Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan është gjithmonë i aftë për surpriza: nëse në qëndrimet e mëparshme në Gjermani ai pati kritikuar me ashpërsi politikën e integrimit në Gjermani, duke e quajtur për shembull asimilimin “një krim kundër njerëzimit”, ai këtë herë i çuditi të pranishmit me tone të buta.
Po me se lidhet kjo kthesë pozitive e Erdoganit? Pse kërkon ai tani prej njerëzve në Gjermani një integrim në “Almanya”? Turqia ndodhet në rrugë për t’u bërë një fuqi rajonale, krenare për një zhvillim ekonomik të pashembullt në Evropë dhe veç kësaj ajo ka marrë përsipër një rol gjithnjë e më të rëndësishëm si mbështetëse e strategjive perëndimore në konflikte të ndryshme në vendet fqinje në Jug. Por që ky vend anëtar i NATO-s të jetë në gjendje ta vazhdojë këtë tendencë pozitive zhvillimi, nga një vend i parëndësishëm në ekspansion në një fuqi ekonomike, ai ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga BE-ja, në radhë të parë nga Gjermania. Turqia zhvillon rreth 37% të tregtisë së saj të jashtme me vendet e BE-së. Ajo dëshiron të bëhet anëtare e BE-së dhe këtë synim – nëse do ta arrijë ndonjëherë – mund ta arrijë vetëm me mbështetjen e Gjermanisë. Erdogani e di se tensionet në raportet gjermano-turke do t’i dëmtonin ambiciet e tij në BE.
Gjermania, nga ana e saj, e di se Turqia, e cila është e vendosur në një pikë takimi të Evropës dhe Lindjes së Afërme, duhet ta ruajë edhe më tej synimin e saj për t’u bërë pjesë e BE-së. Shumë e rëndësishme është Turqia në pikëpamje gjeostrategjike, për shembull, për të mbuluar nevojat energjetike të Evropës. Një Turqi që e sheh veten të detyruar ta ripërkufizojë veten dhe të kalojë në distancë ndaj Evropës, do të ishte qartësisht në dëm të BE-së, dhe kjo jo vetëm në pikëpamje ekonomike-politike.
Situata jetësore e minoriteteve jomyslimane në Turqi vërtet po përmirësohet, por ajo është larg gjendjes ideale. Grupe të mëdha popullate, si për shembull alevitët, por edhe gazetarët dhe intelektualët, ankohen për pengesa të mëdha, për përndjekje dhe për valë arbitrare arrestimesh. Reformat që priten nga Turqia mund të kërkohen prej saj seriozisht për aq kohë sa ajo nuk heq dorë nga BE-ja si objektiv.
Kancelarja gjermane Angela Merkel do të shkojë në shkurt 2013 për vizitë në Turqi. Një hap i guximshëm, po të kesh parasysh se 2013-a është vit i zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Deri atëherë qeveria gjermane duhet të ketë mbaruar disa detyra shtëpie. Këtu bën pjesë lehtësimi i dhënies së vizave për biznesmenët, artistët dhe studentët si dhe pranimi i nënshtetësisë së dyfishtë. Veç kësaj do të ishte një sinjal shumë pozitiv në drejtim të Ankarasë, nëse Turqinë do ta ftonin sërish në takimet e nivelit të lartë të BE. Në fund të fundit, Turqia nuk është një vend çfarëdo dhe e ka merituar që të shihet si partner me të drejta të plota i Evropës.
Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan vazhdon t’i përmbahet qëllimit për anëtarësimin e Turqisë në BE. “Ne përgatitemi për t’u bërë anëtar i plotë i BE-së”, – tha ai në një fjalim në Berlin. Erdogan pranoi se konflikti për ishullin e Qipros të ndarë mes turqve dhe grekëve përbën problem. Turqia nuk e pranon Qipron si anëtar të BE-së. I ftuari nga Ankaraja hapi ambasadën e re të vendit të tij në Berlin.
Me gjithë rritjen e rëndësisë së Turqisë për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian, kryetarët e qeverive të shteteve evropiane nuk janë të bindur ende për anëtarësimin e plotë të Turqisë në BE. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe partia e saj, CDU, janë ndër kundërshtarët më të vendosur të pranimit të Turqisë në BE dhe në vend të kësaj i ofrojnë Turqisë një “partneritet të privilegjuar”.
Përveç Gjermanisë edhe shtete të tjera të BE-së e kundërshtojnë anëtarësimin e plotë të Turqisë, sepse ky vend nuk e ka zgjidhur konfliktin e vjetër prej dekadash me Qipron. Të dyja e kanë bllokuar procesin e pranimit në BE, dhe nga kjo kanë rënë përpjekjet për demokratizimin e vendit.
Gjermania është ndërkohë partneri më i madh tregtar i Turqisë. Tregtia dypalëshe arriti një rekord të lartë në vitin 2011 prej 31,4 miliardë eurosh, me gjithë krizën ekonomike në Evropë. Përveç kësaj nga Gjermania vjen shumica e investimeve të huaja në Turqi. Ndërkohë atje ka më shumë se 4800 firma me kapital gjerman. Gjermania është burimi kryesor i të ardhurave të industrisë turke të turizmit: 4.8 milionë gjermanë bëjnë çdo vit pushime në Turqi.
Bumi ekonomik prej disa dekadash e renditi Turqinë në vendin e 15-të të ekonomive më të mëdha në botë dhe ka ndryshuar edhe bashkëpunimin e saj ekonomik me Gjermaninë: këtë vit Gjermania u dha fund 50 vjetve të ndihmës për zhvillim për këtë vend. Ministria përkatëse gjermane njoftoi në shtator se e vështron tani Turqinë si partner ekonomikë të barabartë.
Politika e jashtme
Për shumë analistë suksesi i Turqisë në rritjen domethënëse të tregtisë me shtetet dhe rajonet fqinje përgjatë dekadës së fundit është fuqimisht e lidhur me politikën e re të jashtme aktive. Politika “zero probleme” e Turqisë me fqinjët dhe qëllimi i Ankarasë për të krijuar zona të përbashkëta ekonomike në rajon është admiruar gjerësisht nga zyrtarët gjermanë.
Pavarësisht rëndësisë në rritje të Turqisë për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian, liderët europianë nuk janë ende të bindur për anëtarësimin e plotë të Turqisë në bllok. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe partia e saj, Bashkimi Demokrat Kristian (CDU) kan qenë një ndër kundërshtarët më të fortë të anëtarësimit të plotë të Turqisë, duke i ofruar Turqisë, nga ana tjetër, një “partneritet të privilegjuar.”
Për shkak të problemit për dekada me radhë me Qipron dhe ngurrimi i vendeve të tjera të BE-së përveç Gjermanisë, procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE ka mbetur në vend-numëro. Mungesa e progresit ka dëmtuar ndjeshëm procesin e demokratizimit në Turqi.
Në raportin e tij më të fundit për të drejtat e njeriut, Ministria e Jashtme gjermane vëren disa mangësi serioze në Turqi në fushën e të drejtave dhe lirive demokratike. Së fundi, qeveria turke ka aplikuar një presion në rritje ndaj medies, për të cilën kritikët thonë se është politikisht e motivuar për të bërë opozitën që të heshtë dhe afro 100 gazetarë mbeten të burgosur për vepra të ndryshme penale.
Një situatë alarmante vazhdon në çështjen kurde. Në luftën e saj kundër Partisë së Punëtorëve Kurdë (PKK) Turqia ka ndaluar më shumë se 2 mijë të dyshuar, nën akuzën se ata janë anëtarë të Shoqatës së Komuniteteve Kurdistane (KCK), një lidhje paralele me PKK-në. Vitin e shkuar Erdogan akuzoi fondacionet politike gjermane për mbështetje ndaj PKK-së, duke shkaktuar një konflikt diplomatik mes Ankarasë dhe Berlinit. Të gjitha këto pretendime u hodhën poshtë kategorikisht nga zyrtarët gjermanë. Në të njëjtën kohë këto fondacione po përballen me vështirësi në mbajtjen e aktiviteteve të tyre në Turqi, që janë fokusuar në çështjet e demokratizimit, të të drejtave të njeriut dhe dialogut fetar.