Në kohën e diktaturës komuniste ishte një praktikë që letërsia të krahasohej me industrinë dhe bujqësinë, duke u kërkuar shkrimtarëve dhe poetëve që veprat e tyre (romanet, tregimet, poezitë) të ngjanin me veprat e mëdha të klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste, fabrikat, kombinatet, minierat, arat me grurë, pemëtoret etj. Veçanërisht romanet krahasoheshin me veprat e mëdha të industrisë së rëndë, fabrikat, uzinat, kombinatet. Nëse i qëndrojmë këtij krahasimi, atëherë vepra letrare e Kadare, në kohën e komunizmit, sigurisht që mund të krahasohet me krenaritë e industrisë komuniste, kombinatin metalurgjik «Çeliku i Partisë» dhe kombinatin e autotraktorëve «Enver Hoxha».
Veprat e mëdha të industrisë së rëndë, me të cilat regjimi komunist shqiptar pretendonte se shqiptarët duhet të krenoheshin para botës, doli të ishin mashtrime të pavlera, derisa i ashtuquajturi Kombinat Metalurgjik rezultoi të ishte prodhuesi më i madh i ndryshkut në botë, ndërsa i ashtuquajturi Kombinat i Autotraktorëve prodhonte kazma dhe kosa, që nuk pëlqeheshin nga ata që i përdornin. Një tjetër e keqe e të ashtuquajturave vepra të mëdha industriale, ishte se sollën një ndotje të madhe të mjedisit, që nuk është riparuar ende.
Është një gjë shumë interesante dhe domethënëse se me kolapsin e industrisë në Shqipërinë komuniste, në vitin 1990 (për shkak se vendet e tjera të Lindjes komuniste ndërprenë tregtinë mall-mall, me Shqipërinë), pësoi kolaps dhe letërsia e realizmit socialist në Shqipëri, ekuivalenti artistik i kësaj industrie, posaçërisht pjesa më e rëndësishme e saj, romani. Që atëherë dhe deri më sot, edhe pse kanë kaluar 18 vjet, romancierët e shquar dhe prodhimtarë të realizmit socialist në Shqipëri, duke filluar që nga vetë Ismail Kadare, nuk na kanë dhënë më romane të nivelit të atyre të para vitit 1990. Shkrimtari Ismail Kadare pësoi kolaps si ekuivalentët e veprës së tij, Kombinati Metalurgjik dhe Kombinati i Autotraktorëve. Romanet që Kadare ka shkruar pas vitit 1990, gjatë këtyre 18 vjetëve janë vetëm hija e atyre që ai ka shkruar para vitit 1990. Nuk është ironi e vogël që Kadare u largua nga Shqipëria në vitin 1990, në kohën që pushoi së ekzistuari dhe ekuivalenti i tij, industria e rëndë komuniste.
Një nga poshtërimet më të mëdha që i është bërë Kadaresë pas vitit 1990, nga ata që mbahen si ithtarët e tij, është se Kadaresë i drejtohen dhe e pyesin për çështje politike dhe thuajse asfare letrare. Interesi për deklaratat politike të Kadare është shumë më i madh se për librat që boton ai. E megjithatë Kadare mbetet një kult në Shqipërinë e 1913, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Në trojet shqiptare tej kufirit, kulti i Kadare është më tepër pasojë e prirjes për të imituar modën intelektuale të Shqipërisë shtetërore. Unë kam lindur dhe jam rritur në epokën e despotizmit intelektualtë Ismail Kadaresë, në kohën e komunizmit. Shumëkujt fjalët «despotizëm intelektual» mund t’i duken një ekzagjerim, por nuk është kështu. Unë kam lindur në vitin 1966, kur u botua poema e Ismail Kadare «Shqiponjat fluturojnë lart», e cila do të shndërrohej në një tekst liturgjik të propagandës së regjimit, në festa, tekste shkollore etj. Unë, si gjithë brezi im, praktikisht u rrita duke u ushqyer me vargjet e kësaj poeme.
Në këtë poemë Ismail Kadare e konsideron partinë komuniste staliniste enveriane, si krijesën kuintesenciale të gjithë historisë së Shqipërisë, duke krijuar një mistikë ideologjike ateiste, kur e fillon kështu poemën:
«Ku t’i kërkoj rrënjët e tua parti?
Si një rrap madhështor mbi këtë vend të lartë
Ke mbirë ndanë udhës ku shkojnë shtrëngatat.
Ato rrahin të të shkulin,
Por ti veç vaditesh
Prej shqotës së tyre
Dhe mes shqotave rritesh.
Sepse në thellësi të shpirtit të popullit,
Në themele,
luftërash e pirgjesh të lartë,
Në themele
Këngësh tragjike e legjendash,
Janë shtrirë rrënjët e tua gjerë e gjatë.
Rrënjët e tua
të pleksura,
të futura,
Pas çdo gur llogoreje,
pas çdo dhembjeje e kështjelle.
Të rënët,
Që nga dheu, zgjatin duart,
Dhe i mbajnë këto rrënjë,
i tërheqin më thellë.
Që të të shkulin ty,
Duhet që të përmbysin
Tërë këtë tokë të lashtë e të rëndë;
Të përmbysin
Kështjellat,
malet,
këngët.
Të ngrenë nga balta e të rivrasin të rënët».[1]
Kjo ishte pikërisht ajo që kërkonte regjimi komunist nga poetët, një instancë legjitimimi transhedentale, të një lloj mistifikimi ideologjik ateist, një gjë kurioze kjo. Pikërisht për një tekst të tillë kishte nevojë regjimi komunist. Ky ishte letrarizimi i paradigmës ideologjike të Enver Hoxhës, sipas së cilës partia komuniste dhe regjimi komunist i krijuar prej saj ishin kulmimi i historisë së Shqipërisë, të parë si një proces organik. Partia--shtet komuniste staliniste e projektonte tek historia e Shqipërisë dhe shpirti i popullit atë që po bënte vetë. Kështu, derisa ishte partia-shtet staliniste, enveriane ajo që e kishte kapur si një përbindësh vendin, dhe zgjaste tentakulat e saj edhe në thellësi të historisë dhe të shpirtit të popullit për t’i tjetërsuar ato, i paraqiste gjërat sikur ishte populli, historia shqiptare, që e mbanin fort partinë në pushtet, që kishte izoluar vendin në emër të stalinizmit. Asnjë poet tjetër nuk arriti ta shprehte këtë ide të regjimit si Kadare, prandaj kjo poemë e Kadare u bë praktikisht pjesë e ideologjisë zyrtare staliniste-enveriane.
Në këtë poemë Kadare thotë për shtëpinë ku u themelua partia komuniste në Tiranë, në nëntor 1941:
«Kish pasur Shqipëria
Salla kështjellash hijerënda e plot madhështi,
Me porta të hekurta,
Me stema ku ndriste lavdia.
Në to burrat u thirrën në çdo rrebesh,
Kur gjoksin atdheut i rrihte tufani,
Kur logjika e drejtë e shpatës u ndesh
Me logjikën e shtrembër të jataganit.
Në ndërgjegjen e kombit
Ngrihen vigane
Këto salla kështjellash, ku çdo gur është lavdi...
Po sonte,
ku po mblidhen një nga një ata vallë,
Ç’është kjo lagje, ky mur, kjo shtëpi?
As kolona,
as mermer,
as shandanë
e portrete.
Kjo shtëpi prej qerpiçi, e thjeshtë e me baltë,
Më e madhërishme ngrihet se sallat e mbretërve,
Më e fortë se pirgjet,
Më e lartë se kalatë».[2]
Këtu poshtërohen të gjitha kuvendet dhe mbledhjet e rëndësishme të historisë shqiptare, që nga koha e ilirëve, tek Kuvendi i Lezhës, në kohën e Skënderbeut, tek Kuvendi i Prizrenit, nga ku doli Lidhja e Prizrenit, tek Kuvendi i Vlorës, i pavarësisë. Më e rëndësishme se ato quhet Mbledhja për themelimin e partisë komuniste në nëntor 1941, ku morën pjesë 15 komunistë, nga të cilët gjysma nuk ishin shqiptarë, dhe drejtoheshin nga dy komunistë serbë, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha.
Poemën e vet Kadare e mbyll kështu, me një vizion militarist, ideologjik ku partia, komandon dhe kohën:
«Shumë vite do të shkonin,
por kjo ditë s’do të harrohej.
Tetë nëntori
Stuhishëm do të shfletonte kalendaret.
Midis ditëve të tjera
Kjo ditë do të rrinte,
Si shqiponja që rri midis zogjve të saj.
Ç’them kështu,
Ditët tona qenë të gjitha të lavdishme.
S’u jap tituj e grada,
Në kalendare
Kjo ditë do të hynte si komisar i thjeshtë
Midis ditëve të tjera me uniformë ushtari.
Ditët tona
Të rreshtuara në skuadrat e javëve,
Në kompanitë e muajve,
në regjimentet e viteve,
Kështu do të marshonin me Partinë
Pa u ndalur.
Njëshkolonë partizane,
drejt horizontesh të ndritur».[3]
Kjo ishte kuintesenca e militarizimit ideologjik, kur koha kalendarike e historisë së Shqipërisë pas themelimit të partisë komuniste imagjinohet si një ushtri, ku dita e themelimit të partisë veçohet si komisari politik në ushtri, që ishte simbol i pranisë së partisë në ushtri, sipas modelit të Ushtrisë së Kuqe. Unë linda pikërisht në vitin 1966 kur Kadare paraqiti vizionin e vet të kohës së militarizuar nën udhëheqjen e partisë komuniste. Jeta ime filloi dhe eci për 24 vjet, me ditët e mia:
«Të rreshtuara në skuadrat e javëve,
Në kompanitë e muajve,
në regjimentet e viteve».
Kjo paraqitje e epokës komuniste si një kronokraturë e partisë komuniste është gjëja më e përbindshme që mund të ketë shkruar një poet në universin komunist. Gjëja më cinike këtu është se Kadare kishte lejen e Kronokratit të jetëve tona, që të dilte nga rreshti dhe të shkonte sa herë të donte në një dimension tjetër kohor, në një realitet tjetër, në Perëndim, si shpërblim që letrarizonte kaq me talent të përbindshëm paradigmën ideologjike të regjimit stalinist enverian. «Komisari politik» që kontrollonte ditët e jetës sime, partia-shtet staliniste, kishte si ndihmës dhe letrarizues të dogmës së vet pikërisht Ismail Kadarenë. E gjithë vepra e Kadaresë e shkruar në kohën e komunizmit mund të konsiderohet një amplifikim dhe sofistik i vargjeve të Kadaresë të cituar më lart, ku thuhet se partia komuniste staliniste e krijuar në Shqipëri dhe regjimi stalinist izolacionist i krijuar prej saj, ishin kuintesenca e historisë shqiptare, dhe gjëja më e mirë që mund t’i ndodhte këtij vendi. Kadare rrihte të na bindte se ne duhet të ishim të lumtur për atë që ditët e jetës sonë ishin rreshtuar në kronosoldateskën staliniste.
Kur linda unë tashmë qe shfaqur kulti i Ismail Kadare me romanin «Gjenerali i ushtrisë së vdekur», i botuar dy vjet para lindjes sime, në vitin 1964. Në vitin 1970, kur unë isha katër vjeç, dhe isha në kopsht, u botua romani «Kështjella». Kur unë shkova në klasë të parë fillore, në vitin 1973, kulti i Kadaresë ishte dominues. Në 1973 u botua «Dimri i vetmisë së madhe», që pavarësisht disa kritikave, u mor në mbrojtje publikisht nga vetë Enver Hoxha, dhe më 1977, kur unë isha 11 vjeç, në klasën e katërt fillore, u ribotua nën titullin «Dimri i madh». Në shkollë, radio, televizion, festa recitohej Kadare, vepra e tij ishte instrument i propagandës së regjimit, pjesë e makinës ideologjike të regjimit.
Ismail Kadare ishte i vetmi shkrimtar në kohën e diktaturës, i cili kishte privilegjin që librat e tij të formonin një simetri me librat e diktatorit. Kjo nuk bëhej rastësisht. Diktatori e kishte kuptuar se efekti i librave të tij fuqizohej nga versioni letrar i tyre i shkruar nga Kadare. Gjëja më interesante është se kur studionim me detyrim librat e Enver Hoxhës, na adresonin tek libri ekuivalent Kadare për plotësim, duke të thënë: Nëse keni parasysh dhe librin X të Ismail Kadaresë, atëherë keni një ide plotësisht të qartë të kësaj ngjarjeje, edhe nga pikëpamja artistike. Kështu, për librin e Enver Hoxhës «Vite të vegjëlisë» të adresonin tek «Kronikë në gur». Për librin e Enver Hoxhës «Hrushovianët» të adresonin tek «Dimri i madh», «Vitet gjashtëdhjetë» dhe «Muzgu i perëndive të stepës». Për librin e Enver Hoxhës «Shënime për Kinën» të adresonin tek «Koncert në fund të dimrit». Për librin e Enver Hoxhës «Kur lindi Partia» të adresonin tek «Shqiponjat fluturojnë lart».
Kur unë isha 14 vjeç, në vitin 1980 u botua përmbledhja me novela me titullin «Gjakftohtësia», ku ishte dhe një novelë me të njëjtin titull, për prishjen e marrëdhënieve me Kinën. Atëherë ne prisnim hapjen e detyruar nga Perëndimi, duke menduar se diktatori nuk do të ishte aq sadist sa ta fuste vendin në izolim total. Në novelën në fjalë, Kadare na tha se duhet ta marrim me gjakftohtësi situatën e krijuar dhe vetizolimin, se ky është destini ynë historik. Në të njëjtin libër, tek novela «Kush e solli Doruntinën», na tha se Shqipëria historikisht ka qenë një rast i veçantë, as Lindje, as Perëndim, dhe si e tillë duhet të rrinte e izoluar nga të dyja. Kur unë isha 22 vjeç në vitin 1988 u botua romani «Koncert në fund të dimrit», ku Kadare i çonte botës kumtin e regjimit se çdo ndryshim mund të bëhet në këtë vend, por vetëm partia nuk duhet prekur, çka i interesonte regjimit komunist.
Në kronokraturën staliniste-enveriane që krijoi Kadare kishte një realitet të çuditshëm, ku për Republikën e Shqipërisë, në vend të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare tej kufirit të 1913, ishte Vietnami. Në 1968, dy vjet pas lindjes sime, Kadare do të shkruante poezinë e tij të parë për Kosovën, e shkruar në moshën 32 vjeç, një nga tre poezitë që ai shkroi gjithsej për Kosovën deri në vitin 1990 dhe ku në njërën prej të cilave vajton humbjen e koalicionit ballkanas në luftën e vitit 1389. Teksti i plotë i kësaj poezie është i tillë që Kadare fare mirë mund ta kishte shkruar edhe për Patagoninë, në skajin jugor të Amerikës Latine, ose për Tibetin:
«Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë,
Midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua.
Ca pika shiu u rrokullisën, nga dritarja e avionit, diç thanë.
(As ato s’mund t’i prek dot janë përjashta),
Një vetëtimë që kaloi përbri, m’u duk se ma bëri me dorë.
E pra, ky është shiu yt, retë e tua, bubullimat e tua.
Ca sinjale të shpejta, xixëllima mendimi
Inkadeshente.
Kurse kurrizi i gjerë i tokës sate vrapon diku
Poshtë,
duket e zhduket i zymtë midis zgavrave dhe humnerave të reve.
Largohemi vazhdimisht.
Tani ti mbete prapa.
Tani krahu i avionit në qindra copa të pret».[4]
Në të njëjtin libër, të botuar në 1968, me titull «Motive me diell» gjendet edhe një poezi me titull «Vietnam», teksti i së cilës është:
«Nga ç’epos heroik dole kështu papritur
Me flokët orizorë të djegur me napalm
Gjysmë i lirë,
Gjysmë i lidhur,
Si një centaur i ri, Vietnam.
Si ushtar, duke u zvarrisur mbi globin,
Hyre papritur në shtëpitë tona,
dhe pjatat me oriz mbi tavolina
Befas m’u dukën si bomba.
Na priste në jetë dhe një dashuri tjetër:
Dashuria, për ty, Vietnam.
Nga ç’epos heroik dole kështu papritur
Flokëdjeguri me napalm».[5]
Sikur të bëhet një provë dhe dikujt, që nuk e njeh Kadarenë, t’i jepen për t’i lexuar dy poezitë e Kadaresë, ajo për Kosovën dhe ajo për Vietnamin, pa e pasur ato emrin e autorit, pastaj t’i kërkohet lexuesit të gjejë nëse autori i dy poezive është shqiptar apo vietnamez, a ka dyshim dikush se lexuesi nuk do të thoshte se autori është vietnamez? Këtu do ta kërkoj shpjegimin e këtij paradoksi duke parafrazuar poezinë e Kadaresë botuar në të njëjtin libër në 1968, «Ullinjtë shqiptarë në Vietnam», ku thotë për drurët e ullirit, që ka parë në Vietnam, të rritur nga fidanët e çuar dhuratë nga Shqipëria:
«Më vonë,
Shkollat në pyetshin,
Si mbinë
Ullinjtë në Vietnam
(Ç’shpjegim jep botanika?)
Do t’u thoni se i lindi një klimë e çuditshme
Klima e miqësisë sonë heroike».[6]
Edhe këtë paradoks të Kadaresë, të diskrepancës mes frymëzimit që i sjell Vietnami dhe Kosova, e krijoi fakti që ai është një specie dhe njëherit demiurg i realitetit të denatyruar të kronokraturës që solli në Shqipëri partia e krijuar nga serbët Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Kadare mund të shfajësohet duke thënë se ai nuk shkruante dot për Kosovën si për Vietnamin se nuk e lejonte regjimi i Enver Hoxhës, por ai nuk ka thënë se ka çuar për botim një poezi për Kosovën aq të ndjerë sa ato për Vietnamin, dhe nuk ia kanë botuar. Despotizmi intelektual i Kadaresë ishte një despotizëm antinacional, antikosovar.
Unë jam krenar që, megjithëse linda në kohën e despotizmit intelektual të Kadaresë nuk u tjetërsova prej tij. Në vitin 1985, disa javë pas vdekjes së Enver Hoxhës, kur regjimi, për të treguar se nuk do të lëvizte nga linja e Enver Hoxhës, bëri një fushatë publike me ekipe të komiteteve të rinisë që dilnin rrugëve dhe kapnin të rinjtë me shfaqje të huaja, borgjezo-revizioniste, siç thuhej atëherë, si me flokë të gjatë, veshje të modës perëndimore, etj., dhe kur pati edhe përjashtime nga shkollat, unë u përjashtova nga viti i fundit i shkollës së mesme, për shkak të veprës letrare të Ismail Kadaresë. Disa javë para se të vdiste Enver Hoxha, unë kisha bërë një gjë që më kushtoi më pas. Mësuesi i letërsisë na kishte dhënë detyrë që të mësonim 30 rreshta përmendësh nga libri i Ismail Kadare «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» dhe unë zgjodha të mësoj fragmentin më të shkurtër në roman, që përmbante 30 rreshta, bisedën e gjeneralit me priftin kur gjenerali hedh thesin me eshtrat e kolonelit Z, që bie në humnerën poshtë së cilës kalonte një lumë. Atëhërë kjo ngjarje bëri bujë në shkollë dhe u bë shkak për humor. Ajo që kisha bërë ishte një gjë ambigue dhe nuk më qortonin dot hapur, se gjithsesi e kisha kryer detyrën, por megjithatë u qortova në mbledhjen e rinisë dhe sekretari i partisë të shkollës më shikonte shtrembër në korridor. Sekretari i partisë, i cili ishte një punëtor i bazës prodhuese të shkollës, e kishte idhull Kadarenë, edhe pse prej tij nuk kishte lexuar asgjë dhe njihte vetëm vargjet që dëgjonte në radio, televizor ose në solemnitete, nga të cilat vargje, si të gjithë militantëve komunistë, i qenë ngulur në mendje ato: «Ku t’i kërkoj rrënjët e tua parti?...» dhe «U hartua thirrja, themeluesi i partisë zgjati dorën për firmë...»
Pas vdekjes së Enver Hoxhës, ajo që kisha bërë u gjet si një shkak i mjaftueshëm që unë të hyja në listën e atyre që do të përjashtoheshin nga shkolla. Kështu, unë u bëra viktimë e despotizmit intelektual të Ismail Kadaresë. Prandaj ky libër, para se të jetë një kritikë, është një dëshmi. Një dëshmi për atë se si e ka përjetuar një njeri despotizmin intelektual të Kadaresë, në të dy kohët. Se despotizmi intelektual i Kadaresë vazhdon edhe pas vitit 1990. Tashmë ka përpjekje që vepra e Kadaresë e shkruar në diktaturë të lexohet në sens intertekstual, sikur atje ka kumte të koduara, kundër regjimit komunist, deri edhe disidente. Pas vitit 1990, prej 18 vjetësh, Kadare, më tepër se të shkruajë letërsi ka shkruar apologji për atë që ka shkruar në diktaturë dhe traktate të vërteta ku përpiqet të provojë se «industria» që përfaqësonte ai dhe vepra e tij në kohën e diktaturës, «Kombinati metalurgjik» dhe «Kombinati i autotraktorëve», nuk kanë prodhuar «ndryshk» dhe «kazma», por gjëra shumë të vlefshme. Të njëjtën gjë bëjnë dhe ithtarët e Kadaresë. Por gjëja më ironike dhe domethënëse është se Kadare tregoi se pas vitit 1990 nuk arriti të ndërtojë dot «industrinë» e vlefshme letrare të tij. E megjithatë despotizmi intelektual i Ismail Kadare vazhdon të gjenerohet. Por fyerja më e madhe që i bëjnë Kadaresë ithtarët e tij, është se duke qenë ai një figurë shumë mediatike, mjaft i pranishëm në mediat shqiptare, atë e pyesin pothuajse vetëm për çështje politike dhe thuajse asfare për letërsi. Me këtë tregojnë mosrespektimin e veprës së tij letrare, edhe pse i adresohen gjithherë si «shkrimtari ynë i madh», «gjeniu i letrave shqipe» etj. E megjithatë Kadare mbet një kult i totalitarizmit intelektual, një instancë sentencash për shoqërinë në të gjitha sferat, posaçërisht në politikë.
Në këtë libër do të gjeni një pikëpamje kritike të veprës së Kadaresë. Kritika ndaj Kadaresë ka të metën e madhe se është e sipërfaqshme, me shprehje si «shkrimtari i oborrit», «poeti që i bëri himne Enver Hoxhës» etj. Unë kam provuar t’i bëj një kritikë më të thelluar veprës së Kadaresë, jo nga pikëpamja letrare, se sa nga pikëpamja e zbulimit të skemave të komplikuara ideologjike që Kadare ndonjëherë i letrarizoi, dhe ndonjëherë i përpunoi dhe ia ofroi regjimit komunist. Në fund, më duhet të them që, për të shfajësuar vetveten nga çdo keqkuptim se në ndonjë rast kam kryer «krimin» intelektual të përvetësimit të idesë së tjetrit, pa e cituar, më duhet t’u them të gjithë atyre që në vitet 2006-2007 kanë dëgjuar në televizion Fatos Lubonjën të përdorë sintagmën «paradigma izolacioniste antiperëndimore në veprën e Kadaresë», duhet ta dinë se këtë shprehje ai e ka përvetësuar nga një shkrim imi me këtë titull i botuar në vitin 2005, në ditoren e Tiranës «Sot», duke mos përmbushur Lubonja detyrimin intelektual për të më cituar. Në këtë libër, shkrimin e përmendur më lart e kam ndarë në shkrimet ku analizohen librat përkatës të Kadaresë, për të evituar përsëritjet.
[1] Ismail Kadare: VEPRA, vol. 2, shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë, 1981, fq. 149-150.
[2] Po aty, fq. 154-155.
[3] Po aty, fq. 161-162.
[4] Ismail Kadare: VEPRA, vol. 1, «Naim Frashëri», Tiranë, 1981, f. 232.
[5] Ismail Kadare: VEPRA, vol. 2, «Naim Frashëri», Tiranë, 1981, f. 281.
[6] Po aty, fq. 286.





