Secili lojtar i Manchester United, do ta shtrëngoj dorën me sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez, në superderbin që zhvillohet të dielën në Anfield.
Kujtojmë se Luis Suarez ishte suspenduar për tetë ndeshje pas abuzimeve raciste të bëra ndaj Patrice Evras, ndërsa kjo ka bërë që në ndeshjet e ardhshme lojtarët të refuzojnë shtrëngimin e duarve me Suarezin.
Të dielën do të jetë ndeshja e parë e Liverpoolit në Anfield pas publikimit të raportit të Hillsborough, që i pastroi tifozët e Liverpoolit për fajin e vënë mbi tyre për tragjedinë që mori jetën e 96 personave.
“Në një ditë të veçantë sikurse kjo e dielë, që do të jetë shumë emocionale, askush nuk dëshiron që diçka të ndodhë që do t’ia prishte imazhin ndeshjes. Luis Suarez dhe Patrice Evra do t’i shtrëngojnë duart ashtu sikurse lojtarët tjerë. Duhet të tregojmë bashkim mes Unitedit dhe Liverpoolit. Dhe shembulli më i mirë për këtë mund të vijë nga lojtarët në fushë”, ka theksuar një burim brenda Unitedit.
Liverpooli takohet të dielën me Manchester Unitedin në derbin më të madh në futbollin anglez që zhvillohet me fillim nga ora 14:30.