Milani kuotohet për rënie në Serie B

Kriza e thellë e gjigantit italian, Milanit, është reflektuar menjëherë në kompanitë e mëdha të basteve nëpër Europë, të cilat i kanë dhënë kuotë klubit Rossoner për rënie në kategorinë e dytë të futbollit italian, Serie B.

Milani, që në histori të klubit ka qenë dy herë në Serie B, ka një koeficient prej 22 për rënie në Serie B, që është një koeficient relativisht i ulët, marrë parasysh që Lazio ka një kuotë prej 41 që të fitojë titullin e kampionit, edhe pse klubi romak ka qenë në krye të tabelës në fillim të kampionatit.
Sipas këtyre kompanive, kriza e Milanit do të vazhdojë dhe është më shumë e mundshme që kuq e zinjt të shohin veten në Serie B se sa Lazio ta fitojë titullin.
Ky ndryshim drastik koeficientësh vjen pasi Milani ishte kuotuar me 3.85 që ta fitojë titullin, i dyti para Juventusit që kishte kuotë prej 2.35 për ta fituar titullin e kampionit.
Nga katër ndeshjet e zhvilluara në Serie A, Milani ka tri humbje dhe vetëm një fitore. Rossonerët gjenden në vendin e 15-të me vetëm tri pikë të tubuara.