Nga Kastriot Myftaraj
Shkrimi i Mentor Nazarkos “Rruga për në Evropë kalon nga Maqedonia!”, i botuar në ditoren “Panorama”, në 25 janar 2008, ia vlen të analizohet për disa arsye, duke filluar që nga ajo se kush është autori i shkrimit, dhe impakti që ai ka në formimin e opinionit shqiptar në dy anët e kufirit dhe më gjerë.Mentor Nazarko është kryeredaktor i emisionit “Top Show”, në Top Channel, dhe njëkohësisht merr pjesë si analist në panelin e këtij emisioni, siç ndodhi kohët e fundit në dy emisione kur ishin të ftuar politikanët kryesorë shqiptarë në Maqedoni, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti. Gjithashtu Nazarko është shef i Departamentit të Shkencave politike në Universitetin “Marin Barleti” në Tiranë, departament ku përfshihen dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Pra, kemi të bëjmë me një opinionbërës që ka dhe një profil akademik. Pra, kemi të bëjmë me një njeri që e di mirë atë që thotë, dhe nuk bën gafa thjesht nga padija, aq më tepër kur Nazarko ka qenë këshilltar i Presidentit të Republikës në vitet 1997-2002. Çështja kryesore që shtron Nazarko në shkrimin e tij është: “A është Maqedonia një nga aleatët tanë më të rëndësishëm jo vetëm në rajon, por dhe në shkallë globale? Pozicioni i Maqedonisë lidhet me udhëkryqin më të rëndësishëm që lidh Lindjen me Perëndimin. Bismarku i Madh thoshte shpesh; Kush zotëron Maqedoninë, zotëron Ballkanin dhe rrjedhimisht Evropën. Napoleoni u gëzua më shumë se gjithçka ditën e zotërimit të saj, thonë shkrimet. Konkluzioni i mësipërm nuk ka vlerë vetëm historike, por as dhe vetëm gjeopolitike. Rrugët ngelen përjetësisht të njëjta dhe pozicioni kyç i Maqedonisë në këtë udhëkryq është i përjetshëm. Aq i qartë është ky pozicion, sa kur filloi kriza e fundit në Ballkan, amerikanët veprimin e parë që bënë ishte stacionimi i menjëhershëm aty”. (gazeta “Panorama”, 25 janar 2008, f. 20) Në këtë rreshta kemi shembullin e gafave të çuditshme që bëjnë disa intelektualë në Shqipëri që i dinë gjërat përgjysmë. Maqedonia për të cilën ka folur Oto von Bismarck në shekullin XIX nuk është Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, prej 25.333 kilometrash katrore, por Maqedonia si nocion gjeografik i trashëguar nga kohët antike. Kjo Maqedoni për të cilën flet Bismarck, përfshin pjesën më të madhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, si dhe një pjesë të madhe të Greqisë së sotme veriore, saktësisht departamentin, ose siç i quajnë grekët “periferi”, të Maqedonisë Qendrore, prej 18.811 kilometra katrore dhe atë të Maqedonisë Perëndimore prej 9.451 kilometra katrore. Gjithashtu përfshin dhe një pjesë të Maqedonisë që sot është në Bullgari, të ashtuquajturën Maqedoninë e Pirinit, që korrespondon me departamentin e sotëm bullgar të Blagoevgradit, në Bullgarinë jugperëndimore. Kjo Maqedoni për të cilën flet Bismarck ka dalje të gjerë në Detin Egje, dhe përfshin edhe qytetin-port të Selanikut. Atëherë kjo Maqedoni ishte nën sundimin turk, me përjashtim të Blagoevgradit. Kur Bismarck thoshte se kush zotëron këtë Maqedoni zotëron Evropën, ai kishte parasysh në radhë të parë Gjermaninë, e cila në kushtet kur rrugën e tregtisë përtej oqeaneve, ia kishte bllokuar praktikisht Britania e Madhe, kishte si të vetmen rrugë të natyrshme të tregtisë atë drejt Lindjes së Afërme dhe asaj të Mesme osmane, nëpërmjet portit të Selanikut, duke kaluar nëpër territorin e Austro-Hungarisë. Kjo rrugë kalonte nëpër Maqedoni dhe kishte dalje në një port maqedon, Selanik. Prej këtej interesimi i Gjermanisë që Austro-Hungaria të zotëronte hekurudhën që lidhte Evropën Qendrore me portin e Selanikut, duke kaluar nëpër Maqedoni. Në situatën kur po shkohej drejt shpërbërjes së Imperisë Osmane, ajo fuqi që do të zotëronte Maqedoninë, do të zotëronte dhe çelësin e Evropës Qendrore, pra të tregtisë së Gjermanisë drejt Lindjes. Kështu zbërthehet gjuha e Bismarck. Kjo provohet nga fakti që Gjermania në prag të Luftës së Parë Botërore u afrua shumë me Imperinë Osmane, nga e cila mori koncesion për ndërtimin e hekurudhës drejt Bagdadit. Në Luftën e Parë Botërore, Gjermania ishte aleate me Austro-Hungarinë dhe me Imperinë Osmane. Gafa e Nazarkos është se citon shprehjen e Bismarck, pa e njohur kontekstin në të cilin u tha ajo. Sa për atë që thotë Nazarko, se Napoleoni, ditën që zotëroi Maqedoninë, u gëzua më shumë se për gjithçka, kjo është më e çuditshmja e gafave të Nazarkos, se Napoleoni nuk e zotëroi kurrë Maqedoninë. Në Ballkan, Napoleoni arriti deri në Kotorr nga Veriu, duke zënë zotërimet veneciane dhe austriake, ndërsa veç tyre mund të sigurojë dhe për një kohë të shkurtër ishujt jonianë, si dhe disa qytete në bregdetin jonian që kishin qenë të Venecies, Pargën, Prevezën, Butrintin. Kur Nazarko thotë se Napoleoni pushtoi Maqedoninë, ai ka detyrimin të na thotë se kë vuri Napoleoni guvernator të Maqedonisë. Maqedonia e sotme (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë) nuk e ka rolin që i atribuon Nazarko, se ajo nuk ka dalje në det. Në rast se Nazarko quan zotërim të Maqedonisë nga Napoleoni një negociatë mes Napoleonit dhe Car Aleksandrit I të Rusisë, në Tilsit, në 1807, për të ndarë zonat e influencës në Ballkan dhe më gjerë në Lindje, ajo nuk u konkludua se Car Aleksandri I kërkoi konstantinopolin (Stambollin) dhe ngushticat në dy anët e tij, ndërsa Napoleoni refuzoi me fjalët e famshme: “Konstantinopolin? Po ai është çelësi i botës!” Sa për faktin që SHBA sollën trupa në Maqedoni gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi, kjo ndodhi se amerikanët i druheshin destabilizimit të Maqedonisë, gjë që mund ta bënin në bashkëpunim Serbia dhe Greqia. Destabilizimi i Maqedonisë do ta pamundësonte ndërhyrjen e NATO-s në dobi të Kosovës, se do ta zgjeronte konfliktin. Pasi ka bërë gafa në histori, Nazarko kthehet të bëjë gafa, që nuk duket të jenë dhe aq gafa, në gjeopolitikën bashkëkohore. Nazarko shkruan për Maqedoninë: “Po pse është i rëndësishëm ky pozicion i saj dhe për ne shqiptarët? Në pikëpamje të thjeshtë për ata që merren me doktrina ushtarake, ne kemi në rastin maqedonas një shtet të shkëlqyer tampon ndaj synimeve hegjemoniste të të tjerëve përreth nesh”. (gazeta “Panorama”, 25 janar 2008, f. 20) Në rast se do të shohim hartën e Ballkanit, atëherë do të vëmë re se nëse Maqedonia është “tampon”, ajo është si e tillë mes Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe mes Greqisë dhe Serbisë. Si tampon mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, Maqedonia nuk ka pasur ndonjë funksion, se nuk ka rrezik që Shqipëria të aneksohet nga Bullgaria. Si tampon mes Serbisë dhe Greqisë, aleatëve historikë, Maqedonia ka pasur një funksion të dobishëm si tampon, për Republikën e Shqipërisë dhe Kosovën, por edhe për Bullgarinë. Nëse Maqedonia do të zhduket si shtet, ajo do të ndahet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, ndoshta duke marrë diçka dhe Serbia, duke qenë se serbët përbëjnë 1.78% të popullsisë, sipas regjistrimit të vitit 2002. Ndërsa Greqia nuk ka për të marrë gjë, se në Maqedoni nuk ka grekë etnikë. Në këtë rast, rolin e tamponit mes Greqisë dhe Serbisë do ta bëjnë Shqipëria dhe Bullgaria, madje me shumë më tepër garanci se Maqedonia. Nazarko, duke e ekzagjeruar rolin e Maqedonisë si tampon, në fakt shprehet kundër bashkimit me Shqipërinë të trojeve shqiptare në Maqedoni. Pasi e ka lënë të lirë fantazinë për Maqedoninë si tampon, Nazarko thotë: “Po kaq është shumë pak. Nëse përfytyrojmë që pika e hyrjes në Ballkan e që të çon drejt Lindjes (Stambollit) e pastaj Perëndimit (Budapest) e më në fund Rusisë do të ishte Durrësi apo Vlora me portin e saj gjigand (të nesërm ama!), shqiptarët do të kishin në tri pika themelore gati dy të tyre. Pra, pikën e hyrjes Vlorë a Durrës dhe pastaj pikën e kryqëzimit Shkupin, ku banojnë dhe një pjesë e madhe shqiptare. E kuptojmë mirë ç’do të thotë kjo?” (gazeta “Panorama”, 25 janar 2008, f. 20) Mjaft që t’ i hedhësh një sy hartës së Evropës, që të kuptosh se ato që thotë Nazarko nuk janë të vërteta. Nazarko thotë se në Ballkan hyhet nga portet e Durrësit dhe Vlorës për të kaluar pastaj drejt Perëndimit, portën e të cilit ai e e identifikon me Budapestin, si dhe drejt Rusisë dhe Stambollit. Por kur hyn në Ballkan nga Durrësi dhe Vlora, a nuk ke ardhur nga Perëndimi? Dhe në rast se ke për të shkuar në Budapest, pra në Europën Qendrore dhe jo në Perëndim, siç thotë Nazarko, duke u nisur nga Mesdheu dhe Adriatiku, pse duhet të kalosh nëpër Shqipëri dhe Maqedoni, kur mund të shkosh nga Trieste apo Rieka, në një rrugë më të shkurtër tokësore, duke e përdorur më shumë transportin detar që është më i leverdishëm? Rruga që tregon Nazarko, nga Vlora dhe Durrësi nëpër Maqedoni për në Perëndim (Budapest) kalon detyrimisht nëpër Serbi, gjë të cilën Nazarko eviton ta thotë,s e pastaj do të zbulohej qartë se ai kërkon ta orientojë Shqipërinë nga gjeopolitika dhe gjeostrategjia serbe, e koordinuar me atë ruse. Pastaj ç’ kuptim ka që Rusia të lidhet me detin nëpërmjet Shqipërisë, duke kaluar nëpër Budapest. Rusia ka portet e saj në Detin Balltik, si dhe mund të lidhet me Adriatikun nëpërmjet Danubit dhe Detit të Zi, që është një linjë shumë më konvenuese se ajo rrugore? Gjithsesi, sigurisht që Rusia do të kishte interes të kontrollonte portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës dhe në fakt Nazarko na tregoi këtu se si mund të hyjë Shqipëria në skemën gjeopolitike dhe gjeostrategjike ruse. Itineraret e Nazarkos, ose janë absurde, ose janë konvenienca ruse dhe serbe. Nazarko duke vazhduar të paraqesë këtë fantazi të tij gjeostrategjike, që nuk duket të jetë dhe aq fantazi, shton: “Le të përfytyrojmë nga e kundërta. Sikur vërtet Shkupi të ish i mbyllur dhe armik i Shqipërisë. Të izoluarit e mëdhenj në radhë të parë do të ishim ne vetë. Dhe po të shtojmë dhe shamatën që bëjmë në Vlorë (për investimet e huaja që çojnë drejt ndërtimit të portit tonë gjigand në fund të fundit) do të kuptonim njëherë e mirë se do të ngordhnim brenda një qypi gjigand pa asnjë dalje apo hyrje të rëndësishme që na lidh realisht me Lindjen a Perëndimin. E që na bën shtet nga më të rëndësishmit për Ballkanin e Evropën. Së fundmi, rruga normale që kalon drejt Shkupit do të lidhej me pikënisje nga Vlora apo Durrësi për në Qafëthanë. Këtë duhej të ndërtonim të parën pas ‘90-s. Duket e kushtueshme se kalon nëpër Shkumbin e zgjerimi kërkon shumë më tepër para se Durrës–Kukës. Dakord, po le të bëjmë hekurudhën për lidhje direkt me Shkupin dhe pastaj të shkojmë nga Vlora për t’u lidhur me Durrës-Kukës. Çka fut Kosovën dhe Shkupin në lojën tonë. Dhe materializon në praktikë dhe Korridorin e Tetë. Po kjo duhet prapë të na çojë në Shkup, e jo në Nish. Rruga e Shqipërisë për Evropë kalon së pari nga Maqedonia, e jo nga Athina apo Beogradi. Këtë histori natyrisht e kuptojnë edhe maqedonasit, të cilët mund ta shfrytëzojnë këtë miqësi ashtu si dhe disa vjet më parë, kur Berisha u hapi rrugë me të drejtë për të shfrytëzuar Durrësin pa para”. (gazeta “Panorama”, 25 janar 2008, f. 20) Të gjitha këto teza të Nazarkos janë absurde. Një vend me dalje në det siç është Shqipëria, nuk mund të izolohet kurrë nga bota, për shkak të armiqësisë së një fqinji të tij që nuk ka dalje në det, siç është Maqedonia. Shqipëria mund të lidhet gjithmonë me Perëndimin me anë të porteve të saj, ndërsa Maqedonia mund ta bëjë këtë gjë vetëm duke kaluar nëpër Shqipëri, ose nëpër Serbi, por kjo e fundit është rruga më e gjatë. Edhe rruga që kalon nëpër Greqi është më e gjatë dhe e pasigurt me Maqedoninë, për shkak të konfliktit që ka me Greqinë. Pra, është Maqedonia, një vend pa dalje në det, ajo që rrezikon të jetë e mbyllur si në një “qyp gjigand”, në rast se nuk ka marrëdhënie të mira me Shqipërinë, që përbën për të rrugëdaljen më të shkurtër dhe të leverdishme kah Perëndimi. Nazarko thotë se Rruga Durrës-Qaf-thanë, pra segmenti shqiptar i Korridorit- 8 duhej ndërtuar para të gjithë rrugëve të tjera, edhe pse është më e kushtueshme se Rruga Durrës-Kukës. Por Korridori-8 tekefundit nuk është aq i rëndësishëm për Shqipërinë, që ka dalje detare në Ballkanin Perëndimor, sa ç’ është për Maqedoninë dhe Bullgarinë, që e kanë atë rrugën më të shkurtër dhe të natyrshme kah Perëndimi (bullgaria gjithsesi ka dhe linjën danubiane). Rruga Durrës-Kukës mund ta kompensojë përkohësisht Korridorin-8 për Maqedoninë dhe Bullgarinë, se nga Shkupi në Prishtinë është shumë afër. Kështu që leverdia e Rrugës Durrës-Kukës është e dyfishtë për ne shqiptarët, se e bën Maqedoninë edhe të varur nga Kosova, veç Republikës së Shqipërisë, për të dalë në Adriatik. Ndërsa Korridori-8 i intereson më shumë Maqedonisë se Shqipërisë dhe më pak Kosovës. Që shqiptarët të shpenzonin paratë e tyre për të ndërtuar të parën Rrugën Durrës-Qafë-Thanë, në parametrat e superstradës, me një kosto më të lartë se Rruga-Durrës-Kukës, kjo do të thotë që shqiptarët të financonin një prioritet të Maqedonisë, apo edhe të Bullgarisë. Korridori-8 ka rëndësi për shqiptarët, por jo aq sa të financojmë me kosto të lartë segmentin shqiptar të tij. Le të bëjë lobing për të Maqedonia dhe Bullgaria në Bruksel, meqë atje i përkëdhelin shumë dhe Maqedonisë i financojnë dhe projekte luksi si unaza e Shkupit. Sa për atë që thotë Nazarko se Korridori-8 duhet të na çojë në Shkup e jo në Nish, duke aluduar për deklaratën e Berishës se Rruga Durrës-Kukës do të zgjatet deri në Prishtinë e në Nish, Nazarko duket se nuk e njeh hartën aq sa për të ditur se Nishi nuk mund të shmanget nga skema e tij, duke qenë se Nazarko na e ka bërë Budapestin portën hyrëse të Shqipërisë në Perëndim, dhe në Budapest nuk mund të shkohet nga Shkupi pa kaluar në Nish dhe madje në Beograd. Kur Nazarko thotë se rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Shkupi dhe jo nga Athina dhe Beogradi, ai gënjen, se sipas skemës së tij, rruga e Shqipërisë në Evropë kalon pikërisht nga Beogradi, i kamufluar pas Budapestit, dhe kjo nuk është rruga për në Evropë, por rruga për në Rusi. Në fund Nazarko thotë: “Kur themi se kemi ndihmuar Maqedoninë për pavarësinë, harrojmë se kemi ndihmuar veten tonë. Atje sipas burimeve zyrtare gjenden 35 për qind shqiptarë”.(gazeta “Panorama”, 25 janar 2008, f. 20) Sipas burimeve zyrtare (regjistrimit të fundit të popullsisë në 2002) në Maqedoni zyrtarisht shqiptarët janë 25.17% e popullsisë. Shqiptarët e Maqedonisë pretendojnë se numri i tyre është më i lartë, por është ulur artificialisht se sllavo-maqedonët nuk u japin shtetësinë atyre shqiptarëve të Maqedonisë që viti 1991 i gjeti me shtetësi jugosllave dhe me banim në pjesë të tjera të federatës pse jashtë vendit, dhe që më pas kërkuan shtetësinë maqedone. Nëse këtyre shqiptarëve do t’ u njihej kjo e drejtë atëherë ata do të përbënin 35%, madje më tepër të popullsisë. Merret vesh, Nazarko nuk di as shifrat zyrtare të censusit të fundit në Maqedoni dhe kërkon të bëjë analistin gjeopolitik në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë!