Pasi u ndanë shumë kohë më parë, dy vendet po rizbulojnë të përbashkëtat
Ndërsa një luftë po zhvillohet në kufijtë e Turqisë dhe trazirat ekonomike dhe politike në Egjipt vijojnë, të dyja vendet duket se janë në rrugë për ndërtimin e një aleance që mund të sjellë një ndryshim domethënës gjeopolitik në Lindjen e Mesme, ndryshim i shkaktuar nga “Pranvera arabe” dhe që ka bashkuar dy shtete me ambicie rajonale, që të dyja të udhëhequra nga parti politike me rrënjë islamike. Lajmi raportohet nga NYT.
Egjipti dhe Turqia po diskutojnë plane për heqjen e kufizimeve të vizave dhe së fundmi, kryen stërvitje detare të përbashkëta në Mesdhe. Turqia ka ofruar një paketë 2 miliardë dollarë ndihma dhe ka diskutime edhe për mundësinë që Turqia të ndihmojë Egjiptin për restaurimin e ndërtesave të epokës otomane. Një seri marrëveshjesh bashkëpunimi pritet të njoftohen së shpejti, kur Kryeministri Recep Erdogan do të vizitojë Kajron. Ai drejton një parti me rrënjë islamike ndërkohë që edhe Presidenti aktual i Egjiptit vjen nga Partia e Vëllazërisë Myslimane.
Aleanca e re është krijuar si pasojë e rrëzimit kataklizmik të Hosni Mubarak në Egjipt dhe nga lufta e përgjakshme civile në Siri. Megjithëse pozicioni i Egjiptit prej kohës është dobësuar për shkak të dobësive ekonomike dhe rënies së fuqisë diplomatike, ky vend mbetet i rëndësishëm në rajon, për shkak të aleancave që ka me Arabinë Saudite dhe Jordaninë.
Egjipti shpeshherë ka konkurruar me Turqinë për zemrat dhe mendjet e botës islamike. Të dyja vendet kanë të shkuar perandorake, por së fundmi, Turqia është shfaqur si mbështetësja më e madhe e palestinezëve.
Turqia kishte më parë marrëdhënie të ngushta me Sirinë, që tashmë kanë kaluar në armiqësi të hapur dhe kanë penguar bashkëpunimin politik dhe ekonomik me pjesën tjetër të botës arabe.
Për rrjedhojë, Turqia dhe Egjipti duket se kanë nevojë për ndihmesë të ndërsjellë. Por një aleancë e tillë mund të ndryshojë rajonin për shumë dekada. “Dukshëm Egjipti tashmë është partneri më i afërt i Turqisë në Lindje të Mesme”, thotë Gamal Soltan, një profesor i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Kajros.
Turqia e ka ripozicionuar politikën e saj të jashtme gjatë viteve të fundit më shumë në drejtim të Lindjes së Mesme se sa Europës. Ndërkohë, Egjipti sapo ka dalë nga shumë dekada sundimi autoritar që la pas një ekonomi të rrënuar dhe ideologji shumë konkurruese, përfshirë islamin dhe liberalizmin. Ky vend po sheh nga Turqia si një shembull frymëzimi. Rënia e aleancës me Sirinë e ka shtyrë Turqinë të intensifikojë përpjekjet për aleancë me Egjiptin, por dukshëm, edhe elementi i rrënjëve të përbashkëta islamike të liderëve të dy vendeve është një shtysë e fortë. Turqia është njohur gjatë dekadave të fundit si një aleate e Izraelit, por marrëdhëniet me Tel Avivin janë përkeqësuar ndjeshëm.
Por aleanca Turqi-Egjipt nuk pritet të kalojë lehtë për popullatat e të dy vendeve. Grupimi ende i fuqishëm i laikëve në Turqi nuk dëshiron të shohë një aleancë me një vend edhe më mysliman si Egjipti, ndërsa myslimanët e Egjiptit e shohin Turqinë me dyshim për shkak të laicizmit të theksuar, ku gratë e mbuluara nuk lejohet të punojnë në administratën publike.
Aleanca mes dy vendeve mund të zëvendësohet edhe në njëfarë gare për të qenë shembulli udhëheqës mes arabëve. Egjipti e ka pretenduar gjithmonë këtë rol dhe aty ka themelin pan-arabizmi, por Erdogan është konsideruar gjatë viteve të fundit një kalif, udhëheqësi historik i shtetit islamik, për shkak të mbështetjes që i ka dhënë çështjes palestineze.





