Debati Obama-Romney, prapaskenat që ndodhën pas kuintave, gafat, akuzat dhe goditjet poshtë brezit

Thyhen rregullat në ringun e Hempstead mes Obamës dhe Romney
Debati Obama-Romney, prapaskenat që ndodhën pas kuintave
Shkëndija në raundin e dytë për Shtëpinë e Bardhë mes gafave, akuzave dhe goditjeve poshtë brezit. Presidenti fiton me pikën raundin. Fatale për Romney gafa mbi Libinë.

Panorama.it



Barack Obama hakmerret në Hempstead, 40 kilometra larg New York-ut, në debatin e dytë mes tre të tillave me Mitt Romney para votimit më 6 nëntor për Presidencën e Shteteve të Bashkuara. Këtë radhë nuk ishte Obama i përgjumur i Denverit, i turpëruar nga goditjet direkte të sfidantit të tij.
Debati i kësaj radhe i ngjati një ndeshjeje trup më trup si në një ring boksi. Debati u mbajt në arenën e Hofsfra University, nën dritat teatrale të sallës, mes bokseve të mëdha dhe para nja plateje me votues të pavendosur që i pyesnin direkt kandidatët. Në ring kishte edhe një arbitër që pyeste dhe modelonte, ishte gazetarja e Cnn Candy Crowley, grua me nerv që nuk hezitonte të ndërhynte me një respekt për faktet, gjë për të cilën gazetarët amerikanë janë mjeshtra.
Dhe jo ndodh në momentin më kulmor të debatit ku Romney akuzon Obamën që u vonua dy javë për ta cilësuar vrasjen e ambasadorit amerikan në Libi si një akt terrorist dhe që ai nuk u vra nga manifestimi improvizuar i turmës për filmin “Pafajësia e Krishtit”. Ky ishte gabimi, ose më mirë super gafa.
Obama e përgënjeshtron keq: “Ditën pas vrasjes fola qartë për një ‘akt terrorist” në kopshtin me lule të Shtëpisë së Bardhë”. Dhe Croëley e konfirmon: “Po, e ka thënë”. Dhe Presidentit: “Mund ta thuash me zë të lartë”. Dhe kjo është pika e kthesës së debatit. Dhe ndoshta, e tërë betejës presidenciale të 2012.
Po, Obama kishte rigjetur grintën e kandidatit që ishte në 2008-ën. Ishte i përqendruar, i vendosur, i saktë. Dora e tij në lëvizje largon ajrin dhe nga goja lëshon fraza ta forta, të përsëritura shumë herë para stafit të tij (para debatit), sepse këtë herë ai nuk mund të gabonte, jo atë natë.
I veshur me kostum të errët dhe kravatë ngjyrë gështenjë jo shumë të ndezur, e pranon përplasjen nga afër. Madje është i pari që godet: “Guvernatori Romney thotë se ka një plan pesëpikësh”, deklaroi presidenti në Universitetin Hofstra në qytetin Hempstead të shtetit të Nju-Jorkut dhe vijoi: “Guvernatori Romney nuk ka plan pesëpikësh, ai ka një plan njëpikësh dhe ky plan duhet të garantojë, që njerëzit në drejtim të ndjekin rregullat e tyre të lojës”.
Por edhe Mitt nuk zhgënjen. Edhe ai veshur me kostum të errët, por me kravatë me vija të bardha dhe blu. Oratori fluide, di të zgjedhë ndërhyrjen në kohën, dhe di të kontrollojë hapësirën. Jep të dhënë e krizës, dhe thekson se për katër vite klasa e mesme është “thyer” nga premtimet (e pambajtura) të Obamës, me një deficit që “në vend të ulej është dyfishuar, dhe se 23 milionë amerikanë janë pa punë, dhe taksat janë bërë më të larta”.
Fjalët kyçe të sfidantit ishin “klasa e mesme” dhe “Amerika”. Është efikas. Romney konfirmohet në lartësinë e duhur për Shtëpinë e Bardhë. Por të mërkurën në mbrëmje nuk mjaftonte.
Obama lufton dhëmb për dhëmb, e kërkon atë me sy, e shikon ngultazi në bebe të syrit, dhe pastaj me mospërfillje i kthen shpinën për të rifilluar debatin me ata që i interesojnë më shumë: me amerikanët që po e ndjekin nga televizioni.
Me raste rregullat thyhen, në vend që të alternohen në ring, me mikrofona në dorë, Romney dhe Obama kryqëzohen në mes të arenë, bëjnë dredhi, ndjekin njëri-tjetrin dhe ngrenë zërin. Rrisin agresivitetin dhe qetësinë, e kompensojnë të parën më një tjetër vlerë të nevojshme të liderit: aftësinë për të dëgjuar.
Por ata janë edhe të gatshëm të presin goditjet. Ose për të nisur sulmin.
Të gjitha sondazhet e japin Obamën si fitues, edhe pse me pikë. Në fund, përqafimi mes Barack dhe Michelle është më i ngrohtë sesa përqafimi mes Anne dhe Mitt.
Kthehet buzëqeshja në kampin e Obamës.

Michelle dhe Ann, të veshura në rozë

Performanca e dy kandidatëve presidencialë në debatin e zhvilluar një ditë më parë në New York ishte padyshim në fokus të medias. Por syrit të vëmendshëm të saj nuk i ka shpëtuar edhe një detaj interesant: bashkëshortet mbanin që të dyja fustane të së njëjtës ngjyrë: rozë e ndezur. Në shtypin e shkruar, kjo u interpretua si përpjekje e Michelle Obama-s dhe Ann Romney-t për të kërkuar votën e grave amerikane përmes fjalës së fundit të modës. Zonja e Parë kishte veshur një fustan me xhaketë të shkurtër të së njëjtës ngjyrë, ndërsa e shoqja e Mitt Romney-n kishte zgjedhur një veshje më të lehtë, edhe kjo rozë e fortë. Fustanet kanë ngjallur diskutime të mëdha, e në fund, disa analistë sugjeruan se gratë e rivalëve në garën për Shtëpinë e Bardhë, kanë vendosur të nderojnë nismën e “muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit”.

Debati Obama-Romney, kur moderatorja përbën lajmin

Debati i dytë paraelektoral Obama-Romney, përveçse shpalosjes së programeve përkatëse të dy kandidatëve me shpresën e përthithjes të sa më shumë votave, theu edhe një tabu 20-vjeçare; u drejtua nga një femër. Prej 20 viteve, debatet elektorale mes kandidatëve presidenciale për Shtetet e Bashkuara drejtoheshin vetëm nga meshkujt me arsyetimin e heshtur se “femrat nuk kanë autoritetin e duhur” për të mbajtur nën kontroll kandidatët. Do të duhej protesta dhe nisma e tre 17-vjeçareve amerikane që kjo traditë të thyhej. Sammi Siegel, Emma Axelrod dhe Elene Tsemberis u mobilizuan në një fushatë të paprecedentë duke grumbulluar 180 mijë firma në favor të kërkesës së tyre që debati i dytë Obama-Romney të drejtohej nga një femër.

Kërkesës së tyre i erdhi në mbështetje performanca e dobët e Jim Lehrer. Prezantuesi veteran që në karrierën e tij ka drejtuar plotë 12 të tillë, u kritikua ashpër si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët në përfundim të debatit të parë. Dy palët e akuzuan atë se humbi kontrollin mbi kandidatët duke e cilësuar drejtimin si “më të keqin e historisë”.

Përkundër kritikave ndaj Lehrer, vlerësime mori gazetarja Martha Raddatz që drejtoi debatin me zv/presidencial mes Joe Bidden dhe Paul Ryan. Këto dy arsye ishin ato që i besuan Candy Crowly, gruas që drejton departamentin e informacioneve politike në CNN, drejtimin e debatit të dytë.

Sondazhet

Rreth 46% e personave të pyetur mbështesin presidentin, ndërsa 39% mbështesin Romney. Për 73 për qind të personave të pyetur, veç rezultateve të mësipërme, Obama ka arritur një perfomancë më të mirë se pritshmëritë dhe parashikimet. Po ashtu edhe sipas një sondazhi te “CNBC”, rezultati i jep Obamës një mbështetje nga 56% e të intervistuarve ndërsa Mitt Romney vetëm 39%, nga ana tjetër rreth 5 % e të anketuarve u shpreh se asnjëri prej të dyve nuk e kishte fituar debatin.  Po ashtu edhe një sondazh i “CBS” i jep Obamës fitoren e debatit me 37 % të mbështetjes së të intervistuarve, ndërsa vetëm 30% mendon se fitorja ishte e Romney.

Gjuha e trupit ishte e mrekullueshme, Obama-Romney të mësuar me fitoren, të mësuar me respektin

Barack Obama bëri atë  që duhej të bënte

Nga Mark Mardell, BBC

Luftëtari i munguar është kthyer. Presidenti Obama ishte më i shpenguar. Ishte një tjetër format debati dhe një tjetër president në skenë. Votuesit e pavendosur nga New York-u bënë pyetjet dhe morën deklarata të qarta dhe të forta nga të dy kandidatët.

Nuk është më shumë që Obama fitoi, por ai nuk humbi kësaj here. Ai bëri atë që duhej të bënte dhe ndoshta diçka më shumë. Ai ishte i bindur, luftarak dhe i fortë. Mbështetësit e tij do të mendojnë se ai është kthyer.

Votuesit e Mitt Romney nuk do jenë të zhgënjyer gjithashtu. Ai pati një performancë solide, thuajse aq të mirë sa herën e fundit, por nuk e kishte ngritur më shumë veten dhe nuk e kishte skenën nën kontroll.

Shumë nga pikat kryesore të debatit i kemi dëgjuar disa herë- Mitt Romney arriti të thoshte se ai di si të drejtojë një biznes tre herë brenda një përgjigje.

Por gjuha e trupit ishte e mrekullueshme. Këta të dy janë burra shumë të suksesshëm, të mësuar me fitoren, të mësuar për të kapur fjalën e fundit, të mësuar me respektin.

Në fillimet e debatit ata afroheshin shumë me njëri- tjetrin, duke i pushtuar hapësirën personale kundërshtarit e duke ngritur duart në një gjest që nënkupton: Stop, po flas unë. Pas këtij pushtimi të vështirë të hapësirës personale, ata u tërhoqën pak, duke qëndruar në mënyrë jo të rehatshme të ulur, ndërkohë që tjetri fliste.

Por pasioni ndizej herë pas here ndërsa ata flisnin për njëri- tjetrin. 11 pyetjet e bëra nga audienca varionin nga kontrolli i armëve tek Libia e emigracioni, por fokusi kryesor ishte tek ekonomia.

Përplasja më dramatike ishte për Libinë dhe vrasjen e ambasadorit amerikan dhe tre personave të tjerë. Romney tha se Obama u mor me fushatën ditën tjetër. Obama e akuzoi Romney-n se po e politizon debatin dhe tha se ishte fyese që të thuhet se ai nuk e kishte vënë ujin në zjarr. Obama tha se po politizohet një çështje, për të cilën nuk është ai komandanti.

Një nga zënkat më serioze të mbrëmjes ishte kur Romney insistoi se Obama nuk e ka quajtur atë akt terrorist, ndërsa Obama dhe moderatorja Candy Crowley insistuan se ai e ka thënë diçka të tillë. Në fakt Obama e kishte përdorur termin ‘akti i terrorit’ në një mënyrë të hapur ditën pas sulmit, duke sugjeruar gjithashtu se sulmi ishte rezultat i videos anti- islamike.

Republikanët këmbëngulin se kjo është një zonë e frytshme sulmi, edhe pse unë jam pak konfuz pse ata mendojnë se është kaq e rëndësishme.

Media amerikane tani pranon idenë se sulmi nuk ka lidhje fare me videon. Konservatorët mund të jenë mërzitur me këtë debat- duket se Romney u ndërpre shpesh ndërsa thoshte fjalën e fundit dhe disa pyetje si të drejtat e grave, emigracioni dhe kontrolli i armëve, mund të thuhet se ishin në favor të Obamës, edhe pse të djathtët janë pasionantë në lidhje me këto çështje.

Mbi të gjitha, kjo ishte një kujtesë sesa i rrallë ishte debati i parë. Ai prodhoi një fitues dhe një humbës të qartë. Për shkak të kësaj, kishte vlerë politikisht.

Dyshoj se gjykimi ynë është më shumë se një vlerësim për një pjesë teatrale. Ajo që i druhej më shumë skuadra e Obama-s ishte kontribuuese në rënien.

Ndoshta kjo ndaloi kalbëzimin, duke ndalur panikun. Por gara vazhdon të mbetet jashtëzakonisht e paparashikueshme.

Ekonomia, energjia dhe politika e jashtme në qendër të debatit

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kundërshtari i tij republikan Mitt Romney zhvilluan mbrëmë debatin e dytë presidencial në Universitetin Hofstra të New Yorkut. Ndaj dy kandidatëve u drejtuan pyetje nga votues të pavendosur se për kë do të votojnë.

Presidenti Obama i tha kundërshtarit republikan Mitt Romney se plani i tij për mbajtur shkurtimin e taksave për të pasurit do të shtonte defiçitin dhe barrën mbi amerikanët.

“Nëse dikush vjen tek ju guvernator, me një plan për shpenzimin e 7 apo 8 trilion dollarëve por pa treguar se si do t’i gjejë këto para deri pas zgjedhjeve, nuk duhet  ta pranosh një marrëveshje  të tillë, as populli amerikan. ”

Gjatë debatit të dytë presidencial në Universitetin Hofstra në New York, zoti Romney akuzoi presidentin se dëshironte të rriste taksat për të pasurit. Ai tha se plani i tij do të çonte në rritjen e vendeve të punës dhe një buxhet të balancuar.

“Unë kam drejtuar biznese për 25 vite dhe kam balancuar buxhetet. Kam patur Lojërat Olimpike dhe e kam balancuar buxhetin. Kam drejtuar shtetin Massachussetts dhe nga pozita e guvernatorit kam balancuar buxhetin për katër vjet.”

Kandidatët u pyetën  nga votues ende të pavendosur se për kë do të votojnë.

Pyetja e parë erdhi nga një student i cili u kërkoi kandidatëve të dinte se çfarë do bënin që ai të gjente punë dhe të mbështeste veten financiarisht pas mbarimit të shkollës.

Zoti Romney tha se ishte e papranueshme që studentët mbarojnë shkollën me shumë borxhe dhe me shanse të vogla për të gjetur punë. Ai tha se studentët e meritojnë shansin për punësim. Pa dhënë detaje ai tha se e dinte se çfarë duhej bërë që ekonomia të rritej përsëri.

Nga ana e tij, presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për sistemin arsimor më të mirë në botë. Ai tha se do të krijonte më shumë vende pune duke ringjallur prodhimtarinë në Shtetet e Bashkura dhe ritrajnimi i punonjësve për industri të tjera, duke përdorur paratë e kursyera nga dhënia fund e luftërave në Irak dhe Afganistan.

Pas pyetjeve mbi energjinë, ekonominë, vendet e punës dhe pagës së barabartë për gratë, një pjestare e audiencës e pyeti zotin Romney mbi imigracionin.

Guvernatori tha se nuk do të jepte amnisti për imigratët e paligjshëm. Ai tha se donte një sistem efikas imigracioni duke bërë thirrje për dhënien e më shumë Kartave të Gjelbra/Green Card për punonjësit e kualifikuar. Ai akuzoi presidentin Obama se kishte dështuar në mbajtjen e premtimit për të realizuar reformën për imigracionin.

Presidenti tha se kishte bërë gjithçka të mundur për të rregulluar sistemin e imigracionit. Një tjetër pjesëtar në audiencë donte të dinte se kush kishte mohuar shtimin e sigurisë për konsullatën amerikane në Benghazi, Libya dhe pse.

Zoti Romney e akuzoi presidentin se ju deshën dy javë për t’i treguar popullit amerikan se sulmi ndaj konsullatës dhe vrasja e ambasadorit amerikan dhe tre të tjerëve, ishte një akt terrorist.

Nga ana e tij, presidenti tha se e kishte quajtur sulmin në Benghazi një akt terrorist ditën që pasoi. Ai tha se sugjerimi që kushdo në qeverinë e tij do të përdorte dhunën në Libi për përfitime politike apo hedhur hi syve popullit amerikan është fyes. (VOA)

Obama fiton edhe për klasën e mesme

Lehtësimin kolektiv të përkrahësve të Obamës vërtet mund ta dëgjoje, kur presidenti dha qysh prej fillimit një paraqitje krejt tjetër nga ajo në debatin e parë. Në ndryshim nga paraqitja pasive, gati e përgjumur dy javë më parë, ai duket i angazhuar dhe i vëmendshëm. Ai u kundërpërgjigj me argumentet e Romney-t dhe iu kthye vazhdimisht çështjeve të tij qendrore: forcimit të klasës së mesme dhe garantimit të shanseve të barabarta. Kundërshtarin e tij e akuzoi se përfaqëson vetëm interesat e të pasurve. “Guvernatori Romney thotë se ka një plan pesëpikësh”, deklaroi presidenti në Universitetin Hofstra në qytetin Hempstead të shtetit të Nju-Jorkut dhe vijoi: “Guvernatori Romney nuk ka plan pesëpikësh, ai ka një plan njëpikësh dhe ky plan duhet të garantojë, që njerëzit në drejtim të ndjekin rregullat e tyre të lojës”.

Pikat ku fitoi Romney

Republikani Mitt Romney nuk doli keq, arriti të bindë në pika të veçanta, mirëpo humbi në vlerësimin e përgjithshëm (në ndryshim nga debati i parë). Në një sondazh të parë të stacionit televiziv CNN në radhët e zgjedhësve të regjistruar, të cilët e kishin ndjekur debatin, 46 për qind thanë, se presidenti Obama e fitoi debatin, 39 për qind u shprehën në favor të Romneyt. Dhe 73 për qind deklaruan se presidenti kishte dalë më mirë se ç’pritej. Për Obamën ky ishte një sukses i rëndësishëm, sepse pas duelit të parë ai pati humbur terren. Sondazhet e opinionit qenë zhvendosur në shkallë kombëtare në drejtim të Romneyt (edhe në të ashtuquajturat ‘battleground states’, shtetet federale amerikane, për të cilat bëhet garë veçanërisht e fortë).

Romney humbet për ligjin e armëve

Te përdoruesit e Twitter-it një vërejtje e Romneyt hasi menjëherë kritikë: Në kuadër të debatit rreth ligjeve për armët ai bëri të mirëqenë përfundimin se arsyeja, që fëmijët dhe të rinjtë janë të gatshëm për dhunë, ka të bëjë me nënat, që i rrisin vetëm fëmijët. Në vend të ligjeve të reja për armët, tha Romney, vendi ka nevojë për një politikë, e cila forcon partneritetin tradicional. Obama kërkoi rivendosjen e ndalimit të armëve automatike, i cili kishte përfunduar për shkak të rezistencës së republikanëve.