Tarasi me kombinacion magjik
Nëntitulli i parathënies «Tarasi me kombinacion magjik», duhet sqaruar për lexuesin që në fillim për vetë mënyrën e rrëfimit që përdor unë në këtë libër. Ky libër, është konceptuar si një paraqitje e dualizmit të figurës së Enver Hoxhës, gjë të cilën ai bën përpjekje të mëdha ta fshehë në kujtimet e veta. Madje ky më duket se është qëllimi kryesor për të cilin ai ka shkruar kujtime aq prolikse. Nëntitulli merr shkas nga dy episode të ndodhura gjatë një vizite të Enver Hoxhës në Bashkimin Sovjetik në prill 1957. Në 14 prill 1957, kur Enver Hoxha gjendej në Bashkimin Sovjetik, ai shkruan në ditarin e vet:
Mbrëmë asistuam në shfaqjen e baletit «Taras Bulba», në Teatrin e Operës e të Baletit të Leningradit.[i]
Dy ditë më pas, në 16 prill 1957, Enver Hoxha, i cili tashmë gjendet në Moskë, shkruan:
Në mbrëmje asistuam në shfaqjen e operës «Dama Pik» të Çajkovskit, në Teatrin Balshoi.[ii]
Në një vend totalitar ku shoqëria ishte ultra të planifikuar, nuk ishte rastësi që, gjatë vizitës së udhëheqësit shqiptar në Bashkimin Sovjetik, të jepeshin këto dy shfaqje, ku ai të ishte i pranishëm, po të mendojmë kumtin që përsillnin ato për Enver Hoxhën. Monarkët absolutë europianë kishin një dokje, që e gjenin shumë zbavitëse. Ata me anë të shfaqjes së dramave apo operave në oborrin e tyre, u jepnin kumte njerëzve të caktuar, të cilët i kishin ftuar, dhe të cilët nga ana e tyre fillonin të mendonin se çfarë donte t’ u thoshte monarku duke i ftuar në shfaqjen e kësaj drame apo të kësaj opere. Këtë traditë monarkësh e ndoqi dhe Stalini, i cili e ushtronte atë me oborrtarët e vet komunistë. Por këtë traditë nuk e bjerrën as pasuesit e Stalinit. Duket se në situatë të tillë u gjend Enver Hoxha në prill 1957 në Bashkimin Sovjetik. Aq më tepër duke ditur faktin se në këtë vizitë pritej që midis Enver Hoxhës dhe udhëheqësit sovjetik Hrushov të ndodhte konflikti i parë serioz. Në këtë bisedë Hrushovi i tha Enver Hoxhës se ai donte t’ i çonte në rrugën e Stalinit.
Sovjetikët i irritonte shumë sjellja prej ortodoksi revolucionar komunist e Enver Hoxhës, aq më tepër kur ai ishte i vetmi nga të gjithë udhëheqësit e vendeve komuniste, i cili nuk kishte një veprimtari revolucionarë komuniste në rininë e vet, dhe që nuk ishte burgosur asnjëherë si komunist. E megjithatë i lejonte vetes t’ u jepte leksione ideologjike homologëve të vet revolucionarë profesionistë që në rininë e hershme. Enver Hoxha ishte një parvenu në elitën e revolucionarëve komunistë të botës. Vepra nr. 1 e Enver Hoxhës fillon në nëntor të vitit 1941, kur ai, me paturpësi i atribuon vetes rezolucionin e mbledhjes themeluese të partisë komuniste dhe thirrjen e parë të partisë komuniste, dokumente të cilat sigurisht që nuk mund të ishin tekste të tij ekskluzivisht. Ku janë shkrimet që ai pretendon se ka botuar në vitet tridhjetë në Francë? Koleksionet e gazetave qenë në Francë dhe mund t’ i gjente lehtë kur erdhi në pushtet.
Në 24 qershor 1965 Enver Hoxha shkruan për diktatorin algjerian Ben Bela, që ato ditë u rrëzua nga pushteti me puç prej kolonelit Bumedien:
Ben Bela është njeriu tipik aventurier i kohëve aktuale. Ai është një mikroborgjez, karrierist, megaloman, i dyshimtë, njeri i të gjitha kallëpeve, njeri që ka një pikëpamje për veten e tij të një njeriu «të madh historik» me perspektivë jo vetëm «algjeriane», jo vetëm «afrikane», por «botërore». Ai veshi «togën» e luftëtarit pa hedhur pushkë, ai përfitoi nga lufta për të hedhur pushtetin në duar dhe të bëhej një personalitet botëror.[iii]
Këtij tipi njeriu i përkiste dhe Enver Hoxha që me këtë kishte bërë edhe epigramin e vetvetes.
Sovjetikët kishin pikërisht këtë mendim për Enver Hoxhën dhe duke e bërë të asistonte në shfaqjen e baletit dhe të operas në fjalë donin t’ ia bënin të qartë këtë. Kur Enver Hoxha është i pranishëm në shfaqjen e baletit «Taras Bulba», në Leningrad, nuk mund të mos të shkojë ndërmend tek pseudonimi i tij i habitshëm i kohës së luftës, që ishte pikërisht «Tarasi». Ky pseudonim qartësisht ishte i frymëzuar prej Taras Bulbës, për t’ i pëlqyer Moskës. Enver Hoxha e zgjodhi pseudonimin «Tarasi», pas themelimit të PKSH, sigurisht duke pyetur dhe të dërguarin komunist serb, Miladin Popoviç. Me themelimin e PKSH, komunistët shqiptarë do të bënin kërkesë në Moskë, nëpërmjet jugosllavëve për t’ u njohur nga Kominterni partia e re, dhe për t’ u pranuar prej tij, njohje që do t’ u vinte në dhjetor 1942. Sigurisht ndër informacionet që iu bëshkëngjitën kërkesës për njohje qenë veç emrave e shtatë anëtarë të Komitetit Qendrore provizor dhe pseudonimet e tyre. Enver Hoxha e dinte se në Moskë, duke mos i njohur njerëzit që e KQ të PKSH, do të gjykonin Kjo ishte aparenca e Enver Hoxhës, ajo çka ai donte të jepte përshtypjen sikur ishte. Baleti «Taras Bulba» është bazuar tek novela «Taras Bulba» e Nikolai Vasilevich Gogol. Taras Bulba ishte një prijës kozak i Dnjeprit, që jetoi në shekullin XV. Taras Bulba kishte një shpirt luftarak thellësisht rus dhe ortodoks. Ai urrente njëlloj polonezët e katolikët në përgjithësi, si dhe turqit e tartarët, e muslimanët në përgjithësi. Ai luftonte kundër polonezëve dhe turqve e tartarëve. Andrea, i biri, për hir të së dashurës, u bashkua me polonezët. Taras Bulba pasi e kapi rob të birin i thotë:
A kështu shitet feja? A kështu shiten shokët?.[iv]
Dhe pastaj Taras Bulba i tha të birit:
Aty qëndro dhe mos luaj, unë të linda, unë do të të vras.[v]
Në novelën e Gogol, mbi të cilën është bazuar opera, thuhet për fushatën e Taras Bulbës në Poloni:
Tarasi i ra Polonisë anembanë me regjimentin e tij, dogji tetëmbëdhjetë qytete të vogla, pothuaj dyzet kisha katolike dhe iu afrua Krakovisë... «Mos t’ ju dhimbset asgjë!» thosh pa pushim Tarasi. Dhe kozakët nuk i kursenin gratë vetullzeza aristokrate, vajzat e bukura gjijbardhë; ato nuk shpëtonin as në altar se Tarasi i digjte bashkë me altarin.
Duar të bardha si dëborë ngriheshin në mes të flakëve, me ulërima aq të thekshme sa edhe toka e lagët do të mallëngjehej, edhe bari i stepës do të përkulej nga mëshira. Por kozakëve të egër nuk u bëhej vonë; i ngrinin fëmijët në majë të shtizave dhe i hidhnin edhe ata në flakë.[vi]
Në këto luftra, Taras Bulbën e kapin polonezët dhe e lidhin në një pemë, së cilës do t’ i venë zjarrin për ta djegur të gjallë. Tarasi i lidhur thotë:
E ç’ fituat ju, polakë të mallkuar? Mos pandehni vallë se ka gjësendi në botë që t’ ia trembi syrin kozakut? Prisni, prisni se do të vijë një kohë kur do të merrni vesh se c’ është feja ortodokse ruse! Që tani e ndjejnë njerëzia afër dhe larg: nga toka ruse do të ngrihet një car, e nuk do të ketë forcë në botë që të mos i shtrohet.[vii]
Taras Bulba ishte pra një terrorist sllavoortodoks, një piroman, sadist, barbar. Duke marrë pseudonimin «Tarasi», Enver Hoxha deshi të bëhej i pëlqyeshëm për rusët, ose si të thuash deshi të tregohej më rus se rusët. Me pseudonimin e tij ai i premtonte Moskës se do të ishte një «Taras» komunist, një stalinist besnik, që kishte gjetur tek Stalini carin për të cilin profetizonte Taras Bulba, dhe tek stalinizmi ortodoksinë e tij dhe se për këto «ideale» do të bëhej një vrasës politik masiv i pamëshirshëm. Kjo gjithesesi ishte aparenca, se ai nuk besonte tek idealet komuniste, madje as tek stalinizmi që u bë ideali ekskluziv shpallur i vet. Sovjetikët, duke e bërë Enver Hoxhën të asistonte në baletin «Taras Bulba» donin t’ thoshin se ai ishte një komedian, që kishte luajtur komunistin dhe revolucionarin, si një rol në teatër. Kjo u kuptua kur rusët pas dy ditësh e bënë Enver Hoxhën që të asistonte në shfaqjen e operës «Dama Pik» (Dama maç), të Çajkovskit, i dhanë kumtin se çka ishte e vërteta e tij. Opera është bërë sipas novelës së famshme të Alexander Pushkin. Në opera, personazhi kryesor është Herman, i cili është është një parvenu, një i rëndomtë ndërmjet oficerëve që janë aristokratë. Enver Hoxha duhet ta ketë ndjerë veten keq në këtë shfaqje, që nga skena e parë tek e fundit, pasi tek Hermani ai ka parë vetveten, si një parvenu komunist dhe revolucionar. Skena e parë hapet me një bisedë të oficerëve aristokratë për sjelljen e padenjë të kolegut të tyre Herman, i cili nuk është aristokrat dhe i cili luan shumë bixhoz, edhe pse nuk ka fare fat. Në këtë kohë hyn Hermani me një oficer tjetër. Herman u tregon kolegëve të vet oficerë, aristokratë, se ka rënë në dashuri me një vajzë së cilës nuk ia di emrin. Andej kalojnë Kontesha plakë dhe mbesa e saj, Liza. Njëri prej oficerëve Princ Jelecky u thotë kolegëve se Liza është e fejuara e tij. Hermani shokohet nga kjo që dëgjoi se ajo është vajza e panjohur që ai e dashuron. Kontesha dhe e mbesa habiten nga pamja e Hermanit.
Një nga oficerët u tregon shokëve historinë e konteshës, e cila kur ishte e re kishte luajtur shumë bixhoz pa fat, duke humbur gjithë pasurinë e saj në lojën me letra të quajtur Faro. Pastaj ajo e kishte joshur kontin Sen Germain, duke e bërë t’ i zbulonte një sekret të tre letrave fituese dhe e rifitoi pasurinë e saj. Ajo ua tha sekretin të shoqit dhe një djali të ri. Atë natë iu shfaq një fantazmë që i tha se do të merrte një goditje vdekjeprurëse prej njeriut të tretë, të cilit do t’ ia tregonte sekretin. Shokët i thanë me shaka Hermanit, i cili e dëgjoi historinë, që ta zbulonte sekretin e zonjës plakë. Një rrufe gjëmoi në këtë moment. Hermani betohet me vete se sa të jetë gjallë nuk do ta lejë princin të ketë të dashurën e vet. Rruga e Hermanit për tek sekreti i zonjës plakë është pikërisht Liza, mbesa e saj.
Në skenën e dytë Liza shfaqet në ballkon dhe pohon duke folur me vete se ka rënë në dashuri me të panjohurin që pa dhe që është Hermani. Në atë moment shfaqet poshtë ballkonit Hermani. Hermani impresionohet nga pamja e konteshës plakë që duket si fantazmë. Liza pranon dashurinë e Hermanit.
Më tutje, dy shokë të Hermanit i dalin atij para me maska dhe i thonë se ai është i predestinuar që të jetë i treti që do të zbulojë sekretin e konteshës plakë. Herman e beson këtë gjë. Pas kësaj ka një intermezzo pastorale: Sinqeriteti i barinjve. Në përfundim Liza i jep Hermanit çelësin e dhomës së saj të gjumit që komunikon me dhomën e konteshës, çka Hermani e merr si një shenjë qiellore. Ai mendon se këtë mbrëmje do të fitojë Lizën dhe sekretin e tre kartave.
Hermani hyn dhe fshihet në dhomën e gjumit të konteshës. Kjo hyn dhe shtrihet në shtrat të flejë. Ai i lutet konteshës që të tregojë sekretin e tri letrave, por ajo nuk pranon. Hermani e kërcënon me një pistoletë dhe kontesha vdes nga tmerri. Liza e fajëson Hermanin për vdekjen e saj dhe e dëbon. Në aktin e tretë Hermani është në kazermë ku lexon letrën e Lizës që e fal atë dhe që e fton të takohen në skelë. Atij i shfaqet kontesha plakë e veshur me savan të bardhë që i thotë: Shpëtoje Lizën, martohu me atë dhe sekretin e tri kartave do ta fitosh në pajë. Mbaje mend: Treshi, shtata, asi!
Liza pret Hermanin duke qenë shumë dyshuese ndaj tij. Hermani shfaqet në mesnatë dhe ajo qetësohet. Hermani i shfaq dashurinë, por mendjen e ka që të përdorë në bixhoz sekretin e tre kartave. Ai i propozon të shkojnë në shtëpinë e bixhozit, por ajo refuzon, prandaj ai e shtyn tutje dhe ikën. Liza e dëshpëruar hidhet në lumë. Hermani hyn në kazino dhe fiton dy herë duke luajtur në treshin dhe shtatën. Princ Yeletsky, i cili kërkon të hakmerret për të fejuarën, është i vetmi që vendos para herën e tretë përballë Hermanit. Ky zgjedh asin, por del dama maç (mbretëresha e lopatave). Hermanit i shfaqet në letër pamja e një gruaje të vdekur që e tall atë. Hermani qëllon veten për vdekje.
Në opera Hermani është një aventurier që kërkonte sekretin e suksesit spekulativ dhe për këtë nuk heziton që të shkelë mbi kufoma. Kumti për Enver Hoxhën ishte i qartë. Edhe ai gjatë gjithë jetës së tij, të cilën e kishte parë si një lojë, kishte kërkuar kombinacionin e suksesit spekulativ dhe për këtë nuk ishte ndalur para asgjëje, sado e keqe qoftë. «Çfarë është jeta jonë? Një lojë!» («Igra»), thuhet në aktin e tretë të operës dhe kjo shprehje u bë proverbiale në Rusi. Enver Hoxha si alter ego e Hermanit e shikonte revolucionin si një lojë bixhozi, si një aventurë ku mund të fitoheshin para me anë të një kombinacioni magjik, se në këtë lojë kërkoheshin shërbimet e njerëzve si ai. Në këtë lojë të tjerët, individë, grupe, deri edhe vetë popullin, i shikonte si pionë.
Kishte një «Konteshë plakë» që kishte sekretin e suksesit në këtë lojë, dhe një «Lizë» që mund të të çonte tek ajo. Kush ishin «Liza», «Kontesha plakë» dhe çelësi i suksesit «tresh, shtatë, as» i Enver Hoxhës? Komunizmi ishte një lojë e rrezikshme dhe për të qenë i sigurt në këtë lojë duhet të hyje me duke luajtur me letrat që të jepnin armiqtë e tij, të cilët donin të kishin njerëzit e tyre brenda kësaj loje, në fillim policia sekrete e Mbretit Zog, pastaj OVRA (policia sekrete politike fashiste italiane), në kombinim me të dërguarin serb Miladin Popoviç, pastaj Abvehri, shërbimi i zbulimit ushtarak gjerman. Këto qenë «Kontesha plakë» në jetën e Enver Hoxhës. Ajo që i tregon sekretin e suksesit dhe pastaj e ndëshkon? Pasi Enver Hoxha erdhi në pushtet, ai gjatë gjithë jetës jetoi me terrorin psikologjik që i vinte nga ndëshkimi i «Konteshës plakë», me frikën se mos shfaqej e vërteta e lidhjes së tij me të. «Kontesha plakë» e Enver Hoxhës quhej policia sekrete e Mbretit Zog, OVRA, Abvehr. Në realitet, ashtu si në opera, bota e tyre vdiq për shkak se i zbuluan këtij njeriu sekretin e suksesit.
Por Konteshës plakë i është dhënë tagri i hakmarrjes ndaj dhunuesit, çka e terrorizon këtë të fundit dhe kështu duket se ka ndodhur edhe me «Konteshën plakë» të Enver Hoxhës. Enver Hoxha ka jetuar me frikën se imazhi i «Konteshës plakë» do t’ i shfaqej duke u ngërdheshur, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes. në trajtën e dokumenteve arkivore të huaja, duke e shkatërruar reputacionin e tij. Ashtu si «Hermani», Enver Hoxha qe i persekutuar nga fantazma ngërdheshëse që i shfaqej në letra dhe letrat e Enver Hoxhës qenë dokumente të arkivave sekrete. Shërbimi sekret i Zogut, OVRA, Abvehr nuk ekzistonin më, patën vdekur prej kohësh, e megjithatë në kujtimet e Enver Hoxhës duket se si ai lufton me to, si me persekutorë të përjetshëm, jo vetëm sa është gjallë, por edhe pas vdekjes. Enver Hoxha sa qe gjallë nuk dëshiron ta pranojë se kombinacioni diabolik me të cilin ai arriti suksesin, ashtu si në rastin e Hermanit, sjell me vete si fatalitet një çmim për t’ u paguar dhe se ai Enver Hoxha nuk mund t’ i shmanget kësaj, çfarëdo që të bëjë. Kjo dhe për faktin se ai, në kujtimet e veta, sillet si ai krimineli, që rikthehet në vendin e krimit dhe kërkon ta projektojë krimin e vet tek të tjerët.
Kush ishte «Liza» e tij? Në kuptimin e ngushtë të fjalës, si femra të jetë së tij, ato ishin disa, mes të cilave kishte të gjalla dhe të vdekura: gruaja e tij, Nexhmije Xhuglini, Tefta Tashko. Ai i shfrytëzoi të gjitha ato për të arritur ato që donte; Tefta Tashkon për të depërtuar në lëvëzjen komuniste me anë të Koço Tashkos, vëllait të saj, të dërguarit të Kominternit, Nexhmije Xhuglinin, ndaj së cilës bëri rufianin për ta «fejuar» me Miladin Popoviçin. Kur ky i fundit e braktisi në 1943, i tha Enver Hoxhës se një nga kushtet për t’ u zgjedhur sekretar politik i PKSH ishte që të fejohej me Nexhmije Xhuglinin. Në një kuptim figurativ, «Liza» e Enver Hoxhës qenë sa shokët e tij komunistë, të cilët ai i përdori për t’ u ngjitur në pushtet, aq edhe miqtë e tij, të cilët ai i përdori për të hyrë në kontakt me shërbimin sekret të Mbretit Zog, OVRA-n etj.
Për t’ iu rikthyer argumentit të fillimit, në thelb të Enver Hoxhës është dualizmi «Taras»-«Herman», ku «Tarasi» është ajo çka ai kërkon të jetë aparenca e vet, ndërsa «Hermani» është thelbi i vet, të cilin ai ka kërkuar që ta fshehë. Është interesante se si në kujtimet e veta këtë gjë ai e bën duke filluar që nga fëmijëria. KGB e kishte kuptuar saktë thelbin dualist të personalitetit të Enver Hoxhës, dhe, duke e bërë të asistonte në shfaqjen e baletit dhe operës në prill 1957, KGB po e shprehte këtë gjë artistikisht. Në shfaqjen e dytë, «Dama Pik», Enver Hoxha e ka rrokur më në fund krejtësisht kumtin e kombinuar me shfaqjen e baletit së parë, asaj «Taras Bulba». Në shfaqjen e operës së dytë Enver Hoxha ishte si mbreti tek tragjedia «Hamleti», në skenën kur asiston në shfaqjen teatrale ku bëhet një paralelizëm mes krimit të mbretit-spektator dhe personazhit mbret. Ashtu si mbreti- spektator në tragjedinë e Shekspirit, i cili ndjek një shfaqje teatrale tragjike, edhe Enver Hoxha-Taras-Herman i kishte duart e përgjakura. Por ndryshe nga mbreti në tragjedinë e Shekspirit, Enver Hoxha nuk bërtiti gjatë dy shfaqjeve: «Të ndizen dritat!» Enver Hoxha duroi deri në fund të këtyre dy shfaqjeve, madje duartrokiti. Ai e dinte shumë mirë se njerëzit e KGB e regjistronin me telekamera gjatë gjithë kohës dhe se qëndrimi i tij në shfaqje do të analizohej në çdo grimasë të fytyrës, duke u parë në lidhje me atë që shfaqej në skenë. Pastaj për këtë gjë do t’ i bëhej një raport Kremlinit ku Hrushovi dhe të tjerët do të zbaviteshin shumë me këtë gjë, duke parë sekuencat filmike të përzgjedhura, të përsjella me titrat që shpjegonin se në ç’ moment të shfaqjes qenë bërë ato.
Enver Hoxha në 16 prill 1957, në llozhën e Balshoi Teatër, nga ku ndiqte operan «Dama Pik», i gjendur papritur në rolin e mbretit tek «Hamleti» në skenën e famshme kur ai kërkon të ndërpritet shfaqja dhe të ndizen dritat, e mbajti veten, duke e luajtur rolin në mënyrë të shkëlqyer, ashtu siç do të kishte bërë mbreti në tragjedinë e Shekspirit, po të qe më tepër makiavelik. Ky ishte roli më i arritur i aktorit amator Enver Hoxha.
Enver Hoxha, sa ishte gjallë ka bërë gjithçka për t’ i shkurajuar ata që pas vdekjes së tij do t’ i hynin sfidës së vështirë për të shkruar një libër për jetën e tij. Për këtë qëllim Enver Hoxha ka vepruar në dy linja. Nga njëra anë, ai ka bërë gjithçka për të spastruar arkivat në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri, nga dokumentet kompromentuese për të dhe për familjen e tij. Për arkivat shqiptare e kishte të lehtë, se për 40 vjet i kishte në duart e veta. Për ato dokumente që ka lënë, ai ka gjykuar se ato mund të interpretoheshin në favor të tij. Enver Hoxha nuk është kursyer të paguajë shuma të mëdha parash edhe për të asgjësuar në arkivat e huaja disa dokumente veçanërisht kompromentuese për të, ose për familjen e tij. Për disa dokumente të tjerë në arkivat e huaja, të cilët janë veçanërisht kompromentuese për të, ai nuk shqetësohej, se e dinte që ato janë nga ai lloj dokumentesh të cilat shtetet nuk i publikojnë kurrë. Në fjalimin e vet të fundit publik, «Përshëndetje me rastin e 40 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë», në 29 nëntor 1984, Enver Hoxha thotë duke iu drejtuar «atdheut»:
Arkivat e kancelarive të shteteve të Evropës janë mbushur me dokumente që vërtetojnë luftën tënde, trimëritë e aspiratat e tua të zjarrta për liri. Por këto arkiva nuk hapen, akoma edhe tash e kësaj dite ato qëndrojnë të mbyllura. Të mbyllura mbeten arkivat e Stambollit, të Beogradit, të Athinës, të Italisë, të Austrisë, të Francës.[viii]
Por nuk ishte kështu siç thoshte Enver Hoxha. Një pjesë e mirë e arkivave të huaja për Shqipërinë qenë hapur, madje shumë libra me dokumente nga arkivat e vendeve që përmend Enver Hoxha qenë botuar në Shqipëri pikërisht në kohën kur Enver Hoxha ishte në pushtet. Sigurisht që, shumë dokumente mbeteshin ende të paarritshme, por kjo ndodh në të gjitha arkivat e botës. Duke konsideruar se si përthyehet artikulimi i mendimit në prizmin mendor të Enver Hoxhës, duket se këtu më tepër e ka hallin që të sigurohet se arkivat e huaja do të mbeten të mbyllura sa u përket atyre dokumenteve që janë veçanërisht kompromentuese për të dhe familjen e tij.
Dhe, edhe sot, 24 vjet pasi Enver Hoxha mbajti këtë fjalim, 23 vjet pasi Enver Hoxha vdiq, 19 vjet pasi ra Muri i Berlinit, 17 vjet pasi ra regjimi komunist i ngritur nga Enver Hoxha në Shqipëri, përsëri mund të thuhen, sa i përket pjesës më të rëndësishme të dokumenteve që kanë të bëjnë me Enver Hoxhën dhe familjen e tij, ato fjalë që tha Enver Hoxha në 29 nëntor 1994:
Por këto arkiva nuk hapen, akoma edhe tash e kësaj dite ato qëndrojnë të mbyllura. Të mbyllura mbeten arkivat e Stambollit, të Beogradit, të Athinës, të Italisë, të Austrisë, të Francës.[ix]
Gjithashtu të mbyllura mbeten dhe arkivat e Britanisë së Madhe, SHBA dhe Rusisë. Sa për arkivat e Shqipërisë, u kujdes Enver Hoxha gjatë kohës që ishte në pushtet. Pse ka ndodhur kështu? Arsyet janë të ndryshme për vende të ndryshme. Disa prej tyre, si SHBA dhe Britania e Madhe, të cilat sot paraqiten si miq të shqiptarëve, nuk duan që të zbulohet krimi i përbashkët që kanë bërë ato, duke ndihmuar Enver Hoxhën që të vijë në pushtet, dhe aq më pak të zbulohen arsyet për të cilat e kanë bërë këtë gjë. SHBA është përgjegjëse dhe për mospublikimin e dokumenteve më të rëndësishme të arkivave italiane për Shqipërinë (ato që kanë lidhje me Enver Hoxhën në këtë rast), të kohës së Luftës së Dytë Botërore të cilat u morën nga amerikanët si plaçkë lufte. Në këtë aspekt ky libër është një denoncim për atë që këto vende vazhdojnë të respektojnë vullnetin e Enver Hoxhës, të shprehur në atë që u quajt testamenti i tij. Disa vende të tjera si Rusia (rusët veç dokumenteve të Kominternit dhe të tjera kanë edhe dokumentet më të rëndësishme nga arkivat gjermane, të cilat gjithashtu i morën si plaçkë lufte), Serbia, Greqia, Franca nuk duan t’ i publikojnë dokumentet më të rëndësishme që kanë në arkivat e tyre dhe që kanë të bëjnë me Enver Hoxhën, se nuk duan që ta kontribuojnë në asgjësimin e imazhit të Enver Hoxhës, të cilin e shohin si një aset të vlefshëm të tyre në Shqipëri, edhe kaq kohë pas vdekjes së tij.
Enver Hoxha, si asnjë diktator tjetër komunist ka publikuar kujtime të bollshme, në të cilat ai bën atë që mund të quhet hagiografia e vet zyrtare. Në kujtimet e veta Enver Hoxha përdor një standard të dyfishtë. Në shumë raste, kur është fjala për të denigruar kundërshtarët e vet, u referohet arkivave, duke cituar dokumente. Në raste të tjera, kur është fjala për momentet delikate të jetës së vet, kur pretendimet e tij mund të provoheshin fare mirë me dokumente arkivore, të cilat duhej të ekzistonin, nuk e bën një gjë të tillë. Në kujtimet e veta Enver Hoxha duket qartë se përdor edhe proces-verbalet e takimeve që ka mbajtur, si dhe një ditar të rinisë së vet, për të cilin nuk flet. Sot një pjesë e kujtimeve dhe dokumenteve të tij gjenden të depozituar në një bankë në Vienë, ku janë çuar nga familja që pas vdekjes së tij.
Enver Hoxha, siç thashë më lart, është kujdesur me sa ka mundur që ata të cilët do të guxonin t’ i hynin sfidës për të shkruar një monografi për jetën e tij, ta gjenin këtë si një mision të pamundur. Synimi i qartë i Enver Hoxhës ka qenë që çdo studiues i jetës së tij dhe të familjes së tij, të gjendet para dilemës: Ose të humbë në «prehistorinë» e gojëdhënave, ose të pranojë historinë zyrtare, «hagiografinë» e shkruar nga vetë Enver Hoxha (Jeta dhe veprimtaria e Enver Hoxhës u bë praktikisht një «hagiografi» e mistikës ateiste).
A ka një mënyrë për ta evituar këtë kurth? Pikërisht këtë jam përpjekur të gjej në këtë libër. Unë jam orvatur të gjej një pikëpamje të komplikuar për ta kqyrur jetën e Enver Hoxhës, duke kombinuar dokumentet historike të disponueshme, pa përjashtuar as kujtimet e tij, si dhe traditën orale (gojëdhënat) e asaj që mund të quhet si prehistoria e jetës së Enver Hoxhës dhe familjes së vet. Duke bërë këtë, unë u kam kushtuar një vëmendje të posaçme kujtimeve të vetë Enver Hoxhës. Kujtimet e Enver Hoxhës përbëjnë në fakt një kurth ku ai kërkon t’ i tërheqë të tjerët, duke u dhënë versionin që i vjen për mbarë atij për ngjarjet e jetës së tij. Por, në këto kujtime Enver Hoxha ka rënë dhe vetë në një kurth. Në kujtimet e veta ai përdor një kod për t’ i tjetërsuar ngjarjet, në pjesën më të madhe të rasteve që të bëjë alibi për veprimet e veta dhe të familjarëve të vet. Në rast se arrin ta perceptosh këtë kod, atëherë të shfaqet një tekst virtual, një tekst paralel, një intertekst i mahnitshëm, në librat me kujtime të Enver Hoxhës.
Që ta kuptoni kodin që përdor Enver Hoxha, do të bëj një metaforë nga fizika. Kur analizohet jeta e një njeriu, posaçërisht e një njeriu politik dhe revolucionar, shpesh përdoret fjala «trajektore», çka është një metaforë nga fizika, posaçërisht nga kinematika, që tregon lëvizjen e sendeve. Duke vazhduar metaforën, derisa kinematika tregon vetëm lëvizjen e trupave pa treguar forcat që e shkaktojnë atë, dinamika tregon forcat që bëjnë të mundur këtë lëvizje. Një fizikan, vetëm nga natyra e trajektores së një objekti, është në gjendje të kuptojë forcat të cilat qendrojnë pas kësaj lëvizjeje, edhe pa pasur të dhëna të posaçme për to. Kur lexojmë një libër për një njeri i cili ka qenë agjent i një shërbimi sekret, i infiltruar në një lëvizje politike, ne na shfaqet pas trajektores së jetës dhe veprimtarisë së tij, dora e padukshme e shërbimit sekret, që e komandon si një kukull me fije, duke i mundësuar që të bëjë gjëra të cilat në kushte të tjera nuk mund t’ i bënte dot. Kështu, edhe nëse nuk e dijmë se një individ është agjent i një shërbimi sekret, ne duke ndjekur trajektoren e jetës dhe veprimtarisë së tij, mund të arrijmë në përfundimin se ai është i tillë, pasi gjërat që ndodhin në jetën e tij, tregojnë gjurmën e dorës së padukshme të shërbimit sekret, që e lëviz atë si kukull të komanduar me fije.
Enver Hoxha në kujtimet e veta, nga njëra anë e tregon trajektoren e jetës dhe veprimtarisë e vet, sipas «kinematikës», ndërsa në anën tjetër bën alibinë për dyshimet që krijohen duke i kqyrur rrëfimet e tij nga pikëpamja e «dinamikës». Mjaft që të zbatosh mbi jetën e Enver Hoxhës, siç e jep ai në rrëfimet e veta, ligjet e dinamikës, dhe ke në dorë kodin mrekullibërës, me anë të së cilit të shfaqet teksti virtual, paralel në librat me kujtime të Enver Hoxhës.
Kujtimet e Enver Hoxhës janë interesante edhe në një aspekt tjetër. Duket qartë se, një nga arsyet për të cilat Enver Hoxha ka shkruar kujtime aq të bollshme, është se ai vuante nga një kompleks inferioriteti revolucionar, nëse mund ta quajmë kështu, për pjesën e jetës së vet, para se të vinte në pushtet, dhe posaçërisht para krijimit të PKSH. Nëse bëhet një krahasim i jetës së tij me atë të tre liderve komunistë të cilët ai i shpalli si armiq personalë, Tito, në radhë të parë, pastaj Hrushov dhe Mao Ce Dun, duke i akuzuar se bënë kompromise në dëm të dogmës komuniste, do të shihet se Enver Hoxha, që shtiret si puritan komunist dhe radikal, dhe i akuzon ata si disfatistë, të cilët u përulën para reaksionit ndërkombëtar, ndryshe nga ata, nuk ka një të kaluar prej revolucionari profesionist. E njëjta gjë vlen dhe për ata komunistë shqiptarë të cilët Enver Hoxha më së shumti i ka konsideruar si armiqtë e tij personalë dhe i ka quajtur tradhtarë dhe disfatistë, në periudha të ndryshme të jetës së tij: Zai Fundo, Sadik Premte, Sejfulla Malëshova, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu. Në realitet ata kanë qenë revolucionarë profesionistë dhe disa prej tyre edhe luftëtarë.
Enver Hoxha mund të vlerësohet epigramatikisht sipas titujve të librave të tij. Enver Hoxha e dinte mirë atë që kishte thënë Lenini për rëndësinë e sloganeve, parullave lakonike, prandaj dhe titujt e librave të tij Enver Hoxha i ka bërë që të shërbejnë në këtë mënyrë, pra si postulate të politikës së brendshme dhe të jashtme shqiptare, edhe pas vdekjes së tij. Në këtë testament epigramatik Enver Hoxha përcakton se cilët vende janë të rrezikshëm për Shqipërinë, cilët vende dhe popuj janë miq të shqiptarëve etj. Ajo që të bën përshtypje tek titujt e librave të Enver Hoxhës është se të vetmet vende të cilat ai i përcakton si armiq që në titullin e librave të tij, paralajmëron për rrezikun që u vjen shqiptarëve prej tyre, dhe për të cilat shpreh posaçërisht urrejtjen janë vendet anglosaksone, SHBA dhe Britaninë e Madhe, gjë që nuk e bën për asnjë nga vendet e tjera për të cilat shkruan libra. Kështu, në vitin 1982 Enver Hoxha botoi librin e vet me kujtime dhe mendime për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet anglosaksone «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë» (1982).
Është interesante dhe sinjifikuese se Enver Hoxha, tashmë kishte botuar librin për marrëdhëniet shqiptaro-ruse (sovjetike), të cilit i kishte vënë titullin «Hrushovianët» (1980), dhe jo «Rreziku sovjetik (nënkupto: rus) për Shqipërinë». Duke e titulluar «Hrushovianët» librin e vet për marrëdhëniet shqiptaro-ruse (sovjetike), Enver Hoxha e vinte veten në pozitën e stalinianëve, pasi hrushovianë Hoxha quante antistalinianët që morën pushtetin në Kremlin pas vdekjes së Stalinit. Pra, për sa i përket Rusisë Enver Hoxha nuk shikon për shqiptarët ndonjë rrezik për të gjitha kohrat, si në rastin e vendeve anglo-sakse, por një rrezik që vjen nga disa persona që në atë kohë ishin në pushtet. Ajo që të bën përshtypje është se edhe librin e vet për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, Enver Hoxha e titulloi «Titistët» (1982) dhe jo «Rreziku jugosllav për Shqipërinë», ose «Rreziku serbomadh për Shqipërinë».
Në mënyrë domethënëse Enver Hoxha shikonte si armiq të shqiptarëve në Beograd titoistët, pra atë lob të Jugosllavisë komuniste, që përbëhej kryesisht nga joserbë, me kroatin Tito në krye, dhe që ishin antistalinistë, si dhe të lidhur me Prëndimin, posaçërisht me SHBA. Ata që Enver Hoxha i quan titistë, në fakt ishin ata që kufizuan peshën dhe influencën e Serbisë dhe serbëve në federatën komuniste jugosllave, dhe për këtë ndër të tjera u dhanë të drejta të mëdha shqiptarëve, posaçërisht në Kosovë. Shqiptarët e Jugosllavisë komuniste, posaçërisht ata të Kosovës, fituan të drejta të mëdha vetëm pasi titoistët arritën të dobësojnë fuqinë e lobit serb, duke larguar nga pushteti kreun e tij Rankoviçin. Rankoviçi që shihej si trashëgimtar i Titos, dukej se do ta afronte Jugosllavinë më tepër me Rusinë, në rast se do të vinte në pushtet pas vdekjes së Titos. Prandaj amerikanët e nxitën Titon në 1966, kur ai ishte 74 vjet dhe i ishin diagnostikuar sëmundje shqetësuese, që të merrte masa për të rregulluar çështjen e trashëgimisë së pushtetit, duke larguar Rankoviçin që amerikanët e gjenin të papërshtatshëm. Kur Enver Hoxha shprehej për rrezikun titoist për Shqipërinë, ai këtë e shikonte si pjesë të «Rrezikut anglo-amerikan për Shqipërinë», se titoistët ai i quante si agjentë të SHBA. Enver Hoxha sigurisht që e dinte se në rast se në Beograd binin nga fuqia titoistët, atëherë në vakuumin e krijuar do të ngriheshin serbët rankoviçistë, gjë që u duk në fund të viteve të tetëdhjeta kur titoistët u dovbësuan shumë në Beograd dhe serbët rankoviçistë filluan fushtatën për të marrë federatën nën kontroll, duke e orientuar politikën e Beogradit kah armiqësia me SHBA dhe afrimi me Rusinë. Ngritja e Millosheviçit ishte revanshi i rankoviçizmit, të larguar nga pushteti në vitin 1966.
Enver Hoxha, duke u shprehur për rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë, si dhe për rrezikun titoist dhe hrushovian për Shqipërinë, vihej në fakt në të njëjtën linjë me serbët, dhe u çonte atyre kumtin lakonik dhe të qartë sa s’ bëhet se kishin të njëtët armiq, Titon dhe SHBA, dhe se me Rusinë nuk i ndante veçse hrushovizmi. Gjëja më interesante është se Enver Hoxha filloi t’ i lëshonte këto epigrame politike dhe gjeopolitike në vitin 1980, pra në kohën që Shqipëria ishte prishur me Kinën, dhe kishte mbetur plotësisht e izoluar, kur Tito pritej të vdiste (ai vdiq në 1980). Enver Hoxha e dinte se me vdekjen e Titos do të tronditej rëndë federata jugosllave, për të cilën paralajmërohej se do të shpërbëhej jo shumë kohë pas vdekjes së Titos. E megjithatë Enver Hoxha përsëri e definon titoizmin si armik të shqiptarëve në dy anët e kufirit. Kjo nuk mund të merrej ndryshe veçse si shërbim dhe kumt miqësie i tij për serbët.
Në librin «Titistët» Enver Hoxha paraqiti publikisht të ashtuquajturën tablo sinoptike për komplotin e Mehmet Shehut, të qujtur prej tij si poliagjent. Enver Hoxha e përcaktoi Mehmet Shehun se në vitin 1981, pas demonstratave shqiptare në Kosovë, Shehu, me urdhër të UDB dhe të CIA kishte dashur të vriste Enver Hoxhën, për të destabilizuar Shqipërinë, në mënyrë që titoistët të shpëtonin nga problemi që u ishte hapur në Kosovë, duke e çuar atë në Republikën e Shqipërisë. Kështu, sipas Enver Hoxhës dilte se SHBA, pas vdekjes së Titos ishin duke ndihmuar serbët kundër shqiptarëve në Jugosllavi. Kjo sigurisht që nuk ishte e vërtetë. Ne, tashmë në retrospektivë, e kemi të qartë se, në 1981 CIA nuk kishte interes t’ i çlironte serbët nga problemet që ata kishin në Kosovë me shqiptarët, se CIA pas vdekjes së Titos nuk ishte më e interesuar për ekzistencën e federatës komuniste jugosllave. SHBA e shihnin shpërbërjen e federatës jugosllave si një pikënisjen e shpërbërjes së bllokut komunist të dominuar nga Bashkimi Sovjetik dhe të vetë Bashkimit Sovjetik. Në 1981, kur ndodhën demonstratat në Kosovë, blloku komunist ishte duke u goditur seriozisht në dy pika, në Poloni, me lëvizjen «Solidarnost» dhe në Afganistan, me ndihmën që CIA u jepte moxhahidinëve antisovjetikë. Demonstratat në Kosovë sigurisht që kanë qenë pjesë e kësja strategjie. Pasi serbët i imponuan federatës jugosllave që të ushtrojë represion mbi shqiptarët e Kosovës në vitin 1981, këta të fundit dhe shqiptarët në Jugosllavi në përgjithësi, shpresonin vetëm tek SHBA për çlirimin e tyre, se dëgjonin që «Zëri i Amerikës» i bëri jehonë të madhe protestës së shqiptarëve të Kosovës, dhe pasqyroi represionin serb me tone fajësuese.
Në këtë kohë, Enver Hoxha u bëri një shërbim të madh serbëve duke tentuar që të kultivojë mosbesimin ndaj SHBA të shqiptarëve të Kosovës dhe të atyre në ish-Jugosllavi në përgjithësi, duke thënë se CIA bashkëpunonte me UDB kundër shqiptarëve të Kosovës. Me këtë Enver Hoxha tentoi t’ i armiqësonte shqiptarët e Kosovës me SHBA, gjë që parë në retrospektivë, del se ishte në interesin e madhe të Serbisë dhe të Rusisë. Në tablonë sinoptike të Enver Hoxhës, të botuar tek libri «Titistët» KGB ruse shkëlqen me mungesën e saj në intrigat e shërbimeve sekrete kundër shqiptarëve të Kosovës. Enver Hoxha thotë se Shehu ishte dhe agjent i KGB, por në rastin e veprimeve anti-Kosovë të vitit 1981, Hoxha thotë se Shehu zbatonte urdhërat vetëm të CIA dhe UDB. Për të shlyer disi përshtypjen e keqe, që u krijua nga «harresa» që po i bënte Hoxha Rusisë, ai në nëntor 1982 mbajti një fjalim ku u shpreh në terma të forta për rrezikun e një sulmi ushtarak rus në Ballkan, në drejtim të bregdetit adriatik dhe jonian, në rrugë tokësore nëpërmjet Jugosllavisë jugore (Kosovës) dhe më tutje Republikës së Shqipërisë, si dhe të flotës ruse nga deti, drejt Vlorës. Hoxha u mburr se çelësin e Otrantos e kanë shqiptarët dhe se flota sovjetike nuk do ta kalonte dot Otranton, se bregu shqiptar ishte i fortifikuar dhe i armatosur, ndërsa sa i përket sulmit nga toka ai u shpreh se në këtë rast ushtria ruse do të haste rezistencën e parë nga shqiptarët e Kosovës, që do ta dëmtonin aq shumë sa kur të arrinte ushtria ruse tek Alpet në kufirin shqiptar, do të ishte reduktuar si ushtarët gjermanë kur iknin nga Stalingradi.
Enver Hoxha e dinte mirë se në rast se flota ushtarake detare sovjetike do të kërkonte të merrte nën kontroll Otranton, ajo do të kishte punë me flotën amerikane dhe NATO-n, çka do të çonte në një luftë botërore atomike, prandaj Enver Hoxha mund të qe i qetë se kjo gjë nuk do të ndodhte, kështu që i lejonte vetes të mburrej kot. Tekefundit, ishin amerikanët që në 1961 i larguan rusët nga Vlora, se po të qe për Enver Hoxhën, rusët do të ishin në Vlorë edhe në 1982, e ndoshta edhe sot. Sipas proces-verbalit të bisedës midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit që u bë në Moskë, në 12 nëntor 1960 (në kohën kur mbahej Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste), Enver Hoxha u kërkonte rusëve mos ta largonin ushtrinë e tyre nga Vlora. Tek volumi 19 i veprave të Enver Hoxhës paraqitet ky dialog midis këtij të fundit dhe Hrushovit:
N. S. HRUSHOVI: Në qoftë se doni mund ta heqim bazën.
SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere del e vërtetë ajo që kanë thënë Malinovski dhe Greçko. Mos doni të na kërcënoni? Po të dëgjojë populli sovjetik se ju kërkoni të hiqni bazën nga Vlora, kur ajo shërben për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera socialiste të Evropës këtë nuk do t’ jua falë».[x]
Pra, është e qartë si drita e diellit, sipas dokumenteve që ka botuar vetë Enver Hoxha, se Enver Hoxha nuk e ka dashur largimin e rusëve nga baza e Vlorës, prandaj është qesharake ajo që thotë ai në 1982 se ka çelësat e Otrantos dhe se nuk do t’ ua japë ato rusëve pa luftë.
Në fakt Hoxha i tha të gjitha këto gjëra në vitin 1982, për t’ i shërbyer propagandës serbe që në atë kohë dhe më vonë, por edhe sot, i terrorizonte psikologjikisht shqiptarët e Kosovës, që shpresonin tek amerikanët, me atë se tekefundit serbëve do t’ u vinte në ndihmë ushtria ruse, që do t’ i shfaroste krejt shqiptarët e Kosovës dhe të Jugosllavisë në përgjithësi, prandaj ata duhet të rrinin urtë dhe t’ u nënshtroheshin serbëve, të cilët në atë kohë kishin nevojë për qetësi në Kosovë se donin të merrnin në dorë frenat e federatës. Enver Hoxha u shërbeu serbëve duke i terrorizuar shqiptarët e Kosovës me mundësinë e një sulmi rus në Kosovë, gjatë të cilit ai paralashikoi se shqiptarët e Kosovës do të luftonin me rusët dhe se ushtria shqiptare në ndërkohë do t’ i priste rusët në kufi, ku do të arrinin vetëm mbeturinat e ushtrisë ruse, që do të shkatërrohej nga shqiptarët e Kosovës. Enver Hoxha sigurisht që është i vetëdijshëm se po thotë një gënjeshtër të madhe dhe këtë gjë e kuptonin dhe kalamajtë e rrugës në Prishtinë dhe në Drenicë, se në rast se ushtria ruse msynte nëpër Jugosllavi në vitet e tetëdhjeta dhe hynte në Kosovë, në kufirin shqiptar nuk do të arrin mbetjet e ushtrisë ruse, por mbetjet e popullsisë shqiptare të Kosovës. Sigurisht që edhe hyrja e ushtrisë ruse në ish-Jugosllavi në atë kohë do të shkaktonte një luftë botërore dhe rusët nuk do ta bënin kurrë një gjë të tillë, aq më tepër në ato rrethana kur kishin probleme të mëdha në Azinë qendrore me luftën në Afganistan.
Librin e vet në dy volume për marrëdhëniet shqiptaro-kineze, Enver Hoxha e titulloi «Shënime për Kinën» (1979, 1980). Pra, titulli është neutral, ndryshe nga ai për marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe Britaninë e Madhe. Një tjetër gjë mjaft sinjifikuese është se Enver Hoxha librin e vet për marrëdhëniet shqiptaro-greke e titulloi «Dy popuj miq» (1985). Këtë nder Enver Hoxha ia bëri vetëm Greqisë, me të cilën kishte filluar të afrohej shumë pas prishjes me Kinën. Enver Hoxha, jo rastësisht, vizitën e famshme në Dropull, në zonën e minoritetit grek, ku në Grapsh foli dhe greqisht dhe u shpreh për afrim të dy vendeve, e bëri në vitin 1978, në prag të shpalljes së prishjes me Kinën, ku ishin kinezët ata që e braktisën satelitin e tyre komunist europian dhe jo e kundërta. Veçimi i miqësisë me Greqinë në tabelën e epigrameve të Enver Hoxhës, ishte dhe një kumt afrimi që u bëhej rusëve dhe serbëve, se Greqia, edhe pse vend i lidhur me Perëndimin dhe anëtar i NATO, ishte një vend që kishte probleme të mëdha në marrëdhëniet me SHBA, për shkak të konflikteve historike me Turqinë, për çështjen e Qipros etj. Për Enver Hoxhën, nuk ekzistonte «Rreziku grek për Shqipërinë».
Në kohën që Enver Hoxha botoi librin «Dy popuj miq» tashmë prej tre vitesh shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, ishte një minoritar grek, Kiço Mustaqi. Deri në vitin 1971, kur Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike me Greqinë, Enver Hoxha i ishte trembur një sulmi ushtarak grek, se grekët donin Shqipërinë e Jugut të quajtur prej tyre Vorio-Epir. Greqia vazhdimisht refuzonte të lidhte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, me gjithë kërkesat e kësaj të fundit. Greqia është vendi i vetëm të cilit Shqipëria komuniste i është lutur më së shumti për të lidhur marrëdhënie diplomatike. Në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur Kina po afrohej me SHBA, në Athinë u trembën se mos Enver Hoxha, i mbetur vetëm, dhe duke iu trembur sulmit grek, ndiqte shembullin e Titos dhe afrohej me SHBA. Hapja e Shqipërisë kah Perëndimi nuk u vinte për mbarë as grekëve as miqve të tyre të gjithkohshëm serbëve, se nga kjo gjë do të humbnin dhe grekët dhe serbët. Prandaj Greqia shpejtoi të lehtësonte presionin mbi Shqipërinë, duke pranuar të lidhte marrëdhënie diplomatike dhe duke ulur shumë praninë ushtarake në kufirin me Shqipërinë.
Enver Hoxha përfitoi nga kjo gjë për të filluar spastrimet në ushtri, në funksion të dizenjimit të klanit që do të trashëgonte pushtetin pas vdekjes së tij. Nuk është gjë e rastit që pjesa më e madhe e gjeneralëve që u spastruan në 1974 ishin ata që kishin mbajtur peshën kryesore në luftimet shqiptaro-greke të vitit 1949, por dhe në vitet e mëparshme dhe të mëvonshme, duke fillaur që nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm në 1974, Petrit Dume etj. Enver Hoxha mund ta spastronte ushtrinë vetëm duke pasur garanci nga Athina, së cilës i konvenonte kjo gjë. Në përfundim të procesit të spastrimit të ushtrisë, në 1982, Enver Hoxha pasi kishte pushkatuar shefin e shtabit të përgjithshëm që kishte luftuar kundër grekëve, ia dorëzoi çelësat e ushtrisë një greku, duke bërë shef të Shtabit të Përgjithshëm, Kiço Mustaqin, të cilin Ramiz Alia në 1990 e bëri dhe ministër të mbrojtjes. Me ardhjen e Mustaqit ushtria shqiptare u spastrua dhe nga oficerët me origjinë nga trojet shqiptare që atëherë gjendeshin në Jugosllavi, deri dhe nga ata që kishin gruan me origjinë të tillë.
Afrimi i Enver Hoxhës me Greqinë ishte vetëm uvertura e atij procesi që trashëgimtari i tij Ramiz Alia do ta çonte në kulm në kohën e ndryshimeve politike në Shqipëri, duke ua dorëzuar ekskluzivisht ortodoksëve çelësat e partisë në pushtet që po reformohej, çka ishte interesi i Greqisë, që ndiqte parimin se çdo ortodoks në Shqipëri është grek. Derisa Enver Hoxha shkroi një libër me një titull kaq dashamir për Greqinë, ai nuk e bëri këtë gjë për një tjetër vend fqinj si Italinë. Italia vërtet kishte qenë vendi që pushtoi Shqipërinë në luftën e fundit botërore, por edhe Greqia e kishte pushtuar Shqipërinë, madje ndryshe nga italianët grekët bënë masakra shumë të mëdha.
Në një tjetër titull libri Enver Hoxha shprehet në sens antiperëndimor. Ky është libri «Eurokomunizmi është antikomunizëm» (Tiranë 1980) Në fjalorin politik ndërkombëtar ekzistonin terma si sllavo-komunizëm, eurokomunizëm, komunizëm aziatik etj. Enver Hoxha prej tyre zgjodhi vetëm «eurokomunizmin» për ta vënë në shënjestër dhe denigruar në një titull libri se eurokomunizmin Hoxha e quan si proamerikan, pro-NATO, antistalinist. Enver Hoxha nuk bëri një libër me titull «Sllavo-komunizmi është antikomunizëm».
Titulli i librit «Kur lindi Partia» (1981) ka një konotacion seksualo- gjinekologjik. Nuk thuhet «Kur u krijua partia» por «Kur lindi Partia». Lindja nënkupton incintim dhe incintimi iu bë nga Moska, nëpërmjet të tërguarve serbë të Kominternit. Duke konsideruar atë këngën e komunistëve shqiptarë të kohës «Bijtë e Stalinit jemi ne!» mund të thuhet se Shqipëria u përdhunua nga Stalini dhe Kominterni, dhe nga ky përdhunim lindi partia dhe këta bij të Stalinit. Partia që lindi në 1941 në Tiranë u regjistrua në «regjistrin e gjendjes civile» të Kominternit në Moskë, gjë që thuhet në libër dhe në historinë e partisë. Akti i parë që bëri partia e porsakrijuar ishte kërkesa për njohje dhe anëtarësim në zyrat e Kominternit në Moskë.
Libri tjetër me kujtime për kohën kur po ndërtohej regjimi komunist, «Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re» (Tiranë 1984), është i vetmi i cili që nga titulli tregon se qëllimi i kryesor i luftës së komunistëve ishte pushteti. Në libër me Shqipëri të re quhej Shqipëria komuniste dhe me themele të saj themelet e pushtetit komunist. Libri, në mënyrë domethënëse e con këtë periudhë të «hedhjes së themeleve», nga Konferenca e Pezës në shtator 1942 dhe deri në vitin 1946 kur u krijua republika popullore- eufemizëm i kopjuar nga Moska për regjimin komunist spas formulës leniniste «demokraci popullore», duke treguar kështu se lufta antifashiste ishte bërë në funksion të pushtetit.
Një problem që i shfaqet atij që i hyn sfidës të shkruajë një monografi për Enver Hoxhën, në këtë rast mua, është se çdo të bëjë me atë që tashmë mund të quhet si tradita orale për Enver Hoxhën. Për Enver Hoxhën ekzistojnë shumë rrëfime të bashkëkohësve të tij, që gjatë kohës që Enver Hoxha ishte në pushtet mbijetuan si traditë orale, dhe mund të quhet si aspekti më interesant i disidencës në Shqipëri. Nëse i përmbahesh ortodoksisë metodologjike, këto rrëfime nuk duhen përfshirë në libër. Por unë kam ndjekur një metodologji të kombinuar dhe gojëdhënat për Enver Hoxhën dhe familjen e tij unë i kam përfshirë në këtë libër vetëm në ato raste kur ato mbështeten nga të tjera të dhëna të tërthorta dokumentare, sipas parimit të dyshimit të arsyeshëm. Më duket se edhe shkolla ortodokse metodologjike edhe pse nuk do ta miratonte këtë gjë, nuk mund ta kundërshtojë.
Për citimet nga librat e Enver Hoxhës që unë kam bërë në këtë libër, duhet thënë se nuk duhet të ketë asnjë lloj dyshimi se ndonjë e dhënë mund të jetë pasojë e ndonjë gabimi në shtypjen e librit. Librat e Enver Hoxhës korrigjoheshin me shumë kujdes dhe në fund të librit kishte një listë të emërtuar «ndreqje gabimesh», ku pasqyroheshin gabimet e konstatuara pas shtypjes së librit, dhe jepej versioni i saktë.
Ata lexues që e fillojnë leximin e librit nga bibliografia dhe presin që në këtë libër të shohin sa më shumë autorë të huaj, do të zhgënjehen kur ta marrin në dorë atë. Nuk ka qenë qëllimi im që të shkruaj një libër ku të sjell konsiderata të autorëve të huaj për Enver Hoxhën. Unë në këtë libër kam sjellë mendimet e mia, ndërsa referenca i kam bërë kryesisht nga subjekti për të cilin është shkruar libri (Enver Hoxha), kujtimet e njerëzve të ndryshëm që kanë pasur të bëjnë me të, kur ato i kam gjetur të nevojshme, si dhe dokumente.
Që në parathënie dua ta mbyll historinë me ata lexues që kanë kuriozitet të dijnë nëse Enver Hoxha ka qenë mason i lirë (freemason), ose jo. Ajo që mund të them është një e dhënë që tërthorazi jep një përgjigje intriguese për këtë pyetje. Enver Hoxha, i cili nuk la njeri e organizatë pa sharë në botën kapitaliste, nuk i shau kurrë publikisht masonët e lirë. Madje në veprën e tij voluminoze ai flet vetëm një herë për ta, në 10 qershor 1972, në «Bisedë me një mik suedez»:
Armiqtë përpiqen të krijojnë edhe grupe e shoqëri sekrete sipas traditave të shoqërive të vjetra, që kanë lulëzuar dikur në Evropë apo edhe në kontinente të tjera. Franmasoneria e vjetër, është bërë franmasoneri e re... Njeriu që bën pjesë në këto shoqëri apo grupe sekrete, duhet të jetë si një kufomë në duart e atij që e drejton, sipas motos së vjetër latine perinde ac cadaver.[xi]
Ajo që është interesante, kjo bisedë u botua pas vdekjes së Enver Hoxhës. Nëse Enver Hoxha nuk ka qenë mason i lirë, është evidente se ai i ka pasur shumë frikë masonët e lirë, aq frikë sa emri i tyre ishte tabu për të.
Kastriot Myftaraj
Tiranë 2008
[i] Enver Hoxha: «Ditar: 1955- 1957», Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1987, vol. 1, f. 313
[ii] po atje: f. 317
[iii] Enver Hoxha: «Ditar për çështje ndërkombëtare: 1964-1965», Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Tiranë 1982, vol. 3, f. 725
[iv] Nikollaj V. Gogol: «Taras Bulba», Shtëpia botonjëse «Naim Frashëri», Tiranë 1967, f. 146
[v] po atje: f. 146
[vi]po atje: f. 177-178
[vii]po atje: f. 181
[viii]Enver Hoxha: «Për shkencën», vol. 2, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1985, f. 604
[ix] po atje: f. 604
[x] Enver Hoxha: Vepra, vol. 19, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1975, f. 379
[xi]Enver Hoxha: Vepra, vol. 49, Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1986, f. 152