhje është shumë e rrezikshme jo vetëm për shtetin e Kosovës por edhe në përgjithësi për Ballkanin. Një zgjidhje e tillë është destabilizuese për rajonin me gjasa shumë të mëdha për konflikt në të ardhmen.
Presion ndërkombëtar për bisedime politike, apo ka ardhur koha për bisedime
Bisedimet politike janë bisedime me nivel dhe përgjegjësi të lartë shtetërore dhe për çështje shumë të rëndësishme. Bisedimet politike nga politikanët kosovarë po thirren kinse për normalizim të marrëdhënieve me shtetin e Serbisë që një gjë nuk mund të arrihet njëherë përnjëherë kur dihet retorika nacionaliste serbe dhe mentaliteti i tyre. Është akoma herët për të biseduar me një shtet me njerëz të papjekur politikisht me një shtet që akoma jeton me iluzione nuk e pranon realitetin që është i pranuar ndërkombëtarisht. Qëllimi i tyre është të pretendojnë shumë për të nxjerrë pak. Pala kosovare thirret se i kanë vijat e kuqe se deri ku duhet biseduar, duke respektuar kushtetutshmërinë e vendit, planin e Ahtisarit që është një zgjidhje e pranuar ndërkombëtarisht, edhe pse ishte një kompromis i dhimbshëm për shtetin e Kosovës. Nga shumë subjekte politike dhe njohës të problemeve politike, pala kosovare shihet si e papërgatitur kur dihet se kemi të bëjmë më bisedime të nivelit të lartë ku edhe shpesh nga përfaqësues të BE-së është thënë se do të kemi kompromise të vështira për të dyja shtetet. Kritikat për palën kosovare shkojnë në mospërgatitjen e një platforme ku të precizohet mirë se për çka duhet të bisedohet. Qeveria duhet ta ketë një platformë të veten për bisedime me Serbinë, në mënyrë që pastaj ta harmonizojë edhe me faktorët ndërkombëtarë që e mbështesin këtë dialog. Qeveria duhet të jetë shumë e përgatitur për këtë proces dhe sa më shpejt ta hartojë një platformë. Nga njohës të historisë të Ballkanit me dhjetëra herë është thënë se lëvizjet e kufijve në Ballkan kanë përfunduar me luftën e fundit në Kosovë. Bile mund të përmendim vizitën e sekretarit britanik për Politikë të Jashtme, Uilliam Hejg, ku pohoi:”Kufijtë e Evropës Juglindore janë përmbyllur” Mirëpo, politika nocionaliste dhe imperialiste serbe mundohet me çdo kusht që të përfitojë nga rasti. Për fund mund të konkludoj se bisedimet Kosovë-Serbi më shumë janë të projektuara nga Bashkësia Ndërkombëtare, me një fjalë mund të them se në një fare mënyre dialogu Kosovë-Serbi është imponuar. Atëherë pasi që nuk mund t’u ikim bisedimeve politike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ne si palë kosovare duhet të jemi shumë të përgatitur, me një platformë gjithëpërfshirëse shumë të qartë për bisedime. Duke qenë të vendosur që këto bisedime duhet të bëhen në mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura për çështje të rëndësishme. Pala kosovare nuk duhet harruar të respektojë kushtetutshmërinë e vendit dhe planin e Ahtisarit si zgjidhje e pranuar ndërkombëtarisht. Pala kosovare duhet të jetë vigjilent dhe syhapur që mos të bëjë ndonjë lloj koncesioni që është në dëm të shtetësisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
(Autori është filozof i diplomuar, absolvent në shkenca politike dhe zv.president në Këshillin e Rinisë Evropiane)