Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës si Garda e Car Llazarit




Nga Kastriot Myftaraj

    Ndaj shkrimit tim “Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës si projekt terrorist dhe Edi Rama pas tij”(gazeta “Sot”, 21 nëntor 2007) ka ardhur një reagim nga Vlora, me titull “Një provokacion antishqiptar”, që është botuar në ditoren “Sot”, në 22 nëntor 2007, nën nënshkrimin anonim në të cilin u soll në gazetë “Një grup patriotësh shqiptarë”. Por patriotët shqiptarë kanë emra dhe e kanë për nder t’ i thonë emrat e tyre. Këta që nuk thonë emrat, në thellësi të nënvetëdijës e dijnë se nuk janë shqiptarë, por pasardhës të bijve që la serbi Dushan Mugosha, i cili qendroi gjatë në Vlorë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kishte reputacionin e një Kazanove. Ajo që i ka indinjuar anonimët vlonjatë në shkrimin tim të datës 21 nëntor, është ky paragraf, të cilin ata e citojnë: “Nëse 14 mijë njerëz kërcënojnë se do t’ u kundërvihen me gjak interesave madhjore shqiptare dhe amerikane, atëherë duke u vënë gjërat në balancë, gjaku i këtyre 14 mijë njerëzve vlen më pak se këto interesa, aq më tepër që këta 14 mijë njerëz janë pjesa e inkriminuar e Vlorës, komuniteti i mafias në Vlorë. Ata nuk janë Vlora, ata janë “Tora Vlora”, në analogji me Tora Bora, ku është strukur Bin Ladeni me të vetët. Ata janë pjesë e terrorizmit ndërkombëtar dhe duhen trajtuar si të tillë. Ata janë Anti-Vlora dhe Anti-Shqipëria”.
    Anonimët e komentojnë kështu këtë paragraf: “Këto rreshta janë fund e krye antishqiptare”, Edhe UDB-a do t’ i kishte zili ato. Tamam si antishqiptari me damkë Pirro Dhima (pas të cilit qendrojnë qarqet vorio-epirote) që e quan Shqipërinë Al-Qaeda, Myftaraj e quan Vlorën ‘Tora Vlora’. Sipas Myftarajt në Vlorë ka 14 mijë terroristë që janë pjesë e “terrorizmit ndërkombëtar”. Kur serbët masakronin popullsinë shqiptare në Kosovë, në vitet 1998-1999 ata e bënin këtë në emër të luftës që po bënin kundra “teroristëve të UÇK”, kundër “banditit Adem Jashari”. Po në të njëjtën mënyrë, në nëtor 2007, z. Myftaraj bën thirrje për luftë civile dhe gjak ndërmjet shqiptarëve në emër të luftës kundër “14 mijë terroristëve të Vlorës. Që sot e tutje serbët do thonë: ‘Edhe armiku më i madh yni, Kastriot Myftaraj, ai që i vetmi na i demaskoi planet tona ushtarake (shih shkrimin e z. Myftaraj të ‘SOT’ i datës 17 nëntor 2007, f. 12-13), që i vetmi na i plasi në fytyrë blofet apo truket tona me anë të serbofil-rusofilit Pacolli (shih shkrimin e z. Myftaraj te ‘SOT’ i datës 20 nëntor 2007, f. 12-13) edhe ai e pranon që në Shqipëri ka 14 mijë terroristë të lidhur me terrorizmin ndërkombëtar. Atëherë a nuk paskemi ne të drejtë që të shtypim me armë në dorë terrorizmin që vjen nga shqiptarët?’ Ja pra ç’ ju dha z. Myftaraj qarqeve pro-serbe, pro-greke!”(gazeta “Sot”, 21 nëntor 2007, f. 13)
    Por unë nuk e kam quajtur gjithë Vlorën “Tora Vlora”, në analogji me “Tora Borën” ku fshihet Bin Laden, por vetëm atë pjesë të Vlorës, që ka firmuar peticionin e së ahtuquajturës Aleancë Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Dhe kjo pjesë është pakica në Vlorë. Unë e përsëris se këta 14 mijë qytetarë të Vlorës duhet ta dijnë se lidershipi i Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës i ka tërhequr në një projekt terrorist, nëj pjesë me vetëdije dhe një pjesë pa vetëdije. Terrorizmi i tashëm  ndërkombëtar nuk është vetëm islamik, si në Irak, Afganistan etj., por është edhe ideologjik, si në Amerikën Latine (Kolumbi, Peru etj.), dhe madje ka ndodhur edhe që të kamuflohet si lëvizje ekologjike, sipas planeve të shërbimeve sekrete të vendeve të tjera. Kështu, në Itali, forca kryesore në lëvizjen për mbylljen e centraleve bërthamore në vitet tetëdhjetë ishte partia më e madhe e së majtës, ajo komuniste, e cila vepronte sipas udhëzimeve të Moskës, ku KGB i shikonte protestat kundër centraleve bërthamore, si ekspedient për të arritur synimin strategjik sovjetik të shkaktimit të një krize energjitike në ekonomitë e këtyre vendeve, të shkaktonte rritjen e kërkesës për naftë dhe gaz, si dhe rritjen e çmimit të saj, me ç’ rast do të përfitonte Bashkimi Sovjetik që ishte prodhues i madh i naftës dhe gazit. Serbia, Greqia dhe Rusia kanë interes që Vlora mos të bëhet një pol energjitik ndërkombëtar shqiptaro-amerikan, me ndërtimin e TEC-it, AMBO dhe petroliferës, të cilat së bashku formojnë një tërësi organike me AMBO. Prandaj Serbia, Greqia dhe Rusia kanë nxjerrë nga dosjet e vjetra të KGB-së skenarin e e protestës mjedisore. Por kjo protestë mjedisore në Vlorë e tradhëton veten që është skenar i shërbimeve sekrete serbe, greke dhe ruse, se përdor retorikë të skajshme dhune dhe lufte.  
    Se çfarë është në të vërtetë e ashtuquajtura Aleancë Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, kjo u pa ditën e hënë në 19 nëntor, kur Kryetari dhe nënkryetari i Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, respektivisht R. Aliaj dhe L. Feruni, i pari në një intervistë që dha për emisionin “Zip” në televizionin “Vizion Plus”, dhe i dyti nga studioja e këtij emisioni ku ishte i ftuar, kur u pyetën nga një prej drejtuesve të emisionit se si i konsiderojnë deklaratat për luftë dhe gjak të bëra para kamerave televizive nga pjestarë të lëvizjes atë ditë në Universitetin e Vlorës, u përgjegjën se ato u duken normale dhe civile. Kjo kur në pamjet televizive u pa qartë se në kohën që portreti i Ismail Qemalit dhe flamuri nacional shqiptar, që në fillim të takimit gjendeshin në murin e sallës, pas podiumit, dhe pas shpërthimit të dhunës nga studentët protestues kishin përfunduar përtokë të përlyer me naftë dhe vajra të djegura, nga protestuesit, një lider i lëvizjes kërcënonte duke thënë se do të derdhej gjak. Kjo kur në mbrëmje ky njeri e përsëriti kërcënimin në një intervistë në të njëjtin emision. Në një intervistë tjetër, po në të njëjtin emision, një studente, anëtare e Aleancës, u shpreh se do të përsëritet lufta e 1920-ës. Edhe këtë herë, kur një nga drejtuesit e emisionit, ndërhyu duke bërë një vërejtje për këtë gjuhë, liderët e aleancës u shprehën se kjo ishte gjuha e duhur që ata që duan të sjellin naftën në Vlorë, ta marrin mesazhin, dhe e quajtën gjuhën e studentes si gjuhë protestë civile, duke treguar kështu se sensi i tyre për civilizimin qenka ai që njerëzit e qytetëruar kanë për barbarinë. Ka dy lloj thirrjesh për luftë dhe gjakderdhje, nga terroristët dhe nga antiterroristët. Ata që bëjnë thirrje të parët për luftë e gjak janë terroristë, dhe të tillë janë njerëzit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, ndërsa ata që bëjnë thirrje për luftë kundër terroristëve, duke e marrë parasysh gjakderdhjen për të evituar pasoja të mëdha, janë antiterroristë, dhe unë jam i tillë, e kam për nder që jam i tillë, dhe do ta vazhdoj ta them këtë gjë. Është kurioze gjuha e përbashkët që përdor Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe Bin Ladeni në Tora Bora. Edhe Bin Laden në kumtet që i drejton botës përdor argumenta të arsenalit retorik komunist të luftës kundër kompanive shumëkombëshe, instrumenta të imperializmit që u pijnë gjakun popujve të varfër. 
    Analogjia që kërkojnë të bëjnë anonimët nga Vlora mes akuzave që serbët u bënin shqiptarëve të Kosovës si terroristë në luftën e viteve 1998-1999, për të justifikuar genocidin ndaj tyre, është absurde. Në Kosovë ushtarët dhe paramilitarët serbë që bënin genocid ndaj shqiptarëve, shfaqeshin para kamerave me simbolin sllav të tre gishtave të ngritur lart. Edhe njerëzit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe ata 14 mijë vetë që kanë firmuar për të, janë nga ata që në vitin 1997, para mediave të gjithë botës, ngrinin tre gishtat lart, simbolin e kriminelëve serbë që para vitit 1997 kishin bërë genocid në Kroaci dhe në Bosnjë-Herzegovinë, dhe të rusëve që kishin bërë genocid në Çeçeni. A nuk kishin të drejtë serbët të thoshin se në Shqipëri ka njerëz që janë me ne derisa përdorin simbolin tonë? Për këtë duhet të përgjigjen “patriotët” anonimë nga Vlora. Të luftoje Berishën ishte një gjë, por ta luftoje me simbolin serb ishte një gjë krejt tjetër. Edhe sot në Vlorë, për turpin e shtetit shqiptar është një përmendore pranë ndërtesës së SHISH, që përkujton vlonjatët që u vranë, me tre gishtat e ngritur lart, “në luftë kundër regjimit të korruptuar berishian”. Drejtori i SHISH Bahri Shaqiri ka përgjegjësi për këtë pllakë turpi që është para derës së institucionit të tij. Të thuash, siç bëj unë, se fakti që në Vlorë ka 14 mijë vetë mbështesin me shkrim ata që kërkojnë luftë dhe gjak, do të thotë se në Vlorë ka 14 mijë njerëz të lidhur me terrorizmin ndërkombëtar, nuk do të thotë t’ u shërbesh serbëve, por t’ u prishësh punë atyre, se kjo i shërben vetëdijësimit të atyre vlonjatëve që janë ngatërruar në këtë histori pa qenë të vetëdijshëm se në ç’ lojë i kanë tërhequr. Sa për akuzën që më bëjnë për UDB-an, ajo më tepër provon se janë spiunë serbë ata vetë, se e përbashkëta e spiunëve serbë dhe grekë në Shqipëri është se nuk përmendin emrin e shërbimeve sekrete serbe dhe greke, ashtu si mafiozët që nuk e përmendim fjalën “mafie”. Shërbimi sekret serb nuk quhet më UDBa që nga viti 1967, kur u quajt SDB, ndërsa prej vitit 2002 quhet BIA.            
    As krahasimi me Pirro Dhimën dhe qarqet vorio-epirote nuk më impresionon, por më zbavit se njerëzit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës janë ata që në 1997 shkonin pas Albertit Shytit nga Narta, që u bë kryetar i Komitetit të Shpëtimit Publik në Vlorë, i ardhur nga Greqia dhe i prezantuar për herë të parë në një takim që ambasadori grek Prevendurakis bëri në Vlorë në 24 janar 1997, dy ditë para fillimit të protestave. Ata “patriotë” nga Vlora që më akuzojnë mua dhe që janë sot në Aleancën e Aliajt dhe Ferunit, duhet të përgjigjen për atë se në 1997, nga pushteti që doli nga protestat e tyre të armatosura tregishtore (të cilat do t’ i kisha miratuar dhe unë sikur mos bëheshin me simbolin serb dhe të kishin çuar në rrëzimin e Berishës nga pushteti, nën simbolin e dy gishtave me të cilin Berisha erdhi në pushtet në 1992), çelësat e ushtrisë shqiptare, në prag të luftës në Kosovë, iu dhanë, si shef i Shtabit të Përgjithshëm, Aleks Andoni që në mars 1997, i ardhur nga Greqia, ngriti flamurin e Vorio-Epirit në Himarë. Se pushteti që doli në 1997 nga këto të ashtuquajtura protesta të armatosura të Vlorës, ia dha sektorët-kyç të ekonomisë Greqisë, çka rezultoi për shqiptarët me humbje disa herë më të mëdha se shumë prej rreth 900 milion dollarë e humbur në firmat piramidale sipas shifrës që dha qeveria socialsite përfundimisht.      
    Më tutje pasardhësit e Mugoshës, shkruajnë: “Në fakt ne mendojmë se shkrimi i z. Myftaraj është gatuar pikërisht në laboratorët e errët serbo-greko-ruse… Edhe qarqet më shovinistë, më antishqiptarë serbë dhe grekë nuk kanë guxuar ta thonë hapur që në Shqipëri ka 14 mijë terroristë! Kurse tani na del një shqipfolës dhe guxon të bëjë thirrje plot helm (po përpiqemi të jemi sa më të butë antishqiptar (dhe ku) mu në mes të shtypit shqiptar. (gazeta “Sot”, 21 nëntor 2007, f. 13) Në laboratorët e shërbimeve sekrete serbe, greke dhe ruse janë krijuar skenarët e gjoja lëvizjeve ambientaliste të llojit të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, apo të lëvizjeve të tjera që bën PS e Edi Ramës kundër Rrugës Rrëshen-Kalimash (Tiranë-Prishtinë) dhe kompanisë amerikane “Bechtel”, që po e ndërton atë, apo kundër idesë për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri, nga një kompani tjetër amerikane. Të gjitha këto lëvizje janë pjesë e një skenari serbo-greko-rus për të ngritur një lëvizje antiamerikane në Shqipëri, që është paralajmëruar të shojë deri në veprime terroriste. Për këtë gjë duhet të vetëdijësohen shumë nga ata 14 mijë vetë që janë përzier nga këtë lëvizje pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për kontekstin e saj. Ata, dikush me vetëdije e shumica pa vetëdije, janë bërë pjesë e një projekti terrorist. Në rast se nuk do të distancohen prej tij, atëherë një ditë jo të largët do të marrin pasojat e veprimeve të tyre. Në fund të fundit, kur të vihet në balancë interesat dhe siguria e kombit shqiptar, që është e lidhur ngushtë me këto projekte madhore energjitike dhe infrastrukture dhe e 14 mijë ekstremistëve, që përbëjnë 0.1 % të këtij kombi, dhe që kërcënojnë me luftë dhe gjakderdhje, atëherë duhen sakrifikuar këta të fundit, me metodat me të cilat ata duan t’ i kundërvihen shumicës. Tekefundit çdo komb i qytetëruar e ka kaluar nga një moment dileme të tillë dhe është verifikuar se ashpërsia ka qenë urtësi në pikëpamje afatgjatë.
    Është shumë zbavitëse kur anonimët thonë për artikullin tim: “Ne nuk e kuptojmë dot se si është e mundur që në shtypin shqiptar të lejohen të lejohen ta qarkullojnë provokacione kaq të hapura pro-serbe, pro –greke dhe antishqiptare”. (gazeta “Sot”, 21 nëntor 2007, f. 13) Dhe të mendosh se këtë gjë e thonë tregishtorët e vitit 1997! Ata kujtojnë se mbulojnë me “gjethe fiku” lakuriqësinë e pro-serbizmit dhe të pro-greqizmit të tyre, kur bëjnë sikur shajnë Serbinë dhe Greqinë. Por dhe këtë e bëjnë pa emër, se nuk u del nga shpirti. Por çka ua çjerr “gjethen e fikut” është fakti këtyre ambientalistëve është fakti se grekët nuk po shqetësohen shumë për projektin e përbashkët ruso-greko-serb për shndrrimin e dy qyteteve turistike greke, Alexandropoulosit dhe Selanikut në qytete të naftës, pasi në të parin do të dalë naftësjellësi që do të sjellë naftën ruse në Egje, ndërsa në të dytin do të ndërtohet petrolifera që do të çojë një pjesë të kësaj nafte kah veriu në Serbi. E pra Greqia në bregdetin e Egjeut dhe ishujt e tij ka një turizëm shumë herë më të zhvilluar se të Vlorës, e cila për hir të së vërtetës për 1997 vjet nuk ka për të pasur turizëm të huaj konsistent, me atë përshtypje që i bëri botës me ngjarjet e vitit 1997.
    Më tutje anonimët shkruajnë për artikullin tim: “Në cilin vend të botës mund të tolerohen thirrjet e hapura për luftë civile, nën flamurin e kundra ‘terroristëve mafiozë vlonjatë’? Qeveria e cilit vend toleron aktivitete të tilla thellësisht antikombëtare, antishtetërore, antikushtetuese në territorin e saj? Pse qeveria toleron këtë aktivitet pro propagandës serbe dhe greke? gazeta “Sot”, 21 nëntor 2007, f. 13) Por thirrje publike për luftë dhe gjak bënë njerëzit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe kjo është një gjë e dokumentuar me pamje televizive. Prokurori i Vlorës, në një intervistë dhënë tek “Gazeta Shqiptare”, në 21 nëntor 2007, të nesërmen e ngjarjes, në lidhje me kallzimin penal që pati ndaj protestuesve, tha se nuk ka ndërmend të penalizojë njeri për ngjarjen, se edhe Presidenti Bush është qëlluar me vezë në protesta! Shumë mirë! Atëherë ata qytetarë që janë të pakënaqur nga puna e këtij Prokurori, dhe që ai u hapi rrugën ta qëllojnë me vezë,  të vijnë tek unë se u paguaj lekët e vezëve. Dhe pastaj nafta, vajrat e djegur dhe peshqit e ngordhur nuk janë vezë. Ky Prokuror, kur pa pamjet televizive, me siguri që ka parë se si sulmuesit nuk u përmbajtën as para portretit të madh të Ismail Qemalit, dhe flamuri nacional shqiptar, që ishin në mur, pas shpinës së të atakuarve. Në pamjet televizive dukej se si portreti i Ismail Qemalit dhe flamuri shqiptar ranë dhe u përlyen me naftë dhe vajra të djegur, nën breshërinë e goditjeve me sende të ndryshme, të sulmuesve mes të cilëve ishte dhe kryetari i Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, Rezart Aliaj. Asnjë nga njerëzit e Aleancës që ishin në sallë nuk shkoi të ngrinte portretin e Ismail Qemalit, apo flamurin shqiptar të përlyer, por e kishin mendjen vetëm të vazhdonin të qëllonin dhe të kërcënonin, duke iu drejtuar kamerave. Në Kodin Penal ka është parashikuar vepra penale e poshtërimit të simboleve të Republikës, ku bën pjesë dhe flamuri shqiptar, dhe prokurori kishte detyrim që të fillonte çështjen penale kryesisht për këtë vepër penale pasi erdhi në dijeni. Duke goditur dhe rrëzuar portretin e Ismail Qemalit dhe flamurin nacional shqiptar, njerëzit e së ashtuquajturës Aleancë Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës treguan se ata janë antishqiptarë, se nuk e kanë thjesht me petroliferën apo me AMBO-n, por e kanë me themelet e shtetit shqiptar, e kanë me flamurin shqiptar, e kanë me kombin shqiptar, për llogari të Serbisë dhe të Greqisë. Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, është pararoja në Shqipëri e Gardës serbe të Car Llazarit, që për llogari të Serbisë atakon interesat shqiptaro-amerikane.