Brenda pak orësh do të bëhet e qartë se kush është fituesi i kësaj gare.
Natyrisht shumë rëndësi ka pjesëmarrja për shkak se sondazhet thonë se do jetë një garë shumë e ngushtë, duke i dhënë një avantazh të lehtë presidentit në detyrë në shtetet vendimtare.
Por siç ka ndodhur edhe në të shkuarën, ajo që thotë një sondazh nuk është njësoj si vota e hedhur.
Një i brendshëm i fushatës së republikanëve thotë se ata janë përpara me një pikë. Disa analistë thonë se ditët e fundit Romney dukej tepër optimist.
Ndërkohë Spiegel raporton se Obama nuk është më ai i pari, që frymëzonte për ndryshim. Revista nuk lë pa përmendur sulmet e ulëta që i ka bërë Romney-t me fjalë që nuk i përdor asnjë njeri me edukatë. Për më tepër, Obama po e thekson shumë faktin se gjërat nuk janë mirë, por duhen bërë më mirë. Duket sikur Amerika nuk është më kombi më i madh në botë.
Në orët e fundit të votimit, demokratët po bëjnë thirrje që të dalin sa më shumë njerëz në votime, duke shpresuar se ky do jetë çelësi i fitores.
Në orët e fundit po ashtu nuk kanë munguar as lotët, ndërsa Obama në një krah dhe e shoqja e Mitt Romney në krahun tjetër janë kapur me lot në sy.
Pyetja që shtrohet në këtë garë të ngushtë është se kush do të qajë nesër?





