Home »
» Pavarësia e Kosovës dhe pavarësia e kombit shqiptar nga gjeografia
Pavarësia e Kosovës dhe pavarësia e kombit shqiptar nga gjeografia
Nga Kastriot Myftaraj
Johan Gottfried Herder ka thënë se historia është gjeografi që vazhdon. Gjeografia, domethënë vendndodhja e një nacioni (kombi) dhe lloji e konfiguracioni i territorit ku ndodhet, përcaktojnë, në një masë të madhe kursin e historisë dhe shtetformimin e këtij nacioni. Gjeografia përcakton edhe politikën ndërkombëtare, prej këtej nocioni “gjeopolitikë”. Dhe gjeopolitika është e lidhur sa me gjeografinë, aq edhe me historinë, përveçse me interesat ekonomike. Mjaft që t’ i hedhësh një sy hartës së trojeve të banuara nga shqiptarët në Ballkan, për të parë se si gjeografia ka përcaktuar shtetformimin e shqiptarëve që nga Antiketi deri më sot. Në fillim të mijëvjeçarit të dytë para Krishtit parardhësit e shqiptarëve të sotëm (në këtë shkrim me termin “shqiptarë” do të kuptohen shqiptarët e trevave në të dy anët e kufirit shtetëror, domethënë Republikës së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Presheves, Malit të Zi), ilirët qenë pjesë e popullit të madh indo-europian (arian), i cili sipas historianëve dhe arkeologëve jetonte diku në territorin midis Detit Balltik dhe Detit Kaspik. Për arsye misterioze që kanë shkaktuar dyndjen e popujve në histori dhe që mund të kenë qenë ndryshime klimatike, epidemik, presion i dyndjes së popujve të tjerë etj., rreth kësaj periudhe fiset që përbënin popullin e madh indo-europian u ndanë dhe filluan të lëvizin në drejtime të ndryshme për të gjetur vendondhje të reja. Ne e dimë se një degë e këtij populli të madh iku drejt Indisë, ku në Veda-t i la historisë dëshminë e vet.
Të tjera degë (keltët, galët, gotët, grekët, ilirët, maqedonasit, trakët, latinët) u dyndën drejt Perëndimit, ku u endën për një kohë në Europën Qendrore, duke luftuar për të zënë territoret më të mira. Në këto kohë populli më i fuqishëm ishin keltët, të cilët dominuan duke zënë tokat pjellore nga rrjedha e mesme e Danubit e deri në brigjet e Atlantikut dhe madje duke depërtuar deri në Gadishullin Iberik dhe në Ishujt Britanikë. Popuj të tjerë, si fiset greke, ilire, epirote, maqedonase, pas mesit të mijëvjeçarit II para Krishtit, të gjendur nën presionin e keltëve, kapërcyen Danubin dhe, duke shtyrë njëri tjetrin u venduan në bregdetin malor të Gadishullit Ballkanik. Në këtë kohë në Ballkan jetonte një popullsi e ardhur aty në mijëvjeçarin III para Krishtit dhe që quheshin pellazgë. Tendenca për t’ i paraqitur ilirët si pasardhës të pellazgëve tashmë është përgënjeshtruar nga shkencat historike dhe arkeologjike. Pellazgët qenë popullsi semitike ndërsa ilirët, ashtu si grekët, maqedonasit, epirotët qenë indo-europianë (arianë). Appiani, historiani antik, duke sjellë mitin ilir, thote: «Bijtë e Ilirit kanë qenë Enheleu, Autari, Dardani, Medi, Taulanti dhe Perrebi; vajzat e tij ishin Partha, Daortha, Dasara dhe të tjera, nga kanë rrjedhur taulantët, perrebejtë, enhelejtë, autariatët, dardanët, parthinët, dasaretët dhe daorsët».
Mitet sigurisht që nuk janë dokumente historike, por në një sens të caktuar ato janë arkivat e popujve preliteralë, pra të atyre që nuk kanë ende letra. Madje mitet, në një drejtim të caktuar, të mësojnë më shumë gjëra se historia e shkruar. Jo më kot Victor Hugo thotë: “Duhet legjenda për detajet dhe historia për të përgjithshem”. Për popujt në atë kohë mitet kishin po atë vlerë që kanë sot librat e shenjtë dhe kushtetutat të marra së bashku. Historianët mund të diskutojnë sat ë duan për vlerën e informacionit që jep ky mit, por një gjë ata nuk mund ta mohojnë: Ilirët e antikitetit, pjestarë të fiseve të ndryshme që mbanin emrat e mësipërm i shihnin dardanët (paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Kosovës dhe Maqedonisë) si vëllezër në origjinë, pra si njerëz me gjak të përbashkët. Ky mit shpreh kështu një vetëdije-po të huazoj një term të Eric Hobsbawm- protonacionale, në kuptimin e Antikitetit. Sipas legjendës, Iliri, paraardhësi eponim i ilirëve pati gjashtë djem prej të cilëve dolën fiset e rëndësishme ilire të enkelejve, dardanëve dhe taulantëve, që më pas do të qenë fise që do të shërbenin si boshti rreth të cilit do të krijoheshin shtete, duke e përdorur këtë fjalë lirshëm për të shenjuar federatat fisnore të asaj kohe. Në kohën e ardhjes së tyre në Ballkan, të gjitha fiset ilire qenë së bashku. Legjenda flet për një të quajtur Hyll, i cili qe mbreti ose më saktë prijësi që u priu ilirëve gjatë rrugëtimit të tyre. Sipas historianëve antikë ky Hylli ka vdekur në shekullin XIII para Krishtit.
Ashtu siç ndodhte me të gjithë popujt antikë, duke përfshirë edhe grekët, fiset ilire, me të ardhur në Gadishull u përhapën duke kërkuar të zenë territore të përshtatshme brenda arealit që ata mbuluan si popull. Ilirët, nën presionin e keltëve u rrasën në Alpet e sotme austriake dhe duke kërkuar toka më të përshtatshme për t’ u venduar, ranë përgjatë bregut lindor të Adriatikut, duke tentuar të zgjerohen drejt pjesës qendrore të Gadishullit Ballkanik, ku kishte toka më pjellore se bregu shkembor dhe moçalor i Adriatikut. Por, nga lindja e Gadishullit bënin presion popuj të tjerë, grekët, maqedonasit, trakët, panionët që kërkonin dhe ata të zinin tokat e mira të Gadishullit. Në atë kohë, fiset ilire, që si duket patën pësuar humbje nga ky rrugëtim i gjatë, nuk qenë të aftë të ballafaqoheshin me popujt e tjerë në luftën për territore dhe preferuan të akomodohen në bregdet dhe në prapatokën e ngushtë pas tij, duke pasur në shpinë si mbrojtje Alpet Dinarike, Alpet e sotme shqiptare, si dhe Sharrin. Territori ku u venduan fiset ilire nuk favorizonte bashkimin e tyre në një shtet, ashtu siç i favorizonte p.sh. latinët në Itali. Fiset ilire patën zenë vend përgjatë atij që sot është bregdeti adriatik lindor i Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë, me një shtrirje të ngushtë në prapatokë, duke përjashtuar Dardaninë. Nga këta çka na intereson është pjesa e territorit që sot përbën hapësirën nacionale shqiptare. Studiuesi francez Fernand de Braudel e konsideron konfiguracionin e relievit të bregdetit shqiptar, si më të pafavorshmin në Mesdhe për shkak se në një prapatokë të ngushtë rrafshinore zbrisnin lumenj të rrëmbësheshëm malorë, gjë që krijonte këneta dhe moçale. Territori qe malor dhe luginat të ndara nga lumenj të rrëmbyeshëm, çka nuk favorizonte komunikimin. Deti mund të shërbente për komunikim, por lundrimi mbeti për një kohë të gjatë pak i zhvilluar. Indoeuropianët nuk kishin qenë një popull lundërtar dhe ilirët nuk bënin përjashtim, ashtu si dhe latinët (romanët e mëvonshëm) dhe grekët. Bregdeti moçalor nga Vlora në Bunë nuk favorizonte ardhjen nga prapatoka për t’ u vendosur në bregdet dhe për të ndërtuar atje qytete dhe zhvilluar lundrimin e tregtinë.
Vetëm një prej fiseve ilire doli nga trevat malore dhe moçalore të bregdetit adriatikas dhe i hyri sfidës së vështirë që të vendohej në rrafshinat e pasura në qendër të Gadishullit. Ky fis qenë dardanët, paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Kosovës dhe të Maqedonisë. Atëhere dardanët zunë territorin e atyre që sot janë Kosova, Lugina e Preshevës, Serbia Jugore, Maqedonia perëndimore, duke përfshirë Shkupin. Tendenca e dardanëve ishte që të zgjeroheshin drejt jugut përgjatë Vardarit, të cilit ata edhe ia vunë emrin që e mban sot. Në këtë hapësirë dardanët u ndeshën me armiq të shumtë, që donin t’ i nënshtronin dhe deri edhe t’ i dëbonin e t’ i shfarosnin ata, midis të cilëve qenë sidomos maqedonasit, fqinjët jugorë të dardanëve, por edhe trakasit etj. Duke u mbështetur me shpinë mbi ato që sot quhen Alpet Shqiptare dhe mbi Sharrin, dardanët luftuan për 10 shekuj për ta mbrojtur këtë territor, derisa u aneksuan nga Roma, në shekullin II para Krishtit. Dardanët pra, i dhanë Ilirisë hapësirë në rrafshinat përtej prapatokës së ngushtë malore dhe moçalore të bregdetit. Dardanët kishin si dalje më të afërt kah deti që përbënte rrugën e tregtisë dhe të zhvillimit, bregdetin e Shqipërisë së sotme të 1913. Por midis Dardanisë fushore dhe bregdetit ilir ishin masivet malore të Shqipërisë sotme veriore dhe qendrore, të përshkruara nga lumenj të rrëmbyeshëm dhe me shtigje të vëshitara për t’ u kaluar. Kjo bëri që në dy anët e pikës ku bashkohen dy Drinat të krijoheshin qendra të ndryshme shtetformimi dhe mos krijohej një mbretëri ilire që të bashkonte dardanët dhe ilirët këtej pikëbashkimit të Drinave. Kështu që arritja e dardanëve nuk u shfrytëzua për një shtettformim të përbashkët të ilirëve të jugut të hapësirës së atëhershme ilire.
Imagjinoni për një moment sikur masivet malore të Shqipërisë së 1913, nga Alpet deri në Shqipërinë qendrore të gjendeshin përtej kufirit, në Maqedoninë Perëndimore dhe në Kosovë, ndërsa Shqipëria veriore dhe qendrore e këtej kufirit të ishte një vend fushor. Kjo do të kishte bërë që dhe lumenjtë që zbrisnin nga malet të mos ishin të rrëmbyeshëm dhe madje të shërbenin për lundrim. Ilirët do të kishin qenë të pavarur nga gjeografia. Ilirët e e territoreve të Kosovës së sotme dhe Maqedonisë së sotme perëndimore, do ta kishin shumë të lehtë komunikimin me territoret ilire në Shqipërinë e sotme, dhe ç’ është më e rëndësishme edhe me bregdetin, që ishte rruga e tregtisë. Kështu që shtetformimi ilir nuk do të ishte bërë siç u bë, me mbretëri që shprehnin ndarjet e vendosura nga gjeografia, si mbretëria si ato të taulantëve, enkeleasve, ardianëve, dardanëve, ku ardianët arritën të bashkojnë nën mbretërinë e tyre një pjesë të madhe të Shqipërisë së sotme të 1913, ndërsa dardanët Kosovën e sotme dhe Maqedoninë e sotme perëndimore. Kjo ishte rezultat i një fataliteti gjeografik, që ndau ilirët, dhe jo legjitimim historik i kufijve që ndanë hapësirën shqiptare në 1913, në Londër, siç duan të thonë disa. Mbretëritë ilire në dy anët e pikëbashkimit të dy Drinave dështuan të bëhen të fuqishme dhe të zhvilluara, se u mungonin potencialet e njëra tjetrës, për t’ u ballafaquar me sfidat e tyre.
Në kohën kur ilirët u venduan në Gadishull i vetmi popull i rëndësishëm detar i Mesdheut qenë fenikasit, të quajtur nga historianët si “anglezët e Antikitetit”, të cilët e kishin qendrën në Libanin dhe Sirinë e sotme. Pikërisht nga lundërtarët fenikas që debarkonin në brigjet greke, grekët do të merrnin, diku andej nga shekulli IX-VIII para Krishtit, alfabetin, zejtarinë, duke përfshirë dhe lundrimin e ndërtimin e anijeve, matematikën, astronominë, ndërtimtarinë etj. Rreth kohës kur në Ballkan patën ardhur fiset ilire, gjithashtu edhe fiset greke, duke ardhur nga përtej Danubit, u venduan në bregdetin jugor të Gadishullit, që po ashtu qe i thyer dhe i varfër. Si në rastin e ilirëve, ashtu edhe të grekëve, kjo ngulitje përgjatë bregdetit nuk vinte nga një prirje për t’ u marrë me lundrim. Grekët, të cilët më pas do të bëheshin një nga popujt lundërtarë më të famshëm të Antikitetit, në kohën e ardhjes në Gadishull, për shkak të endjes së gjatë në thellësi të kontinentit, e kishin harruar deri edhe fjalën me të cilën shenjohej deti dhe e quajtën atë thjesht “i gjelbri” (thalasa). Por grekët u favorizuan nga fakti se ata gjendeshin në bregdetin jugor të Ballkanit që cekej shumë shpesh nga lundërtarët fenikas që rrihnin ujrat e Mesdheut. Fenikasit ndryshe nga romanët, apo persianët nuk qenë një popull pushtues, por një popull tregëtar. Si të tillë, ata mjaftoheshin duke ndërtuar koloni rreth e qark brigjeve të Mesdheut (Kartagjena qe një koloni fenikase), në mënyrë që të bënin tregëti me vendasit, të cilëve u jepnin pa hezitim edhe dijenitë e veta, gjë të cilën e bënë edhe me grekët. Dhurata bujare që u bënë fenikasit i ndihmoi grekët që të dalin nga ajo që historia e quan “koha e errët” e Greqisë antike dhe që daton që pas Luftës së Trojës (shekulli XII para Krishtit dhe deri IX-VIII para Krishtit). Fenikasit trokitën në dyert e Greqisë dhe u dhanë vendasve kodin e krijimit të qytetërimit, ashtu sikur anglo-amerikanët në shekullin XIX trokitën në dyert e Japonisë së prapambetur për t’ a futur atë në rrugën e qytetërimit modern. Menjëherë pas impetusit që i dhanë fenikasit Greqia hyri në rrugën e qytetërimit dhe u bë ai popull i madhërishëm antik që kultivonte zejet, lundrimin, artet, shkencat.
Pasi grekët u bënë një popull lundërtar, ata filluan të ndërtojnë koloni në bregdetin ilir të Shqipërisë së sotme, pasi kishin avantazhin se vinin nga deti dhe gjenin pikat e përshtatshme për vendbanime, dhe jo nga prapatoka moçalore. Grekët kapën qytetet që qenë pikat-kyçe të bregdetit ilir dhe ndërtuan atje kolonitë e tyre, Durrësin, Lezhën, Apoloninë, Orikumin, Ulqinin etj. Grekët, me anë të flotave të tyre, vunë nën kontroll detin dhe i ndalonin ilirët që të merreshin me lundrim. Kur ilirët tentonin që ta bënin këtë, grekët i etiketonin si piratë. Prej këtej emir i keq i detarëve ilirë në Adriatik dhe Jon. Synimi i grekëve kur u ngulën në bregdetin ilir ishte që ta përdornin Ilirinë, duke përfshirë edhe Dardaninë, si një treg ku ata të shisnin me çmime të larta prodhimet e tyre të përpunuara dhe të blinin me çmime të ulta lëndë të parë. Gjithashtu grekët donin të merrnin në Iliri skllevër për t’ i përdorur si krahë punë pa pagesë në Greqi. Duke pasur këto synime, grekët sigurisht që donin që ilirët të mbeteshin të përçarë, mos të ndërtonin shtet solid, sepse ky shtet do t’ i jepte fund dominimit ekonomik grek në Iliri që ishte parakushti për zhvillimin ekonomik dhe në çdo rrafsh tjetër të Ilirisë.
Në shekullin III para Krishtit, kur filloi të fuqizohej Mbretëria e Ilirisë (Ardiane), në Shqipërinë e këtej kufirit të 1913, kjo e pa qartë se shteti ilir nuk mund të zhvillohej dhe fuqizohej pa i dhënë fund dominimit të bregdetit ilir nga kolonët grekët, të cilët kontrollonin dhe ekonominë ilire, duke qenë se kontrollonin detin dhe nuk e lejonin Ilirinë të bënte tregëtinë sipas interesit të vet. Prandaj, Agroni dhe Teuta, njëri pas tjetrit, hynë në luftë me kolonitë greke të bregdetit ilir, çka shkaktoi dhe luftën e Ilirisë me Romën, për shkak se kjo e fundit u doli në mbrojtje kolonive greke. Mbretërisë Taulante dhe më pas Ardiane, perëndimore, i mungonte mbështetja dardane për të fituar betejën me grekët. Madje grekët ia arritën që t’ a nxisin Mbretërinë Dardane që të hynte në një luftë me Mbretërië Ardiane në atë kohë. Kjo nuk mund t ëshërbejë megjithatë për ndonjë teori armiqësie tejhistorike ndërlire dhe të projektuar tek shqiptarët e dy anëve të kufirit sot, se në atë kohë qytet-shtetet greke luftonin parreshtur me njëri tjetrin.
Edhe në mesjetë shtetformimin shqiptar do ta pengonte konfiguracioni gjeografik i hapësirës shqiptare, jo më pak se në Antikitet. Shqiptarët në Mesjetë nuk krijuan dot një shtet të bashkuar të pavarur, se nuk u bënë dot të pavarur nga gjeografia. Por, siç thotë Paul Johnson, në histori ka rëndësi jo vetëm ajo që ndodh, por edhe ajo që nuk ndodh. Ajo që ndodhi ishte se ilirët dhe shqiptarët më pas nuk arritën që të krijojnë dot një shtet në dy anët e pikëbashkimit të Drinave, por ama shqiptarët në dy anët e pikëbashkimit të Drinit, mbetën një popull, një nacion (komb), që flisnin të njëjtën gjuhë dhe nuk u bënë dy popuj të ndryshëm, që flisnin dy gjuhë të ndryshme. Derisa ndodhi kështu atëherë u ruajt premisa kryesore për shtetformim të përbashkët. Edhe sot në shekullin XXI, ashtu si në Antikitet, gjeografia kapërbën pengesën kryesore për komunikim mes shqiptarëve të dy anëve, dhe për integrimin e tyre të gjithanshëm. Ashtu si Dardania në Antikitet, edhe Kosova e sotme ka problem rrugëdaljen në bregdet, si vijën më të përshtatshme të komunikimit ekonomik me botën, dhe bregdeti shqiptar mbetet rruga e natyrshme. Sot Kosova që shpallet e pavarur gjendet para të njëtave sfida si Mbretëria Dardane në Antikitet. Në Antikitet beteja me gjeografinë nuk mund të fitohej mes dy pjesëve të hapësirës ilire, në mënyrë që të ndryshohej historia. Kështu që historia ilire dhe shqiptare u bë vazhdim i gjeografisë, apo gjeografi që ecën, siç thotë Herder. Sot beteja me gjeografinë mund të fitohet falë arritjeve të teknikës. Dhe beteja me gjeografinë, për të ndryshuar historinë ka filluar me ndërtimin e tunelit të dyfishtë të Kalimashit, si pjesë e Rrugës Durrës-Kukës, që në fakt është Rruga Tiranë-Prishtinë. Derisa në Antikitet, fenikasit u dhanë grekëve dijet dhe zejet me të cilat ata mundën të bëhen zotërit e bregdetit ilir dhe të kushtëzojnë zhvillimin e Ilirisë, duke përfshirë dhe Dardaninë, sot “fenikasit” janë në anën tonë, dhe po na bëjnë tunelin e Kalimashit. Dihet se gjeopolitika është politikë ndërkombëtare e përcaktuar nga gjeografia, dhe nëse gjeografia e pengonte bashkimin e shqiptarëve në një shtet, politika ndërkombëtare (amerikane) nuk mund ta bënte këtë. Kjo ishte llogaria e serbëve, grekëve, rusëve. Por amerikanët pas betejës kundër Serbisë (fushatës ajrore të NATO) vendosën të fitojnë betejën me gjeografinë duke ndërtuar tunelin e Kalimashit. Beteja me gjeografinë po fitohet dhe rrota e historisë po kthehet mbrapsht, duke rifilluar dhe një herë historia atje filloi të ecë keq për shkak të fataliteteve gjeografike. Ata që e kishin parë gjeografinë si aleat historik në luftën kundër shqiptarëve, për t’ i ndaluar ata të komunikojnë dhe bashkohen në një shtet, u tërbuan kur filloi beteja kundër gjeografisë. U tërbuan serbët, u tërbuan dhe grekët që e shikojnë këtë rrugë veç të tjerash si dëmtuese të tregtisë nëpërmjet portit të Selanikut, pasi krijon një alternativë më të përshtatshme me Durrësin. Për fat të keq, në këtë betejë nacionale të shqiptarëve kundër gjeografisë pati dhe shqiptarë që ishin në anën e armiqve të Shqipërisë, madje deri edhe vetë opozita shqiptare.
Partia Socialiste mund të ketë të drejtë në akuzat që i bën qeverisë së tashme, për mënyrën se si ka proceduar për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. Por PS, nga ana e saj është fajtore për atë që menjëherë pas çlirimit të Kosovës, në qershor 1999, kur u bë emergjent ndërtimi i kësaj rruge, si një superstradë me katër korsi, nuk hapi një tender ndërkombëtar për të bërë studimin e feasibility dhe projektin e kësaj rruge, duke dhënë paratë për këtë qëllim, çka nuk ishte një shumë e madhe. Këtë nuk e bëri as Qeveria «Majko» në 1999, edhe pse Majko shtihej shumë i përkushtuar për ndërtimin e kësaj rruge, nuk e bëri as Qeveria «Majko 2» në 2002, nuk e bëri as Qeveria «Meta» (1999-2002), as Qeveria «Nano»(2002-2005). Akoma më skandaloze është kjo kur për rrugën u vu një taksë e posaçme, të ardhurat e mbledhura nga e cila mjaftonin për ta bërë njëzet herë projektin e rrugës, dhe megjithatë nuk u bë asgjë dhe këto para u përdorën për qëllime të tjera nga qeverisja e majtë. Në rast se qeveritë e majta do t’ i kishin lënë qeverisë «Berisha» studimin e feasibility dhe projektin, atëherë nuk do të ishte krijuar kjo situatë që është krijuar sot, dhe qeveria e tashme do të procedonte normalisht në tenderat për kontratat për ndërtimin e segmenteve të rrugës. Fakti që qeveritë e PS, gjatë gjashtë viteve në pushtet pas çlirimit të Kosovës, e rëndon shumë PS, se dihet që vendet fqinje, Serbia, Greqia, por dhe fuqi të mëdha jodashamirëse ndaj shqiptarëve, si Rusia dhe Franca, nuk e duan ndërtimin e kësaj rruge, që është «shtylla kurrizore» e një shteti të bashkuar shqiptar. PS nuk mund ta mohojë që në Beograd, Athinë, Moskë etj., kanë qenë shumë të kënaqur që deri në vitin 2005, sa kohë që PS ishte në pushtet, nuk u bë as projekti për ndërtimin e kësaj rruge. Dhe këtë gjë e bënë duke përfituar nga fakti se në SHBA kishte greko-amerikanë të fuqishëm si Tenet që kërkonin ta pengonin ndërtimin e kësaj rruge, me një mijë mënyra. Dhe Tenet favorizohej në këtë nga fakti se pushtetarët e Tiranës nuk jepnin mendime të favorshme për këtë rrugë.
Me ardhjen e PD në pushtet, në 2005, në Beograd, Athinë dhe Moskë, menduan se përsëri për rrugën nuk do të bëhej asgjë, se në gjendjen që i kishte lënë gjërat qeveria e mëparshme, qeveria e re do të ishte e detyruar të bënte lojën e qendrimit të vezës vertikalisht nga maja, duke bërë studimin e feasibility, oponencën, tenderin ndërkombëtar për projektin, oponencën e tij, tenderin për superivizionin ndërkombëtar, e kështu me rradhë dhe pastaj do të kërkonte të gjente financimet për rrugën. Kështu do të kalonte katërvjeçari i mandatit të kësaj qeverie pa u bërë asgjë për rrugën, dhe pastaj do të vinte përsëri qeveria e majtë, që kishte dhënë prova se nuk do të bënte asgjë. Por qeveria «Berisha», me nxitjen e qartë amerikane, zgjodhi të përdorte metodën e Kolombit për ta qendruar vezën vertikalisht, duke e përplasur dhe thyer majën e saj për të krijuar bazament-në këtë rast, duke thyer procedurat ligjore. Qeveria «Berisha», për hir të së vërtetës, në këtë çështje veproi sipas raison d’ etat shqiptar. Me këtë u dogj kalkulimi i bërë në Beograd, Athinë, Moskë etj., për të penguar ndërtimin e kësaj rruge. Beteja me gjeografinë në Rrugën Durrës-Kukës (Tiranë-Prishtinë) është beteja e dytë e madhe pas fushatës ajrore të NATO kundër Serbisë që SHBA bëjnë në favor të nacionit (kombit) shqiptar. Në historinë e Shqipërisë «Bechtel» do të mbetet si «NATO» që fitoi betejën me gjeografinë! Me ndërtimin e tunelit të Kalimashit nacioni (kombi) shqiptar shpall pavarësinë nga gjeografia!
Fitorja në betejën me gjeografinë, do të thotë që të dilet nga rrethi vicioz historik. E sotmja në Shqipëri është një déjà vu e asaj që ka ndodhur në Antikitet. Sot Shqipëria gjendet në të njëjtën situatë në të cilën gjendej Iliria në shekullin III para Krishtit. Greqia u ka zënë shqiptarëve bregdetin me monopolet e saj. Në Durrës dhe në Lezhë janë ngritur depozitat greke të naftës, në të cilat vjen nafta që Greqia, e cila nuk është vend prodhues nafte, ua shtet shqiptarëve me çmime artificialisht të larta. Deri edhe kripë nuk prodhojnë shqiptarët në bregdet, se kripën e kanë monopol tregtarët minoritarë grekë që e sjellin nga Greqia. Për të mos folur për monopolet në telefoninë mobile. Greqia e kontrollon ekonomikisht dhe e shfrytëzon Shqipërinë, siç bënin dikur fuqitë europiane me kolonitë afrikane. Qindra mijëra shqiptarë punojnë në Greqi, në kushte vetëm fare pak më të mira se ato të skllevërve të Lashtësisë. Dikur skllevërit punonin pa pagesë, ndërsa sot Greqia u jep këtyre «skllevërve modernë» një pagesë, në mënyrë që ata t’ u çojnë disa pare familjeve të tyre në Shqipëri, që këto të fundit të blejnë mallrat greke që vijnë në Shqipëri. Kështu mbyllet cikli i qarkullimit të parasë nga grekët tek grekët dhe grekët nxjerrin një fitim të dyfishtë, duke mbajtur skllevërit e rinj në punë dhe duke shitur mallrat e tyre në tregun shqiptar. Në thelb, asgjë nuk ka ndryshuar nga koha e lashtë. Kompanitë greke çojnë shumë mallra edhe në Kosovë, me anë të tregtarëve nga Shqipëria, një pjesë minoritarë grekë, ashtu si në Antikitet. Është një fakt që këto privilegje ia dha Greqisë në Shqipëri, pas vitit 1997, pikërisht PS, që tregoi një mungesë të qartë dëshire për ta bërë qoftë edhe në letër, si projekt, rrugën që lidh Republikën e Shqipërisë me Kosovën, dhe që sot e ka bërë çështjen e kësaj rruge, çështjen kryesore të kundërshtimit ndaj qeverisë. Socialistët e ndershëm duhet të reflektojnë gjatë mbi këto fakte, se nuk janë rastësi. Ata që do të rreken ta ndalin rrotën e historisë do të shtypen prej saj në mënyrë të paevitueshme dhe të tjerët nuk kanë pse u shkojnë pas.
Ata që bënë gjithçka që nacioni shqiptar mos ta fitonte betejën me gjeografinë, tash po dalin si kampionë të pavarësisë së Kosovës. E pra, sot kur po shpallet pavarësia e Kosovës, dhe Kosova do të gjendet para embargos së Serbisë, dhe në mëshirën e Maqedonisë, për të rrugët e saj të komunikimit, në rradhë të parë ekonomik, bëhet edhe më e qartë se Republika e Shqipërisë, shteti amë, nuk e ka barë detyrën e tij për këtë ditë. Ajo që Shqipëria duhet të bënte për Kosovën nuk ishte lobing për njohjen e pavarësisë së saj, siç thotë Arta Dade, por që sot të kishte përfunduar Rruga Durrës-Kukës, ose së paku të ishte duke përfunduar. Në rast se Enver Hoxha do të kishte menduar mbarë për Kosovën, ai në vend që të bënte tunele të pavlefshme ushtarake gjithandej, do të kishte bërë tunelin e Kalimashit, duke siguruar pavarësinë e kombit shqiptar nga gjeografia. Dhe ta linte për ditën e mirë të Kosovës. Kosova po e shpall pavarësinë në një kohë që kombi shqiptar nuk e ka shpallur pavarësinë nga gjeografia. Ky është problemi më i madh sot.
Por përse ata që penguan sa mundën pavarësinë e kombit shqiptar nga gjeografia, flasin sot për pavarësinë e Kosovës. Kuptohet përse. Në dëshpërimin e tyre, ata pavarësinë e Kosovës e shohin si llogoren e tyre të fundit në betejën me historinë, llogore që pengon që shqiptarët në dy anët e kufirit të bashkohen në një shtet të vetëm nacional. Ata që bënë gjithçka që kombi shqiptar mos ta fitonte betejën me gjeografinë, e shikojnë pavarësinë e Kosovës në të njëjtën mënyrë si pavarësinë e Timorit Lindor para disa vjetësh. Kosova e pavarur do t’ u hiqet qafe dhe do të ketë lidhje me Republikën e Shqipërisë po aq sa Timori Lindor. Por Kosova e pavarur, pasi është fituar beteja me gjeografinë, mund të bashkohet lehtë me Republikën e Shqipërisë, se pavarësi do të thotë që je i lirë të bashkohesh edhe me një shtet tjetër. Dhe justifikimin për ta bërë këtë Kosovës po ia jep Serbia dhe Rusia, me përpjekjet që po bëjnë për ta mbytur shtetin që po krijohet. Atëherë do të vijë dita e gjyqit për ata penguan pavarësinë e kombit shqiptar nga gjeografia, duke u shërbyer serbëve, grekëve dhe rusëve. Ky kolaboracionizëm me gjeografinë e pafavorshme, të shndrruar përgjatë 3300 vjetëve në pjesë të strategjisë së fqinjëve dashakeqë, është një faj historik që nuk mund të shlyhet me asgjë, e që bëhet edhe më skandaloz, kur përcillet me kritikën ndaj kolaboracionistëve të fashizmit përgjatë pesë viteve të Luftës së Dytë Botërore.





