Telashet e Egjiptit me Sinain


 “New York Times"



Presidenti i Egjiptit, Mohamed Morsi, mori detyrën më pak se dy muaj më parë dhe është përpjekur të drejtojë shtetin e tij, si ekonominë ashtu edhe politikën, në një kurs post-Mubarakian. Tanimë një tjetër sfidë zë vend në listën e liderit islamist, pasi një sulm në gadishullin Sinai la të vdekur 16 ushtarë egjiptianë dhe ktheu shqetësimet lidhur me sigurinë në një krizë në lulëzim të plotë. Ky sulm do të testojë aftësitë e Morsiut për të vendosur kontroll mbi Sinain e pakontrollueshëm, por gjithashtu edhe qasjen e tij kundrejt Izraelit. Çfarëdo që i ndan dy vendet - gjera të cilat nuk janë të pakta - ato lidhen mes vete në kufirin e Sinait. Nuk mund të ketë kurrë stabilitet të vërtetë, nëse Egjipti nuk mund të gjejë mënyrat për të punuar sëbashku me Izraelin në çështjet e sigurisë dhe të vazhdojë të respektojë traktatin e paqes së vitit 1979. Sinai u demilitarizua gjerësisht pas traktatit të paqes. Mubaraku bashkëpunoi me Izraelin në çështjet e sigurisë por neglizhoi rajonin e shkretëtirës, çka bëri që shumë rezidentë të ndjenin se iu ishte hequr e drejta e votës. Që prej rrëzimit të Mubarakut në vitin 2011 në Sinai janë vënë re gjithnjë e më shumë paudhësi teksa kriminelë beduinë dhe militantë palestinezë nga Gaza fqinje dhe ekstremistë të tjerë kanë operuar lirshëm. Ka shumë armë të përhapura dhe pak institucione shtetërore. Sipas dëshmitarëve okularë dhe burimeve zyrtare, banditë të armatosur sulmuan një postë kufitare mbrëmjen e së dielës dhe vranë ushtarët teksa po bëheshin gati për të bërë iftar. Banditët më pas kaluan në Izrael me një kamion të vjedhur dhe me automjete të blinduara; një automjet shpërtheu në kufi ndërsa të tjerët u goditën nga forca ajrore e Izraelit. Sulmuesit nuk janë identifikuar në mënyrë përfundimtare. Partia e Vëllazërisë Myslimane e Presidentit Morsi, e cila shpesh ka shprehur armiqësi ndaj Izraelit, duke mos folur në emër të kreut të shtetit, përdori uebsajtin e saj zyrtar për të thënë se nuk përjashtohet mundësia që përgjegjëse të jetë edhe inteligjenca izraelite. Ambasadori i Izraelit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet profilit të tij në “Twitter” fajësoi Iranin, por qeveria izraelite, dhe shumë të tjera, thanë se kjo mund të jetë punë e militantëve të frymëzuar nga Al-Kaeda që kanë lidhje me palestinezët në Gaza. Ushtria e Egjiptit, e cila ende ka shumë leva pushteti, i quajti “të paudhë” sulmuesit. Z. Morsi gjithashtu injoroi vijën anti-izraelite. Ai tha se “nuk ka vend për të paqëtuar këtë pabesi, këtë agresion dhe këtë kriminalitet”, dhe premtoi se forcat e sigurisë do të shtrijnë kontrollin e tyre të plotë mbi Sinain. Ka disa shenja pozitive të hershme. Sipas “The Times”, një gjeneral izraelit dhe një gjeneral egjiptian janë takuar afër kufirit për të diskutuar lidhur me hetimin e incidentit. Izraeli i dorëzoi Egjiptit makinën ushtarake dhe trupat e viktimave. Egjipti mbylli kufirin që e lidh me Gazën dhe filloi të mbyllë tunelet që shfrytëzohen për kontrabandë. Për të forcuar ndjeshëm prezencën ushtarake në rajon, qeveria egjiptiane mund ta ketë të domosdoshme modifikimin e traktatit me Izraelin. Ndërkohë, Presidenti Morsi është ballafaquar me zemërimin e egjiptianëve të cilët e konsiderojnë atë dhe Vëllazërinë dashamirës ndaj vrasësve të ushtarëve, pjesërisht pasi ai u ka bërë lëshime liderëve të Lëvizjes Hamas në Gaza. Protestuesit e detyruan Morsin të ndryshojë planin për të marrë pjesë në funeralin e ushtarëve të martën. Është ende herët të thuash nëse qeveria egjiptiane dhe ushtria, ende të fokusuara mbi një tranzicion të vështirë demokratik, do ta kthejnë Sinain e paqëndrueshëm në një prioritet. Kjo është në interesin kombëtar, megjithëse ata ende se kanë kuptuar.