E ARDHMJA E NDARE E EVROPES

Nga Janusz Bugajski

Dy tendenca kundërshtuese janë të dukshme në Bashkimin Evropian: federalizmi dhe ndarja. Ndërsa kriza monetare po i shtyn udhëheqësit të marrin vendimet për një bashkim më të ngushtë federal, trazirat e BE-së kontribuojnë në ndarjen e mundshme të disa vendeve anëtare.

Shtetet Federale të Evropës sigurisht që nuk do krijohen brenda natës, por disa kryeqytete po rreshtohen kundër dhe pro projektit. Për disa vende, federalizmi është absolutisht i papranueshëm. Kryeministri i Britanisë, David Cameron, në një referendum për anëtarësimin në BE la të kuptohet se Londra mund të largohet përfundimisht nga blloku.

Federalizmi gjen mbështetje në Gjermani, Itali, Belgjikë, Luksemburg dhe Hollandë. Vendet mesdhetare të kredhura në borxh si Spanja, Portugalia apo Greqia mund ta shohin federalizmin si një zgjidhje të problemeve të tyre ekonomike, edhe pse nuk dihet qartë si do reagojnë votuesit e Evropës veriore për përfshirjen e tyre.

Shtetet e pavendosura si Franca dhe vendet skandinave mund tw kundërshtojnë dorëzimin e elementeve të sovranitetit të tyre. Për më tepër, anëtarët e rinj të BE-së, përfshi edhe tre vendet baltike, Poloninë, Hungarinë, Sllovakinë, Republikën Çeke, Rumaninë dhe Bullgarinë mund të kundërshtojnë heqjen dorë nga pavarësia e tyre e fituar me djersë pasi shpëtimit nga bashkimi i detyruar komunist disa dekadësh.

Mbështetja për ndarje brenda disa shteteve ekzistuese do rritet edhe më tepër për shkak të ndjenjave të shfrytëzimit nga qeveritë qendrore. Kandidatët kryesore për ndarje janë Spanja dhe Italia. Qeveria e Katalonjës në Spanjë ka kërkuar zgjedhje të parakohshme në nëntor, që do jenë referendum mbi pavarësinë. Kjo mund të shkaktojë edhe një rritje të separatizmit bask në Spanjën veriore.

Në Itali, “Lega Nord” mbështet shndërrimin e shtetit në shtet federal. Zërat po ngrihen përherë e më shumë se ndarja përfundimtare e Italisë së Veriut, ose Padanias, do ishte zgjidhja më e mirë. Greqia mund të përjetojë tendenca separatiste në Kretë dhe disa ishuj të tjerë që ndodhen larg kryeqytetit.

Edhe shtetet jofederaliste kanë lëvizje separatiste. Qeveria rajonale e Skocisë po planifikon të zhvillojë një referendum për pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar më 2014-n dhe sondazhet tregojnë se mbështetja është në rritje. Edhe zemra e BE-së nuk pwrjashtohet. etë Belgjika mund të mos i mbijetojë të qenit një shtet i vetëm, ndërsa partitë flamande po kërkojnë pavarësinë nga Belgjika frëngjisht folëse.

Të gjitha shtetet e reja duhet të vendosin nëse duan të bashkohen me BE-në, ndërsa BE-ja duhet të përcaktojnë nëse do t’i pranojë ato në një Bashkim të federuar. Udhëheqësit dhe popujt e BE-së mund të ngurrojnë të mbështesin atë që në fakt do jetë një valë e re zgjerimi dhe barrën financiare që nënkupton diçka e tillë. Europa e re do jetë padyshim një vend më i paparashikueshëm seç e kishte imagjinuar Brukseli.


Related Posts: