Nga Anduela Gojka
Intervistë me piktorin realist-impresionist Endriol Vasili
Për të realizuar një intervistë me një piktor nuk është aspak e thjeshtë, kjo sepse e konsiderojmë të “pamundur” të arrijë të shprehet me fjalë atë që piktori e shpreh me ngjyra, mbasi vetë ngjyra, vetë piktura, mund të “lexohen” ndryshe, sa herë ndryshon këndvështrimi ynë. Gjatë intervistës së dhënë për gazetën “Tirana Observer” piktori realist – impresionist Endriol Vasili shprehet: “Rruga, mund të them se ndoshta nuk është vendi më komod ku mund të punoj një artist, por diçka duhet të sakrifikoj. Unë kam sakrifikuar pikërisht këtë komoditet për ti dhënë më shumë hapësirë dhe mundësi shprehjeje dhe pamjeje artit tim”. Po ashtu ai shprehet se: “Unë kam pasur raste dhe jam dekurajuar kur kam qenë duke punuar, sepse puna ime është shumë realiste, njerëzit kanë thënë që janë të fotokopjuara punët që bëj dhe pse unë punoj në rrugë, ata kanë mundësi të më shohin konkretisht, dhe prapë se besojnë. Punimi im më i shtrenjtë deri tani ka shkuar rreth një milion e gjysmë.”
Ku keni lindur dhe kur lindi pasioni për pikturën?
Kam lindur dhe jam rritur në një qytezë të vogël si Kuçova. Që në moshë të vogël, si shumë fëmijë, luaja me ngjyrat, shkruaja dhe vizatoja ku të mundja. Dashuria ime për pikturën ka lindur që në fëmijëri dhe vazhdon të jetë gjallë dhe në ditët e sotme. Mbarova Liceun Artistik në Berat dhe një farë periudhe punova dhe si mësues i arteve pamore. Më vonë vendosa të eksperimentoj dhe të punoj në artin e rrugës, gjë të cilën e vazhdoj edhe sot.
Kur keni nisur të pikturoni për herë të parë, sa vite u bënë tani më që merreni me këtë punë?
Fillimet e mija në pikturë janë në moshën 9-10 vjeçare, atë kohë ka qenë gjallë gjyshi im dhe para se të vdiste më ka dhënë disa këshilla mbi mënyrën sesi duhet të punoj dhe të pikturoj, duke qenë se ai ka qenë një njeri i artit. Pas vdekjes së tij unë ju përkushtova më shumë pikturës dhe fillova të zbatoj ato këshilla që ai më kishte dhënë. Fillimisht kam nisur me portretet, ku kanë qenë portrete të disa aktoreve të famshëm të kohës si: Stallone, Shvarzeneger, Van Damme etj. Fatkeqësisht ato punime nuk i kam më sepse nuk i kam ruajtur.
A keni mbaruar studimet për pikturë apo kjo është thjeshtë një prirje që e keni zbuluar vetë gradualisht?
Dashuria ime për pikturën ka dal në pah që në moshë të hershme, dhe mund të them që kjo ishte një shtysë që unë t’i përkushtohesha këtij pasioni dhe të ndiqja një arsimim mbi këtë pasion për tu perfeksionuar. Kjo ishte një shtysë që të regjistrohesha në Liceun Artistik në Berat për pikturë ku dhe më vonë do diplomohem. Pra, mund të them se të dyja këto janë gërshetuar së bashku, si pasioni po ashtu dhe arsimimi.
A keni ju ndonjë teknikë të veçantë që ju pëlqen ta përdorni më shumë gjatë pikturimit? Me çfarë materiali punoni në përgjithësi?
Këto vitet e fundit kam marrë shumë përzemër punimin realist, në veçanti më pëlqen arti rus. Jam frymëzuar shumë nga artistët rusë të viteve të fundit. Në përgjithësi përdor materiale të ndryshme dhe ndonjëherë më pëlqen të eksperimentoj por në pikturat e mija realiste punoj si me laps, me bojë vaji në beze ose në letër.
Keni ju një studio ku punoni apo përgjithësisht në rrugë, pse keni zgjedhur pikërisht rrugën ku të shfaqni aktivitetin tuaj? ç’ju shtyn të punoni këtu dhe jo në një ambient tjetër?
Rruga, mund të them se ndoshta nuk është vendi më komod ku mund të punoj një artist, por diçka duhet të sakrifikoj. Unë kam sakrifikuar pikërisht këtë komoditet për t’i dhënë më shumë hapësirë dhe mundësi shprehjeje dhe pamjeje artit tim. Mund të them se rruga më pëlqen më shumë nga kontaktet që ajo më jep me klientët, ndryshe nga studioja. Mund të them që mungesa për ta përballuar financiarisht ambientin e një studioje po ashtu luan një rol kryesor në këtë zgjedhjen time. Gjithsesi do e veçoja gjithmonë artin e rrugës sepse ai është më i bukur sepse aty punon me shumë stile punimi, me shumë teknika, punon më shpejtë dhe njerëzit të njohin më shumë.
Cila është rruga në Tiranë që klientët shfaqin më shumë rëndësi për punimet tuaja?
Mund të them që infrastruktura në Tiranë nuk është shumë e mirë në pjesën më të madhe të rrugëve dhe nuk të japin shumë mundësi që të zhvendosesh në shumë vende. Kam zgjedhur “Pedonalen” sepse është nga të paktat rrugë që është vetëm për këmbësor dhe pak më e qetë. Kam rreth një vit që punoj në këtë rrugë dhe kam qenë i kënaqur. Rreth dy vjet kam punuar dhe në qytetin bregdetar të Durrësit, por mund të them që aty është më tepër një punë sezonale gjatë muajve të plazhit. Duke qenë se në Tiranë ekonomia është pak më e zhvilluar dhe ka më shumë lëvizje u detyrova të vija këtu. Pedonalia mund të them që ka grumbulluar rreth vetes qendrat më kryesore të artit si : Kinemaja, galeria, teatri dhe mbledh rreth vetes njerëzit që e duan artin dhe e vlerësojnë atë.
Sa ndikon kjo në vlerën monetare që kanë punimet tuaja?
Pavarësisht harxhimeve të mëdha që kam për blerjen e materialeve me të cilat punojë, arrij të nxjerr dhe pak fitime.
A është kjo një mënyrë jetese apo më shumë një çështje pasioni?
Që të dyja, edhe mënyrë jetese dhe çështje pasioni. Të dyja janë të gërshetuara së bashku. Baza me të cilën unë mundohem të kem një jetesë të mirë është pikërisht ky pasion që unë kam për pikturën.
Sa e ka kapur vlerën piktura juaj më e shtrenjtë?
Unë kam shitur shumë punime por më e shtrenjta deri tani ka shkuar rreth një milion e gjysmë. Disa nga punimet e mija i kam shitur dhe jashtë, kryesisht kam punuar dhe me kuarda de finanza. Për këtë ka ndikuar dhe çmimet e arsyeshme që unë ju kam dhënë punimeve të mija, në mënyrë që të dyja palët të ngeleshin të kënaqura.
Zakonisht sa kohë ju merr një punim? Sa ka qenë koha më e madhe që ke punuar një pikturë?
Mund të them që për çdo punim koha ndryshon, por kjo varet më shumë nga materiali ku punohet. Për shembull në kanavaz mund të shkoj 2-3 ditë, ndërkohë po të punoj me furçë të thatë në letër, ky arti i ri që jam duke e aplikuar më së shumti, shkon 10-15 orë në ditë pa pushim.
Çfarë ju pëlqen të pikturoni më shumë?
Tani për tani ajo që punoj më shumë sepse është më e kërkuara dhe më duhet për të jetuar, është portreti. Pastaj për tu relaksuar parapëlqej të pikturoj peizazhe dhe kartolina. Kartolinat i pikturoj vetë dhe i shes.
Keni ju një burim frymëzim, një muzë, cila është ajo?
Burim frymëzimi këto vitet e fundit për mua kanë qenë artistët rus duke qenë se kam futur në punimet e mija artin realist. Dy artistë që më shumë që më tërheqin dhe i pëlqej janë Yakov Dedyk, Igor Kazarin, ndërsa në pejsazh më pëlqen më shumë Vladimir Volegov. Këta janë frymëzuesit e mi, të kësaj kohe.
Cila është ngjyra juaj e preferuar që e përdorni më shumë gjatë punimeve tuaja, që mbizotëron në to?
E gjelbërta, nuk di pse, por më duket sikur përcjell më shumë gjallëri, dhe më duket sikur përfaqëson më shumë jetën. Dhe portreti që njeriu ka do pak jeshile brenda. Po ashtu dhe e kuqa bënë pjesë te ngjyrat që më pëlqejnë më shumë. Veçanërisht të kuqen më pëlqen ta përdor për të nënshkruar portretet e mija. Në çdo punim firma ime është e hedhur vetëm me të kuqe.
Keni ndonjë pikturë më të dashur që e dalloni nga të tjerat dhe pse?
Këto kohët e fundit punimi im më i dashur është një pikturë ku janë vizatuar dy vajza të vogla me kapele që ecin buzë detit të kthyera me shpinë. Kjo më pëlqen më shumë dhe për tematikën që ka brenda, plus dhe ngjyrat që ajo ka brenda janë shumë të ëmbla. Besoj se është një nga ato piktura që nuk kam për ta shitur por që do ta mbaj për ta kundruar për vete, ndoshta kjo ka qenë dhe arsyeja që i kam refuzuar ofertat që më janë bërë për të, dhe që besoj se do vazhdoj ti refuzojë.
Keni menduar të hapni ndonjë ekspozitë ku të paraqisni punimet tuaja?
Ne janar të vitit 2004, hapa ekspozitën time të parë në Kuçovë me 42 punime në vaj, akuarel, laps dhe grafikë. Aktualisht e kam në mendje një ide të tillë, por që mungesa financiare na e vështirëson pak këtë gjë, sepse fitimet që unë marr prej pikturës në përgjithësi shkojnë për të mbajtur familjen time.
Cili është materiali më i çuditshëm që keni përdorur në një pikturë?
Bojë këpucësh, kam punuar me bojë këpucësh në një faqe muri, ku kam vizatuar një arush panda. Dhe duke qenë se panda ka disa pjesë të zeza dhe materialet nuk i kisha me vete atëherë vendosa të përdor bojë këpucësh.
A mendon se në Shqipëri është kultivuar dashuria për pikturën? Mendoni se piktura në vendin tonë vlerësohet?
Është për të ardhur keq por arti në Shqipëri nuk vlerësohet shumë. Në pjesën më të madhe ai anashkalohet dhe nuk merr vëmendjen që duhet. Investimi që bëhet për to ose është shumë i vogël ose nuk ka fare. Unë kam pasur raste dhe jam dekurajuar kur kam qenë duke punuar, sepse puna ime është shumë realiste, njerëzit kanë thënë që janë të fotokopjuara punët që bëj dhe pse unë punoj në rrugë dhe ata kanë mundësi të më shohin konkretisht, ata prapë se besojnë.
Çfarë preferohet dhe kërkohet më shumë nga publiku?
Portreti zë vendin kryesor në kërkesat e publikut, kryesisht portrete që punohen me penel të thatë realist, bardh e zi ose me ngjyra dhe më rrallë kërkohet portreti me ngjyra.
Ç’është për ju piktura, sa e rëndësishme është ajo për ju?
Zë vendin e dytë, pas familjes.
A ka konkurrencë mes piktorëve dhe a mund të jetohet me pikturë?
Unë jam një tip që s’më pëlqen konkurrenca, më pëlqen të punoj për qejfin tim dhe të realizoj sa më mirë pikturat e mija.
A e mbani mend se sa piktura deri më tani i keni realizuar?
Deri më tani afërsisht mund të them se numërohen deri në 2000 ose mos më shumë.
Ndonjë pasion tjetër që keni?
Muzika, pa të nuk punoj dot. Ajo është një burim frymëzimi për mua dhe më bënë që të përqendrohem dhe të futem në një botë tjetër, në atë të artit. Dhe kur punoj këtu në Pedonale, unë jam gjatë gjithë kohës me kufje. Ajo çka dua të theksoj është se punimet e mija realiste i punoj me ritmet e muzikës house në sfond.
Si çdo krijues edhe ju sigurisht që keni plane për të ardhmen. Cilat janë ato?
Dua të iki të jetoj në Amerikë përgjithmonë, duke qenë se një pjesë e familjes sime ndodhet andej. Kjo vjen si pasoj dhe e zhgënjimeve që kam marrë dhe në punën time si piktor e cila nuk vlerësohet shumë. Të ardhmen time e mendoj jashtë, duke qenë se andej arti vlerësohet më shumë dhe besoj se do e gjej një dritare ku do mund të deportoj.






