Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka mbrojtur politikën transferuese të klubit pasi Topçinjtë zbuluan përfitime prej 46 milionë euro.
Rezultatet financiare të klubit ishin rritur dukshëm nga fondet e krijuara nga shitja e lojtarëve si Cesc Fabregas, Samir Nasri dhe Gael Clichy, por harxhimet në paga janë rritur nga 156 milionë në 180 milionë euro.
Edhe të ardhurat nga ndeshjet janë rritur për më shumë se 120 milionë në vit, me biletën më të lirë për ndeshjen e të shtunës kundër Chelseat në Emirates Stadium që kap çmimin 78 euro – e që e bën atë ndeshjen më të shtrenjtë në Ligën Premier.
“Numrat tonë janë të mirë. Ata janë të kënaqshëm, shumë të kënaqshëm. Ne jemi shumë me fat pasi kemi një mbështetje të mirë dhe të ardhurat tona janë shumë të larta”.
“Ne duhet ta ruajmë këtë duke mbajtur tifozët të lumtur dhe duke vazhduar të menaxhojmë mirë siç e kemi bërë deri tani”.
“Ne nuk kemi frikë të harxhojmë para, por ne ndjejmë se edhe nëse harxhojmë paratë tona, nuk mund të garojmë me disa klube për lojtarë të caktuar. Ne duam t’i harxhojmë paratë në mënyrë të duhur”, ka thënë Wenger.
Pavarësisht rritjes së buxhetit, Wenger ka thënë se Arsenali ishte nxjerrë nga gara për mesfushorin belg, Eden Hazard, i cili iu bashkua Chelseat për 32 milionë funte.
“Të gjitha buxhetet e mëdha në Angli ishin pas tij. Çmimi i transferimit ishte i fiksuar, pasi ai kishte një klauzolë, andaj çdokush ishte në të njëjtin nivel. Nuk mund të them sa afër ishim pasi nuk e di sa Chelsea ka paguar për të”, ka shtuar Wenger.