Janullatos i kërkon Presidentit të bëjë «Shaban Meminë», duke e legalizuar si ndërtim pa leje




Nga Kastriot Myftaraj

    Ditën e diel në spektaklin «Portokalli» në Top Channel, një aktor me origjinë ortodokse bëri një monolog ku bënte humor me Krishtin, sikur atë e kishte paguar një kryetar komune, që të të bënte rolin e Krishtit duke qendruar i kryqëzuar në një kryq që ishte në një kodër, ku do të vinin besimtarët e krishterë të komunës për pelegrinazh. Pastaj, njerëzit e morën për Krishtin e vërtetë, dhe ranë në gjunjë para tij, duke e quajtur këtë gjë një mrekulli dhe ai u tha: Fali o Zot se nuk dijnë ç’ bëjnë! Është shumë e çuditshme që ky humor me Krishtin nuk shkaktoi asnjë reagim nga dy kishat në Shqipëri, dhe në rradhë të parë nga ajo ortodokse se aktori ishte ortodoks dhe të dy skenaristët e «Portokallisë» janë ortodoksë. Unë e kuptoj shumë mirë diskrecionin e Kishës Katolike, për shkak se në këtë çështje ishin të implikuar ortodoksë, dhe si të thuash topi ishte në fushën e Kishës Ortodokse, dhe i takonte asaj të reagonte. Por nuk arrij ta kuptoj heshtjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare për këtë çështje. Kjo kishë është shumë e ndjeshme kur cënohet sadopak kreu i saj, greku, Janullatos, apo i gjoja shenjtori, sundimtari okupator serb i trojeve shqiptare, Jovan Vladimiri, siç ndodhi me reagimin e klerikëve ortodoksë kur unë shkruajta për të, dhe nuk i bëhet vonë fare kur vihet në lojë Krishti. Kjo flet shumë për mendësinë e këtyre ikonomanëve, të cilët janë ortodoksë, janullatistë e ç’ të duash, por duket se nuk janë kristianë!
    Këto ditë është hapur përsëri çështja e kërkesës për të marrë shtetësinë shqiptare, që i ka bërë Janullatos Presidentit të Republikës. Presidenti Topi u pyet në një emision televiziv se përse nuk ia jep shtetësinë shqiptare Janullatosit. Kaq mjaftoi që kjo çështje të vijë në fokus të debatit publik. Është e sigurt se kjo gjë është bërë me ndërhyrjen e Janullatosit për shkak se së shpejti pritet të kalojë në parlament projekt-ligji për fetë, ku do të përcaktohet se kryetarët e komuniteteve fetare duhet të kenë shtetësinë shqiptare. Në rast se Janullatos nuk merr shtetësinë shqiptare, ai duhet të largohet automatikisht nga drejtimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Por çështja zgjidhet për Janullatosin nëse ky i fundit merr shtetësinë shqiptare. Por që t’ i jepet Janullatosit shtetësia shqiptare kjo do të thotë të bëhet një veprim kundër frymës së ligjit, pasi fryma e këtij ligji është që të pengojë që të huajt të vihen në krye të komuniteteve fetare në Shqipëri, dhe jo që të huajt të marrin shtetësinë shqiptare për të ardhur në krye të komuniteteve fetare në Shqipëri. Nëse Janullatosi merr shtetësinë shqiptare ai do të bëhet person me dyshtetësi, se ka edhe shtetësinë greke, kështu që realisht nuk do të ndryshojë asgjë. Madje, po të jetë kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare person me dyshtetësi, greke dhe shqiptare, kjo do të simbolizojë edhe juridikisht identitetin e dyfishtë të komunitetit ortodoks shqiptar. Pikërisht këtë do Greqia.   
    Nëse Janullatos do të marrë shtetësinë shqiptare, atëherë kjo praktikisht do të thotë që ai të kërkojë të legalizohet, si ata që kanë bërë ndërtime pa leje, dhe që kërkojnë legalizim tek Shaban Memia. Edhe Janullatos, duke bërë kërkesë për shtetësinë shqiptare, e pohon se ai ka bërë «një ndërtim pa leje», duke ardhur në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, dhe tashmë kërkon legalizimin e tij. Në këtë rast, nëse Presidenti Topi do t’ i japë shtetësinë shqiptare Janullatosit, atëherë praktikisht, ai (Presidenti) do të bëjë Shaban Meminë, duke e legalizuar Janullatosin, si «ndërtim pa leje».
    Para se të kalojë në Kuvend ligji për fetë dhe të hapet debati për projekt-marrëveshjet mes shtetit dhe komuniteteve fetare, Janullatos shkoi për vizitë në SHBA, për të marrë pjesë në celebrimin e 100-vjetorit të krijimit të kishës së parë ortodokse shqiptare në SHBA. Në raportin e «Zëri i Amerikës» në shqip, për këtë ngjarje thuhej: «Peshkopi i kishës se Shën Gjergjit, at Artur Liolin thotë se vazhdimësia pa ndërprerje e veprimtarisë së këtij institucioni shpirtëror fetar vërteton atë vizion e largëpamësi qe kishte Fan Nolit kur filloi përpjekjet për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare te Amerikës. Ndersa, fortlumturia e tij Anasasi, kryepeshkop i Shqipërisë, i ftuar në ceremonitë e djeshme, tha se ngjarje si kjo e nxisin njeriun jo vetëm të kujtojë, por edhe mendojë rreth Fan Nolit dhe të arrijë në përfundimin se ai ishte një personalitet me talent të jashtëzakonshëm».
    Siç shihet At Artul Liolin ka çmuar vizionin e Nolit për autoqefalinë, se nuk kishte si të bënte ndryshe, pasi diskreditohej përfundimisht. Por autoqefalia për të cilën luftoi Noli ishte kundrejt kishës greke, kështu që të thëna këto fjalë në prani të grekut Janullatos të ardhur në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, janë një absurditet dhe një nonsens. Janullatos, nga ana e tij, siç shihet, ka bërë një vlerësim të përgjithshëm për Nolin, në terma të tilla që Janullatos mund ta kishte bërë fare mirë edhe për çdo njeri të shquar. At Artur Liolin vite më parë, në një ceremoni i kërkoi falje në gjunjë Janullatosit, për atë që e kishte kundërshtuar ardhjen e tij në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare. Qendrat e pushtetit në Ëashington bënë një gabim të madh që i lejuan grekët ta bëjnë këtë gjë, pra ta nënshtrojnë kishën ortodokse shqiptare në SHBA, duke e kthyer atë pas në gjendjen e kohës osmane. Janullatos u kthye nga SHBA me një letër kredenciale në xhep nga kisha ortodokse shqiptare në SHBA. Në raportin e VOA, për këtë thuhet: «Dje, klerikët ortodoksë shqiptaro amerikanë dhe ata nga Shqipëria, dolën edhe me një deklaratë të përbashkët mirëkuptimi e bashkëpunimi midis dy qendrave të ortodoksise shqiptare».
    Nuk është rastësi që për të bërë raportin e VOA për këtë ngjarje u ngarkua gazetari me origjinë tropojane, Astrit Lulushi, një person që pretendon se u arratis nga Shqipëria komuniste në vitet tetëdhjetë. Janullatosit i interesonte që tek VOA për këtë ngjarje të fliste një njeri i tillë që nuk mund të akuzohej si i influencuar prej tij, për shkak të origjinës. Propagandistët e Janullatos përdorin dhe një tjetër mbiemër tropojan, «Memia», për pseudonimin(Ylber Memia) me të cilin botojnë në shtypin shqiptar shkrime pro Janullatosit dhe Greqisë.
    Në librin «2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri», që është një botim i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në vitin 2003, dhe që përmban kumtesat e një simpoziumi për jubileun, gjendet dhe një kumtesë e Janullatos me titull: «Ringritja kanonike e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, 1991-2000» (f. 437-446). Në këtë kumtesë Janullatos thotë për veten: «Në maj të vitit 1992 Eksarku Patriarkal ishte gati të kthehej në detyrën e tij universitare. Atëherë, kleri dhe populli i Shqipërisë, pavarësisht nga prejardhja, iu lutën që të qëndronte dhe të merrte përsipër punën e ringritjes së Kishës së gjakosur». (cituar sipas: «2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri», Botim i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2003, f. 439)
    Janullatos nuk e shpjegon se kur paska ndodhur kjo që populli i Shqipërisë t’ i lutet atij për këtë gjë, dhe ne që kemi jetuar këtu nuk e paskemi marrë vesh. Sa për klerikët ortodoksë, mes tyre kishte shumë nga ata që kishin gjakosur popullin, si ai ish-bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit që si infermier në spitalin psikiatrik u bënte elektroshokun viktimave të regjimit me porosi të Sigurimit të Shtetit dhe që sot është bërë nga Janullatos klerik i lartë ortodoks, mitropolit i Korçës.
    Në kumtesën e tij, Janullatos thotë se kur në qershor 1992, Patriarkana Ekumenike emëroi Janullatosin kryepeshkop të Tiranës dhe Durrësit, si dhe tre klerikë grekë si mitropolitë në tre qendrat e tjera kishtare që kishte Shqipëria, në Korçë, Gjirokastër e Berat: «Qeveria shqiptare reagoi ashpër se e konsideroi si imponim nga jashtë të udhëheqjes greke në një nga tre komunitetet e mëdha të vendit».(cituar sipas: «2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri», Botim i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2003, f. 439)
    Kështu që çështja e konstituimit të sinodit të shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, mbeti pezull. Janullatos thotë se kjo çështje u zgjidh kur PS u rikthye në pushtet, në vitin 1997: «Përfundimisht, çështja e formimit të Sinodit të Shenjtë u rregullua nëpërmjet negociatave këmbëngulëse ndërmjet përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, Kishës së Shqipërisë dhe autoriteteve shqiptare (nëntor 1997-korrik 1998), me pranimin që të përbëhej nga dy hierarkë me origjinë greke dhe dy me origjinë shqiptare». (cituar sipas: «2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri», Botim i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2003, f. 440)
    Është shumë interesant afati i negociatave që jep Janullatos, nëntor 1997-korrik 1998. Në fillim të nëntorit 1997, kryeministri i atëhershëm Fatos Nano, shkoi në Kretë të Greqisë, në takimin tresh me kryeministrin grek Simitis dhe Presidentin e Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç. Duket se tek ky takim e kanë origjinën negociatat për të cilat flet Janullatos. Gjithashtu është shumë interesante se vetëm disa javë para se në korrik 1998 të përfundonin negociatat dhe qeveria shqiptare të pranonte sinodin me numër të barabartë grekësh dhe shqiptarësh, në Shqipëri u dha alarmi për disa terroristë islamikë nga vendet arabe që ishin strehuar në Shqipëri, dhe vëmendja e mediave dhe opinionit u ëprqëndrua tek kjo çështje, aq më tepër që pati arrestime të bujshme të njerëzve të tillë në qershor, korrik dhe gusht 1998. Unë në një analizë kam thënë se ky ishte një skenar për të sabotuar Luftën e Kosovës, por duket se ky skenar është ëprdorur për disa qëllime. Një prej tyre ka qenë që të bëhej një tymnajë për të mbytur përshtypjet që do të bënte pranimi zyrtarisht nga qeveria shqiptare i dorëzimitt ë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në duart e grekëve. Atëherë në krye tëe CIA-s ka qenë greku George Tenet, i cili nuk e kishte të vështirë ta angazhonte CIA-n në një skenar të luftës kundër gjoja terrorizmit islamik në Shqipëri (me «terroristë» të fshehur në lavatriçe), për të bërë grekët dhe njerëzit e tyre në Shqipëri, të patrazuar lojën e tyre për ta helenizuar zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ku dihen pasojat e kësaj, pasi grekët e identifikojnë fenë ortodokse me nacionalitetin grek, si në Greqi, ashtu dhe në Shqipëri.
    PS që ishte në pushtet, në 1998, në kohën kur u bë kjo marrëveshje, kishte qenë partia që e kishte quajtur ndërhyrje të shtetit në punët e fesë, dispozitën që ishte në projekt-kushtetutën e vitit 1994, se kryetarët e komuniteteve fetare duhet të jenë shtetas shqiptarë prej 20 vjetësh, çka ishte bërë nga Berisha dhe PD në pushtet, për të larguar Janullatosin. Prandaj PS kishte nevojë për një tymnajë «terrorizmi islamik» në Shqiëpri, në 1998, për të bërë atë që i kërkonte Greqia në rastin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, që tashmë nuk kishte më kuptim të quhej autoqefale. Me afatin e negociatave që na dha Janullatos, ne mund të kuptojmë se përse tre muaj para përfundimit të tyre, me ndryshimet që u bënë në Qeverinë «Nano» në prill 1998, u krijua për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar një qeveri e dominuar nga ortodoksët, që përbëjnë një komunitet-pakicë në Shqipëri. Në qeverinë «Nano» të krijuar në prill 1998, kishte 17 anëtarë (kryeministri dhe ministrat), nga të cilët 9 vetë ishin të fesë ortodokse: Fatos Nano (kryeministër), Paskal Milo (ministër i jashtëm), Perikli Teta (ministër i rendit publik), Thimio Kondi (ministër i drejtësisë), Ylli Bufi, Gaqo Apostoli, Anastas Angjeli, Leonard Solis, Edi Rama (zyrtarisht i fesë ortodokse). Edhe nga të tjerët, zëvendëskryeminstri Kastriot Islami e kishte gruan ortodokse, ndërsa Ermelinda Meksi, e kishte burrin ortodoks. Kjo qeveri me dominim të ortodoksëve bëri marrëveshjen e turpshme, duke i dorëzuar zyrtarisht Greqisë Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duke përfunduar kështu atë që bëri Ramiz Alia në maj 1991, kur ra dakord me grekët që Janullatos të vijë në Shqipëri «përkohësisht», në krye të kishës.
    Marrëveshja e korrikut 1998 ishte një dhunim i statutit historik të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që kërkonte që kryetari i kësaj kishe të kishte së paku shtetësinë shqiptare. Në 1998 grekëve nuk u duhej shtetësia e Janullatosit, se pushtetarët shqiptarë të asaj kohe, nuk e ngacmonin këtë çështje. Ndërsa sot u duhet që Janullatos të marrë shtetësinë shqiptare, që mbetet në krye të Kishës edhe pas miratimit të ligjit për fetë. Tashmë synimi i Janullatos, që është 79 vjeç, është që të vdesë në Shqipëri dhe të varroset me nderime zyrtare. Pastaj varri i tij do të jetë në kriptën e katedrales që po ndërton në Tiranë, do të thotë ironikisht fiks në nyjen kryesore të rrjetit të tuneleve të regjimit komunist ateist, dhe të përdorur nga Sigurimi i Shtetit. Pastaj do të vijnë kërkesat nga «besimtarët» për kanonizimin shenjt të Janullatosit, duke u sajuar disa mrekulli të tij, gjë që Patriarkana greke e Stambollit (Konstantinopolit) do ta bëjë me plot dëshirë. Në fakt a nuk është «mrekulli» që elektroshokisti musliman i Sigurimit të Shtetit bëhet ortodoks dhe mitropolit, nën influencën e Janullatos, që e ka si bir për shpirt. Në letër kjo është baras me shndrrimin e Shën Palit nga persekutor i të krishterëve, në apostull i Krishterimit. Por Shën Palit i foli Zoti, ndërsa këtij elektroshokistit të Sigurimit të Shtetit, i foli kushdo veç Zotit. Mrekullinë tjetër e ka përshkruar Nikolas Gage në shkrimin e tij për Janullatos në 2003, sikur një plumb i drejtuar ndaj Janullatos në 1997, ka ngecur tek dritarja e zyrës së «Fortlumturisë».
    Pasi Anastas Janullatos të bëhet Shën Anastasi, varri i tij do të bëhet në oborrin e Katedrales së re, që do t’ i vihet emri Katedralja e Shën Anastasit. Pas dhjetë vjetësh për grekët kjo është provë e sigurt që Tirana është qytet grek, atje është vendi i shenjtë ortodoks grek, Katedralja e Shën Anastasit ungjillëzuesit të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Kështu me Janullatosin do të bëhet e njëjta gjë si me okupatorin dhe sundimtarin serb, me origjinë nga familja Nemanja, Jovan (Gjon) Vladimirin, për të cilin Kisha Serbe krijoi një kult të rremë në Elbasan, duke tjetërsuar kultin e Shen gjon Pagëzorit, dhe që e nderon edhe Kisha Ortodokse Shqiptare e drejtuar nga Janullatos, për kortezi ndaj serbëve. Ironia me Janullatos është se atij do t’ ja shohim sherrin pas vdekjes edhe më tepër se për së gjalli, nëse nuk largohet në Greqi para se të vdesë. Duhet të jenë besimtarët ortodoksë shqiptarë ata që duhet ta ndalojnë të parët këtë maskaradë, se Kisha Ortodokse Shqiptare, mund të jetë ortodokse por nuk është e krishtere, se ajo e ka vënë Janullatosin mbi Krishtin, derisa hesht kur cënohet Krishti, dhe mbron me fanatizëm idhujtar Janullatosin. Janullatizmi nuk ka lidhje me Krishterimin dhe nuk është gjë tjetër veçse helenizëm. Tek Kisha Ortodokse e Shqipërisë sot Krishti është në funksion të Janullatosit, dhe jo e kundërta, siç duhet të ishte.