Ja si i shpërdoron guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani paratë e shqiptarëve




Nga Kastriot Myftaraj

    Guvernatori i bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili nuk ka asnjë kualifikim shkencor, gjë që duket dhe në jetëshkrimin që ka paraqitur vetë në faqen on-line të Bankës së Shqipërisë, mund të marrë fare mirë kualifikime shkencore, master dhe doktoraturë, në abuzime, nëse do të kishte të tillë tituj shkencorë. Kur shikon shpenzimet administrative për vitin 2007, të duket sikur në vitin 2006 të gjitha ndërtesat e Bankës së Shqipërisë janë grabitur dhe djegur dhe duhen riparuar dhe pajisur nga e para. Edhe më të çuditshme duken shpenzimet administrative të Fullanit, kur mendon se Banka e Shqipërisë ka bërë vazhdimisht shpenzime të këtij lloji, në një masë ose në një tjetër, se asaj nuk i kanë munguar kurrë paratë. Por Fullani duket se ka vendosur të tejkalojë shumëfish shpenzimet e këtij lloji të gjithë guvernatorëve paraardhës të marrë së bashku. Shpenzimet administrative të Bankës së Shqipërisë janë një «minierë ari» për Fullanin, që nxjerr prej tyre të ardhura abuzive, me anë të shpenzimeve fiktive, të bëra në bashkëpunim me miqtë e tij. «Galeritë» e kësaj «miniere ari» janë zërat e ndryshme të shpenzimeve administrative, si «ndërtim-montime», «instalime teknike», «pajisje informatike», «makineri-pajisje pune», makineri-pajisje zyre, «mjete transporti» etj.
    Për vitin 2007, për «ndërtim-montime» u shpenzuan 962.000.7008 lekë të reja. u shpenzuan 139.400.000 lekë të reja për rikonstruksionin e ndërtesës së Bankës së Shqipërisë. Për rikonstruksionin e ndërtesës së Bankës së Shqipërisë në Berat, në 2008 u shpenzuan 45.000.000 lekë të reja. Për ndërtesën e degës së Bankës së Shqipërisë në Gjirokastër u shpenzuan 148.000.0000 lekë të reja. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka pasur një dhomë serveri që do ta kishin zili homologet e saj në shumë vende të botës, megjithatë në vitin 2007 u shpenzuan 16.608.000 lekë të reja për atë që u quajt: përshtatje e dhomës së re të serverit. Fullani duket se e kalon një pjesë të madhe të kohës duke vënë në punë fantazinë për të shpikur punë për të cilat shpenzon para dhe nxjerr fitime abuzive. Për atë që Fullani e quan «blerje ambientesh të lira për zyra» në Tiranë janë shpenzuar 235.000.000 lekë të reja. Shikoni se si njerëzit e Fullanit nuk dijnë të shprehen në gjuhë formale në një tekst zyrtar! Me «blerje ambientesh të lira për zyra» kuptohet blerje ndërtese, ose apartamentesh në një ndërtesë. Gjithashtu janë shpenzuar dhe 75.000.000 për blerjen e një trualli të lirë, për të cilin, për shkak të mungesës absolute të transparencës, nuk mund të verifikohet momentalisht nëse është blerë me çmimin e tregut, ose me çmim më të lartë. Një tjetër shpenzim i dyshimtë është ai prej 300.000.000 lekë të reja në atë që quhet objekti X-88, dhe që duket se është një objekt sekret i bankës së Shqipërisë në Lushnjë, që është bërë «vrimë e zezë» që thith fonde.
    «Galeria» e «minierës së arit», që quhet «instalime teknike» është nga më të dashurat për Fullanin, dhe për të në vitin 2007 janë shpenzuar 96.656.000 lekë të reja. Një nga mënyrat e parapëlqyera të Fullanit për të abuzuar është rinovimi i shpeshtë i pajisjeve të ndryshme, nga të cilat nxjerr të ardhura abuzive, duke i blerë nga miqtë e tij me çmime më të larta se të tregut, dhe duke futur në xhep diferencën. Kështu, në vitin 2007 janë shpenzuar 6500.000 lekë të reja për pajisje të sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes, 1.000.000 lekë të reja për centralin me kombinator telefonik, 9.000.000 lekë të reja për sistemin e aksesit dhe kontrollit për selinë qendrore të Bankës së Shqipërisë, 1.781.000 lekë të reja për lidhje me DVD recorder ose kompjuter, 7.000.000 lekë të reja për sistem të ri mbrojtjeje elektronike në dhomën e kompjuterave, 4.000.000 lekë të reja për dërgimin dhe marrjen e sinjalit të alarmeve dhe pamjeve, 7.000.000 lekë të reja për sistem mbrojtjeje elektronike, dhe një shumë shtesë prej 2.500.000 lekë të reja për sistemin e mbrojtjes elektronike të selisë qendrore. Gjithashtu janë shpenzuar 1.800.000 lekë të reja-thuhet për përmirësimin e komunikimit me radio, që duket se ka përmirësuar xhepat e dikujt. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka shpenzuar vazhdimisht për mbrojtjen nga zjarri, dhe ka sistemin e mbrojtjes nga zjarri më të mirë në vend, në krahasim me institucionet e tjera, megjithatë për vitin 2007 janë shpenzuar 17.3000.000 lekë të reja. Punonjësit e Bankës së Shqipërisë, duke filluar nga vetë Fullani, janë qytetarët e një vendi ku fëmijët mësojnë në shkolla pa ngrohje, prandaj Fullani mund të ishte treguar më i kursyer në shpenzimet për rinovimin e pajisjeve të ngrohjes, ajrimit dhe klimatizimit, aq më tepër kur Banka e Shqipërisë ka bërë shpenzime të tilla dhe në të shkuarën. Megjithatë në vitin 2007 janë shpenzuar 2500.000 lekë të reja për pajisje që bëjnë ngrohje-ventilim-klimatizim në degën e Shkodrës 3000.000 në degën e Elbasanit.
    Çdo njeri ka sensin e vet të humorit. Sensi i humorit i Fullanit shprehet si më poshtë, me kosto të lartë për shqiptarët, në zërin «pajisje informatike», ku janë shpenzuar 60.610.000 lekë të reja. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka investuar shumë në sistemin kompjuterik, Fullani megjithatë në vitin 2007 ka shpenzuar 8.754.000 lekë të reja, me justifikimin lakonik: për sistemin kompjuterik. Por veç kësaj Fullani ka shpenzuar dhe 18.150.000 lekë për-siç thotë vetë-Kompjuter PC, Ëork station dhe kompjuter portativ. 23.000.000 lekë të reja janë shpenzuar në 2007 me justifikimin lakonik: servera! Në vitin 2007 janë shpenzuar për printera 2007 5.600.000 lekë të reja. Ndërsa shpenzimi i 3.300.000 lekëve të reja të tjera justifikohet me shprehjen okulte: pajisje të tjera informatike.
    Zëri «makineri e pajisje zyre» është një «galeri» jo pak fitimprurëse e «minierës së arit» të Fullanit, në të cilin zë në vitin 2007 janë shpenzuar 26.494.000 lekë të reja. Kështu për «mobilim zyrash të aparatit qendror në Tiranë» në 2007 janë harxhuar 22.000.000 lekë të reja, a thua se Banka e Shqipërisë nuk është një nga vendet më mirë të mobiluara ndër selitë e institucioneve shqiptare. 2.000.000 lekë të reja janë shpenzuar për «vepra arti për interiere». Në fakt, plani i investimeve për qëllime administrative i bankës së Shqipërisë, i firmuar nga Fullani, mund të quhet vepër arti në llojin e vet!
    Për zërin «makineri e pajisje pune» Fullani ka shpenzuar në vitin 2007, 22.003.000 lekë të reja. Ndërsa për «mjete transporti» në vitin 2007 janë shpenzuar 55.500.000 lekë të reja, edhe pse Banka e Shqipërisë ka një park automjetesh të blinduara dhe autovetura për personelin, për t’ u pasur zili nga shumë banka të botës. Fullani shpenzoi 12.000.000 lekë të reja për të blerë një fuoristradë, sikur nuk i mjaftonte, Mercedes-Benzi që ka. Një tjetër «galeri» mjaft fitimprurëse e «minierës së arit» të Fullanit është zëri «projekte», për të cilin fondi total i investimeve për vitin 2007 ishte 143.945.000 lekë të reja. Nga këto për programin e arshivës janë ndarë 28.000.000 lekë të reja dhe për ICB 80.480.000 lekë të reja. Deri në vitin 2011, kur Fullani do të jetë në krye të Bankës së Shqipërisë, kushedi se çfarë investimesh për qëllime administrative do të shpikë fantazia e tij, për të nxjerrë përfitime abuzive.