Cungu, i sigurt për triumfin me kavajasit

Nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu, skuadra e Kukësit u ka dhënë fund dje përgatitjeve për ndeshjen e sotme, që do të luajë në shtëpi ndaj Besës, e cila ishte parashikuar të luhej të dielën e kaluar. Pavarësisht shtyrjes së takimit, për ndarjen e parakohshme nga jeta të gjyqtarit Pjetrushi, si pasojë e një aksidenti automobilistik, objektivat e ekipit verior nuk kanë ndryshuar, dhe në këtë sfidë do të luhet vetëm për fitore. “Shtyrja e ndeshjes na ka dhënë mundësinë të shtojmë ritmin e seancave stërvitore dhe ta përgatisim në mënyrën më të mirë këtë takim. Kështu që s’kemi bërë gjë tjetër gjatë kësaj periudhe, veçse kemi harmonizuar të gjitha repartet me njëri-tjetrin dhe tani jemi të gatshëm për të marrë maksimumin. Gjatë seancave stërvitore kam punuar kryesisht me lojtarë të stolit, që në këtë ndeshje do të jenë në formacion, për shkak të mungesave që kemi. Nuk duhet të harrojmë se Musolli, Hoxha dhe Brahja nuk janë të gatshëm dhe zëvendësuesit e tyre tashmë janë të ambientuar me lojën që bën pjesa tjetër e ekipit”, është shprehur në një prononcim për “Panorama Sport” trajneri Cungu. Ky i fundit gjithashtu ka bërë me dije se kavajasit do të jenë të mirëpritur në Kukës, por ata duhet t’i harrojnë pikët. “Ne do e mirëpresim Besën në stadiumin tonë, me objektivin kryesor për ta fituar ndeshjen me të”, ka përfunduar trajneri i ekipit verior. Ndërkohë edhe presidenca kuksiane është duke i qëndruar afër skuadrës në seancat stërvitore, për t’i plotësuar çdo nevojë të mundshme që ajo ka. Në takimin ndaj Besës, në stadium pritet të ketë një numër të madh tifozësh vendës.
Jonuz Hallaçi