Kolektiviteti, çelësi i suksesit te kurbinasit

Laçianët zbresin në fushën e blertë për t’u ndeshur me Tomorin në një sfidë që ishte parashikuar të luhej të dielën. “Ndërprerja e kampionatit apo shtyrja e një ndeshjeje ka ndikim e vet, pasi në këtë mënyrë ndërpritet një rrjedhë normale veprimtarish që ne i kemi parashikuar më parë. Është një ndryshim i detyruar dhe për këtë arsye e kemi riprogramuar stërvitjen”, – është shprehur trajneri i kurbinasve, Ramadan Shehu. Ky i fundit flet edhe për takimin ndaj beratasve dhe kërkon nga futbollistët e tij përqendrim maksimal. “Është një ndeshje në të cilën duhet të kemi kujdes. Do luajmë me një Tomor tërësisht ndryshe nga ai i një jave më parë në kupë. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, ndaj kemi qenë tepër seriozë gjatë këtyre ditëve në përgatitjen e sfidës që normalisht duhet ta fitojmë. Mirëpo për ta fituar, duhet të djersijmë në fushë e këtë ua kam bërë të qartë lojtarëve të mi. Në këtë takim do të kem mungesën e Ades, i cili ka udhëtuar drejt Nigerisë për problemet që ka pasur me klubin e atjeshëm. Gjithashtu do të mungojë edhe Zefi për arsye kartonësh, si dhe të Abazaj me Kastratin që janë të dëmtuar. Megjithatë ne jemi një skuadër që kolektivitetin e kemi armën tonë më të fortë. Moslëshimi për asnjë moment në lojë e dëshira për të marrë maksimumin besoj se në fund do na nxjerrë fitimtarë”, – ka përfunduar Shehu.
Vladimir Prenga