Amik Kasoruho: Mehmet Shehu, Cerberi që e shihte Hoxhën si perëndi

Nga Amik Kasoruho


Nuk ka dyshim se kryeministri Mehmet Shehu nuk ishte një FRONT miop dhe as një idealist. I prerë si karakter, i pashpirt, inatçi dhe arrogant, ai ishte një njeri që jetonte larg njerëzve, por ia dilte t'i urdhëronte që nga larg. 
Kishte kryer studimet e mesme në shkollën teknike amerikane të Tiranës dhe aty kishte mësuar vlerën e të qenit praktik. Gjatë tridhjetë vjetëve kishte mundur të vinte re se humbëtira ndërmjet ideologjisë dhe ekonomisë kishte shkuar duke u zgjeruar. Edhe ai e konsideronte Enver Hoxhën një gjysmë perëndi.
Në vitin 1943 e kishte shpëtuar nga rrethimi gjerman, më 1948-ën e kishte përkrahur haptazi. Në vitin 1961 e kishte shoqëruar gjatë "arratisjes" nga Moska. Më 1978-ën i blatoi, edhe një herë, tërë përkrahjen e tij. Në nëntor 1981, nga tribuna e Kongresit të VIII të partisë i thuri lavde prijësit të madh.
Pak ditë mbas kongresit, Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike, krahu i djathtë i sekretarit të parë, kryetar i Këshillit të Ministrave, 'hero i popullit', 'hero i punës socialiste', ministër i Mbrojtjes, u gjend i vdekur në banesën e tij pak orë mbasi kishte dalë nga një mbledhje e Byrosë Politike të kryesuar nga Enver Hoxha.
Ky i fundit shpalli se zëvendësi i tij kishte rënë në kurthin e ngritur nga agjentë të fshehtë të huaj. Komunikata zyrtare ishte e thatë dhe në të mungonte fraza rituale "vdekja e tij është një humbje e madhe për partinë dhe për popullin shqiptar". Pak ditë më pas (nuk kishte si të mos ndodhte), filloi përbaltja e kujtimit të tij. U tha se kishte qenë një agjent (madje një poliagjent, - siç u përcaktua me një neologjizëm të ri, të sajuar qëllimisht për atë rast) në shërbim të amerikanëve, anglezëve, jugosllavëve dhe rusëve (çudi, pse jo dhe kinezëve), duke përzier në këtë punë dhe të shoqen dhe tre bijtë. U tha se i tillë ai kishte qenë për 45 vjet me radhë dhe se kishte pritur vetëm një urdhër nga jashtë për të eliminuar Hoxhën. Brenda pak ditësh superheroi u paraqit si një superspiun. U thanë shumë gjëra, por mbetën pa u thënë disa të tjera: Si shpjegohet që ky "poliagjent" nuk qe mundur të zbulohej gjatë një gjysmë shekulli? Si është e mundur që asnjë nga qindra e mijëra "agjentë" të imperializmit dhe të revizionistëve të arrestuar nuk e patën përmendur emrin e tij në hetuesi? Si është e mundur që të mos kishte gjetur dot mënyrën për të eliminuar Hoxhën? Dhe së fundmi: Ç'ndodhi efektivisht në atë mbledhje të Byrosë Politike?
Ndoshta përgjigjja për misterin që mbështjell vdekjen e Shehut duhet kërkuar pikërisht në atë çka u tha në atë mbledhje. Enver Hoxha e dinte se Mehmet Shehu zor të nënshtrohej dhe dinte gjithashtu se ç'duhej bërë në të tilla raste. Por, a e pat motivin për ta bërë? Deri më sot askush nuk mund ta thotë. Fakti është se të gjithë pjesëmarrësit në atë mbledhje janë gjallë, me përjashtim të vetë protagonistëve, Hoxha e Shehu, por askush nuk ka deklaruar gjë në lidhje me këtë ngjarje. Sidoqoftë gjendja ishte fort e paqartë; nëse atë natë Shehu nuk u arrestua, pse duhej të vriste veten në shtëpi? Dhe po të jetë se kishte hedhur një hap të gabuar, pse e lanë të kthehej në shtëpi? Pse një kopje e dokumenteve që u tha se iu gjetën në kasafortën e shtëpisë, nuk u bë e njohur? Dhe, po qe se këto dokumente provonin qenien e tij si agjent, si shpjegohet që ai i kishte ruajtur aq gjatë?
Ndoshta edhe e ka vrarë veten. Mund të mendohet ta ketë kundërshtuar Hoxhën. E dinte mirë se udhëheqësi nuk të falte. Por nuk duhet harruar karakteri guximtar i Shehut, gjë që nuk mund ta shtynte të kërkonte rrugëzgjidhje në vetëvrasje dhe as fakti tjetër që, po të kishte qenë me të vërtetë një agjent, asgjë s'do ta pengonte të arratisej. Pastaj atë natë dimri, veç lajmit të vdekjes së Shehut, nëpër rrugët e Tiranës qarkulloi rrufeshëm një fjalë tjetër: Në shtëpinë e tij ishin dëgjuar dy të shtëna revolveri! Raporti i vdekjes nuk u pa nga askush dhe mjeku që e nënshkroi, Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë, u arrestua dhe u pushkatua mbas një gjykimi formal me dyer të mbyllura.
Një valë e re spastrimesh përlau një numër gjeneralësh, pastaj edhe Kadri Hazbiun, kandidat i Byrosë Politike, ministër i Brendshëm, dhe kohët e fundit ministër i Mbrojtjes; Feçor Shehun, anëtar i Komitetit Qendror, zëvendësministër dhe pastaj ministër i Brendshëm; Mihallaq Ziçishtin, anëtar i Komitetit Qendror, ish- zëvendësministër i Brendshëm dhe sekretar i partisë për rrethin e Durrësit. Kjo valë preku në radhë të parë familjarët e Shehut; e shoqja u arrestua, i biri (i pari nga tre djemtë) vrau veten; pastaj edhe personat që i rrinin pranë (të caktuar nga vetë partia): shoferi i tij u arrestua, mjeku i tij u transferua familjarisht nga Tirana në Kavajë. Partia, dyzet vjet pas krijimit të saj, nuk kishte mundur ta shkundte frikën nga vetja. Tani, më shumë se kurrë, mbetej i paprekshëm, Enver Hoxha.