Nga Kastriot Myftaraj
Kur Berlusconi hyri në politikë në Itali, në 1994, së majtës kjo gjë i bëri komoditet të madh, pavarësisht nga demonizmi që i bëri Berlusconit si plutokrat. E majta italiane, që atëherë dominohej nga komunistët e konvertuar në socialdemokraci, në 1991, kishte nevojë për të treguar me gisht një demon në krahun tjetër, që të largonte vëmendjen nga e keqja e vet, dhe të unifikonte në një koalicion të majtën e fragmentarizuar. Berlusconi, miliarderi i bërë befas lideri i dë djathtës, ishte pikërisht ajo çfarë i duhej së majtës për ta paraqitur atë si demonin politik, kundër të cilit duhet të bashkohej e majta. Me rrezikun e Berlusconit u justifikua koalicioni i ish-komunistëve që pretendonin se ishin shndrruar në ndjekës të social-demokracisë, me komunistët autentikë. Nënkuptimi ishte se ish-komunistët qenë të detyruar nga dalja e Berlusconit në krye të së djathtës, për të bërë aleancë me komunistët. Kështu, ekzistenca e Berlusconit në krye të së djathtës u bë paradoksalisht kusht i domosdoshëm për homogjenitetin e së majtës dhe për suksesin e çfardo nisme për bashkimin e saj. Të gjithë konfliktet brenda së majtës kërkohej të mbylleshin me atë duhet të bashkoheshin të gjithë kundër Berlusconit.
Ai çfarë Berlusconi ka qenë për të majtën ish-komuniste italiane 14 vitet e fundit, ka qenë Berisha për të majtën ish-komuniste shqiptare 17 vitet e fundit. Paradoksi më i madh ironik në luftën që i ka bërë e majta Berishës që nga viti 1991 është se Berisha ka qenë praktikisht faktor stimulues i unitetit të PS. Gjatë 17 vjetëve, të gjitha konfliktet brenda PS dhe së majtës në përgjithësi është kërkuar të mbyllen me justifikimin se PS, apo e majta në përgjithësi duhet të jetë e bashkuar përballë Berishës. Nëse Berisha nuk do të kishte ekzistuar, në krye të krahut tjetër politik, ai ishte dashur të shpikej nga e majta. Midis PS dhe Berishës në krye të PD ka pasur një bashkëekzistencë që mund të përcaktohet si organike, që nga viti 1991. Në rast se komunisti për 22 vjet Sali Berisha nuk do të kishte qenë në krye të partisë më të madhe të krahut tjetër të politikës, PS nuk do ta kishte kaluar dot kaq lehtë faktin që edhe pse thotë se nuk ka asnjë lidhje me PPSH, përsëri përdor retorikë të kohës së komunizmit për të mbajtur elektoratin e me bindje komuniste, që 95% voton për PS, çka e kompromenton pretendimin e kësaj partie se është shndrruar në një parti të majtë perëndimore. Në rast se do të ishte kështu asaj do t’ i ishte larguar elektorati me bindje komuniste, që përbën së paku 10-15% të elektoratit në Shqipëri. Në këtë “provë të lakmusit” PS del e kuqe dhe jo rozë.
Në Itali, vitin e kaluar, një politikan ish-komunist, Valter Veltroni, atëherë 52-vjeçar, u vu në krye të një partie të re të majtë, të quajtur Partia Demokratike, dhe të dalë nga bashkimi i një numri të madh partish që e kishin origjinën tek Partia Komuniste Italiane, dhe që dolën në vitet pasi ajo ndryshoi emrin, në 1991. Veprimi i parë i rëndësishëm i Veltronit ishte që të ndahej përfundimisht nga komunistët, duke qenë i vendosur për të mos bërë koalicion me ta, edhe pse i thanë se kjo praktikisht do të thoshte që e majta të humbte çdo shpresë për të fituar në zgjedhjet e ardhshme. Veltroni deklaroi se ishte i vendosur që ta bënte këtë gjë, pavarësisht nga ky çmim, duke shtuar se reformimi i së majtës ishte një proces rëndësia e të cilit shkonte përtej zgjedhjeve të ardhme. Në 1999, ky njeri që dikur ka qenë sekretar i rinisë komuniste në universitet, deklaroi se komunizmi dhe liria janë jokompatibilë.
Edi Rama ngjan me Valter Veltronin në sensin që karriera e tyre ka ndjekur të njëjtën linjë, si ministra të kulturës, kryetarë të bashkive të kryeqyteteve përkatëse dhe në fund si kryetarë të partive kryesore të së majtës në vendet përkatëse, post që e morën duke qenë kryetarë bashkie. Veltroni u bë ministër në Itali në 1996, dy vjet para Edi Ramës, u bë kryetar i Bashkisë së Romës në 2001, një vit pas Edi Ramës dhe në 2007, dy vjet pas Edi Ramës, u bë kryetar i partisë kryesore të së majtës në Itali, duke mbajtur si Edi Rama edhe postin e kryetarit të bashkisë. Edi Rama dhe Valter Veltroni ndryshojnë në atë se Edi Rama nuk ka qenë anëtar i partisë komuniste, ndërsa Veltroni ka qenë këshilltar bashkiak në Romë nga Partia Komuniste, që në moshën 21 vjeçare në 1976, dhe deputet i kësaj partie që nga viti 1987. Por, Valter Veltroni, edhe pse ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Italiane, e ka marrë shumë seriozisht ndarjen e së majtës ish-komuniste italiane me komunizmin, duke e parë atë praktikisht dhe së pari si ndarje me komunistët, pavarësisht nga kosto elektorale që mund të ketë kjo gjë. Ndërsa Edi Rama që nuk ka qenë komunist, po bën të kundërtën e Veltronit, duke evokuar simbolikën komuniste staliniste shqiptare, me Qemal Stafën, shallet e kuq etj., duke dashur të mbajë të lidhur fort me Partinë Socialiste, elektoratin me bindje komuniste.
Veltroni, duke u ndarë nga komunistët, i hoqi së djathtës një nga argumentet e saj kryesore për të kundërshtuar sulmet e së majtës ndaj Berlusconit, sikur ato bëhen për shkak se e majta ish-komuniste kërkon të tërheqë votat e zgjedhësve me bindje komuniste, duke u treguar Berlusconin si demon kapitalist. Tashmë Veltroni e lufton Berlusconin për atë çka mendon se ai ka të keqe, nga pikëpamja e së majtës jokomuniste. Veltroni e humbi betejën me Berlusconin në zgjedhjet e fundit, jo se u nda nga komunistët, por se e majta italiane nuk arriti t’ i bindë zgjedhësit se pas revolucionit politik që bëri, ishte maturuar sa të vinte në pushtet kaq shpejt. Edi Rama ndjek politikën e kundërt të Veltronit, duke bërë gjithçka për t’ i mbajtur të lidhur me PS zgjedhësit me bindje komuniste, gjë që ka një kosto që mbetet për t’ u parë pasi PS të ketë ardhur në pushtet, në zgjedhjet e ardhshme, gjë që do të sjellë largimin e Berishës nga politika. Atëherë, fakti që PS do të paraqitet si partia e majtë që ka elektoratin me bindje komuniste, do t’ i rëndojë shumë më tepër se sot kësaj partie. Për këtë arsye, largimi i Berishës nga politika është i nevojshëm jo vetëm për reformimin e PD, por edhe për reformimin e PS. PD mund të reformohet vetëm nëse PS distancohet nga simbolika komuniste në atë mënyrë që të largojë elektoratin komunist, që nuk ka lidhje me idealet që shpall PS.
Në Itali politikën e çliroi nga paradigma bllokuese “E majta e bashkuar deri tek komunistët, përballë Berlusconit-gogol ” një lider i majtë, Veltroni. Kjo është merita e madhe e Veltronit. Në Shqipëri politikën mund ta çlirojë nga paradigma bllokuese vetëm largimi i Berishës, derisa Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjë atë që bëri Veltroni dhe të ndeshet me PD dhe Berishën vetëm me mbështetjen e elektoratit të majtë me bindje të social-demokracisë. Por, kur të largohet Berisha, Edi Rama vihet në rradhë për të paguar çmimin si lideri i së majtës që e përsosi në kulm politikën e vjetër të mbajtjes lidhur me PS të elektoratit me bindje komuniste.
Analogjitë e mëdha të karrierës politike të Edi Ramës dhe Veltronit shërbejnë për të kuptuar më mirë joseriozitetin politik të Edi Ramës. Edi Rama nuk pranon të thotë qartë se ai do të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës për t’ u regjistruar në listën e kandidatëve për deputetë të PS dhe për të drejtuar fushatën e kësja partie si kandidati i saj për kryeministër. Valter Veltroni, në shkurt të këtij viti dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Romës, për të drejtuar partinë dhe koalicionin e tij në zgjedhje, si kandidat për kryeministër, dhe u regjistrua në listën e kandidatëve për deputetë. Edi Rama deklaron se një njeri mund të bëhet kryeministër edhe pa qenë deputet, gjë që teknikisht është e mundur. Por Rama harron se në epokën e tranzicionit në Shqipëri, i pari njeri që është bërë kryeministër, pa qenë deputet ka qenë … Fatos Nano, që u bë kryeministër në shkurt 1991. Por Rama e quan Nanon “politikan i vjetër”. Kështu, Edi Rama, duke u bërë kryeministër pa qenë deputet, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të hyjë më thellë në kursin e politikës së vjetër në Shqipëri. Nëse Rama bëhet kryeministër pa qenë deputet si Nano në shkurt 1991, atëherë nuk i mbetet gjë tjetër veç që ta bëjë Gramoz Ruçin ministër të brendshëm, se në Qeverinë “Nano 1” në 1991, Gramoz Ruçi ishte ministër i brendshëm, çka do të thoshte në atë kohë kur ekzistonte edne Sigurimi i Shtetit, edhe shef i Sigurimit të Shtetit.
Nga sa kam thënë më sipër, nëse bëhet një paralelizëm i dyshes shqiptare Berisha-Rama me atë italiane Berlusconi-Veltroni, del se ka një paralele të qartë mes tyre, që vazhdon deri në një pikë ku ndërpritet se Berisha, ndryshe nga Berlusconi është në prag të humbjes dhe largimit nga politika, ndërsa Rama, ndryshe nga Veltroni është ndoshta në prag të fitores dhe ardhjes në pushtet. Por fakti që largimi i Berishës do të inicojë revolucionin politik, jo vetëm në PD, por edhe në PS, ndërsa pozita e Edi Ramës do të rrezikohet nga kjo gjë, është treguesi i qartë se Edi Rama është një politikan i vjetër i stampës komuniste, pavarësisht se nuk ka qenë formalisht komunist. Kështu del se derisa Berisha është bërë komunist në 1968, Edi Rama është bërë komunist në 1964, që me lindjen e tij, në një familje të nomenklaturës komuniste.
2008





