«KODI DA VINÇI» POLITIK I ISMAIL KADARESË






Përdorimi i artit për të dhënë mesazhe të koduara të rëndë­sishme fetare, politike dhe diplomatike, gjë që ka frymëzuar bestseller-in spekulativ «Kodi Da Vinçi» është një gjë e njohur që në Antikitet. Shpesh të pushtetshmit kanë ushtruar atë që mund të quhet si «diplomaci artistike», duke përdorur artin si një mënyrë për të përsjellë kumte të koduara paralajmëruese, deri edhe në politikën e jashtme. Ismail Kadare, në romanin e vet «Koncert në fund të dimrit» (për të cilin është kapur një segment tjetër në analizën «Si e letrarizoi Ismail Kadare ‘Shënime për Kinën’ të Enver Hoxhës tek ‘Koncert në fund të dimrit’»), na përshkruan versionin kinez të këtij fenomeni, kur në një shfaqjeje baleti në teatrin e Pekinit, do të jepej një kumt i koduar politik nga pushteti:
«Ja dhe tani flitej se në mbarim të skenës së parë, diku nga mesi i skenës së tretë, gjithashtu në daljen e lejlekut të verdhë pak përpara pushimit, si edhe në lëvizjet e valltares së dytë gjatë uverturës dhe sidomos në ngjyrën lila të veshjes së saj, kishte diçka tepër të rëndësishme, që lidhej (ule zërin, ule edhe më, afroma gojën te veshi, ngjite krejt), që lidhej ndoshta me vdekjen e afërme të Maos dhe me çështjen e pasardhësit të tij. Të zinte me të vërtetë tmerri ta dëgjoje. Veç kësaj e gjithë kjo kishte mundësi të shtrihej më larg, në shkallë botërore, në gjëra që lidheshin me terrorin në përgjithësi, me masakra të mund­shme në zona të ndryshme të planetit, dhe kushedi ç’mesazhe të tjera që s’i rrok dot mendja, në të vërtetë kob e jo koncert».[1]
Në Greqinë e Vjetër shpesh nëpërmjet vargjeve të tragjedive dhe komedive të deklamuara në amfiteatër, jepeshin kumte të koduara të pushtetit ose të rrymave të caktuara politike. Në Anglinë elizabetiane të kohës së Shekspirit kjo qe gjithashtu një gjë rutinë dhe gjatë shekujve është zhvilluar një teori e tërë në lidhje me kumtet e koduara politike që përmbajnë dramat e Shekspirit.
Në Shqipëri një gjë e tillë ka ndodhur me shkrimtarin Ismail Kadare. Në librin e tij «Koncert në fund të dimrit» një lexues i vëmendshëm do të gjente gjurmët e një «Kodi Da Vinçi» poli­tik, domethënë të mesazheve të koduara politike, që i drejtohen opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, në prag të ndryshi­meve të mëdha politike në Lindjen komuniste dhe në Shqipëri. Por, ndryshe nga sa do të donin entuziastët e Kadaresë sot, kjo nuk ka të bëjë me një tendencë të supozuar të shkrimtarit për të futur në mënyrë të kamufluar në librat e veta ide disidente kun­dër regjimit dhe pro hapjes së vendit. Fjala është për Kada­renë në rolin e asaj valltares së dytë të teatrit të Pekinit, që ai e ka bërë personazh të romanit të vet, pra fjala është për Kadarenë në rolin e përcjellësit të kumteve të koduara politike të regjimit komu­nist shqiptar, të adresuara opinionit shqiptar dhe atij ndër­kombëtar. Ç’është më e rëndësishmja, në libër ka një tendencë që të bëhen aludime të rëndësishme për atë që pritet të ndodhë.
Romani i Ismail Kadaresë «Koncert në fund të dimrit», ndo­nëse i vendos ngjarjet në periudhën e prishjes midis Shqipërisë komuniste dhe Kinës, duke pasur si kufi përfundimtar kohor verën e vitit 1978, megjithatë përmban një tendencë të qartë për t’i paraqitur gjërat në një mënyrë të tillë që t’i bëhet jehonë e plotë Sqipërisë së vitit 1988, ku klima e shoqërisë ka filluar të ndiejë efektin e erës së ndryshimeve që tashmë ka filluar të fryjë në Lindje. Vetëm një vit para botimit të këtij libri Shqi­përinë e izoluar, ku nuk ftohej e pritej asnjë shtetar perëndimor, e vizitoi ministri i jashtëm i Gjermanisë Perëndimore, Genscher, një vizitë kjo që ngjalli shumë iluzione tek shumësia e shqip­tarëve që donin ndryshime, por edhe në opinionin ndër­kombë­tar. Në kohën kur u botua romani tashmë në Poloni kishte filluar procesi i ndryshimeve politike që çoi në transformimim e siste­mit politiko-shoqëror nga komunist në demokraci me ekonomi tregu të lirë. Në opinionin ndërkombëtar bëhej pyetja sesi do të vepronte Shqipëria? A do të inkludohej Shqipëria në këto pro­cese? Ç’mendim kishin intelektualët dhe populli në Shqipëri për këtë çështje? Por, edhe brenda në Shqipëri kishte një debat latent mbi atë se ç’do të ndodhte në vend. A do të inkludohej vendi në procesin e ndryshimeve në Lindje? Sa i thellë do të qe ky proces në Shqipëri? A do të shkonte ai deri në shpërbërjen e partisë në pushtet, që ishte e vetmja parti që kishte ruajtur pro­filin staliniste në gjithë Lindjen komuniste?
Në këtë kontekst ndërkombëtar dhe shqiptar u botua romani i Ismail Kadaresë «Koncert në fund të dimrit». Në qendër të këtij romani të Kadaresë është një komplot për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri që organizohet nga kinezët (Çu En Lai), të cilët angazhojnë për këtë gjë ministrin shqiptar të mbrojtjes, të cilin e urdhërojë që të fillojë goditjen kundër PPSH në Shqipëri, duke kryer veprimin simbolik të rrethimit me tanke të një komiteti lokal të partisë, çka do të qe pikënisja e një puçi ushtarak. Këtu ze fill dhe ngjarja që përbën konfliktin në libër.
Pra, romani i Kadaresë mbështetet mbi një episod të mito­logjisë politike të kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri, atij që supozohej të qe puçi i ushtarakëve (1974-1975) dhe që i shër­beu diktaturit për të eliminuar elitën ushtarake të vendit. Por, e gjithë kjo, vendoset nga Kadare, në kontekstin aludues të fund­viteve ‘80, kohë kur është botuar romani. Kështu, në penën e Kadaresë, Çu En Lai, kryeministri kinez, leitnanti i Mao Ce Dunit, i flet ministrit shqiptar të mbrojtjes, në një bisedë që supo­zohet të jetë bërë në fillim të viteve ‘70 (Çu En Lai vetë vdiq në 1976), praktikisht ashtu siç supozohet të ketë folur lideri sovjetik Mikhail Gorbachev në takimin e Katovicës, në vitin 1986, ku u projektuan reformat politike në vendet komu­niste, që i dhanë fund komunizmit në këto vende, por duke krijuar shoqëri pas­komu­niste të kontrolluara politiksht dhe ekonomikisht nga ish-komunis­tët. Çu En Lai, në penën e Kada­resë thotë:
«Kina po bëhet gati për ndryshime të mëdha. Këto ndry­shime do të tronditin drejtpeshimin e globit tokësor. Shtrohet pyetja: ju do të na ndiqni apo jo? Në qoftë se po, do të vazhdoni të jeni miqtë tanë, ndryshe do të detyrohemi t’ju braktisim. Tani për tani jua themi këtë gjë miqësisht, ose, që të jem më i saktë, po jua them këtë gjë juve, thjesht në mënyrë intime, duke ju lutur që të mos e bisedoni me njeri. Do të ketë kthesë në botë, fur­tuna të paparashikuara, sidomos në Ballkan. Dhe në raste fur­tunash, siç thotë një vjershë e vjetër kineze, secili duhet të shpejtojë të gjejë folenë ku do të strehojë kokën. Qysh tani duhet menduar për këtë, ndryshe do të jetë vonë pastaj».[2]
Në libër, Çu En Lai i thotë ministrit shqiptar se parakushti për këtë ndryshim është cënimi i tabusë të partisë. Në vendet komu­niste «partia» është një fjalë që shkruhet me të madhe, «Partia», edhe pse rëndom nuk shkruhet e plotë, p.sh. PPSH. Kjo ndodh sepse gjithherë ekziston vetëdija se ekziston vetëm një parti në vend. Rëndësia e partisë si sunduese e shtetit dhe shoqë­risë në çdo vend komunist, e aq më tepër në Shqipërinë enve­riane, është një gjë që dihet. Çu En Lai i thotë ministrit shqiptar:
«Një ide e tillë për partinë, një aureolë e tillë do të ishte pen­gesë për çdo hap. Prandaj Maoja ynë i prishi aureolën partisë. Edhe tek ju gjithashtu...».[3]
Prandaj duhet goditur e para partia, që të hapet rruga për këto ndryshime. Në romanin e Kadaresë të njëjtën gjë mendojnë edhe pjesëtarët e «klasave të përmbysura» në Shqipëri, «reak­sionarët»:
«Partia, ajo është kryesorja. Po luajte atë ke luajtur themelet. Asgjë s’mbahet më pastaj. Gjithçka shkërmoqet vetvetiu».[4]
Në romanin e Kadaresë, Çu En Lai i thotë ministrit shqiptar se për të shprehur në mënyrë simbolike prekjen e tabusë së partisë, ai mund të bënte një veprim simbolik, si p.sh. rrethimi me tanke i një komiteti lokal partie gjatë një stërvitjeje ushta­rake:
«Siç thashë, ngjarja do të dukej e thjeshtë, dhe ashtu është vër­tet, por simboli është i madh. Dhe populli është përherë i ndje­shëm ndaj simboleve. Fjala do të kalojë gojë më gojë, në formë pëshpërime, thashethemesh, hamendjeje, do të zgjojë men­dime, shpresa».[5]
E gjithë kjo bisedë midis Çu En Lait dhe ministrit shqiptar të mbrojtjes nga autori i romanit situohet në një mbrëmje pasi të dy kanë qenë në teatër ku ministrit shqiptar i pati bërë shumë përshtypje shfaqja:
«Drama që kishte parë ishte vërtet e jashtëzakonshme. Në finalet e saj turma fitimtare e personazheve pozitive zvarriste për flokësh nëpër skenë sekretarin e parë të Partisë të një pro­vince».[6]
Dhe në roman ministri shqiptar i mbrojtjes, gjatë një stër­vitjeje ushtarake e jep urdhrin për rrethimin me tanke të një komiteti lokal partie. Por, oficerët, të cilëve iu dha urdhri, nuk e zbatuan urdhrin, gjë për të cilën ata shkarkohen dhe arres­to­hen me urdhër të ministrit. Por, në ndërkohë, siç e tregon autori i romanit, në Parti dhe tek vetë lideri i saj sup­rem, Enver Hoxha, që është personazh i romanit, ky episod ka shkaktuar dyshime, që nxitën hetime që zbuluan ekzistencën e «kom­plotit» për të kryer një puç ushtarak për të përmbysur regjimin e PPSH-së, me Enver Hoxhën në krye, duke shpër­bërë dhe vetë Partinë.
Kumtin kryesor që përcjell libri, Kadare e ve në gojën e personazhit të vet real, vetë diktatorit Enver Hoxha, kur Kadare, në traditën e kronikanëve të oborrit, përshkruan gjatë në roman skenën kur Enver Hoxha në plenumin e Komitetit Qendror zbulon puçin kundër Partisë:
«Kryesorja ishte se një urdhër i tillë nuk u zbatua dhe urdhra të tillë nuk zbatoheshin kurrë në Shqipëri nga kushdo që të jepeshin. Dhe kjo ishte gjëja më e merekullueshme. Jo në më­nyrë administrative, jo me dekrete e urdhra, përkundrazi edhe në kundërshtim me to po të ishte nevoja, vihej në lëvizje ai mekanizëm i thellë popullor që, në mënyrë të vetvetishme pa pritur urdhër prej askujt, mbronte Partinë, mbronte shtetin e vet në rast rreziku. Prandaj kinezët, sado dinakë të ishin nuk e kuptonin dot Shqipërinë. Dhe prandaj të gjitha llogaritë e tyre, sado të stërholluara të ishin, ishin të gabuara».[7]
 
Ashtu siç e do rregulli në një vend totalitar partia përmendet këtu para shtetit, pasi ajo është partia-shtet, domethënë vetë shteti. Është e qartë se në këtë libër të Kadaresë regjimi komu­nist shqiptar i dha opinionit të brendshëm dhe të jashtëm (Perëndimit kapitalist kryesisht) kumtin se në procesin e ndry­shi­meve që qe në vazhdim në botë, në fund të viteve ‘80, jashtë të cilit nuk mund të mbetej as Shqipëria, në këtë vend kishte vetëm një gjë që nuk lejohej dhe as nuk mund të mendohej që të prekej dhe kjo qe Partia (PPSH). Në të gjitha vendet komuniste, partitë komuniste, sundimtare të vetme të shtetit dhe të shoqë­risë, qenë vënë në shënjestër dhe shpejt do të binin njëra pas tjetrës, shumë prej tyre edhe duke u shpërbërë, së bashku me nënën e tyre, partinë komuniste sovjetike. Natyrisht që nga këto gërmadha më pas do të krijoheshin parti të tjera nga ish-komu­nistët, me të cilat ata në shumë vende, duke përfshirë edhe Rusinë, do të mbanin pushtetin.
 
Por në Shqipëri nuk pranohej as kjo nga nomenklatura komu­niste dhe këtë duhet që ta fusnin mirë në mendje edhe të huajt, që këtu simbolizohen nga kinezët por megjithatë ata të cilëve u adresohet ky kumt në radhë të parë janë perëndimorët, që bënin «llogari të stërholluara», por të gabuara për të ndry­shuar siste­min politik shqiptar në mënyrë radikale, duke për­mby­sur dhe shpërbërë PPSH-në në pushtet. Në anën tjetër, ky kumt u adre­sohej dhe shqiptarëve, të cilëve mund t’u vinte në mendje ideja për të bërë një përmbysje radikale në Shqipëri, duke e shpërbërë krejt PPSH-në dhe duke i privuar nga pushteti pinjojtë e nomen­klaturës komuniste. Këta njerëz duhet ta dinin se mund ta paguanin me kokë. Ata duhet ta kishin frikë Partinë dhe të tme­rroheshin prej saj, ashtu si ai ministri «komplotist», të cilin gjatë kohës që Partia dhe lideri fillojnë e dyshojnë e kap paniku dhe i krijohen paranoja:
« ‘Kush prek Partinë, ha kokën e vet!’ Ai ktheu kokën me vrull anash për t’u bindur nëse e kishte parë vërtet një parullë të tillë, apo i kishin bërë sytë. Por në fushë ishte mjegull dhe shkronjat s’dalloheshin më. Më kanë bërë sytë, mendoi. Parulla s’ishte në stilin e zakonshëm. Ktheu dhe një herë kokën, fërkoi sytë, por mjegulla kishte mbuluar çdo gjë. S’i vinte më çudi po të kishte halucinacione. Deshi të thoshte, mjaft, mos e shkruani më nëpër bregore, unë nuk e prek dot atë që thoni ju. Kurrsesi, kurrsesi».[8]
Por gjithashtu të vërtetën e treguar më lart duhet që ta fusnin në mendje edhe kapitalistët në Perëndim, në Europë dhe në SHBA. Perëndimi kapitalist duhet ta dinte se interlokutori i tij në Shqipëri, në procesin e ndryshimeve, do të qenë vetë komu­nistët dhe PPSH, e cila me këtë rast qe e gatshme të ndryshonte si kameleoni për hir të pragmatizmit politik.
Partia këtu nuk pranohej që të cënohej rëndë, e shumta mund të pranohej që asaj t’i bëhej një make-up, duke iu ndryshuar emri, siç edhe ndodhi në të vërtetë dy vite e gjysmë pas botimit të këtij romani të Kadaresë, kur PPSH ndërroi emrin në PS. Në romanin e Kadaresë ky transformim spekulativ i komunizmit shqiptar i ofrohet Perëndimit me gojën e një përfa­që­suesi të klasave të përmbysura, në mënyrë që t’i bëhet e ditur se kjo është e vetmja rrugë e arsyeshme për të gjithë:
«- Si ta them, - vazhdoi ai, - një Perëndim i veshur me rroba socialiste do të ishte për mua më i mbrojtur, më i vërtetë, sesa ashtu siç është ai në Evropë, i zhveshur, i mirëfilltë. Më kuptoni ku e kam fjalën? - ai e uli zërin. - Një Perëndim i tillë na duhet neve, me hilera, me maskë, ndryshe do të jemi përherë të rrezi­kuar. Veç kësaj... edhe Perëndimi ndoshta s’do të na pëlqente më, ne jemi plakur, kemi ndryshuar, s’jemi më për Evropën e mirëfilltë... Ja kështu qëndron puna... shansi i vetëm... Ja kështu qëndron puna».[9]
Ismail Kadare këtu ve në gojën e një pjesëtari të klasave të përmbysura, pikërisht atë ide që kishte në atë kohë lidershipi komunist shqiptar, pra se Perëndimi duhej të kënaqej me një transformim të kushtëzuar dhe të manipuluar të Shqipërisë komu­­niste, në një vend ku politika dhe shoqëria do të domi­nohej nga ish-komunistët e transformuar në socialistë. Ndryshe nomenkla­tura komuniste qe e vendosur
Që të qëndrojë e gjithë kjo teori për paraqitjen nga ana e regjimit komunist shqiptar e një mesazhi politik me anë të një romani të Kadaresë, duhet që të marrë përgjigje pyetja: Pse re­gjimi, që kishte mundësi që ta bënte këtë gjë me shumë mënyra, që nga kanalet diplomatike sa i takon Perëndimit, e deri tek mekanizmat e përhapjes së thashethemeve të policisë sek­rete, sa i takon opinionit publik shqiptar, do të duhej që të involvonte dhe Kadarenë? Kjo pyetje e ka një përgjigje që më duket se bën sens. Për regjimin dhënia e kumtit artistikisht nga Kadareja qe një gjë mjaft e rëndësishme, si në planin e jashtëm, ashtu dhe në atë të brendshëm. Romani i Kadaresë u përkthye dhe filloi të botohet që atë vit në Perëndim. Kadareja ishte që atëhere shkri­mtari shqiptar më i lexuar në Perëndim dhe mendimi i tij kishte një peshë të madhe kur vinte në pyetje opinioni i intelektualëve shqiptarë.
Me anë të ideve të treguara më lart, që paraqiti Kadareja në librin e vet, Perëndimit synohej t’i krijohej përshtypja se edhe intelektualët shqiptarë janë të mendimit se procesi i ndryshi­meve në Shqipëri duhet të jetë një kompromis i arsyeshëm që duhet të konsistojë vetëm në një reformim të lehtë të PPSH-së dhe në mbetjen e saj si partia kryesore në vend dhe ajo që mban pushtetin. Pra, mund të ketë në Shqipëri pluralizëm politik, dome­thënë shumë parti, por do të ekzistojë Partia dhe partitë.
Në anën tjetër, intelektualëve në vend, të cilët qenë lexues dhe adhurues të Kadaresë kërkohej që t’u krijohej e njëjta bindje fataliste, pra se ndryshimet mund të ndodhnin edhe në Shqipëri, por Partia nuk do të prekej dhe ajo do të vazhdonte të qe, në një sens të sigurt, e gjithfuqishme.
Partia (PPSH) qe e paprekshme. Me paprekshmëri të partisë, në analizë të fundit kuptohej pushteti i saj dhe privilegjet e kla­neve të saj, pasi një parti është tekefundit instrument i pushtetit dhe kështu e konceptuan dikur partinë komunistët shqiptarë kur e krijuan. Pra, pushteti qe i paprekshëm. Prej pushtetit vinin të gjitha privilegjet, aq më tepër në kapitalizëm ku pushteti të siguron bizneset, pasurimin etj. Prandaj, kush prekte pushtetin, do të kishte pasoja të tmerrshme.
Në retrospektivë, 17 vite pas botimit të këtij romani të Kadaresë dhe 15 vite pas instalimit të pluralizmit politik në Shqipëri, ne mund të konstatojmë se janë realizuar paralaj­mërimet që bën Kadareja si zëdhënës i asaj që mund të quhet si konspiracioni shqiptar i Katovicës. Në Shqipëri u vendos plu­ralizmi politik dhe u krijuan shumë parti. PPSH iu ofrua Perë­ndimit e veshur me rroba socialiste perëndimore dhe ai e pranoi këtë ofertë, për pragmatizëm politik, ose më saktë gjeo­politik. Rrethanat dhe influenca e ndërkombëtarëve bëri PPSH (PS) të humbte pushtetin dhe të dilte përkohësisht në opozitë në vitin 1992. Kështu u cënua paprekshmëria e partisë (lexo: push­tetit). Për këtë fajtorë qenë edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve, të cilët në zgjedhjet e 22 marsit 1992 votuan masivisht për daljen e PS-së në opozitë. Tash edhe ata qenë fajtorë kolektivë për cëni­min e partisë (pushtetit të saj), ndaj duhej të paguanin një tribut të tmerrshëm, që të mos u shkonte më në mendje të preknin partinë. Kështu erdhi viti 1997 dhe bashkë me të edhe lufta që e ktheu PS-në në pushtet. Kush prek Partinë, ha kokën e vet! Këtë duhet t’u kujtojë 1997 shqiptarëve. Prandaj, Partia (PS) duhet të jetë në pushtet (e paprekshme), ndryshe i gjithë populli do të hajë kokën e vet. Partia (PKSH, PPSH, PS), që prej krijimit të vet në vitin 1941, pra prej 67 viteve të ekzis­tencës së vet, 60 vite ka qenë në pushtet dhe tash në vitin 2008 po bëhet gati të marrë dhe një mandat tjetër 4-vjeçar pushteti, duke arritur një rekord që nuk e ka asnjë parti politike në botë, jo në vendet demokratike, por as në ato totalitare. Ky rekord bëhet edhe më kuptimplotë po të mendosh se edhe rivalja e saj, PD, është thjesht një off-spring i PPSH, duke qenë në krye të saj (PD), që nga viti 1991,  një anëtar për 22 vjet i PPSH, i cili vetëm kur është bërë President i Republikës, e ka dorëzuar në letër koll­tukun e kryetarit të partisë tek ndonjë kukull e lidhur me fije tek dora e tij.
Dhe ironikisht, Kadare vazhdon të ruajë sot statusin e një lloj «profeti» të politikës shqiptare, që jep sentencat e tij në të gjitha televizionet dhe në të gjitha gazetat, si një manipulator i madh i mendimit kolektiv, funksion me të cilën na shfaqet edhe tek «Koncert në fund të dimrit». Kadare ndoshta nuk mund të qor­tohet se as në fund të viteve ‘80 nuk pati kurajën që të çonte për botim një libër disident, por ai është fajtor për faktin se edhe në vitin 1988 ai botoi një libër të tillë, të cilin ai nuk kishte asnjë detyrim që ta shkruante. Me romanin «Koncert në fund të dim­rit» Ismail Kadare u dëshmua edhe një herë të jetë njeriu i misio­­neve speciale të regjimit komunist shqiptar.
Aspekti tjetër i keq në këtë roman të Ismail Kadaresë është se ky merr si premisë versionin propagandistik dhe penal të regjimit komunist për «komplotin» e ushtarakëve të lartë dhe madje e potencon me fantazinë e vet letrare këtë mit të rremë të prodhuar nga fantazia e Enver Hoxhës. Duke marrë si premisë në librin e vet atë që ka thënë Enver Hoxha, se komploti i ushta­rakëve të lartë shqiptarë zuri fill në një bisedë midis kryeminis­trit kinez Çu En Lai dhe ministrit shqiptar të mbrojtjes (Beqir Balluku), në fillim të viteve ‘70, Kadare e zhvillon më tej këtë fantazi kriminale të diktatorit, duke na paraqitur skenën kur bëhet kjo bisedë pas një shfaqjeje teatrale të treguar më lart, si dhe duke dhënë në shumë faqe dialogun që u zhvillua midis të dyve. Vetë Kadareja thotë në libër:
«Ndërkaq shumica mendonin se komploti ishte një vepër e brendshme dhe këshillat e Çu En Lait kishin qenë kryesisht të natyrës ideore, gjë që ngjante më e logjikshme».[10]
Në një farë mënyre kjo logjikë vlen dhe për mënyrën si u shkruajt romani i Kadaresë. Romani qe sigurisht vepër e Kada­resë, por ai mori nga regjimi komunist disa këshilla «të natyrës ideore» për të përcjellë disa mesazhe speciale politike, «gjë që ngjan më e logjikshme».



[1] Ismail Kadare: «Koncert në fund të dimrit», «Naim Frashëri», Tiranë, 1988, fq. 503-504.

[2] Po aty, fq. 332-333.
[3] Po aty, f. 333.
[4] Po aty, f. 382.

[5] Po aty, fq. 337-338.
[6] Po aty, f. 330.

[7] Po aty, f. 374.

[8] Po aty, fq. 404-405.
[9] Po aty, f. 653.

[10] Po aty, f. 642.