Jose Mourinho ka paditur drejtorin e gazetës sportive spanjolle Marca, Roberto Palomar, për komentet e tij në një artikull për trajnerin e Real Madridit.
Gazetari publikoi një shkrim më 17 shtator, ku i ishte referuar trajnerit portugez si ‘tipi i njeriut që largohet pasi shkakton një aksident’.
Mourinho ndjen se Palomar i ka kaluar kufinjt me fjalët që ka zgjedhur dhe kështu ka vendosur që të padisë atë dhe gazetën madrilene.
“Shprehja e tillë është tendencioze dhe përdorimi i fjalëve të tilla ishte i panevojshëm për të arritur synimin e artikullit. Mourinho është në dijeni për rëndësinë e të drejtave dhe lirisë së shprehjes dhe nuk ka marrë, e as që do të marrë ndonjëherë masa ligjore ndaj kritikave të drejta”, shkruan në një komunikatë të zëdhënësve të portugezit.
49 vjeçari më parë kishte paditur gazetarin e gazetës El Pais, Charles Bouvier, pasi ky i fundit e quajti ‘portugez nazist’.





